Botë

Zjarret si kurrë më parë

ATHINË – ANKARA – BEOGRAD, 6 gusht /ATSH-MIA/ – Zjarret vdekjeprurëse në disa
pjesë të Evropës Juglindore, Rusi, Greqi dhe Turqi të shkaktuara nga temperaturat ekstremisht të larta dhe era e fuqishme, kanë sjellë qindra miliona dollarë dëme dhe evakuimin e mijëra njerëzve.

Shërbimet e mbingarkuara në Rusi për rastet urgjente morën ndihmë plotësuese nga ushtria në luftën kundër zjarreve pyjore në lindje të vendit.

Autoritetet thonë se 173 zjarre ende digjen në rajon dhe se situata është jashtëzakonisht e rëndë.

Më shumë se 2 500 pjesëtarë të shërbimeve urgjente po bëjnë përpjekje për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

Vala e nxehtë në mbarë Evropën jugore, e nxitur nga ajri i nxehtë i Afrikës Veriore, shkaktoi zjarre nga bregu mesdhetar turk deri në Ballkan.

Në Greqi nuk ka energji elektrike në disa pjesë të Athinës, sepse zjarri rrëzoi shtyllat për transmetim të energjisë elektrike. Autoritetet greke urdhëruan evakuim të ri në ishullin Eubeja, në afërsi të Athinës, ndërsa zjarrfikësit arritën ta shuajnë zjarrin në afërsi të Olimpit antik, në pjesën perëndimore të Peleponezit.

Temperaturat mbi 40 gradë Celsius dhe era e fuqishme në pjesë të ndryshme të vendit në ditët e fundit shkaktuan më shumë se 150 zjarre.

Autoritetet greke urdhëruan evakuim të ri në fshatrat e pjesës veriore të ishullit Evia, të cilat janë rrethuar me zjarre të mëdha, ndërsa janë plagosur tre zjarrfikës. Banorët dhe turistët në Kuluros, Marulija, Rovies dhe Palaiohori duhet t’i braktisin shtëpitë dhe hotelet e tyre.

Gjatë shtatë ditëve të fundit, 132 zjarre katastrofale shpërthyen në pjesët jugore të Turqisë, ku humbën jetën tetë persona, ndërsa u dogjën së paku 118 789 hektarë tokë.

”Turqia lufton me zjarret më të vështira pyjore në historinë e saj”, deklaroi presidenti Recep Taip Erdogan.

”Zjarret që ndodhën këtë vit asnjëherë nuk kanë ndodhur në historinë tonë. Këto janë zjarret më të mëdha deri tani”, tha Erdogan në një intervistë televizive.

Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme, zjarret detyruan mijëra turq dhe turistë të huaj t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe hotelet në Egje dhe Mesdhe.

Zjarri në afërsi të Trogirit në Kroaci hyri në ditën e tretë, megjithatë dogji rreth 1 600 hektarë vegjetacon të ulët. Gjatë natës në terren ka pasur 106 zjarrfikës me 37 automjete.

Për momentin zjarri nuk i rrezikon njerëzit dhe objektet, ndërsa vlerësohet se, edhe pse u dogj sipërfaqe e madhe, dëmi material nga zjarri nuk do të jetë i madh sepse kryesisht është vështirë në qasje dhe terren i pabanuar.

Shiu i rrëmbyeshëm i papritur ndihmoi në shuarjen e serisë së zjarreve në Bosnje-Hercegovinë, ndërsa ende ka zjarr aktiv në afërsi të Neumit, që u kanoset shtëpive sepse atje nuk ka rënë shi.

Zjarr pyjor shpërtheu edhe në Serbi në rajonin e komunës Çajetina, ku ka prekur rreth 50 hektarë pyje dhe bimë, ndërsa zjarri në Zllatibor u lokalizua dje pasdite.

Një person humbi jetën në zjarrin në Novoselë, rreth 50 kilometra nga Prishtina, si pasojë e tymit të dendur. Viktima është dërguar në spital pa shenja jete. Në Kosovë aktive janë edhe katër zjarre./ a.jor.