Janë revoltuar nga prania e një artisti serb, pse atë e kanë ftuar të këndojë në një festë birre?!

Falë zhurmës sa në Prishtinë dhe Tiranë, edhe sikur të mos këndojë Goran Bregoviç, jo shumë i njohur deri dje nga shumë shqiptarë, papritur në Shqipëri u bë i njohur dhe më i famshëm se kurrë më parë.

Sikur të ishin revoltuar një ditë patriotët për degjenerimin e artit dhe të kulturës në Shqipëri, për degradimin e arsimit, padrejtësitë dhe pabarazinë e shqiptarëve përballë ligjit, për deformimin e demokracisë që e mban larg BE-së, nepotizmin, grabitjen në këto 30 vjet të pasurisë kombëtare nga njerëz të veshur ose jo me pushtet, papunësinë, emigrimin, rritjen e paarsyeshme dhe të vazhdueshme të çmimeve dhe taksave etj, etj. A nuk do të ishte ky një lloj patriotizëmi më i vlefshëm, më i dobishëm!

Pse bërtet kaq shumë sot “patrioti” shqiptar kur është kaq e thjeshtë: Le të mos shkojë në festë…

Nëse do të shkojë dhe nuk do ta dëgjojë muzikën e këngëtarit serb, të vërë kufjet në vesh, të dëgjojë muzikë tjetër dhe të pijë birra. Nëse nuk pi alkool, të pijë ujë…

“Patriot” i revoltuar, a mund të thuash se cili ligj, nen, kod etik, moral është shkelur, në një aktivitet me financim kryesisht privat?

A je i sigurt që muzika e tij përmban mesazhe urretjejeje, pse nuk e ke refuzuar dhe nuk je revoltuar më parë, dhe po ashtu, sa siguri ke që po revoltohesh sot për patriotizëm?

Është më tepër e mundur që kjo “betejë” të jetë e nxitur mbi baza tregtare dhe konkurence birrash, sesa të jetë revoltë për ndonjë ndjenjë të vërtetë dhe të sinqertë patriotike.

Për këngëtarë apo artistë të revoltuar si Noizy, të cilët janë bërë pjesë e pandarë e zhurmës, është shfaqja e zakonshme e një lloj xhelozie mes atyre që nuk janë bërë pjesë e festës, thjesht ‘për një grusht dollarë më shumë’.

A duhet të shqetësohen sot patriotët e vërtetë për xhepat e disa këngëtarëve të tjerë në Tiranë dhe Prishtinë, shumica pa asnjë vlerë artistike, të cilët për më tepër, bërtasin për “patriotizëm” nga resortet luksoze turistike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë edhe nën efektet e lëndëve narkotike!

“Patriotë”, le ta zgjidhin më mirë vetë organizatorët nivelin artistik të festës së tyre!

A e dini ju se disa vite më parë (2006), në “Pallatin e Kongreseve” i mbushur në kapacitetin maksimal, Goran Bregoviç, i lindur në Sarajevë nga një nënë serbe dhe baba kroat, dha koncertin e tij të parë në Shqipëri.

U prit me respekt nga qeveria e asaj kohe që drejtohej nga ish-kryeministri, Sali Berisha, dhe me nderime nga pushteti lokal, që drejtohej nga ish-kryebashkiaku Edi Rama. Pas koncertit iu dorëzua edhe “Çelësi i Tiranës”. Ka ardhur edhe herë tjetër në vendin tonë kur në krye të bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha.

Ishte koha kur patriotët flinin gjumë.

I njëjti artist, i ftuar këtë verë në një festë birre që zhvillohet në Korçë, çuditërisht këtë herë, në një kohë kur marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë zbutur ndjeshëm në politikë, ka ngjallur reagime duke ndezur debate të shumta “patriotike” në Shqipëri. Çfarë ndryshoi? U bënë shqiptarët më patriotë falë efektit të rrjeteve sociale, apo ishin kur plagët e luftës së Kosovës i kishim më të freskëta!

Organizatorët e festës e kanë përzgjedhur Bregoviç privatisht sipas shijeve dhe dëshirës, ashtu siç kishte ndodhur në Tiranë. I vetmi debat i dobishëm patriotik do të ishte mbi shpenzimet e ardhjes së tij, se kush po paguan për vlerat artistike që ai përfaqëson, nëse rezulton se mund të paguhet një çmim i pajustifikueshëm nga taksapaguesit korçarë. Të tjerat janë si ato fjalët që dëgjon në tekstet e disa prej këngëve të degjeneruara tonat, me të cilat ushqehet prej vitesh rinia shqiptare.

Koncertet gjatë karrierës së tij kanë qenë të shumta kudo nëpër Europë dhe botë. Sipas mediave të huaja, ai është pritur në një koncert në Romë nga qindra mijëra vetë. Më herët ka bashkëpunuar edhe me artistë shqiptarë.

Heshtën kur Ballkani ishte mbyllur. Shumë zhurmë për asgjë, pas ‘Ballkanit të hapur” .