Lëvizja\UÇK

Fjala e Ambasadorit Ramadan Avdiu për shtëpinë e Bacë Rexhepit e Nënë Havizes dhe Familjen VESELI

Të nderuar anëtarë të familjes Veseli!

Të nderuar pjestarë të familjeve të Heronjve e Dëshmorëve të kombit, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë!

Të respektuar të pranishëm!

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta, me rastin e 41 vjetorit  të bashkimit të organizatave patriotike dhe themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovë, sot jemi tubuar këtu, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen tonë për familjen Veseli dhe për të zbuluar pllakën përmes së cilës e shënojmë këtë shtëpi dhe këtë familje si një vend që ishte bazë e rëndësishme e Lëvizjes antipushtuese, ku veprimtarë e drejtues të Lëvizjes,  kanë qëndruar, mbajtur takime të shumta dhe kanë koordinuar veprimtarinë çlirimtare për të gjitha viset e okupuara shqiptare.

Familja Veseli ka histori të veçantë. Kryefamiljari Rexhepi, ka lindur në familjen Havolli në Llapashticë të Besianës. Por, ai është rritur dhe edukuar në familjen Veseli në Orllan, ngase ishte adoptuar gjegjësisht i birësuar nga kjo familje. Rexhepi dhe pasardhësit e tij, asnjëherë nuk i kanë shkëputur lidhjet dhe komunikimin  me pjestarët e familjes Havolli.

Menjëherë pas luftës së Dytë Botërore Rexhepi martohet me Hafize Xhakaliun.

Në vitin 1961, Rexhepi me Hafizen vendosin të shpërngulen nga Orllani në Prishtinë. Ata u  vendosen në këtë truall dhe nga këtu filluan të ndërtojnë jetën për familjen. I rritën, i shkolluan dhe edukuan në frymë liridashëse e patriotike tetë fëmijët e tyre; Hatixhen, Sejdiun, Veselin, Rrahmanin, Limanin, Shemsiun, Bedriun dhe Mevluden.

Veçënarisht prindërit e rinj ishin të interesuar të ju krijojnë fëmijëve kushte për t’u shkolluar. Disa vite më vonë Rexhepi do të gjejë punë në spitalin e Prishtinës. Ndonëse në rrethana okupimi, Ai duke e zgjeruar familjen përpiqet të sigurojë ekzistencën dhe të krijojë sadopak kushte të përshtatshme për shkollim të fëmijëve.

Djali më i madh i Rexhepit dhe Hafizes, Sejdiu sapo filloi shkollën e mesme,  kishte filluar të shprehë paknaqësinë e tij për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi ngase e kishte përjetuar,  shtypjen e shovinizmit rankoviist, dhunën, diskriminimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga vatrat  e tyre në Turqi. Në këtë kohë ai e kishte të qartë padrejtësinë historike që ishte bërë karshi popullit tonë duke e coptuar e ndarë në disa shtete…

Sejdiu bashkë me Veselin ishin pjesmarrës aktiv në demostratat e vitit 1968.  Këto demonstrata kishin ndikuar tek Sejdiu të forconte bindjen dhe  vendosmërinë  revolucionare në mendjen e tij,  se duhet angazhuar dhe punuar në drejtim të ndryshimit të gjendjes, të mobilizimit të shqiptarëve për të luftuar për avancimin e të drejtave dhe lirisë kombëtare. Bindjet revolucionare e patriotike iu shtuan edhe më shumë pas arrestimeve dhe dënimeve të veprimtarëve patriot pas demostratave të vitit ’68, e veçënarisht pas arrestimeve dhe dënimeve të veprmitarëve  në gjysmën e viteve  të ’70-ta, në krye me Adem Demaçin.

Në vitin 1976, pas një sëmundjeje Kryefamiljari Rexhepi do të shkëputet nga jeta. Barra e mabjtjes dhe përkujdesjes ndaj familjes bie kryesisht mbi shpatullat e nënë Hafizes dhe të djalit të madh Sejdiut. Kjo gjendje e krijuar në familje ndikoi pak në ngadalësimin e elanit revolucionar të Sejdiut. Ai me ndihmën e nëne Hafizes dhe i ndikuar nga fryma e babait Rexhepit,  u kujdes për vëllezërit e motrat, duke mbjellur dhe kultivuar tek ata  frymën, antipushtuese, liridashëse, patriotike e revolucionare.

Krahas angazhimeve për mabjtjen e familjes,  sapo iu bënë krah vëllezërit Rrahmani dhe Veseli,  të cilët u punësuan, kurse Sejdiu filloi të përkushtohet më shumë në komunikim me atdhetarë e veprimtarë patriot. Bashkë me të vëllain Shemsiun dhe disa shokë si Rrahman Bahtiri fillojnë ndërtimin e një Organizate revolucionare FNÇ, që në vitin 1980 merr formë dhe fillon të shtrij radhët e saj në gjithë Kosovën.

Pra organizata FNÇ zuri fill në këtë shtëpi dhe në këtë familje.

Demonstratat e vitit 1981 përveq që ndikuan në vetdijësimin e popullit tonë për pozitën e tij prej të robëruari,  ndikuan dhe ishin një katalizator i rritjes së shkallës së organizimit të fshehtë antipushtues. Kishte organizata që vepronin me platformë të njejtë por nuk njiheshin dhe nuk kishin komunikim mes vete.

Ato fillojnë të kërkojnë njara tjetrën, të komunikojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet.  Pasi kishin filluar bisedimet mes organizatave për krijimin e një organizimi të vetëm mbi bazën e një platforme të hartuar nga njëra prej organizatave, Tezat për Frontin e Republikës,  do të pasoj një fushatë e madhe e  arrestimeve të veprimtarëve .

Organizimi klandestin në Kosovë  dëmtohet ndjeshëm. FNÇ në krye me Sejdi Veselin e kishte ruajtur strukturën ngase nuk ishte dekonspiruar. Akcionet e veprimtarëve të Frontit Nacionalçlirimtar, por edhe të disa grupimeve të tjera, në vitet 1981, 82, 83,  dëshmonin për kontinuitetin e veprimtarisë antipushtuese….

Bisedimet për rritjen e cilësisë së organizimit vazhdojnë jashtë vendit nën drejtimin e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekes dhe Ibrahim Kelmendit. Si rezultat i këtyre bisedimeve krijohet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi më vonë LPK…

Themeluesit e Lëvizjes Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla u vranë nga UDB-ja në Untergrupenbah  të Gjermanisë pikërisht pse bashkonin dhe bashkoheshin.

Ata u vranë por organizimi i Lëvizjes, përkundër arrestimeve, ndjekjeve e persekutimeve sistematike  shkoi duke u rritur dhe forcuar vazhdimisht.

Në vitin 1983 fillon një komunimikim intensiv për bashkimin e organizimit dhe bashkrënditjen e veprimeve antipushtuese në mes Sejdi Veselit dhe veprimtarëve të Lëvizjes Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Osmani.

Kur praktikisht ishte arritur bashkimi dhe forcimi i radhëve të organizuara antipushtuese, UDB-ja u bie në gjurmë dhe duke i përcjellur Rexhep Malen, Nuhi Berishen dhe Kadri Osmanin i bëjnë një rrethim të hekurt jo vetëm shtëpisë së vëllezërve Veseli ku ishin Rexhepi, Nuhiu dhe Kadriu, por tërë lagjes dhe natën e acartë  më 11 janar 1984,  në rezistencë e sipër Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha bien heroikisht,  kurse në familjen Veseli arrestohen pesë vëllezërit: Sejdiu, Veseli, Rrahmani, Limani dhe Shemsiu. Bedriu ndodhej në shërbimin ushtarak. Gjithashtu arrestohet edhe Kadri Osmani.

Në këtë natë fillon golgota për familjen Veseli. Të gjithë anëtarët e familjes burra, gra e fëmijë  maltretohen brutalisht. Vëllezërit e arrestuar Veseli torturohen mizorisht.

Fushata e arrestimeve ka vazhduar deri në muajin mars.

Në vazhdën e këtyre arrestimeve më 8 shkurt 1984, vritet nga policia pushtuese bashkëveprimatri ynë Bajram Bahtiri…

Në qershor të vitit 1984, në procesin e njohur gjyqësor kundër organizatës antipushtuese FNÇ Sejdiu dënohet 14 vjet burg kurse Shemsiu 11 vjet, në këtë proces ndër të tjerë u dënua edhe heroji i kombit Afrim Zhitija i cili u dënua me 8 vjet burg, dhe po i përmendi edhe pjestarët e kësaj lagjeje, Agim Sahiti i cili u dënua me 8 vjet burg dhe Xhemail Rexhepi, i cili u dënua me 7 vjet burg.

Gjatë qëndrimit në burg të Sejdiut dhe Shemit, shtëpia e familjes Veseli ishte çerdhe e veprimtarëve patriot ngase vëllezërit e tjerë kishin krijuar lidhje me atdhetarë e patriotë nga të gjitha trojet shqiptare.

Pas daljes nga burgu më 1990, sikurse Sejdiu ashtu edhe Shemi menjëherë u aktivizuan në rezistencën antipushtuese dhe për asnjë çast nuk u ndalen së vepruari në drejtim të pregatitjeve për luftë çlirimtare dhe në mobilizim të veprimtarëve për të iu kundërvënë pushtuesve.

Komunikimet dhe frekuentimet e shtëpisë së familjes Veseli,  nga shumë veprimtarë sërish tërhoqën vëmendjen e pushtuesve dhe ata në dhjetor të vitit 1991, sërish e arrestojnë Sejdiun dhe e dënojnë me 4 vjet burg.

Arrestimet, dënimet dhe maltretimet nuk i ligshtonin vëllezërit Veseli të cilët vazhdonin veprimatrinë çlirimatre me kujdes të shtuar por edhe me përkushtim të sforcuar. Akoma pa u liruar  Sejdiu nga burgu , në vitin 1993 arrestohet Shemsiu dhe dënohet me 5 vjet burg.

Duke e parë se ishte bërë  thuajse i  pamundur qëndrimi i Sejdiut në Kosovë,  ai vendos që për një kohë të kaloj në Shqipëri nga ku e vazhdoj veprimatrinë çlirimatre si veprimtarë, përfaqsues dhe zëdhënës i Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës.

Menjëherë pas intensifikimit të operacioneve të luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sejdiu u rreshtua në radhët e UÇK-së ku ju bashkua Shemsiu sapo doli nga burgu në vitin 1998, e pastaj edhe të gjithë vëllezërit e tjerë Veseli.

Duhet thesksuar se shtylla e shtëpisë së familjes Veseli., Nëna Hafize ishte ajo që motivonte jo vetëm të bijtë e saj,  por edhe të gjithë neve që frekuentonim këtë shtëpi. Në shikimin e nënës Hafize, ne e shihnim lirinë. Ajo shpesh na thoshte;  «mua do të më mjftojë vetëm një ditë,  për ta parë e përjetuar lirinë dhe pastaj nuk kam më asnjë dëshirë në këtë botë».

Sot një vit nga shkuarja e saj në amshim e kujtojmë me peitet dhe e falënderojmë për pritjen, përcjelljen, motivimin dhe frymëzimin e shumë veprimatrëve që kanë kaluar nepër derën e shtëpisë së familjes Veseli. Ajo ka  qenë nënë heroinë .

Populli shqiptar në përgjithësi, veprimatrëtarët e luftëtarët e lirisë, dhe Shoqëria Lëvizja  në veçanti, përjetësisht do t’i jenë mirënjohës familjes Veseli për kontributin e dhënë në rezistencë e luftë për liri. Një falënderim të veçantë gjithmonë do të dedikohet për bashkëshorten e Sejdiut Mejremen dhe bashkëshorten e Rrahmanit, Ajshen, gruan e Limanit, Safeten dhe gruan e Shemsiut, Agimen,  të cilat i pritën dhe përcollën veprimtarët sikur të ishin vëllezërit e tyre .

Kjo shtëpi dhe kjo familje e mbruajtur me taban të fortë atdhedashurie, edhe pse e bastisur, e survejuar, e terrorizuar, e burgosur, gjeti gjithmonë forcë për t`u ringritur, dhe për të qenë në nivelin më të lartë të veprimeve antipushtuese.

Sjediu, Shemsiu dhe përgjithësisht familja Veseli me angazhimin e tyre vetmohues në rezistencë dhe në luftë për liri, por edhe si njëra prej familjeve më të persekutuara në Prishtinë,  kanë lënë gjurmë në historinë tonë më të re dhe janë pjesë e pandashme e saj ndaj sot e shënojmë këtë shtëpi për të gravuar në memorjen dhe kujtesën tonë kolektive kontributin dhe sakrificën e familjes Veseli…

Ju falemnderit