Kulturë\Letërsi

Ylli Meçe: Poshtë urës aty mbi lumbardhë (Ibër)

(Mitrovicës së plagosur)

Shëëëëët… e plagosur po fle një urë,
mbi kurrizin e kohëve të marra
Me armë,helmeta e tela fort në të dy skajet
këmbë e kokë lidhur trupin
Përgjumësh “qyteti sonambul“ gdhihet pa qejf
me ëndërra të ndara…
Lumbardhi dhe pse i trubullt devijon
e kokëulur ecën për të fshehur turpin

Asnjëherë s’pat ndodhur që mbi një urë
tè ulej ashtu dhe vetë Evropa
Për ndokënd do të ngelet mister
dhe të vërtetën akoma ndofta nuk edinè
Veç në këmbët e saj dikush shkroi në shqip :
Unë jam vet revolta
Shpirti s’përgjysmohet një pjesë për shqiptarët
dhe diçka për Serbinë !

Shëëëëët… po flejnë barrikadat të lodhura
nga pesha që mbartin
( Belbëzin me vete historia: E rrallë kjo,
për të mos thënë kurrë!)
Zgjohen fèmijët prej dy anëve e nga pagjumësia
gojët e tyre hapin
Pranë urës mbi Ibër sodit Evropa
fushëbetejën e fëmijëve me gurë

Shëëëët – ju lutem pak qetësi
përballen matanë urës dy lapidarë
Shkruar te njëri dëshmorë lirie
po aq dhe tjetri plot invadorë
Histori të tillë ma besoni
Globi kurrë në shekuj s’e ka parë
Heronj dhe pushtues luftojnë,
dhe në monument me armë në dorë

Ti qesh e zgërdhihesh Evropë,
sikurse qeshe në Londër vite që moti
Vallë a nuk e ke kuptuar se poshtë urës mbi Lumbardhë
po s’pati paqe – ka fuçi baroti ?!

Nga libri „Ngjyrat e Kosovës“