Vështrim/Analizë

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XIV, XV dhe XVI)

“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XIV)

Dhe sërish për maskat… Në vijim autori thotë: “Por Dushkaja e lirë, ashtu siç ishte një oazë midis shkretine, njajtë siç vëzhgojnë bishat grabitqare viktimat e tyre të ardhshme, për orë të tana ndaleshin te pjesa e digës me tytat e armëve të drejtueme nga pjesa jonë… Kjo i frikësonte të rinjët, të cilët kërkonin ndërhyrjen e vëzhguesve ndërkombëtar dhe të përfaqësuesëve të Kryqit të Kuq… Një mbramje, si erdhën dhe prej nga pikën vetëm ata mund ta dinë, u shfaqën edhe komandosët e maskuar me uniformë, që thoshin se u takonin UÇK-së, edhe pse na prej kohësh dyshonim në këtë pikë…”. Këtu autori qëllimisht i përzien të dy palët, pra forcat serbe dhe pjesëtarët e UÇK-së. Ndonëse dihej prania e forcave serbe në këtë pjesë. Përdorimi i termit paramilitar nga Buxhovi Buxhovi kur flet për forcat serbe ndonjëherë, përdor edhe termin paramilitar, përmes të cilit term ndihmon në shfajësimin e shtetit Serb në krimet e kryera në Kosovë. Dihet botërisht se paramilitar nuk ka pasur, pra nuk ka ekzistuar as edhe një paramilitar i vetëm, sepse çdo gjë ka qenë militare, pra nën komandën e shtetit serb. Tallja e Buxhovit me LPK-në Më tej Buxhovi thotë: “në atë hakërrim me mendime të lira në kokë dhe me pamjen e një “Hapsire gjahu të lirë”, ku “mund të vriteshin lepujt” dhe çdo gjallesë tjetër në të, shikimi ma kapi pamjen e Sukës, ndërsa mendja ma zuri Tyrben atje dhe dervish Cenën bashkë me dervishët dhe muhibët fanatik në të që nuk i ndahen kurr…”. Këtu Buxhovi edhe në kohë luftë gjenë hapsirë dhe gjenë personzhe të cilët, jo vetëm që paskëshin menduar, por edhe paskëshin dalë për gjah të lire, sepse edhe në këtë kohë sipas Buxhovit “mund të vriteshin lepujt”. Pra Buxhovi qartë aludon në vrasjen e lirë të pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët mund të kenë qenë edhe pjesëtarë të LPK-së e që sipas fjalorit të disa kalemgjinjve të gazetës “Bota Sot”, ku pjesëtarët e LPK-së i kanë quajtur me zhargon pezhorativ “lepuj”. Himnizimi i gazetës “Rilindja” Sipas Buxhovit, duke folur për gazetën “Rilindja”, potencon se “pas pleniumit të Brionëve në vitin 1966, kur Tito kishte qëruar hesapet me rivalin e tij, Rankoviq i cili ishte ngarkuar me shumë deformime ndaj shqiptarëve, Rilindja kishte marrë një hov si gazetë ditore…” Këtu Buxhovi sërish del falsifikator i të vërtetës edhe pse e mban veten historian. Rankoviq në Pleniumin e Brionëve nuk është shkarkuar për shkak të “deformimeve” siç thotë Buxhovi, apo më shqip për shkak të dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve, sepse Tito edhe gjatë periudhës së Rankoviqit, përderisa ka qenë në krye të shtetit duke i pasur pesë funksione brenda vetes (Tito, ishte kryepartiaku i PKJ-së; Tito, ishte ideatori i të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim; Tito, ishte kryepushtetari i “Jugosllavisë së re”; Tito, ishte kryekomandanti i përgjithshëm i armatës jugosllave; Tito, ishte kryetar i Frontit Demokratik të Jugosllavisë) nuk ka pasur asnjë mundësi që Tito të mos kishte qenë i informuar për dhunën e Rankoviqit ndaj shqiptarëve. Në cilin dokument është përmendur nga Tito apo edhe në Pleniumin e Brionëve një gjë e tillë? Ndërkaq sa i përket elozhëve të Buxhovit që i thur gazetës “Rilindja”, kjo është në linjën funksionale të përcaktimit ideologjik të titistit të Buxhovit. Sepse të gjithë e dinë, se “Rilindja” ishte zëdhënëse e titizmit, zëdhënëse e politikës antishqiptare Jugosllave; zëdhënëse dhe mashtruese gjoja e zhvillimit ekonomik të Kosovës e kështu me radhë. Sa i përket përmendjes së disa librave të botuar, kjo është një temë tjetër për të cilën mund të diskutohet, por që çdo libër i botuar në “Rilindja” i nënshtrohej filterit ideologjik jugosllav, i cili libër nuk bie ndesh me konceptin jugosllav, natyrisht se gjatë kësaj kohe janë botuar edhe libra me vlerë, por që kanë patur të bëjnë me çështje sociale, kurse për çështje historike, ka vlejtur vetëm nëse ngjarja është zhvilluar në kohën e Perandorisë Osmane. Pra, asnjë libër nuk është botuar për dhunën serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, madje madje as gjatë kohës së Serbisë së Krajlit. Kujtojmë në këtë rast ndalimin e botimit të shkrimeve për Shote dhe Azem Galicën, etj. Prandaj i kot është tentimi i Buxhovit për të na shitur dushk për gogla edhe për gazetën “Rilindja”, duke e madhëruar aq sa nuk ishte. Gazeta “Rilindja” është lexuar prej fundit: së pari, programi i TVP-së, pastaj faqja e përkujtimeve, për të vazhduar te sporti. Një herë në javë letrat e lexuesve, si dhe ndonjë shkrim nga ndonjë komunë, ku lexuesit përkatës nga ajo komunë e kanë shikuar. Natyrisht edhe faqja kulturore (sidomos të shtunën). Ndërkaq pjesa politike që ishte ¾ e gazetës e më shumë se kaq, kalonin në filtrat e LKJ-së përkatësisht LKK-së si pjesë e LKJ-së. Pra servoheshin thënie e deklarata nga personalitete të LKJ-se e LKK-se në linjën e Kongreseve të LKJ-së, Plenumeve partiake, etj. Formimi i alternativës dhe regjistrimi te Vllado Kambovski Dhe logjika buxhoviane sërish vazhdon në avazin e vet kur konkludon se pas formimit të LDK-së ajo:… me të shpejt u kthye në një lëvizje kombëtare që udhëhoqi dy procese historike: shkëputjen e shqiptarëve nga komunizmi; dhe shkëputjen e Kosovës nga pushtimi serb… Nga komunizmi ishte shkëputur e gjithë Evropa, pra ishte shkëputur formalisht edhe vetë Jusuf Buxhovi si anëtarë i Lidhjes së Komuniste të Jugosllavisë, prandaj pse të mos shkëputeshin edhe ata 88 mijë anëtarët e Lidhjes së Komunstëve të Jugosllavisë, pasi është shkëputur edhe vetë Buxhovi që ka patur jo pakë benefite nga ajo parti? Kurse, sa për shkëputjen e Kosovës nga pushtimi serb që e paskësh udhëhequr ajo parti, pa dashur ta nënçmoj asnjë parti, më duhet të theksoj se tashmë realiteti dihet, dhe Buxhovi është mirë që të mos i përziej gjerat me përralla për fëmijë. Përdersia dihet që në Kosovë është zhvilluar luftë, edhe pas lufte, Buxhovi madje më 2021 në librin “Dosja B”, konkludon duke i thurë elozhe gazetës “Rilindja” dhe lëvizjes paqësore: “Ky përcaktim historik, mendësinë e “Rilindjes” e ballafaqoi në njërën anë me skeptikë, por me kohë edhe kritikët ndaj të ashtuquajturës “rezistencë paqësore” që ishte institucionale, meqë ajo mbështetej në infrastrukturën demokratike të shtetformimit (Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi dhe Zgjedhjet e Para Parlamentare dhe presindenciale të Vitit 1992) dhe në tjetrën anë me kundërshtarët e pa paepur të saj nga radhët e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, LPK (Pra, Serbia këtu askund nuk përmendet – vërejtja jonë). Ndonëse shumë prej tyre për arsye taktike dhe strategjike (marrjes “së kalasë nga brenda”) nga themelimi i LDK-së ishin përfshirë në kuadër të veprimtarisë së saj, pas Dejtonit e këtej, kërkonin që çështja e Kosovës të zgjidhej me rrugë revolucionare, pra me luftë”. Së pari, dihet realiteti se në Kosovë ndodhi lufta, dhe Buxhovi nuk e dimë pse e bën këtë konstatim në këtë kohë, përderisa me luftë gjërat u zgjidhën edhe me Slloveninë edhe me Kroacinë edhe me Bosnjën. Së dyti, për çfarë kalaje flet Buxhovi, kur populli i Kosovës kërkonte të ndërtojë kalanë e quajtur shtet të pavarur, dhe e cila kala (shteti pra) u krijua me luftë. Pra, cilën ‘kala’ paskëshin tentuar t’ia marrin Buxhovit, kur ajo nuk ekzistonte dhe cilat do të ishin arsyet që kjo ‘kala’ (shteti i Kosovës), përkatësisht çlirimi i Kosovës do të realizohej pa pjesëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, për të cilët Buxhovi ka nëse jo më shumë alergji se Serbia, të paktën po aq sa Serbia, sepse tërë këtë energji negative të tij të akumuluar me dekada, e vjellë në këtë libër. Kompleksi i Buxhovit për “Zërin e Kosovës” Sa i përket alegjisë së Buxhovit rreth gazetës “Zëri i Kosovës” dhe gazetave ilegale që botoheshin në perëndim, ne nuk mund t’ia shërojmë as këtë alergji e as këtë kompleks Buxhovit, ngase të gjithë këta “majtistë” kur e kanë kundërshtuar majtizmin titist, nuk e kanë pyetur Buxhovin se cilat veprime duhet ndërmarrë, sepse Buxhovi me asgjë, ama bash me asgjë nuk ka paraqitur besueshmëri kombëtare te çlirimtarët e Kosovës. Përkundrazi, ishte njëra ndër pikat e errëta të infiltruara në qarqet intelektuale, që llomotisnin në emër të shqiptarizmës dhe atë pas rënjës së titizmit. Buxhovin e pengojnë prandaj edhe artikujt, edhe shkrimet e ndryshme në këto gazeta, të cilat kishin për mision homogjenizimin e njerëzve në luftë kundër Serbisë dhe jo kundër Buxhovit dhe as buxhovëve të Kosovës. Ata luftonin edhe për lirinë e Buxhovit, në Kosovën pa Serbi, nëse këtij të fundit do t’i pëlqente që të jetonte në të. Cilat ishin kriterët e përzgjedhjes së korrespondentëve të gazetës “Rilindja”? Buxhovi qëllimisht flet në shumës për korrespondentët e “Rilindjes” në botë duke i quajtur njerëz “me dije dhe kulturë intelektuale jashtë steriotipeve ideologjike, me të drejtë vlerësoheshin edhe ambasadorë të njëmendtë të mendësisë shqiptare”. Përderisa dihej rroli i “Rilindjes”, nga kush financohej dhe se ishte organ i LSPP-së, ashtu siç ishte “Borba” në Serbi, “Nova Makedonija” në Maqedoni, “Dello” në Slloveni, “Vjesnik” në Kroaci, “Pobjeda” në Mal të Zi, “As” në Bosnje e Hercegovinë, etj. Edhe “Rilindja” ishte e njëjtë – pra zëdhënëse e politikës jugosllave. Pra ideologjia e “Rilindjes” ishte titizmi, jugosllavizmi. Dhe për të gjitha këto mjafton që të shfletohet një gazetë e cilës do datë dhe e cilit do vit qoftë e botuar gjatë periudhës së socializmit, e që ndodhen në Arkivin e Kosovës dhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Po përzgjedhja e njerëzve për të qenë korrespondent të kësaj gazete si bëhej? Nëpër cilat filtra u dashtë të kalonin dhe a ishin këta filtra të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, a ishte filter i UDB-së apo i të gjithave së bashku? Këtë çështje nuk është vështirë për ta konkluduar, aq më tepër kur këtë e dëshmon vetë puna dhe raportimet e korrespondentit Jusuf Buxhovi nga Boni dhe jo vetëm kaq… (Vazhdon…)

 

“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XV)

Buxhovit sërish i dhemb zemra për shtypin ilegal në Gjermani Rreth botimit të shtypit ilegal në Gjermani, gjatë kohës kur Buxhovi ishte korrespondent i “Rilindjes”, Buxhovi në këtë libër shkruan: “Të alarmuar për një fushatë të tillë që zhvillohej në një shtet demokratik siç ishte Gjermania (pra harron të thotë Gjermania Perëndimore) ku liria e fjalës së lirë mbrohej me ligj, nga Prokuroria Gjermane ishte kërkuar që fletushkës t’i ndalohej shpërndarja në Gjermani, ndërsa ata që qëndronin mbrapa saj të ndiqeshin penalisht”. Për logjikën moniste të Buxhovit janë bërë ankesa edhe në Gjermani që të ndaloheshin botimet e gazetave që ky i quan fletushka, dhe jo vetëm kaq, madje është kërkuar që ndaj atyre që qëndronin prapa gazetës të ndiqen penalisht. Nuk është çudi që Buxhovi këtë çështje e ka bërë me fanatizëm, sepse e para ai ishte korrespondent i besueshëm i “Rilindjes”, anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, dhe njëri që ka ndjekur veprimtarinë e shqiptarëve nëpër klubet ku rrinin shqiptarët, në mesin e tyre edhe të Jusuf Gërvallës si dhe shokëve të tij. A ka nevojë njeriu me dije modeste mesatare të komentojë thënien e Buxhovit se “Ndeshja e ashpër” e “Rilindjes” me propagandën enveriste dhe telallët e saj në perëndim nuk ishte as e re e as e rastit? Ajo shfaqej nga mesi i viteve 70-ta dhe do të vazhdojë deri në vitin 2000”… Ç’t’i thuhet kësaj? Pra jugosllavizmi përkatësisht Serbia hegjemoniste në kuadër të Jugosllavisë paskësh qenë më e mirë dhe më e drejtë ndaj shqiptarëve të Kosovës sesa propaganda e shtypit ilegal të emigracionit shqiptar! Dhe këtë guxim Buxhovi, si “historian i gjithëdijshëm” merr guxim që në stilin e Sanço Panços, ta thotë edhe për Lëvizjen për Çlirim Kombëtar nga Serbia. Për të gjitha këto, Buxhovi mund të ndjejë dhembje, xhelozi, hatërmbetje, por ç’të bësh kështu e kanë “majtistët” kur nuk e pyesin Buxhovin – instrumentin e politikës jugosllave. Buxhovi si “luftëtar” i “Rilindjes”, (i paepur natyrisht) veten e paraqet edhe luftëtar, madje luftëtar të vijës së parë, sepse “meqë mbronte kursin e emancipimit dhe brenda federatës jugosllave kurs ky që pas ndryshimeve politike të vitit 1966 dhe atyre kushtetuese në vitin 1974, me barazimin e Kosovës me njësitë e tjera të federatës, atë e nxirrte nga tutela e Serbisë (kështu mendonte edhe Azem Vllasi dhe klasa politike e atëhershme e Kosovës – Vërejtja ime)”, për të vazhduar pastaj me konkludimin se “gjatë këtij zhvillimi të hovshëm ekonomik dhe shoqëror, ndonëse nuk do t’ia dalë që t’i ngushtojë të gjitha dallimet me pjesët tjera të vendit, Kosova krijoi institucionet e saj kombëtare… (duke përmendur çështje të dorës së dytë si suksese të mëdha, por assesi moszhvillimin ekonomik – vërejtja ime). Buxhovi më tej vazhdon “nga ana tjetër, lëvizja ilegale fillimisht angazhohej për një bashkim revolucionar të shqiptarëve me Shqipërinë, si dhe më vonë transformimi i saj në mbrojtje të republikës shqiptare në përbërje të republikës jugosllave, ishte ideologjik. Kjo lëvizje fund e krye ishte e ndikuar nga enverizmi dhe e lidhur me të në forma të ndryshme…”. Jo vetëm këtu Buxhovi bën kësi formulimi mish mash, me qëllim, sepse edhe atëherë, edhe sot, por edhe nesër, ideja e bashkimit kombëtar do të ekzistojë. Deshi apo nuk deshi Buxhovi. I pëlqeu apo jo kjo atij. Prandaj përzierja e kohëve në mënyrën qysh i pëlqen Buxhovit është vetëm dhunti e Dobrica Çosiqit dhe e çosiqëve të tjerë si Buxhovi. Por një gjë do e pyesnim Buxhovin, pse gjithë kjo urrejtje kaq e madhe ndaj popullit shqiptar gjatë periudhës së monizmit? E kuptojmë për kohën që i ka shërbyer titizmit, por nuk e kuptojmë në kohën e tashme përpos nëse e ka obligim…, ku detyrat duhet t’i vazhdojë domosdoshmërisht. Referimi përmes gojës e mendjes halucinante të personazhit “Vrasësi i Penduar” Buxhovi përmes gojës së personazhit “Vrasësi i Penduar” deklaron se “qërimi i hesapeve me paqësorët”, ishte detyrë parësore, ngaqë ashtu i hapej rruga rezistencës së armatosur”. Cili do që ta ketë thënë këtë thënie, por që Buxhovi e sjell në këtë pamflet të quajtur roman, vetë realiteti praktik i zhvillimit të ngjarjeve i ka demantuar, sepse deshën apo nuk deshën “paqësorët” lufta kishte për të ndodhë, ashtu siç ndodhi sepse në fakt, siç dihet, tri lufta para luftës së Kosovës kishin ndodhur në ish Jugosllavi. Po Buxhovi këtu i përsërit idetë e veta edhe përmes personazhit të quajtur “Vrasësi i Penduar” dhe i cili akoma nuk e ka kryer misonin e tij. Gjithashtu, për ‘misonarin’, Buxhovi, po përmes “Vrasësit të Penduar” “I dyshimt dhe tradhëtar shpallej kushdo që nuk ishte future nëpër burgjet serbe gjatë viteve të 50-ta, 60-ta dhe veçmas gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta…”! Konkludim të tillë nuk mund të bëjë as edhe një njeri me keqdashje të qëllimtë. Por Buxhovi, përmes “Vrasësit të Penduar” e bën këtë përjashtim, ndonëse një konkludim të tillë, një njeri me mendje të shëndoshë nuk mund të bëj. Pra, a duhet komentuar më tej kjo thënie e bluar kaq trashë? Cili njeri, për cilën periudhë e ka thënë një gjë të tillë, se ‘tradhëtarë’ janë të gjithë ata që s’kanë qenë nëpër burgje? Por Buxhovit kjo i duhet. E din Buxhovi pse i duhet! E fatmirësisht ka edhe njerëz të shumtë që tashmë e dinë pse i duhet kaq shumë Buxhovit, dhe çfarë ka Buxhovi që kruhet kaq shumë rreth termit “tradhëti”? Shpifjet edhe për shkollat gjatë luftës Buxhovi më tej potencon përmes gojës së po të njëjtit personazh, edhe këtë, për shkollat dhe zhvillimin e mësmit gjatë luftës “Të pa mbyllura kishin mbetë vetëm shkollat që punonin disi, por tashmë nën mbikqyrjen e komisarëve, të cilët kishin marrë me i kontrollue edhe tekstet shkollore si dhe planprogramin. Nëpër disa shkolla “Komisarët politik”, krye në vete ia dolën me i heqë nga programi shumë autorë të njohur dhe vepra të tyre me arsyetimin se “për tradhëtarët dhe titistët nuk duhet me pasë vend nëpër shkolla…”! Pra për logjikën e Buxhovit në kohën kur luftimet zhvlloheshin në Kosovë, paska pasur njeri, të cilit i ka shkuar mendja edhe për zhvillimin e arsimit, përkatësisht funksionimin e shkollave, e madje edhe për t’u marrë me planprograme shkollore, e madje madje edhe me “tradhëtarët dhe titistët”… Po kush ja ha këtë çervish Buxhovit? Buxhovi si titist, as gjatë asaj kohe nuk ka qenë i përfshirë në planprogram shkollor me asnjë vepër të tij. Por në këtë pamflet Buxhovi, “Vrasësin e Penduar” e bën hero, intelektual parekselancë, ndërkohë që dihet që po ky “Vrasësi i Penduar” është në procese gjyqësore si dëshmitar në Hagë. Prandaj, qëllimisht rreth këtij far personazhi nuk po zgjatëm në këtë rast. Parullat e viteve 80-ta, Buxhovin e pengojnë edhe sot Mosdurimin e njerëzve që kanë shpërndarë parulla gjatë viteve të 80-ta Buxhovi e shpreh kështu: “… se ata që deri dje shpërndanin parulla marksiste-leniniste jashtë, dhe brenda vendit, tash me parullat gjoja për bashkim kombëtar, kanë nisë luftën vendimtare kundër intelektualëve dhe gjithë atyre që i prijnë lëvizjes kombëtare që nga viti 1980 e deri këtej…” Për Buxhovin siç shihet historia fillon nga koha kur Buxhovi ka hyrë në LDK. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo për sa u tha, përpos ideologjisë majtiste, të cilën Buxhovi vazhdimisht e mban në gojë, madje edhe si parullë revolucionare nga pionerët e shokut Tito, gjatë “luftimit” të kësaj farë ideologjie të imagjinuar të tij, si aleat të “natyrshëm” të këtyre të “majtëve”, Buxhovi e përmend edhe faktorin religjioz (islami politik). Edhe Jovan Cvijiqi po të bënte kësi lloj formulimesh nuk do t’ia arrinte kaq mbrapsht dhe kaq mjegullt. Madje as Vasa Çubrilloviqi. Buxhovi klith duke përsëritur e stërpërseritur gjëra të paqëndrueshme… Nga shumëçka që u tha deri më tani, shumë gjëra janë të përsëritura, e të stërpërsëritura, herë me gojën e ndonjë personazhi, herë duke u mbështetur në ndonjë personazh tjetër, e herë duke u thirrur edhe në ndonjë shërbim si BND-ja. Nuk përjashtohet mundësia që edhe nga BND-ja të jetë “bombarduar” me informata nga ndonjë serb, pa çka se ka mundur të mbulohet nën siglën e ndonjë shërbimi. Por është e pamundur për ta besuar se BND-ja paskësh pasur mundësi të besonte se… “në radhët e këtyre aktivistëve (për LPK-në është fjala – vërejtja ime) janë infiltruar edhe militantët e enverizmit si dhe stalinistë të drejtuar nga Moska, e cila ishte e përkushtuar që atje të krijonte rrethana të cilat do t’i shkojnë përshtati, që pas vdekjes së Titos, Jugosllavia dhe Shqipëria të kthehen në sferën sovjetike”…!!! Pra këtu e ka fjalën autori për demonstratat e vitit 1968 dhe vitit 1981 për Kosovën Republikë e që kjo kërkesë qenka komprometuar se “në këtë mënyrë përkonte me politikën serbe të Beogradit ndaj kësaj çështjeje”…! Pra, për Buxhovin Republika e Kosovës paskësh pasur mundësi që ta kthente Jugosllavinë nga Moska! Ndërkohë që rrethanat po shkonin në drejtim të shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, gjë që ndodhi, ndërsa Serbia shpirtërisht akoma vazhdon të jetë e lidhur me Moskën. Pra, asnjë republikë tjetër ish-jugosllave, nuk u kthye nga Moska. Cila do të ishte arsyeja sipas Buxhovit që Kosova apo Shqipëria të kthehej nga Moska, kur dihet se Shqipëria nga Moska u nda qysh më 1960. E gjithë kjo propagandë siç është thënë më lartë është përtypur e ripërtypur edhe nga një gazetë në Kosovë, përmes ndonjë kalemgjiu të tipit të Buxhovit. Dhe jo vetëm kaq! Propagandë të tillë paraprakisht bënte UDB-ja, ku në shumë raste pas shkrimeve të gazetave serbe kundër UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, pas disa ditësh, të njëjtat mendime shpreheshin në gjuhën shqipe edhe në këtë gazetë. Dhe tashmë si maja e së keqes në mënyrë të sintetizuar, është munduar dhe stërmunduar Buxhovi ta bëjë këtë pamflet politik, për t’i thënë të njëjtat gjëra, për ta vazhduar misionin e njëjtë, me mjete të ndryshme, për qëllimin e njëjtë. (Vazhdon…)

 

“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XVI)

Cili është halli i Buxhovit Të njolloset me çdo kusht kombëtarja sepse Buxhovi ka frikë nga këta, ngase ekziston rreziku që siç thekson “ndonëse me parullat e “Bashkimit Kombëtar” dhe të “Çlirimit Kombëtar”, edhe më tutje kanë mbetur të lidhur me Beogradin, po edhe me Tiranën”… Ekzistimi i kësaj fryme, sado që mundohet ta përbaltë bashkë me Beogradin, e tmerron Buxhovin dhe buxhovanat si ky. Por ç’ti bësh? Kjo frymë do të ekzistojë deri sa të ekzistojnë shqiptarët, në venat e të cilëve rrjedh gjaku i pastër shqiptar. Buxhovi në këtë “roman” tregohet shumë i etshëm, për të shkruar kundër Shqipërisë, shumë i vullnetshëm sa nuk përjeton orgazëm. Atij i pengon shumë çdo institucion i shtetit shqiptar. Në cilëndo kohë. Prandaj i pengon edhe shërbimi i sigurimit të këtij shteti, sepse këta, sipas tij qenkëshin lidhur me të ‘majtët’ e Kosovës për ta orientuar shtetin e Kosovës nga Moska. Në funksion të luftimit të veprimtarëve të çështjes kombëtare, luftëtarëve të lirisë – pjesëtarëve të UÇK-së ai konkludon “Me direktiva të bosëve të tyre, sigurimi i shtetit shqiptar, që tashmë me kolegët e tyre të deridjeshëm nga Moska, Bukureshti, Beogradi dhe gjetiu kanë krijuar një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar, janë përfshirë në klanet e mafisë e drogës, të prostitucionit, të armëve e deri te trafikimi me qenie njerëzore…” pra këtu konkludon sërish njëjtë si Dik Marti, që dihet nga i mori ‘informatat’ – nga Moska e Beogradi, por këtu qëllimisht i përzien kriminelët ordinerë ku ka mundur të ketë ndonjë shqiptar që është marrë me drogë, prostitucion etj., por që këta nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën për çlirimin e Kosovës. Prandaj të kota janë përpjekjet e kujtdo qoftë për të lidhur veprimtarinë kombëtare me njerëzit e krimit. Në këtë propagandë, madje thuhet se pjesëtarët e UÇK-së qenkan marrë edhe me biznes me armë, shumë nga të cilat qenkan blerë edhe nga armata jugosllave… këtu edhe propagandën e ndonjë luftëtari të UÇK-së, gjatë luftës, Buxhovi e merr për të mirëqenë, sepse kështu i konvenon. Pra Serbia shet armë te shqiptarët, përkatsisht te pjesëtarët e UÇK-së për ta luftuar vetë Serbinë! Kush e beson një gjë të tillë, pos Buxhovit natyrisht, të cilën edhe pse e shkruan, as vetë nuk e beson. Më tej si duket kur Buxhovin nuk e zë gjumi pas shkrimeve të shpifjeve të tilla, çohet dhe e vazhdon shkrimin i cili i ngjason bërtimave të ndonjë fanatiku të LDK-së së atëhershme, që çirrej gjatë fushatës elektorale për vrasjen e aktivistëve të saj, duke e fajësuar SHIK-un, duke e identifikuar çdo gjë me SHIK-un (ndërkohë që dihet se SHIK-u nuk ka vepruar jashtë dijes së faktorëve ndërkombëtarë, përderisa udhëheqësi i saj doli publikisht në vitin 2008 për ta shpallur ndërprerjen e aktivitetit dhe shuarjen e këtij institucioni. Dhe pas zgjedhjeve çdo gjë harrohej për t’u ripërsëritur e njëjta këngë në zgjedhjet e radhës. Ndërkohë, dihet se edhe LDK-ja ishte në bashkëqeverisje me “partinë e SHIK-ut”. Po nuk është çudi nëse Buxhovi i shpall pjesëtarë të SHIK-ut të gjithë ata personalitete të LDK-së që kanë qeverisur me “partinë e SHIK-ut”. Zhgënjimi përfundimtar i Buxhovit Buxhovi më në fund nuk e mbyll i gëzuar këtë “roman” përkatësisht këtë pamflet politik, ngase sipas tij, edhe hetuesit e UNMIK-ut si dhe ata të EULEX-it, nuk janë treguar në nivelin e detyrave, dhe si rrjedhojë, personazhi i Buxhovit, demonstrativisht e lëshon Kosovën dhe kthehet në Gjermani. Në vend të epilogut MESAZHI I LUFTËS SË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS Një luftë pa mesazh i ngjan një shtëpie pa kulm e cila sado mirë të jetë bërë, po s’iu vu kulmi, me kohë shirat e vjeshtës e dobësojnë, kurse furtunat e dimrit plot borë e acar mund ta marrin atë me vete përgjithmonë. Kështu, për të mos ndodhur kjo, mesazhi që do ta ripotencojmë në vijim, bëhet edhe më kuptimplotë, kur kihet parasysh se tani dy decenie pas ndodhjes së Luftës Çlirimtare të Kosovës të bërë nga UÇK-ja, mbi të, pos lavdisë së merituar, në kundërshtim me realitetin historik, hidhet baltë nga brenda e nga jashtë. Nga ana tjetër, as konteksti themelor i vetë ndodhjes së Luftës Çlirimtare, ai i të drejtës së Kosovës për Vetëvendosje, në çka u thirr UÇK-ja, po për shkaqe të jashtme e të brendshme, ndonëse gjendet drejtë realizimit, ai ende nuk është realizuar, kurse zhvlerësimi i luftës së bërë, të drejtën e këtillë e dobëson edhe më shumë. Me fjalë të tjera, po të ikë UÇK-ja, siç po punojnë për këtë ditë e natë ca shqiptarë si Buxhovi, ajo nuk ikë vetëm, por bashkë me kërkesën e saj politike, kontekstin historik të pavarësimit të Kosovës, me ç’rast shkaku dhe pasoja do të neutralizonin njëra-tjetrën duke rënë në pikën zero, dhe kjo do të thotë mbetje e Kosovës sërish nën Serbi. Por edhe sikur të arrihet qëllimi themelor i Luftës Çlirimtare, ai i vetëvendosjes së Kosovës në saje të influencës së ndonjërit nga faktorët e jashtëm të fuqishëm, e të cilit Kosova ta zëmë se për një kohë do t’i duhej si një pikë gjeo-politiko-strategjike për interesat e saj, kjo jo vetëm që praktikisht vështirë mund të ndodhë, por edhe sikur të ndodhë, pasojat e zhvlerësimit të luftës së UÇK-së, edhe në këto rrethana do të ishin të pallogaritshme për kombin shqiptar. Pasojat e këtilla të zhvlerësimit, në kuptimin se “s’ka ç’na duhet UÇK-ja, as në histori, e edhe ashtu ia kam inati”, do të ishin të shumëfishta, por dy-tre prej tyre si shumë të mundshme për të ndodhur, do t’i sillnin kombit shqiptar dëme të pallogaritshme: E para, zhvlerësimi i këtillë do të mund të çonte për një kohë në një luftë shumë të rrezikshme vëllavrasëse midis shqiptarësh në Kosovë e më gjerë, me ç’rast edhe liria dhe shteti i fituar kësisoj, jo vetëm që do të zhvlerësoheshin, por do të ktheheshin në mallkim, kurse shqiptarët brenda shtetit të Kosovës do të silleshin si shtetshformues; E dyta, zhvlerësimi i këtillë i UÇK-së, do të krijonte te shqiptarët njëkohësisht edhe mendimin e gabuar (e po aq të rrezikshëm sa edhe lufta vëllavrasëse), sipas të cilit “edhe liria dhe shteti më në fund erdhën vetë”. Kështu, duke pasur parasysh se mendimi i këtillë, do të ishte i barabartë me pikën zero të mendimit politik të një kombi, edhe pasojat që do të dilnin prej tij do të ishin marramendëse, sepse në këto rrethana, me shqiptarët të cilët mohojnë edhe gjakun dhe historinë e tyre, duke u sjellë me ta armiqtë e shumtë që kanë si me një të dehur, do të bënte që e tërë bota të luante me ta, kurse Serbia e cila së pakut edhe një shekull pas shkëputjes definitive të Kosovës prej saj, jo vetëm që do të vazhdojë të ketë iluzione për rikthimin e saj, por herë pas here, duke shfrytëzuar momentin kur interesi gjeo-politiko-strategjik i superfuqisë së imagjinuar të arrijë pikën zero (sepse asnjë interes nuk mbetet i përjetshëm), ajo me të gjitha mjetet do t’i përvishej rikthimit të Kosovës brenda saj. E treta, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së do të ishte një akt i rëndë antihistorik dhe një vetëdënim që një komb i mashtruar për një moment ia shqipton vetës. Siç dihet nga historia, popujt-kombet të cilët për një moment janë sjellë në raport me vetën antihistorikisht, edhe kur kanë pasur shtetin e kanë humbur atë, kurse popujt që s’e kanë shtetin dhe tentojnë ta bëjnë atë, as që kanë shansin ta bëjnë. Për këto arsye, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së, siç thamë më lartë, shkon me zhvlerësimin e kërkesës së saj politike për krijimin e shtetit të Kosovës, prandaj jo vetëm për hir të së vërtetës historike, por edhe për hir të shtetkrijimit, ne shqiptarët (ata që e kanë bërë këtë luftë, ata që e kanë ndihmuar e bile edhe ata që e kanë penguar atë), duhet ta theksojnë rolin historik të UÇK-së, si dhe ta mbrojmë me krenari e dinjitet Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe bartësen e saj legjitime UÇK-në, nga kushdo që nga padija ose nga armiqësia vë dorë mbi të. Kështu memorimi objektiv i Luftës Çlirimtare në formë librash me karakter historiografik e analitik nga autorë të huaj (mbi tridhjetë tituj në gjuhën gjermane e po aq në atë angleze) ka ndodhur. Në njëfarë mase memorimi i tillë historiko-politik i Luftës Çlirimtare edhe nga autorë shqiptarë ka ndodhur, por jo mjaft sa do të duhej e si do të duhej. Ajo që do të duhej të cekej me forcë dhe që qëndron historikisht kur shkruajmë e flasim për UÇK-në, do të ishte sqarimi i karakterit të pastër nacional-çlirimtar të saj, në mënyrë që mos të lejohet që, inatçorët, antikombëtarët e antishqiptarët e kallëpeve të ndryshëm, karakterin kombëtar e çlirimtar të UÇK-së ta falsifikojnë duke e ndryshuar nga kombëtar në ideologjik, sepse jemi dëshmitarë të përpjekjeve të këtilla. Dhe jo vetëm kaq! Thekse nga reagimi i Hysen Gegës ndaj Jusuf Buxhovit më 26 janar 2014 (Reagim ndaj deklaratave antikombëtare dhe antinjerëzore të Jusuf Buxhovit, të dhëna më datën 22 janar 2014, në emisionin “Rubikon” të televizionit KTV) Pasi e përcolla me vëmendje intervistën e z. Jusuf Buxhovi në emisionin “Rubikon” të telëvizionit KTV më datën 22 janar 2014, kam menduar gjatë nëse do të duhej të reagoja apo jo, pasi Buxhovi sërish u mor me emrin tim, duke gënjyer sikur sa e sa herë të tjera në përpjekjet e tija të dëshpëruara për të shpëlarë diç nga biografia tij e pistë. Në fakt, nuk do të isha ulur për ta shkruar këtë reagim sikur gjatë intervistës Buxhovi të merrej vetëm me emrin tim, dhe vetëm me akuzat të cilat m’i ka bërë tash e më shumë se 20 vjet, por ai bëri edhe disa akuza të tjera të cilat nuk i ka bërë më keq as vet kasapi i Ballkanit, Millosheviqi – gjatë misionit të tij kriminal për t’i shfarosur shqiptarët, dhe para këtyre akuzave të poshtra nuk munda të hesht dot. Në këtë intervistë Buxhovi tha se të gjithë ata që qenë pjesë e organizatave atdhetare, që i organizuan demonstratat gjithëpopullore kundër Jugosllavisë më 1981 dhe e bënë luftën për çlirimin e Kosovës më 1998-99, për të nuk janë gjë tjetër – pos terroristë. Kjo është një akuzë nga më të egrat dhe më antikombëtaret që ka mundur ta bëjë dikush ndonjëherë, dhe për këtë do të duhej të viheshin në lëvizje organet e akuzës. Po ashtu, në këtë rast Buxhovi bëri dëshmi me gojë të vet se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një pro-serb i hapur, sepse për vrasjen e shokëve tanë të idealit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, mendon njëjtë sikur ish-nomeklatura titiste dhe udbashe, se vrasja e tyre kishte qenë “qërim hesapesh mes bandash kriminale shqiptare”. Në fakt, ky kishte qenë lajmi zyrtar i TANJUG-ut jugosllav më 18 janar 1982 që e citonte gazeta “Rilindja” (faksimilin e këtij lajmi botuar në gazetën “Rilindja” më 18 janar 1982, e kam lexuar shumë më vonë, sepse në atë kohë nuk kam pasur mundësi ta lexoj, sepse kam qenë në burg). Pra, për vrasjen e Gërvallajve dhe të Kadri Zekës, Buxhovi ndan sot mendim të njëjtë sikur dikur policia sekrete jugosllave. E, tashti, kush mund të më bind mua se këtë lajm dhe këtë komunikatë të policisë sekrete jugosllave nuk e ka shkruar dhe nuk e ka konstruktuar vetë Jusuf Buxhovi? Akuza të kësaj natyre doemos do t’i kenë shkuar për shtati Karla Del Pontes dhe Dik Martit, kur ata i hartuan elaboratet moderne antishqiptare duke e inkriminuar luftën e UÇK-së. Tashti po dal tek çështja e raporteve të mia me Jusuf Buxhovin, për ta dëshmuar edhe një herë një të vërtetë të madhe të cilën nuk mund ta mohojë për jetë të jetëve ish-polici i UDB-së, Jusuf Buxhovi. Gjatë hetimeve që janë zhvilluar ndaj meje në zyrat e UDB-së në Prishtinë (pas arrestimit tim më 31 dhjetor 1980), përveç Mehmet Lumit, Lorenc Selmanit, më ka intervistuar edhe Jusuf Buxhovi, të cilin e dija për gazetar që raportonte nga Boni i Gjermanisë. Jusuf Buxhovi, me këtë rast, përveç tjerash, bashkë me inspektorët e tjerë të UDB-së, gjatë gjithë kohës ai i fyente dhe i mallkonte Gërvallajt dhe Ibrahim Kelmendin. I quante armiq të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtorë të regjimit të Shqipërisë. Po ashtu, nga kjo bisedë kuptova se Buxhovi kishte qenë i informuar në detaje me aktivitetin e Lëvizjes në Perëndim, duke më thënë se i kishte përcjellë dhe i kishte raportuar lëvizjet dhe punët e mia dhe të shokëve të mi: Jusuf Gëvallës, Bardhosh Gërvallës, Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve. Me anë të këtij reagimi publik, për hir të së vërtetës historike, edhe një herë dua të dëshmoj publikisht se, kontaktin tjetër me Jusuf Buxhovin e kam pasur në vitin 1991 pas daljes nga burgu, në një takim ku jam ballafaquar verbalisht me Buxhovin për t’i sqaruar marrëdhëniet tona. Me sa mbaj mend këtë ballafaqim e kishte ideuar Bujar Bukoshi, ndërsa në takim ka qenë Kadri Bala, ish-sekretar i Degës së LDK-së në Suharekë. Më duhet të them se Buxhovi, si i pafytyrë që është, gënjeu në intervistën tek “Rubikoni”, kur tha se unë kinse u paskësha zënë ngushtë dhe kinse gati sa nuk paskësha qarë (…) Së pari – dua t’i them Buxhovit se unë jam përballur me sfida të rënda njerëzore në jetë, të rrezikshme, me dhunë barbare, me kërcënime, me tyta bajonetash në fyt – por kurrë s’jam dhënë, e aq më pak të zihem ngushtë para një palo-burri siç ishte Buxhovi. Se në atë ballafaqim unë nuk i kam kërkuar falje Buxhovit dhe as që më ka shkuar mendja për një gjë të tillë, unë kam dëshmitar z. Kadri Bala. Në intervistën tek “Rubikoni”, mes përpëlitjeve të dëshpëruara në të cilat e ka hedhur ky akt qyqar dhe i lig, Buxhovi ndryshoi deklaratën nga ajo e vitit 1991. Tha se në atë datë kur më kishte intervistuar si hetues, në cilësinë e gazetarit paskësh qenë bashkë me Fadil Hoxhën në një vizitë zyrtare në Afrikë (…), ndërsa në ballafaqimin e vitit 1991 pati thënë se kishte qenë në vizitë zyrtare në Indokinë (…). Dale more burrë, se Afrika është e madhe, në cilin vend konkretisht paske qenë!? Gënjeve më 1991, tani, apo në të dyja rastet?

PS Nga kureshtja, e kërkova këtë emision që ta ridëgjoja edhe unë (BH), por nuk e gjeta, sepse KTV e kishte shlyer. Qëndronte vetëm një lajmërim rreth emisionit dhe asgjë më shumë.

FUND