Vështrim/Analizë

17 Shkurti i formalizimit të shkëputjes – pavarësimit të Kosovës (pa vise) nga Serbia, pas Luftës Çlirimtare të LPK – UÇK -së e të kombit shqiptar

Urim për popullin shqiptar në Kosovën e Shqipërisë dhe për gjithë kombin tonë anembanë botës!

17 Shkurti, të dashur bashkëkombës, është një Ditë e shënuar e historisë më të re të Shqipërisë dhe një Ditë e rëndësishme për shqiptarët pa dallim në Iliri dhe në botë. Në këtë datë, Kosova e çliruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (fatkeqësisht pa viset e saj), që fitoi përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës demokratike, u shpallë nga Kuvendi i saj i zgjedhur Republikë edhe de jure, e shkëputur dhe e pavarur nga Serbia.

Çlirimi i Kosovës së Shqipërisë ishte fitorja më e madhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe pas fitores mbi nazifashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, të dashur bashkëkombës, FITORJA E MADHE dhe e plotë e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë do të jetë vetëm atëherë, kur çdo pëllëmbë e tokës së Shqipërisë të çlirohet dhe bashkohet në një shtet, në një Shqipëri…

Sot, bashkë me ju lexues të dashur, Gazeta LËVIZJA, kujton dhe falënderon me nderim të thellë shtetin tonë AMË, – shtetin e Enver Hoxhës, që për një gjysmë shekulli, ishte mbështetja, frymëzimi dhe shpresa e vetme në rruzullin tokësor për dy të tretatë e pushtuara të Shqipërisë. Edhe sot, kur Kosova e Shqipërisë, duke iu falënderuar përpjekjeve dhe Luftës Çlirimtare të LPK – UÇK – së dhe të kombit shqiptar, ka fituar miq anembanë botës, shteti ynë AMË (Republika e Shqipërisë) është garancia, mbështetja dhe shpresa jonë e vetme në çdo rrethanë e situatë rajonale, evropiane a botërore…

Organizata me ndikim në Lëvizjen tonë Kombëtare ishin ato të intelektualëve e atdhetarëve Metush Krasniqi e Adem Demaçi, Shaban Shala e Fazli Graiçevci dhe bashkëveprimtarëve të tyre. Brezi i tyre u bë shembulli që u ndoq nga brezi i Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Rexhep Malës, Jakup Krasniqit e bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të tyre të shumtë. Me mendjen dhe idetë e tij, me qartësinë dhe largpamësinë e tij politike e kombëtare dhe me qëndresën e pathyeshmërinë e Tij, Adem Demaçi u bë simbol i rinisë shqiptare, i Lëvizjes patriotike dhe i popullit të robëruar shqiptar. Me bëmat e Tij, Adem Demaçi, fitoi edhe vëmendjen dhe përkrahjen e Enver Hoxhës dhe të shtetit shqiptar qysh në vitet e gjashtëdhjeta. Ai, ishte edhe ideologu i LPK – së dhe i Lëvizjes sonë Kombëtare. Organizimi, veprimtaria dhe drejtimi i LPK – së, pos në traditën e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe trashëgiminë e saj, mbështetej edhe në idetë, shembullin dhe mësimet e Tij. Pas daljes nga burgu i fundit, Baca Adem ishte “konsulenti” dhe “mentori” më i rëndësishëm i LPK – së. Drejtuesit e LPK – së mbanin lidhje të ngushta me Bacën dhe këshilloheshin me të për përgatitjet që po bëheshin për Luftën e Armatosur Çlirimtare…

Lëvizja Popullore e Kosovës ishte sintezë e përpjekjeve të shumë brezave, organizatave, grupeve, atdhetarëve dhe popullit tonë të pushtuar nga Jugoserbia që nga viti 1912, kur dy të tretatë e Shqipërisë u pushtuan me zjarr e hekur, me terror e masakra dhe gjenocid nga shovinistët serbo – malalzezë e grekë.  Ajo u themelua me bashkimin e organizatave atdhetare të asaj kohe. Themelimi i LËVIZJES ka vulën e gjakut të tre HERONJVE të saj dhe të Shqipërisë: Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Me bashkimin e OMLK – së, LNÇKVJ – së dhe Frontit të Kuq lindi LËVIZJA… Bashkimit të këtyre organizatave i kanë paraprirë shumë përpjekje, nisma, bisedime e takime të suksesshme e të dështuara. Edhe pas themelimit të LËVIZJES pati rënie e ngritje, hyrje e dalje nga LËVIZJA, ribashkime e rindarje, (ri)marrëveshje e mosmarrëveshje, suksese e dështime. Ashtu siç kishte ndodhur edhe para themelimit të LËVIZJES më 17 Janar 1982, edhe pas themelimit të saj pati edhe të tillë “patriotë” dhe celula e grupe “patriotike” që bashkoheshin kundër BASHKIMIT, kundër LËVIZJES… I gjithë ky proces bashkimi e themelimit ishte i varur dhe i determinuar nga rrethanat e kohës dhe nga njëmijenjë arsye e faktorë që ndikonin në sukseset apo mossukseset e bashkimit dhe fuqizimit të LËVIZJES, e cila ishte rezultat i totalit të atyre rrethanave historike, politike, rajonale, ndërkombëtare, shoqërore, kulturore, etj. Në këtë rrugëtim të vështirë e të përgjakshëm të Lëvizjes sonë Kombëtare, përgjithësisht, dhe të LPK – së, posaçërisht, ndikonin shumë edhe dhuna, represioni dhe terrori shtetëror i Jugoserbisë ndaj veprimtarëve të LËVIZJES dhe popullit të robëruar shqiptar. Dora represive, terroriste dhe vrastare e Jugoserbisë së Tito – Rankoviçit ishte zgjatur edhe në vendet e Evropës dhe të Amerikës, Australisë, Turqisë e kudo ku vepronte LËVIZJA dhe veprimtarët e saj. Mijëra veprimtarë të LËVIZJES persekutoheshin, arrestoheshin, torturoheshin e dënoheshin me shumë vite burg të rëndë. Qindra veprimtarë e drejtues të LËVIZJES ishin torturuar për vdekje, ishin vrarë në prita dhe atentate ose kishin rënë me armë në dorë duke luftuar me heroizëm kundë forcave pushtuese dhe kolaboracioniste. Numri i shqiptarëve të persekutuar, të arrestuar, të burgosur e dënuar deri në vitin 1998 kishte arritur në 750 000 (rreth 50 % e popullit shqiptar në Kosovën pa vise)!

Në këto rrethana represioni e terrori shtetëror LËVIZJA ia doli me shumë durim, përpjekje, mençuri e këmbëngulje të organizonte dhe të mbante Mbledhjen e Parë të Përgjithshme (korrik 1987). Ky ishte suksesi i parë i madh i LËVIZJES, pas atij të themelimit. Mbledhja e Parë e Përgjithshme miratoi Programin, miratoi Statutin dhe zgjodhi organet drejtuese… U bë organizatë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Shtrirja e saj u bë në çdo vend të botës ku kishte shqiptarë, deri në Australi. Me gjithë represionin dhe terrorin shtetëror, pushtuesi nuk ia doli asnjëherë ta mposhtte LËVIZJEN dhe idetë e saj çlirimtare, kombëtare, liridashëse, demokratike dhe emancipuese në Kosovën e Shqipërisë (me Kosovë në programin e LPK – së kuptoheshin të gjitha trojet e pushtuara shqiptare nga Jugoserbia: Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi). LPK -ja angazhohejë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin me shtetin e tyre AMË. Ky ishte edhe BETIMI i LPK – së e pastaj i UÇK – së…

Angazhimi, përpjekjet dhe organizimi i LPK -së konsistonin në përgatitjen dhe testimin e veprimtarëve të saj dhe të popullit tonë për Luftë të Armatosur Çlirimtare. Veprimtarë e drejtues të saj si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu ishin pushkët e LËVIZJES që paralajmëronin Luftën Çlirimtare, pa të cilën Kosova dhe viset e saj nuk do të çliroheshin nga çizmja e rëndë pushtuese. Ideja dhe opcioni i Luftës së Armatosur ishte sanksionuar edhe në dokumentet themeltare të LPK – së. Veprimtarë dhe drejtues të LPK -së hap pas hapi po “konstituoheshin” në krahun e armatosur të LPK – së. LPK -ja tashmë kishte dy ADEMA në krah të saj: Atin e Pavarësisë – shkëputjes së Kosovës nga Serbia, Adem Demaçin, dhe Atin e jetësimit të çlirimit të Kosovës me luftë të armatosur, Adem Jasharin…

Qëndresa dhe përpjekjet me armë në dorë kundër forcave pushtuese po shpeshtoheshin. Ideator, përgjegjës, “shef” dhe drejtues i këtij krahu të armatosur të LPK -së ishte emruar Xhavit HAZIRI, i cili me devotshmerinë prej ideologu dhe luftëtari të lirisë ia doli me sukses t’i organizojë dhe bashkërendojë përgatitjet dhe bashkërendimet për Luftë të Armatosur Çlirimtare në Kosovë. Pasi ishin bërë të gjitha “provat” dhe përgatitjet dhe pasi ishin vlerësuar me zgjuarësi dhe saktësi rrethanat dhe situatat, LPK -ja, në Mbledhjen e IV të Përgjithshme (pas Mbledhjes Konsultative në Kollare), në Prishtinë, kishte marrë vendimin historik për Luftë të Armatosur Çlirimtare, kurse më 17 Nëntor 1994 Kryesia e LPK -së, krahun e armatosur të saj (njësitë e armatosura) e emërtoi me emrin famëmadh: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, e cila u bë flamurtarja, Çlirimtarja dhe krenaria e Kosovës, e krejtë Shqipërisë dhe e shqiptarëve kudo në botë. Lufta e saj Çlirimtare fitoi simpatinë dhe përkrahjen e mbarë kombit shqiptar në ILIRI dhe të shqiptarëve kudo në botë. Mbështetja e shtetit tonë AMË dhe bashkimi i kombit shqiptar rreth Luftës Çlirimtare të UÇK – së solli edhe përkrahjen e botës demokratike, sidomos të SHBA -ve dhe të NATO -s… Kosova e Shqipërisë, në kufijtë e krahinës autonome (fatkeqësisht pa viset e saj) u çlirua tërësisht nga çizmja pushtuese serbe. Shpallja e Pavarësisë edhe de jure nga Serbia dhe e bashkimit me shtetin AMË u vonua për 9 vite për fajin e një klase politike të kapur, të përçarë dhe me hipoteka e me traditë kolaboracioniste!.. Kjo vonesë dhe këto hezitime e dobësuan pozitën e Kosovës shqiptare shumë… Faktor tjetër në dobësimin e pozitës së Kosovës ishte edhe shteti AMË, i lodhur nga një “lëvizje” politike kundërproduktive (esadiste) e S. Berishës…

Në këto rrethana klasa politike e Prishtinës, në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar dhe me BETIMIN e UÇK – së, hoqi dorë nga bashkimi me shtetin tonë AMË dhe bëri lëshime të mëdha edhe pas shpalljes së Pavarësisë, deri në ditët tona… Meqë, është Ditë feste, po kufizohem dhe përmbahem në kritika. Sepse, pavarësisht dobësive, gabimeve e lëshimeve të bëra Kosova e çliruar me Luftën e UÇK – së, me përpjekjet, mundin, luftën dhe gjakun e shumë brezave është FITORJA më e madhe e kombit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe pas Çlirimit të shteti tonë AMË nga nazifashizmi…

Sot, të nderuar lexues të Gazetës LËVIZJA, dhe Ju bashkëkombës shqiptarë, i madh e i vogël, duhet t’i kujtojmë dhe nderojmë, duke u përkulur me nderim të thellë, Ata burra dhe Ato gra që përpjekjet shekullore të popullit tonë i kurorëzuan me krijimin e shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, sepse pa këtë shtet shumica e Shqipërisë së pushtuar – populli i saj do ta kishte tepër të vështirë të ëndërronte e të jetonte shqip…

Ne, shqiptarët, sot kujtojmë dhe nderojmë përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare dhe të luftëtarëve e dëshmorëve të saj të viteve 1912 – 1940. Lëvizja e atyre dekadave, veprimtarët dhe luftëtarët e saj kanë jetuar, vepruar e luftuar në kushte e rrethana tepër të vështira… Nderim të thellë kanë merituar dhe meritojnë luftëtarët, komandantët dhe komisarët antifashistë e antinazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreshtimi i tyre përkrah Koalicionit të Madh antinazifashist ka shpëtuar pavarësinë dhe tërësinë e shtetit tonë AMË… Në masë të konsiderueshme ka shpëtuar edhe qenien tonë shqiptare në trojet e pushtuara të Shqipërisë (përveç Çamërisë, e cila pothuaj se u shfaros dhe u spastrua tërësisht nga falangat shoviniste dhe fashiste greke dhe Sanxhakut, që u asimilua)…

Nderimin dhe përkuljen e çdo shqiptari e meriton edhe Lëvizja dhe veprimtarët e luftëtarët e saj, që nuk u pajtuan dhe kundërshtuan ripushtimin e Kosovës dhe të viseve të saj pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore…

Sot, të dashur lexues, ne, bashkë me ju dhe me shqiptarët pa dallim, përkulemi me nderim të thellë para brezit të veprimtarëve dhe LËVIZJES së Kadri Labënishtit, Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Kadri Halimit, Rafi Halilit, Zaim Beqirit e shumë bashkëveprimtarëve të tyre… Nderimin dhe përkuljen tonë e meritojnë edhe brezi i Rexhep Malës, Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Jakup Krasniqit, Kadri Osmanit dhe bashkëveprimtarët e tyre të shumtë, që ruajtën dhe garantuan me mençuri, zotësi e sakrifica të mëdha vazhdimësinë e LËVIZJES dhe u bënë pararendësja dhe themeli LPK – së, e cila u ngritë dhe strukturua mbi dokumentin e OMLK – së: Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës…

Kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo në botë, sot kujtojnë dhe përkulen me nderim të thellë para guximit, luftës, heroizmit dhe rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe FAMILJES JASHARI… Përjetë Lavdi!

Të dashur lexues, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të LPK – UÇK së dhe bashkëkombës të dashur!

Sot, dhe në çdo Ditë të Madhe të Atdheut tonë, Shqipërisë, populli shqiptar kujton dhe përkulet me nderim të thellë para Dëshmorëve dhe Heronjve të LPK – UÇK – së – Heronj e Dëshmorë të Atdheut, të cilët me shembullin e tyre të përpjekjeve, qëndresës, luftës dhe rënies u bënë themele të lirisë, përparimit dhe emancipimit për brezin që i takonin dhe brezat që do të vijnë… Nderimin, fjalën e mirë dhe “kujdesin” e shoqërisë shqiptare dhe të institucioneve shtetërore e meriton edhe çdo veprimtar dhe luftëtar i gjallë i LPK – UÇK – së – UÇ Kombëtare dhe UÇPMB – së këtu në Kosovën shqiptare dhe në viset e saj.

Por, të dashur bashkëkombës, sot dhe çdo ditë e çdo orë, ne të gjallët nuk duhet të harrojmë se Heronjtë dhe DËSHMORËT tanë dhe bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tyre ranë e luftuan me Flamurin kuq e zi në zemër, në ballë, në krah e në dorë… Luftuan e ranë me Betimin e LPK – UÇK -së dhe të shumë brezave për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin e tyre me TRUNGUN…

Gjithmonë gëzime për shqiptarët këtu dhe kudo në botë! Gjithmonë gëzime për Shqipërinë tonë! Krenarë që jemi shqiptarë! Krenarë për Flamurin tonë kuqezi! (Redaksia e GL)