Kulturë\Letërsi

Filip Rrumbullaku: Kryetari Alfred Moisiu dhe intelektualët

Filip Rrumbullaku*

Në formimin intelektual të Kryetarit Alfred Moisiu vërehet dukshëm një raport tejet pozitiv me librin. Është pak të them se ai ishte i pakonkurrueshëm në fushën e leximit. Jo rrallë Kryetari më thërriste e kërkonte që t’i gjeja “x” libër dhe më duhej të mbaja shënim, sepse mund të harroja e mund të vihesha në pozitë të vështirë, kur disa ditë më pas ai do të më kujtonte përsëri. Fatmirësisht disa nga botuesit kryesorë i kisha miq, i kisha patur kolegë dikur dhe kisha mundësi të gjeja botimet e kërkuara prej tij. Disa prej tyre ai i kishte takuar nëpër panairet e librit apo i kishte pritur në zyrë. Në një nga këto takime informova presidentin se botuesit donin që t’i propozonin për dekorim përkthyesin e shquar Robert Shvarc me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Presidenti më pa disi i habitur, sepse m’u drejtua: “Pse nuk është Robert Shvarci Mjeshtër i Madh”?

Ajo që nuk mundëm të realizonim për presidentin ishte pajisja e zyrës së tij me një bibliotekë. Por kur vinte puna për shpenzimet, dilnin të tjera gjëra që e largonin bibliotekën nga lista e shpenzimeve. “Zyra ime është e vetmja, më thoshte një ditë, që nuk ka bibliotekë”. Dhe vazhdonte: “Nuk kam ku t’i vë librat dhe ti nuk mendon për këtë”. Kishte të drejtë, por edhe unë gjeja një lloj justifikimi në formë shakaje, duke e kujtuar se edhe dy presidentët para tij nuk kishin patur bibliotekë.

Kryetari njihte shumë mirë veprat e mjaft shkrimtarëve të mëdhenj, autorë apo studiues që i përmendte shpesh për vlerat, kontributet letrare dhe angazhimin e tyre qytetar për prosperitetin e shoqërisë. Ai pëlqente botimet autobiografike të personaliteteve botërore, ato nga historia e artit ushtarak botëror, pa përmendur botime nga Makiaveli, Klauzevici, Huntingtoni,  B. Lewis etj., vlerësonte veprat e mjaft albanologëve të njohur, botime nga Edit Durhami, të cilën mund të them se e admironte, cmonte gjithashtu Gjergj Fishtën, mjaft vargje të të cilit i mbante mend qysh nga bankat e shkollës. Ky  admirim për vlerat e krijimtarisë së autorëve të mëdhenj është karakteristik për ato personalitete që  nxiten nga bota  letrare për punë të mëdha e për një qasje më të mirë ndaj shtetit, që shteti të mos jetë i huaj, i thatë e i ftohtë, por të shërbejë për të kryer ato funksione që forcojnë dimensionin njerëzor të tij.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Moisiu vlerësonte shkrimtarin Ismail Kadare për talentin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të veprës së tij letrare në njohjen e Shqipërisë në botë. Komunikimet e Kadaresë me personalitete të rëndësishme të jetës politike europiane e më gjerë ishin një ndihmesë e veçantë për të shtuar vëmendjen në cështjen shqiptare, për implementimin e vlerave që karakterizojnë botën demokratike në një shoqëri të sapodalë nga sistemi i egër e traumatik feudokomunist. Presidenti çmonte reflektimet eseistike të Kadaresë, depërtimin në thelbin e mjaft dukurive rreth psikologjisë, mentalitetit, sjelljes së klasës politike, rolin e mentalitetit qytetar në kohezionin e shoqërisë e ndërtimin e shtetit etj. Ndaj qysh ditët e para, kur ende ishte president i zgjedhur, ai na kërkoi organizimin e një takimi me z. Ismail Kadare. Takimi me të nuk ishte i  rastit e as për kuriozitet. Është e njohur se çdo lidership serioz që merr përsipër drejtimin e shtetit e ka të nevojshme komunikimin me personalitetet e botës së letrave, filozofë e dijetarë, historianë apo studiues. Komunikimi mes tyre lind nga një nevojë e brendshme e preokupim i përbashkët i zhvillimit të shoqërisë, për të përcaktuar më mirë rrugën, prioritetet, strategjitë dhe taktikat e nevojshme që bëjnë të mundur progresin e saj.

Presidenti Moisiu mbante mend mirë një takim me shkrimtarin Kadare vite më parë në Paris, në Maj 1993, kur ndodhej në Francë në krye të një delegacioni të Shtabit të Përgjithshëm që ishte ftuar të merrte pjesë në javën e pelegrinazhit botëror të ushtrive, një lloj konference ndërkombëtare për rolin e fesë në ushtri. Të dy e kujtuan atë takim miqësor, më duhet të shtoj se takimet me ushtarakët për Kadarenë nuk ishin dicka e rrallë, ai me kohë kishte qënë gjithmonë i mirëpritur nga lexuesit e botës ushtarake. Ai kishte jo pak miq në ushtri, sidomos nga radhët e pilotëve.

Presidenti ndjente kënaqësi të shkëmbente mendime  me një njeri që kishte shkruar për mosmarrëveshjet e mëdha në jetën shqiptare. Të nxitura edhe nga faktorë politikë të jashtëm këto mosmarrëveshje shpjegojnë qartë përse disa politikanë “vendalinj”, me psikologji feudi nuk pranonin të zgjidhnin ato konflikte që i kishin krijuar vetë. Sjellja me Princ Vidin, monarkun europian të caktuar nga fuqitë e mëdha si mbret i shqiptarëve është një ndër ilustrimet më të njohura të rezistencës së mentalitetit feudal ndaj cdo përpjekjeje për të bërë shtet në Shqipëri.

Edhe sot, pas një shekulli, është pikërisht kjo mënyrë sjelljeje, kjo frymë egërsie, ky mentalitet fisnor që e shqetësonte Presidentin.  Aktorët politikë vendas, sipas tij, kishin mundësi për bashkëpunim e dialog, mes tyre kishte kapacitete individuale edhe nga bota e letrave, të përfshirë edhe në formacione partiake. Disa prej tyre guxuan dhe dolën nga rreshti ku i kishte vendosur partia, por nuk patën autoritetin e nevojshëm për të zbutur konfliktet e për të luajtur një rol konstruktiv në mjedisin politik. Ata ishin dhe janë, sipas meje, të parcelizuar, të shpërndarë, të frustuar. Ndoshta të bashkuar e të organizuar ata mund të shërbenin si një mbështetje e mirë për një lëvizje intelektuale.

Të dy burrat, Afred Moisiu dhe Ismail Kadare ishin të një mendjeje se koha kërkonte një lëvizje të gjerë intelektuale. Një lëvizje e tillë kishte munguar në jetën politike gjatë shekullit të ’20 jo se në shoqërinë shqiptare mungonin intelektualët. Ata ishin aty, pjesë e kësaj shoqërie, të shkolluar e të lidhur ngushtë me vendin e tyre. Shumë prej tyre shquheshin dhe kishin arritur në nivelet më të larta të angazhimeve profesionale, por pak prej tyre u angazhuan me jetën politike të vendit. Klanet e pushtetit, si para edhe pas Luftës së Dytë Botërore i vlerësonin si rrezik grupimet intelektuale qofshin edhe të paorganizuara, duke arritur edhe në eliminimin e tyre kur ky rrezik bëhej sadopak konkret. Mbreti Zog detyroi të largoheshin nga vendi figura të njohura intelektuale  te të cilët shihte kundërshtarët e tij politikë. Pushteti u ndaloi lirinë e fjalës dhe i degdisi nëpër burgje mjaft intelektualë, që kishin përkrahur luftën dhe lëvizjen antifashiste shqiptare, por që me fjalorin e tyre politik përbënin pas çlirimit një rrezik për pushtetin e ri komunist.

Në një nga sprovat e tij mbi sjelljen politike, Ismail Kadare përcjell një këshillë shumë të vlefshme për klasën politike dhe vet shoqërinë shqiptare: ky stanjacion apo tranzicion i stërgjatur mund të kapërcehet në se pjesët e shëndosha në partitë politike kryesore gjejnë gjuhën e përbashkët për interesat e mëdha të vendit. Pikërisht te këto pjesë të shëndosha bëjnë pjesë intelektualët e vërtetë, të cilët, “rekrutohen” nga formacionet politike për përfitime elektorale

Gjatë takimit me Presidentin, i pakënaqur sidomos ndaj disa dobësive në institucionet shtetërore, që dëmtonin imazhin e shtetit, z. Kadare iu referua midis të tjerave shërbimit tonë diplomatik. “…Ka shumë rëndësi, vërejti  ai, imazhi i ministrit të jashtëm të vendeve të vogla. Mund të jetë çalaman një ambasador amerikan, por këtë nuk e ve re njeri, se ai është përfaqësues i një shteti të madh. Ndryshe ndodh po të jetë çalaman ambasadori i një vendi të vogël…Ata të ftojnë, pastaj të qeshin…”

I shqetësuar për situatën dramatike ku ndodhej shërbimi ynë diplomatik dhe nga refuzimi i disa diplomatëve shqiptarë për t’u kthyer në atdhe me mbarimin e mandatit, zoti Kadare pohoi me trishtim: ”Bëhet refugjati ambasador dhe ambasadori refugjat…Një ambasador që ikën, dy vitet e fundit ka punuar për vete”.  Ndaj ai i kërkoi kryetarit të shtetit që t’i jepet fund kësaj murtaje: “Në asnjë vend nuk ikin diplomatët kështu. Prandaj ne s’na marrin seriozisht. Mungon serioziteti i shtetit, autoriteti i tij”. Kjo mungesë serioziteti, produkt i mentalitetit  “ne kemi pushtetin, këta nuk kanë se ç’të na bëjnë”, paralizonte cdo lloj përpjekjeje për të hapur udhë për ndryshim.

Kur këto kritika bëheshin nga një zë potent si Kadareja, ato shërbenin si një mbështetje e madhe për opinionin publik dhe Presidentin e Republikës. Kryetari i shtetit e dëgjonte me vëmendje shkrimtarin e madh, i cili largohej i kënaqur nga takimet në zyrën e  tij. “Është interesante, tregonte zoti Kadare pasi doli nga një takim me z. Alfred Moisiu, ne të dy vimë nga dy botë të ndryshme, ai nga bota ushtarake dhe unë nga bota e letrave, por kuptohemi shumë mirë”. Të dy “gjeneralët” kishin të njejtat shqetësime e mendime për ndërtimin dhe forcimin e shtetit, vlerësimin e traditës historike dhe performancën e institucioneve shtetërore.

Sipas tyre sjellja e klasës politike dhe qasja e saj ndaj shtetit, duhet të synojë, ndër të tjera, “të mbrohen interesat e popullit, sepse ka një turë dhe klasë politike që nuk e do…”. Dhe më tej, nisur nga disa publikime në media, në të cilat kishte devijime nga konteksti historik, ai hodhi pyetjen, “Pse unë e përkraha familjen mbretërore? Se kemi nevojë për traditë historike. Kemi patur një kryetar shteti që u bë monark. Një gjë e tillë nuk na turpëron. Napoleoni mbolli tërë ata monarkë…”. Ky koncept për monarkinë mendoj se ndikoi disi edhe te Presidenti Moisiu për të vlerësuar raportet e tij me Leka Zogun, të cilin e ftoi në pritjen me rastin e ditës së Flamurit, disa muaj më vonë edhe në një darkë private me të.

Duke u shprehur shumë qartë se nuk duhet lejuar që shteti të shkelet me këmbë, zoti Kadare artikulonte një kritikë të drejtpërdrejtë për klasën politike, e cila, si në pozitë ashtu dhe në opozitë nuk reagonte ndaj veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve. Një qëndrim i tillë ishte një inkurajim i rëndësishëm për forcat e policisë, tek e cila trazimet politike shkaktonin situata konfuze. Ky qëndrim për policinë nuk shprehej për herë të parë nga shkrimtari. Ai ishte një qëndrim konstant i tij, duke bërë dallimin midis efektivave të policisë dhe disa zyrtarëve të saj që luanin rol negativ e arrinin deri në keqpërdorim të ligjit.

Presidenti ishte në një gjatësi vale me këtë qëndrim inkurajues të Kadaresë ndaj policisë. Një vit më pas ai kritikoi fort dhunën kundër policisë në Bathore. Vështirë ta mbante publikisht këtë qëndrim kritik ndonjë nga forcat politike, pasi duhej të bënte llogari se sa vota do të rridhnin nga elektorati.

Presidenti, nuk bënte llogari për humbje votash. Kjo duket qartë në një mbledhje stafi ku ai shprehet hapur për politikanët:

Politikanët tanë vlerësojnë vetëm votën, votën, votën. Bëjnë premtime, bëjnë lëshime, për të siguruar vota, pa marrë parasysh pasojat…

Ata nuk janë qytetarë, por rebelë. U bë modë: t’i biem shtetit. Politika jonë e ushqen dhunën. Asnjera palë nuk po e vret mendjen.

Kjo sjellje me moralitet të dyshimtë, sipas shkrimtarit Kadare ishte një pengesë në rrugën e forcimit të shtetit. “Populli, i tha ai Presidentit, do njerëz seriozë. Bëhen akuza, ti hesht. Atëherë unë dyshoj…Ka një mentalitet bolshevik: Ne kemi pushtetin, (këta) s’kanë ç’të na bëjnë”. Dhe më tej, “Duhet të sillemi si shtet në Europë. Është tërë ky jastëk që na rrethon. Shqipëria nuk është aq e vogël, ne afrohemi te të mesmit… Ne kemi peshë, strategji, ekonomi, popullsi. Ne duhet të sillemi seriozë, ne duhet të tregojmë seriozitet…”.

I shqetësuar për një kuptim jo të thellë të luftës kundër terrorizmit, Kadareja nënvizoi  se “Kjo luftë lidhet me interesat jetike të Shqipërisë. Ne s’duhet ta themi këtë thjesht e vetëm për aleancë”, iu drejtua ai Presidentit, duke sugjeruar edhe rishikimin e pranisë sonë në Lidhjen Islamike…”. Kadare bëri dallimin midis terrorizmit dhe myslimanizmit shqiptar, duke nënvizuar se “myslimanizmi shqiptar nuk ka të bëjë fare me  terrorizmin, që është një  e keqe e madhe si bolshevizmi”. Megjithatë, vazhdoi ai, “nuk duhet të themi mendjelehtësisht se s’kemi baza terroriste…një bazë terroriste nuk është vetëm me armë…”

Analizat e Kadaresë nga aktualiteti i jetës shqiptare, vlerësoheshin shumë nga Presidenti. Ai diskutonte për to në takimet me stafin dhe kërkonte që mesazhet e tij të trajtoheshin  në media. Kjo ndodhte sidomos me intervistat e tij, mesazhet e të cilave ai kërkonte që të bëheshin pjesë e punës së stafit me shtypin e të shtjelloheshin më tej.

Nga komunikimet e Presidentit me zotin Kadare kuptohet vëmendja e madhe me të cilën ai ndiqte zhvillimet politike në vend dhe histerinë konfliktuale që karakterizonte ato. Sipas tij, shfaqjet e kësaj histerie nuk ishin të rastit, por produkt i një prirjeje tribale e mentaliteti feudal. Ky mentalitet, pohonte me shumë të drejtë shkrimtari ynë i shquar, është në kundërshtim me shtetin, me etikën, me kulturën dhe standartet shtetërore. Feudali ndryshon nga mbreti, nga monarku. Mbreti, nënvizon Kadare, është i lidhur me shtetin, feudali është i lidhur me principatën, kërkon shkatërrimin e shtetit, pasi nuk pranon rregulla, por kërkon që të ndjehet i pari dhe i pari ndjehet vetëm në feudin e tij. Për të është e papranueshme që të dalë dikush tjetër e të duket mbi të. “Kam shkruar edhe një tregim kohë më parë lidhur me këtë psikologji, që e kam marrë nga një ngjarje e vërtetë. Ngjarja është kjo: u bë një konkurs për djalin më të bukur në vitet e para të shekullit të kaluar dhe fitoi njeri. Por të nesërmen ai u vra. I pari i vendit vuri njerës dhe e vrau. Pse? Se ai nuk mund të pranonte që të ishte një tjetër i pari i vendit për nga bukuria. Kjo shpjegohet me xhelozinë, që shohim sot, që është e lidhur me mentalitetin e sunduesit, me prirjet tribale”.

Duke e shtjelluar më tej këtë ide, Kadare tërhoqi vëmendjen edhe për qëndrimin e disa zyrtarëve në institucione shtetërore, që e mbajnë veten për intelektualë, të cilët zënë një post, kënaqen me veten dhe u duket se i dinë të gjitha, u trashet qafa e u rritet barku. Menjëherë ata do të blejnë një makinë të shtrenjtë, do ta parkojnë atë që të duket mirë, do të blejnë gjithashtu orë të shtrenjta e kostume firmato duke konkurruar me njeri tjetrin se kush është “i pari”. Kjo ana firmato u jep atyre të “drejtën” apo statusin për të qenë i pari i fisit, dhe ja, ku dolëm te mentaliteti tribal. Njerëz të tillë nuk arrijnë të kontrollojnë veten e tyre, ata nuk kanë  kulturën e  të ushqyerit, mendojnë se i dinë të gjitha, dhe u duket vetja se jo vetëm që i dinë, por se kanë të drejtë të thonë çfarë u thotë mendja”. Pra, me këta nuk mund të bëhet shtet. Kjo është serioze.

Duke vazhduar arsyetimin rreth tribalizmit, z. Kadare i referohet edhe një kategorie tjetër, e cila “nuk vjen nga fshati, por nga qyteti, është pjellë e nomenklaturës, përbëhet nga zyrtarë të lartë të rritur në familje, ku kanë dëgjuar vetëm për plenume, për  goditje, për kundërshtarë të partisë, për larje hesapesh dhe komplote, për krime, të gjitha këto – sidomos te karaktere me vese – lënë gjurmë, bëhen sunduese. Prandaj tipa të tillë merren vesh shumë mirë me ata nga fshati…”.

Nuk është e nevojshme të flitet më konkretisht se kaq. Së këtejmi, nga ky refleksion kuptohet roli i rëndësishëm i psikologjisë qytetare në ndërtimin e shtetit, del shqetësimi i tij i shprehur në disa takime për sjelljen politike, fshatarizmin dhe qytetarinë, ndjenjën e xhelozisë që shkatërron shtetin e të tjera pohime të rëndësishme që mund të artikulohen vetëm nga një mendimtar i preokupuar me hallet e shoqërisë shqiptare. Është me shumë interes që historianët e politikës dhe studiuesit e shkencave politike të vrojtojnë mbi rolin që luan ky mentalitet dhe kjo psikologji në kohezionin e administratës shtetërore, sidomos në disa struktura të saj, që kanë të bëjnë me policinë, arsimin, shërbimin diplomatik, institucionet shkencore, kulturore etj.

Njohja nga afër e mendimit të përparuar intelektual, vizionit e shqetësimeve të  tyre për trajtimin e kapërcimin me sa më pak dhimbje të vështirësive të tranzicionit e shtynë Presidentin të takohet me shkrimtari Dritëro Agolli. Vëzhgimi kritik i tij i realitetit politik shqiptar ishte një kontribut i rëndësishëm për ndërmarrjen e reformave politike dhe ekonomike. Me një metaforë të thjeshtë Dritëro Agolli i parashtroi Presidentit se “tërë këto vite që kanë shkuar pas nëntëdhjetës, turbinat e politikës nuk kanë bërë të mundur të vënë në punë transformatorët e energjisë dhe ujrat e liqeneve janë derdhur kot”….“Në liqenin politik, vazhdoi Dritëroi, është derdhur shumë ujë.  Kjo, duhet kthyer në energji…Duhet më tepër vëmendje te ekonomia, asaj i janë prishur transformatorët, ndaj të vrasim mendjen si mund ta rregullojmë aty ku është më e hollë”. Vërejtje të tilla kishin të bënin drejtpërdrejt me orientimin më të mirë të qeverisë për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe ritmet e punës së saj. I njohur për vëzhgimet origjinale të realitetit shqiptar, pasqyrimi metaforik i gjendjes së vështirë ekonomike nga Dritëro Agolli pasohet me një sugjerim tepër të vlefshëm për menaxhmentin politiko-ekonomik të vendit: pas kaq vitesh në tranzicion, me terapi shock-u, anarki dhe aventurizma tani “ka ardhur koha e racionalitetit”, ndaj duhet të gjykojmë thellë për cdo hap që do të hidhet përpara.

Dy dekada nga takimet me këta personalitete, ende vihet re se si lufta e egër për pushtet dhe posacërisht lidershipet e partive kryesore kanë përjashtuar intelektualët nga parlamenti, institucionet shtetërore e forumet e vet partive, ka bërë të varfërohen diskutimet e mendimet e kundërta, debatet brenda e jashtë partive. I shqetësuar për këtë sjellje të partive politike, për retorikën dhe frymën konfliktuale, Dritëro Agolli këshillonte politikanët për ta parë realitetin jo bardh e zi, sepse, “Edhe opozita s’ka pse të thotë gjithnjë “keq”, por edhe pozita ta vlerësojë opozitën kur ka të drejtë”. Kjo këshillë e Driteroit mbetet gjithmonë aktuale. Është një gjetje e këtij shkrimtari të madh – i cili, nisur nga përdorimi abuzivist i konceptit “meritokraci” e “përktheu” atë në thelbin e vet semantik: “shkërdhatokraci”. Është ajo që nuk tregon transparencë në përdorimin e fondeve, nuk tregohet e hapur me taksapaguesit shqiptarë, madje nuk i dridhet qerpiku kur bën lëshime të dënueshme në dëm të tij. Publiku nuk është kundër investimeve për ndërtimin e rrugëve, ai është kundër tenderave të fituara nga kompani fantazma të regjistruara me emra figurantësh në vend të administratorëve të vërtetë. Opinioni publik ka të drejtë të interesohet e të pyesë, vërtet disa nga këto tendera u anulluan, por ’bëhet me ta?

Me takime e biseda të kësaj natyre, Presidenti i Republikës verifikonte edhe më mirë qëndrimet që duhej të mbante në raport me detyrimet e tij kushtetuese. Thelbi ishte shteti, administrata shtetërore, vlerat e saj morale e profesionale, mbajtja e saj e pastër duke e ruajtur nga ndikime korruptive dhe antivlera që qarkullonin në radhët e saj. Sepse, sic i pohonte Dritëro Agolli Presidentit, jetojmë në një kohë kur “i korruptuar” barazohet me “qerrata”, ose me fjalë të tjera “i zgjuar”, dhe në se vazhdojmë të perifrazojmë shprehjen e tij, atij që është i ndershëm dhe i pakorruptueshëm nuk i mbetet gjë tjetër, vec t’i themi “budalla”, sepse prish punë për “qerratejtë” e administratës.

Duke patur të njejtin shqetësim për shtetin, Kadare dhe Agolli vlerësonin parësore dy kolona: ndërtimin e një  administrate shtetërore efikase dhe  forcimin e rolit të policisë. Policia shqiptare nuk kishte patur një vlerësim e mbrojtje të tillë si ajo e shkrimtarit Kadare dhe askush më shumë se Dritero Agolli kishte tërhequr vëmendjen për rolin kyc të administratës shtetërore si kolona vertebrore e shtetit.  Po nuk u bë administrata si duhet  “nuk ka shtet”, i nënvizonte Dritëro Agolli Presidentit të Republikës, duke e vazhduar më tej konstatimin e tij se, në se “S’ka siguri në administratë, s’ka transparencë kur bëhen ndryshime…Ka pasiguri edhe te kuadrot e larta”. Artikulime të tilla ishin shprehje e ndjeshmërisë publike ndaj qëndrimeve arbitrare të mbajtura nga politika ndaj administratës, ishin gjithashtu certifikime domethënëse të qëndrimeve që Presidenti kishte mbajtur qysh në fillim të mandatit ndaj lëvizjeve të pamotivuara të disa drejtorëve të rëndësishëm.

Filip Rrumbullaku, autori i këtij shkrimi, ishte Sekretar i përgjithshëm i Presidencës Moisiu gjatë periudhës 2002-2007.