Vështrim/Analizë

Branko Tanashi: Kush është “tradhtar” në të vërtetë?

BRANKO (TANASHI) MANOJLOVSKI:
VËRTET, KUSH ËSHTË “TRADHTAR”!?
(Në kuadër të debatit për shqiptarët ortodoks në Makedoni)
Ndihem i gëzuar që tashmë po debatohet në nivele më serioze për ekzistencën tonë në Republikën e Makedonisë (RM). Nuk jam fare xheloz që unë nuk ia dola të nxis debatin më herët, në këto përmasa. Në gusht të vitit 2011, kur shkova këmbë buzë Vardarit, nga burimi në Vrutok (Gostivar), deri në Detin Egje, u përpoqa të tërheq vëmendjen se edhe ne shqiptarët ortodoks në RM ekzistojmë. Gjatë ati këmbësorimi rreth 420-kilometrësh pata shpërndarë një broshurë me titull: “Vërtet, qenka e vështirë të jesh shqiptar ortodoks në RM”. Mediat në gjuhë makedone e heshtën atë “aventurë” që e bëra në moshën time 70-vjeçare. Bile heshtën edhe kur policia helene (“greke”) më arrestoi në kufirin e Gjevgjelisë, duke me akuzuar se po përhap propagandë “armiqësore” kundër Hellas-it (“Greqisë”); propagandë “armiqësore”, sipas policëve nacionalistë helenë, ishin lutjet e mia për mirëkuptim e bashkëjetesë sa më të mirë, në barazi sa më të madhe demokratike e nacionale mes shqiptarëve të besimit myslimanë dhe ortodoksë dhe mes popujve tanë makedon e shqiptarë në RM dhe lutjet që qeveria e Athinës të mos bllokoi Shtetin tonë. Ata kundërshtonin ekzistencën nacionale të makedonëve dhe të shqiptarëve me besim ortodoks. Këmbëngulnin brutalisht se të gjithë makedonët dhe shqiptarët e besimit ortodoks janë helenë. Meqë e kam edhe shtetësinë amerikane, u detyruan të më lironin pas katër orëve. Ashtu i kishte urdhëruar Athina, siç mu tha gjatë marrjes në pyetje. Por, aty e tutje, deri në Detin Egje, më shoqëroi policia helene, për të pamundësuar që broshurën informative në gjuhën helene tua shpërndaja edhe qytetarëve të atjeshëm, siç e kisha shpërndarë gjatë gjithë rrugëtimit nëpër RM…
Tashmë u nxit debati, por fatkeqësisht paksa kontrovers, nëse Personalitet i shquar Matej Matevski (kryetar i Akademisë), është ose nuk është shqiptar. Ndodhi me rastin e dekorimit të Tij nga Presidentja e Republikës së Kosovës për kontributin që ka dhënë Ai për afirmimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjuhë makedone dhe për nxitje të mirëkuptimit ndëretnik e ndërfetar mes popujve tanë. Ai dekorim na nderoi sidomos ne bashkëvendësve të Akademikut Matej Matevski, meqë ia dimë vlerat madhore që ka. Por nuk e mirëprita debatin paksa kontrovers rreth identitetit të tij etnik. Megjithatë, mirë që zuri fill debati për identitetin tonë të ndrydhur gjatë 100 vjetëve të fundit, qysh kur na pat pushtuar Mbretëria e Serbisë.
Më lartë e rikujtova “aventurën” e vajtjes në këmbë, buzë gjithë rrjedhës së Lumit Vardar, për të dal të një tematikë aktuale: kërcënimet telefonike dhe pëshpëritjet që kam dëgjuar nga disa anonim dhe bashkëvendas: “ja ky tradhtari që thotë se është shqiptar…” Këto pëshpëritje dhe përbuzje i përjetova më së rëndi para pak ditësh, në drekën pas varrimi të bashkëvendasit tim, Jordan Llazarevski, ndjesë pastë, në fshatin Beliqica të Rekës së Epërm. Në atë drekë vetëm ndonjëri më përshëndeti, asnjëri nuk u ul në tavolinën time. Prifti, sapo më pa, më përshëndeti dhe më përqafoi. Shumë veta u befasuan, ndoshta edhe u hidhëruan, sepse ngrysën fytyrat e tyre. Pastaj erdhi një zonjë të tavolina ku isha i ulur vetëm. Ajo qe mbesa e një ish-funksionari të madh politikë të RM-së. Mu drejtua: “mund të ju pyes diç?” “Urdhëroni, uluni”, ia ktheva. Sapo u ul më foli paksa e egërsuar: “vërtet, ke thënë se je shqiptarë ortodoks, se në RM jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë ortodoksë?”. “Po”, iu gjegja, duke dhënë sqarimet vijuese: “e dini Ju, Zonjë, se 95 për qind e pjesëmarrësve në këtë drektë varrimi flasin gjuhën shqipe, por ende detyrohen ta mbajnë fshehur…” “Po, edhe unë di shqip, meqë gjyshja ma ka mësuar…”, ndërhyri ajo. “Atëherë çfarë ishin nënat dhe gjyshet tona, që nuk dinin asnjë gjuhë tjetër pos shqipes…!?” Ajo nuk dëgjoi më gjatë arsyetimet e mia, e inatosur iku nga tavolina pa u përshëndetur dhe shkoi në tavolinë ku ishte më parë. Më nervozizëm po u rrëfente për bisedën tonë zotërinjve që i kishte në tavolinë…
Më bëhet se ka pas të drejtë Petar Petroviç Njegosh me prononcimin e tij: “më të keqi janë turkoshakët, se sa vetë turqit…” Si i zemëruar nga ai përjetim në atë drektë dhe nga kërcënimet dhe pëshpërimat se jam tradhtar pse jam deklaruar publikisht shqiptar, mbase më lejohet të them: më keq po sillën disa shqiptarë ortodoksë, që tashmë deklarohen makedonë, se sa edhe vetë nacionalistët makedonë. Prandaj është vendi për të shtruar pyetjen: vërtet, kush është tradhtar!? Unë që sinqerisht e ndershmërisht shfaq identitetin tim shqiptar, apo të tillët fatkeq e shpirtshitur që kamuflojnë identitetin e tyre shqiptarë, ose të paktën gënjejnë se nuk i kishin prindërit dhe paraardhësit shqiptarë? Megjithatë, – përkundër hidhërimit njerëzor, – nuk u hidhërohem teprueshëm. Këta fatkeq nuk kanë mundur të përballojnë politikën e asimilimit që kanë ushtruar gjatë gati 100 vjetëve Serbia pushtuese dhe pushteti komunist i RM-së. Por, nuk po kuptoj, përse tani, në liri dhe demokraci, po vazhdojnë të frikësohen, akoma më keq, po ofendojnë e kërcënojnë ata që kanë kurajë qytetare për ta deklaruar identitetin e vet etnik shqiptar. Kjo nuk i nderon të tillët, të cilët ua turpërojnë edhe varret paraardhësve tanë…
Po shpresoj të mos bezdis lexuesit me ca të dhëna telegrafike.
Në vitin 1949 shkova në shkollë fillore në Beliqicë (fshati i të Madhit Matej Matevski), ngjit me fshatin tim të lindjes, Kiçinicë. Asnjëri nga fëmijët nuk dinim tjetër gjuhë pos shqipes amtare. Mësuesi Mito më rrahu sepse nuk dija si i thonë në makedonisht kushëririt…
Deri në vitin kur kam lindur unë (1941) as ne shqiptarët ortodoksë dhe as makedonët nuk na lejohej nga pushtuesi serb të deklaronim identitetin tonë etnik, nuk na lejoheshin shkolla në gjuhë amtare, në kisha propagandohej se të gjithë besimtarët ortodoksë janë serbë. Familjes sime pushtuesi serb në vitin 1913 ia imponoi mbiemrin Tanasheviq, nga Tanashi, siç e kishim deri atëherë. Fatkeqësisht edhe pushteti komunist i RM-së, pas vitit 1945, i dresuar dhe i komanduar nga nacionalistët komunistë serbë, na e ndryshoi mbiemrin në Manojlovski. As aty e tutje ne shqiptarët ortodoks nuk kishim liri të deklaroheshim shqiptarë, as të mësonim në shkollë në gjuhë amtare shqipe, etj. Kur shkova në shkollë të mesme në Tetovë, – po vetëkuptohet, në gjuhë makedone, – kisha fare pak kolegë shqiptarë. Sa herë që bisedoja me ata në gjuhë tonë amtare shqipe, disa koleg makedonë me kritikonin dhe më urrenin. Kur shkova për studime në Zagreb, atje u habita se kolegët shqiptarë nga Kosova flisnin shlirshëm mes tyre në gjuhë shqipe. Ndërsa kur emigrova në Amerikë (1969), atje kisha liri ta shfaqja përkatësinë time nacionale shqiptare. Fatkeqësisht këtu, edhe pse ligjërisht jemi në demokraci pluraliste, ka shumë nga pjesëtarët e komunitetit tonë – shqiptarë ortodoksë – që ende po frikësohen e po ngurrojnë të deklarohen se janë shqiptarë ortodoksë; akoma më keq, ndonjëri me denigron mua si tradhtar, pse e shfaq publikisht përkatësinë time etnike.
Që të mos keqkuptohem, mua nuk më merakos kush çfarë është etnikisht, nuk më interesojnë as numrat dhe përqindjet, se sa janë makedonë e sa janë shqiptarë në Shtetin tonë, por vërtet më vjen keq kur gënjehet sidomos për përkatësinë etnike të prindërve dhe paraardhësve tanë, të cilët kanë qenë aq rëndë të diskriminuar, sa që nuk u është lejuar ta përdorin gjuhën e tyre amtare shqipe as në familje; brezi i ri është rrit pa dëgjuar përrallat e gjysheve të tyre, të cilat nuk kanë ditur gjuhë tjetër, e në gjuhë shqipe nuk u është lejuar tu flasin nipave e mbesave të tyre…
Uroj që liria e deklarimit të përkatësisë sonë etnike të mos ndrydhet, qoftë nga nacionalistët makedonas, por sidomos nga supërnacionalistët “makedonas”, të cilët e dinë që prindërit dhe paraardhësit e tyre i kishin shqiptarë. Sa rëndë na vjen kur neofashistët helenë nuk e pranojnë identitetin etnik të popullit makedon, nuk pranojnë që Shteti ynë të mbaj emrin kushtetues Republika e Makedonisë, kundërshtojnë identitetin etnik të shqiptarëve ortodoksë, etj. Ky qëndrim i tyre i padrejtë, – që po bllokon procesin e anëtarësimit të RM-së në NATO dhe në Bashkësinë Europiane, – duhet të na ndërgjegjësoj që të mos i kopjojmë ata, duke i frikësuar bashkëqytetarët tanë që të shprehin lirshëm identitetin etnik, të mos fyem njëri-tjetrin kur deklarohemi siç e ndjejmë vetën tonë.
Shqiptarët e besimit fetar mysliman dhe ortodoks, kanë luftuar bashkarisht me vëllezërit tonë makedonë, kundër pushtimit turk dhe serb. Prandaj uroj që tani të bashkëjetojmë sa më njerëzisht e vëllazërisht, në demokraci e barazi nacionale, për ardhmërinë tonë sa më të mirë.
Branko Manojllovski
(Kiçinicë / Reka e Epërm, Republika e Makedonisë)