Enver Hoxha në Paris 21 gusht 1946(Konferenca e Paqes), polemika me delegacionin grek dhe fjala drejtuar kreut te Qeverisë greke Kaldaris:
“Nga të 60 mijë shqiptarët e mbetur në Greqi, sipas Traktatit të Londrës, nga viti 1913 e gjer në vitin 1923, 35 mijë shqiptarë u dërguan me forcë në Turqi si “nënshtetas turq” në këmbim të grekëve të Azisë së Vogël; në kundërshtim me angazhimet e marra solemnisht prej Greqisë, qeveritë greke kanë ndjekur gjithmonë një politikë shfarosjeje kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi dhe nuk i njohën kurrë ndonjë të drejtë.
Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva deshën t’i zhduknin shqiptarët që kishin mbetur: ata dogjën katundet e tyre, u plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 20 mijë shqiptarë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri, ku sido që kanë ndihmën e qeverisë dhe të popullit shqiptar, jetojnë në një mjerim të madh. Por objektivi i vërtetë i gjithë këtyre thënieve të delegatit grek është që t’i merren Shqipërisë dy krahina: të Korçës dhe të Gjirokastrës, që kanë qenë gjithmonë nga qendrat më të zjarrta të patriotizmit shqiptar, si gjatë pushtimit të gjatë turk, ashtu edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare kundër zaptuesve italianë dhe gjermanë.
Këto qëllime pasqyrojnë politikën e vjetër të “Megali-idesë” greke, domethënë të zgjerimit imperialist grek në krejt Ballkanin, ide që ka mbirë edhe në kokën e qeveritarëve grekë të tanishëm.
Në fakt, këta, me rivendikimet që bëjnë kundër Shqipërisë, me provokimet e tyre të përditshme në kufijtë tanë dhe me intrigat që kurdisin, si ajo e propozimit, bërë delegatit jugosllav prej z. Caldaris vetë, për ta ndarë Shqipërinë, kërkojnë të turbullojnë paqen në Ballkan.
Zotërinj, ne kujtojmë se është pa vend dhe një gjë e papranueshme të preket në këtë konferencë çështja e integritetit tokësor të Shqipërisë. Populli shqiptar i vogël në numër, por i madh nga sakrificat që ka bërë për kauzën e përbashkët, nuk ndodhet këtu për të diskutuar për kufijtë e tij, por për të shprehur dhe për të kërkuar të drejtat e veta. Po deklarojmë solemnisht se: brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse ato për ne janë të shenjta.”
(Botohet me shkurtime sipas tekstit të gazetës “Bashkimi”, Nr. 540, 22 shtator 1946)
add a comment