Lëvizja\UÇK

Besiana shënoi 60 – vjetorin e vrasjes së Mësuesit atdhetar, Shaban Shala dhe 41 – vjetorin e LPK – së (Fjala e Bajram Ajetit)

Përshendetje për ju vëllezër e motra!
Të dashura familje të Heronjve dhe Dëshmorëve!
Të nderuar veteranë dhe invalidë të UÇK-së!
Veprimtarë të Lëvizjes tonë Kombëtare dhe të burgosur politikë!
Përshendetje e nderuar nënkryetare e komunës znj. Marigona Lahu!
Përshendetje i nderuar Hydajet Hyseni pishtar i Pranverës Shqiptare ’81!
I nderuar Kryetar i Shoqërisë LËVIZJA!
Zonja dhe zotrinj!

Historia e popullit tone është e lashtë. Në trojet pellazgo – iliro – arbërore – shqiptare, sipas shkencës së AND-së vërtetohet se jemi mbi 11 mijë vjet, por pseudo shkenca e atyre që nuk na duan e mohojnë origjinën tonë. Rrugëtimi i popullit dhe kombit tonë gjatë historisës ka qenë vërtet i vështirë, por edhe përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe hisen e trojeve dhe diellit që i takonte asnjëherë nuk janë ndalur. Para 3 ditësh ishte përvjetori i vdekjes së Kryeheroit dhe Kryeprofetit tonë, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, Kryetrimit dhe Kryelegjendarit të të gjithë shqipëtarëve, që jo vetëm iu kundërvu perandorisë më të fortë të kohës, por edhe na bëri me flamurin shqiptar, me të cilin në ballë shqiptarët vazhduan përpjekjet për liri e mvehtësi.
Siç thotë edhe kënga: “Prej kësaj senje që u kanë hyrjeti, kësaj Kosovës kurrë s’ju da gazepi”… Kur Perandoria otomane u bë e sëmura e Bosforit, shtetet shoviniste dhe hegjemoniste të ballkanit dhe Fuqitë europiane, me vendimet e Kongresit të Berlinit, trojeve tona ua vunë gërshërët për ta copëtuar tokën arbërore.
Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kundërvënie politikave shoviniste të vendeve fqinj dhe Fuqive të Mëdha. Rilindasit, gjegjësisht, Rilindja Kombëtare, u bënë frymëzues për flamur, gjuhë, atdhe dhe liri.
Më 1912 u Shpallë Pavarësia e Shqipërisë (për katër vilajetet e sa), por shtetet fqinje, si Serbia, Greqia dhe Mali i Zi pushtuan shumicën e trojeve të Shqipërisë. Me këtë padrejtësi shqiptarët nuk u pajtuan asnjëherë, por vazhduan qëndresën dhe luftën për liri. Shovinistët serbë, me elaboratet e tyre, spastruan trojet e pushtuar dhe i kolonizuan e sllavizuan ato. Shfarosën shqipëtarë, shpërngulën me dhunë shqiptarë për Turqi, organizuan aksione për mbledhjen e armëve, terrorizuan shqiptarët, burgosën e vranë atdhetarët që në çfarëdo mënyre u kundërviheshin, me një fjalë bëhej gjenocid në trojet e pushtuara të Shqipërisë.
Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore iu bashkuan frontit antifashist me premtimet se pas fitores do të kenë të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje dhe t’i bashkohen shtetit të tyre, Republikës së Shqipërisë (Rezoluta e Bujanit), por ndodhi e kundërta. Jugosllavia titisto – rankoviçiste vuri regjimin ushtarak, duke kryer krime monstruoze, siç janë masakra e Gjilanit, Drenicës, Tivarit, etj., ku u vranë e zhdukën mijëra shqiptarë.
Por, për flamur, gjuhë, atdhe, liri e bashkim kombëtar do të angazhoheshin patriotët, duke themeluar organizata të fshehta apo ilegale, në mënyrë që idealet e Lidhjes së Prizrenit, Rilindasve, Programit të Hasan Prishtinës të jenë baza udhëheqëse në rrugëtimin drejt lirisë.
Me qenë se në Akademitë e falënderimit dhe nderimit, të mbajtura në komunat e Kosovës dhe trojet shqiptare nën Maqedoni, kishte edhe nga një kumtesë për Lëvizjen Kombëtare, qëndresën dhe luftën në komunën e caktuar, atëherë edhe unë po përpiqem që të paraqes para jush veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare në Llap e Gollak.

Shaban Shala në vitin 1949 bëhet anëtar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, e cila u formua si kundërvënie padrejtësive për të mbetur nën Jugosllavi.
Më 28 Nëntor 1963, Demaçi themelon organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve me qëllim “sigurimin e të drejtave për vetëvendosje, madje deri në pikën e shkëputjes së plotë, për zonat me shumicë shqiptare që ishin brenda Jugosllavisë”.
Është mohuesi i pakompromis i jetës në kushte të padinjitetshme dhe i robërisë. Është vazhdimësi e filozofisë politike dhe ushtarake të Hasan Prishtinës dhe frymëzues i të gjithë atyre që interesin kombëtar e kishin dhe e kanë mbi interesin personal dhe që asnjëherë nuk e ndërprenë rezistencën.
“Ai, i luftoi gjarpinjtë e gjakut, kur një numër jo i vogël i atyre që flisnin shqip bashkëjetonin me ta, duke i mbajtur nën sqetull e vet ishin shndërruar në miza kali të hamshorëve jugosllavë dhe serbë!”, thotë Behxhet Shala bashkëvuajtës i Bacë Ademit.
Madhështia e tij është parashikueshmëria për shpërbërjen e krijesës artificiale-Jugosllavisë, i vendosur për të vepruar në rrugën e lirisë, mbrojtës i çështjes shqiptare, i pakomromis, trim, guximtar, mbrojtës i vlerave të UÇK-së, kritik i rreptë.

27.11.1968
Në organizimin e Demonstratave në Besianë, më 27 nëntor, kanë marrë pjesë: Xheladin Rekaliu, nga Trupi Koordinues i Prishtinës, Hamit Abdullahu, Sabit Syla, Hakif Sheholli, Bahri Shabani, Xhafer Ejupi, Hasan Shala, Skënder Hoxha, Shaqir Shala. Ky brez i Llapit e i Gallapit, liridashës dhe pasardhës i brezit të Adem Demaçit, me këngë atdhetare doli në rrugë me parullat për Vetëvendosje, Republikë e Kushtetutë. Sabit Syla, para hotelit “Llap” lexoi fjalimin dhe tha se shqiptarët nuk kanë liri të plotë, duke theksuar me vendosmëri se: “Për të drejtat tona do të derdhim gjak!”
Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje dallohet si vit i ngritjes së vetëdijes kombëtare për çlirim dhe njihet si hallkë historike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për bashkimin e kombit të ndarë.

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje ishte vit kur çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve u shtrua guximshëm edhe në rrugë, me demonstrata të mëdha e të përgjakshme, si pasqyrim i vullnetit të së drejtës kombëtare dhe universale të bashkimit të popujve të ndarë.

Më 1980 në LLap u formua Dega e Komitetit të Deçanit me kryetar Beqir Hajrizin dhe me anëtarë: Zahir Fetahu, Gani Osmani, Hilmi Zejnullahu dhe Bedri Avdullahu.

2 Prill 1981
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë paraqesin një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të re. Viti 1981 vit i kthesës historike, revolucion paqësor. Me demonstratat e vititi 1981 në Kosovë u krijua një moment i ri politik e shoqëror, një frymë lirie, frymë republike, frymë pavarësie – Fryma e Adem Demaçit. Ajo frymë do të vente në Lëvizje mijëra vajza dhe djem të rinjë, intelektualë e veprimtarë që do të punonin dhe sakrifikonin pa u ndalur deri në realizimin e Lirisë dhe Republikës.
Demostrata e vitit 1981 në Besianë u bë më 2 prill e organizuar nga veprimtarë të lëvizjes me ideal të lartë atdhetarizmi, duke u përkrahur nga të gjitha shtresat e popullit, tani më të indinjuar me qëndrimin e pushtetit jugosllav dhe burokratëve parazitë të Kosovës që përdorën dhunën, burgosën, torturuan e vranë demostruesit dhe i kualifikuan demonstratat si kundërrevolucionare.
Nuk mund të mos përmendim kontributin e Salih Salihut, Fehmi Berishës, Gjyle Krasniqit, Avdi Latifit, Avdullah Ramës, Nexhmi Balës, Sabri Hamitit, Hetem Ajetit e të tjerë dhe posaqërisht të rinisë shkollore.
Shtypja e demostratës ishte e ashpër nga forcat policore jugoserbe. Pati të burgosur e të plagosur.
U burgosën shumë veprimtarë: Salih Salihu, Fehmi Berisha, Avdi Latifi, Avdullah Rama, Nexhmi Bala, Behxhet Shala, Veli Lupqi, Halil Durmishi, Zahir Fejza, Nazmi Sheqiri e të tjerë.
Demonstratat e vitit 1981 lëkundën rendin shtetëror jugosllav. Ato nxorë të zhveshur paaftësinë e sistemit të LKJ për reforma, mungesën e legjitimitetit të saj dhe kompremetuan moralin e këtij rendi pushtues. Vlerat dhe bindjet politike, që propagandoheshin nga LKJ – ja u thyen në dhunën kundër qytetarëve që kërkonin një të drejtë; lëvizja studentore në pak ditë u shfaq në një lëvizje popullore me kërkesa të qarta politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Në mendjet e njerëzve u konstruktua një rend i ri, që synon barazinë e shqiptarëve në Jugosllavi: Republika e Kosovës.

11.03.1982
Në Podujevë në 1 vjetorin e demostratave u organizua demostrta, e cila u udhëhoq nga Gani Hoxha, Ali Latifi, Gjyle Krasniqi e të tjerë e që shkoi deri në përleshje me pushtetarë e milicin e pushtuesit.
Reagimi në panik i Qeverisë Federale paraqet më së miri hendekun në të cilin e kishte quar vendin Lidhja Komuniste e Jugosllavisë. Duke i aprovuar vlerësimet për kundërrevolucion, nacionalizëm e iredentizëm, veprimtari armiqësore dhe kualifikime të tilla për demonstruesit si “plehu i Kosovës” dhe duke i kërcënuar se “bira e minit do të jetë për ta 300 grosh” udhëheqësit e Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe përfaqësuesit e saj në Federatë do të dëshmonin shkallën më nënshtruese të mundshme ndaj pushtuesit, duke u shndërruar në vegla të luftës kundër qytetarëve dhe bashkëkombësve të vet. Këtu do të fillonte edhe fundi i tyre dhe i sistemit të tyre.
Mërgata shqiptare dha kontributin e saj edhe për Pranverën Shqiptare të vitit 1981, e organizuar në organizata të fshehta dhe me shtrirje edhe brenda vendit, duke sjellur materiale propaganduese, për të moralizuar dhe rritur organizimin e fshehtë drejt rrugëtimin për liri.
Suksesi më i madh i Lëvizjes së fshehtë në përgjithësi ishte bashkimi i të gjitha organizatave të fshehta që bënë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi në një: LPRK. Kjo tronditi serbojugosllavët, sepse ajo donte që shqiptarët të ishin të ndarë e jo të bashkuar. Kështu që, më 17 janar 1982, UDB -ja (shërbimet sekrete jugosllave) tre nga protagonistët e bashkimit. Vrasja e tyre ishte humbje e madhe për popullin tonë, por nga sakrifica e tyre fituam bashkimin për të vazhduar rrugëtimin drejtë lirisë.
Në Llap u formua grupi marksist-leninist, në të cilin ishin: Ismet Begolli, Sherif Konjufca, unë, Bajrush Behrami, Ali Ajeti, Avdi Gjata, Kadri Llugaliu, Sabri Hamiti, Shaban Mulolli dhe Hamit Hamiti, që përgatitën dhe shpërndanë Komunikatën më 19.07.1983, e cila tronditi UDB – në dhe pushtetarët, sepse parashikonte shkatërrimin e Jugosllavisë dhe i bënte thirrje popullit që të armatosejë për kryengritje deri në çlirimin definitiv nga Jugoserbia. Vitet 1983 dhe 1984 njihen si vite të terrorit shtetëror, ku u arrestuan qindra veprimtarë të Lëvizjes, duke arrestuar dhe dënuar edhe disa anëtarë të këtij grupi.
Pas daljes nga burgu anëtarët e këtij grupi vazhduan aktivitetin atdhetar në kuadër të LPK-së në rrethana tjera. Për shkak të suprimimit të autonomisë, të ndihmuar nga veprimtarë edhe nga jashtë, u organizua demostrata e 27 marsit 1989, që ishte shumë massive dhe që milicia hasi në rezistencë të armatosur. U vra komandanti i Stacionit të policisë dhe u plagos një udbash serb, por mbeti i vrarë edhe demostruesi Mehmet Ejupi.
Pas përfundimit të demostratës u vendos që të dilet në ilegalitet të thellë dhe në baza të sigurta. Anëtarë të këtij grupi tani i armatosur ishin: Ali Ajeti, unë, Gani Hoxha, Shaban Mulolli, Safet Ajeti, Nazmi Ajeti, Basrie Murati, Zymer Hyseni, Hasan Ramadani, Halime Bashota, Ismet Avdullahu, Ganimete Avdullahu, por më pas dy vetave iu rekomandua që të ktheheshin në familje meqë nuk ishin të rrezikuar. Këtij grupi populli ia la emrin çeta e Llapit. Kur organizata vendosi që të arratisemi jashtë atdheut, Hasan Ramadani nuk pranoi. Ishte i lidhur me këtë tokë si rrapi shekullor.
Grupi organizoi demostratën e 30 majit 1989 me parullat “Kosova Republikë”, “Europ help”, “Liri, barazi Demokraci, Vetëvendosje”, etj. Pas shpërndarjes në ara të bukës, në Shtedim u vra Aliu, duke lënë Amanetin “se unë po vdes, të fala shokëve”. Me të ishin Sabri Kiçmari, Nazmi Ajeti dhe Safet Ajeti.
E vranë milicija kolaboracioniste e Stacionit të milicisë në Podujevë.

Në këtë kohë guerilja i kishte bazat e veta në Livadhi, në shtëpinë e familjes së Halim Abdullahut, në shtëpi të Hasan Ramadanit në Albanik, në shtëpinë e Ramush Fazliut në Besianë, në shtëpinë e Vehbi Rushitit dhe Hasan Rushitit, në shtëpinë e Xhafer Spahiut – Vendenis, një bazë ishte në Dardhishtë, në Dyz dhe në Herticë, në shtëpinë e Muhamet Latifit në Pollatë, në shtëpinë e Qazim Tovërlanit dhe Tahir Rrahmanit në Livadhi, në shtëpin e Shaban Ajetit në Miroc, në shtëpinë e Mustafë Ajetit, po në Miroc, në shtëpinë e Beqir Hajrizit në Bardhosh. Nezir e Enver Osmanit në Balloc, Qazim Asllanit në Gërdoc, Ejup Ajetit në Podujevë, ku u shkrua Komunikata e 19 Korrikut 1983.
Shfrytëzoj rastin që nga kjo Akademi t’i falenderoj këto familje, që ofruan strehë, ushqim dhe armë, jo vetëm grupit, por edhe gjithë lëvizjes ilegale.

Më 1982 në Prishtinë u formua Fronti nacionalçlirimtar, të cilit iu bashkua një djalë i ri, nxënës, por që dashuria për atdhe e kishte pjekur para kohe, ky ishte Afrim Zhitija.
U rrit e u pjek nga LPK-ja dhe arriti të bëhet një ndër ideologët e lëvizjes ilegale në Kosovë. Ra së bashku me Fahri Fazliun për të mos vdekur kurrë.
Rrugëtimin drejtë lirisë vazhdoi nga grupe tjera të rinjësh e të rejash, Grupi i Pajazit Jasharit e Fadil Lepajës me qëndresë të pashembulltë para gjykatave të shovinizmit me shqipfolës.
Grupi i Hajredin Hysenit, më 27 shtator 1988, u arrestuam anëtarët e grupit ilegal Fidaim Gashi, Hysen Jashari, Nezir Haziri, Bajram Haziri, Naser Beka, Skënder Murati, Nexhat Maliqi, Fikrie Musa dhe Ruzhdi Kiçmari… Një pjesë e mbetur e grupit kaloi në ilegalitet, si Sabri Kiçmari, Naser Hyseni, Fahri Ajeti, Naime Jashari, Enver Behrami, Fexhrie Potera dhe në fund të vitit 1988 u arratisën jashtë atdheut. Naser Hyseni, gjatë veprimtarisë ishte në lidhje me grupin e Gani Hoxhës, Bedri Blakqorit dhe Bedri Ajetit, ndërsa Sabri Kiçmari me vendim të organizatës, për shkak të autorizimeve të veçanta, vazhdoi veprimtarinë ilegale deri në korrikun e 1989.
Grupi i Shefqet Cakiqit, Bedri Ajetit, Ismet Cakiqit, Afrim Fushës, Muhamet Imerit, Arsim Hasanit, që vepruan që nga viti 1982 dhe u dënuan e vuajtën nëpër kazamatet serbe.
Të dashur të pranishëm, e zgjata pak, por nuk mund të mos them edhe një karakteristikë të veçantë të Llapit në Lëvizjen tonë kombëtare, e që është orientimi për luftë të armatosur.
Grupi i armatosur, “Çeta e LLapit”, beteja e armatosur e Afrim Zhitisë me forcat e armatosura speciale të pushtuesit, beteja e Skender e Besim Latifit në Pollatë, Lufta e Hasan Ramadanit me forcat e milicisë pushtuese, sjellja e armatimit nga Zvicrra, nga revolja e deri në minahedhës, të transportuara nga Ismet Mahmuti dhe Faik Ajeti, të siguruara nga LPK-ja, etj. e që nga 1990 dhe 1993 u burgosën.
Në Llap që nga 1972 ka qarkulluar literature e ndaluar nga Republika e Shqipërisë, komunikata, trakte, gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, Gazeta “Liria”, “Bashkimi”, “Rruga e lirisë”, “Pararoja”, “Zëri i Kosovës”, “Çlirimi”, etj.
Organizatat dhe grupet e mshefta të Llapit kishin marrëdhënie bashkëveprimi me figura emblematike të Lëvizjes sonë Kombëtare, siç ishin: Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Nuhi Berisha, Enver Topalli, Smajl Haradinaj, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha, Kadri Osmanin, Avdullah Rrustolli, Bardhyl Mahmuti, Fadil Vata, Sadik Halitjaha, tj.
Pas Vendimit, që LPK-ja të kalojë në një fazë tjetër të intensifikimit të luftës kundër okupatorit në organizatë politiko – ushtarake, që së bashku me Lëvizjen për Çlirimin e Kosovës, me Bahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Fatmir Humollin e të tjerë, grupet ilegale i dorëzuan flakadanin e lirisë për rrugëtimin për çlirim definitie nga serbosllavët, të madhit Zahir Pajaziti, që tani më kishte filluar organizimin dhe strukturimin e veprimtarisë çlirimtare në nivel kombëtar.
Me vendimin e LPK-së u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që mori rolin e udhëheqjes së luftës për çlirim definitiv, të cilës iu bashkuan edhe shumë veprimtarë të lëvizjes ilegale me parimin se kur fillon lufta nuk ka më politikë.
Me epopenë e UÇK-së u përmbush pjesërisht ideali  gjithë Lëvizjes Kombëtare, që nga Lidhja e Prizrenit.
Nderim të gjithë veprimtarëve të gjallë, për aqë sa kanë bërë për atdheun.
Rroftë lavdia e LPK – UÇK-së!
Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të të gjitha periudhave!
Ju faleminderit!