Vështrim/Analizë

Ylli Meçe: Kur historiani Paskal Milo fshihet pas kalit të ballistit Selfo Qorri

KUR PASKAL MILO…. QËNDRON “PAS KALIT” TË BALLISTIT “SELFO QORRI “
——-
Që kryeballistët si Butka dhe Alimadhi të deklaronin se Enver Hoxha ishte ai që provokoi i pari “Ballin Kombëtar” dhe se “Balli nga inati” shkoi e bëri dashuri me italianët dhe në të pastajmen me gjermanët, hajde se do të durohej, sepse për hir të së vërtetës, nga kolaboracionistët me fashizmin nuk mund të presësh që ata t’i thurnin himne e lëvdata Luftës tonë të madhe Nacional – Çlirimtare dhe kjo është llogjike…por problemi është se si ka mundësi që Paskal Milo ish profesori ynë dhe gazetar që s’të linte radhë në gazetën “Zëri i Popullit” të kthehet dhe të shkruaj të kundërta e atyre që ka shkruar më parë? Që Paskali flet si “ e ëma e Zeqos në majë të thanës” e kam kuptuar që hershëm dikur në Vlorë aty nga viti 97-të, që rastësisht shkëmbeva vetëm dy mendime brenda ambienteve të gjimnazit “Ali Demi”. Gjithësesi, ai sikurse qindra të tjerë që pësuan metamorfozë ashtu si lëngjet që marrin formë në enën ku i zbraz,(Interesant si mu kujtua dhe ligji i Paskalit për lëngjet) ashtu dhe Paskali ju përshtat regjimit, por që t’i përshtatesh regjimit, duhet të lëpish e marrësh me gjuhë ato që dikur i ke hedhur. Dhe ai ashtu bëri, sepse nuk mundej ndryshe( se mos ishte ai i pari!). Me sa kam lexuar disa nga “dërrckat “ e tij nëpër gazeta, për herë të parë më ka çuditur me deklaratën e tij se heroi i ynë Skënderbeu, nuk na qënkish shqiptar, por serb dhe kjo sipas “përrallaxhiut të 2022 netëve”… nga që e ëma e tij, Vojsava, rridhte dhe na qenkish serbe dhe se ajo, na ishte martuar me Gjonin. Kështu që rrjedhimisht sipas logjikës së Paskalit dhe fëmijët e tyre na qenkëshin serbë ose të paktën gjysëm serbë. Po të ishte ashtu si e thotë Paskali, a mundej vallë Skënderbeu serb, ta ngrinte flamurin në Krujë nëse nuk do kishte atë ndienjë atdhedashurie për tokën e tij? Shkurt, nëse Gjergji i madh i shqiptarëve nuk e ndiente veten të tillë, ai mund ta ngrinte atë diku në Beograd dhe për rrjedhojë dhe nusen e tij Donikën e Arianitasve, nuk do e merrte nga Kanina; gjë që do të thotë se nëse do ishte serb do të gjente ndonjë “Dushankë” apo dikë tjetër me origjinë sllave., Po të qe se Skënderbeu do na qënkish serb, atëhere pse do mblidhte krerët e principatave shqiptare dhe në fund të fundit, pse do luftonte për interes te shqiptarëve duke organizuar “Besëlidhjen në Kuvendin e madh të Lezhës më 1444” dhe kaq i marrë të ishte “serbi Skënderbe”që të linte atdheun e vet Serbinë e të luftonte për shqiptarët, ose e marrim nga e kundërta, kaq popull pa gjak e pa indetitet të paskëshim qenë ne shqiptarët, që pritëm e pritëm dhe nuk nxorëm dot një udhëheqës dhe më në fund na doli një serb për të na udhëhequr!? Duke ecur me logjikën e Paskalit a mundej vallë psh Gavril Dara( i riu) arbëreshi, së bashku me J. de Radën, J. Varibobën, A. Gramshin dhe pse emrat pothuaj i kishin latinizuar t’i konsideronim italianë, ose fundja grekët nga sot e tutje, të mburren me emrin e Paskal Milos se ka origjinë të lashtë greke? Pra kjo është logjika foshnjore e Paskalit dhe me këtë logjikë ai na bën dhe zbulimin tjetër të radhës më “bombastikun” e historisë së luftës.”.. se Enver Hoxha na qënkish ai, që na paskish provokuar i pari “Ballin e Kombit”. Nënteksi i llogjikës paskaliane do të thotë se nëse nuk do i kishte provokuar Enveri ballistët, do kishin bërë namin dhe jo që do të hidheshin në luftë, por dhe do e kishin fituar atë
bashkë partizanët. Kjo ide tejet reaksionare dhe manipuluese e historisë, të çon direkt në përfundimin logjik se “Balli” nga inati që e kishte provokuar Enveri, na ishte hedhur me armikun, se ndryshe, nëse Enveri do sillej urtë me ta dhe më luajal, atëhere nuk do të kishim atë “Ball Kombëtar” që ka përcaktuar Nacional – Çlirimtarja, por një “Ball”…e çfarë Balli !…Ballë kazani jo shaka ! ..Por ky përfundim i “historikut” manipulator të historisë , i ngjan thënies së popullit se …” për inat të Paskalit, unë kam për të fjetur me Milon” ! Ja na ndodhi dhe çudia, që enigmën e fshehtë e fshehur nga komunistët, na e zbulon Paskali ?! Dhe kur, pikërisht në vjeshtën e vitit 1943 ! Po mirë o Paskal, ish profesori ynë i historisë, që rend pas kalit të qorollepsur të Selfo Qorrit, ti i ke shfletuar dokumentet para kësaj vjeshte të vitit 1943 apo jo? Le të marrim Konferencën e Pezës shtator 1942 ,ku behej thirrje për tu bashkuar ne luftë kundër armikut pa dallim feje, krahine dhe ideje. E dini ju që ballistët vetëm formalisht e pranuan këtë konferencë edhe pse “Tatja” refuzoi të merrte pjesë vet personalisht? E kini lexuar ju E. Hoxhën dhe PKSH-në ku bëjnë çdo përpjekje që ta afronte dhe ta angazhonte “Ballin” në luftë ? Ja këto nuk i ditke, po që ka një protokoll “ Dalmazzo – Këlcyra” në mars të vitit 1943 a e dini? E dini ju se çfarë ka firmosur Ali Beu(yt) Këlcyra bashke me Nuredinin e Vlorës? Pra ata që thua ti Paskal shkruajnë se…”. Me anë të këtij dokumenti Balli Kombëtar zotohej të siguronte, duke marrë çdo përgjegjësi, se «asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore…», se ai (Balli) do të përdorte «gjithë ndikimin e tij për të ndaluar sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementë armiq»; të zhvillonte «propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet operative».Sikurse e vren me anë të këtij nënshkrimi në dokument, Balli Kombëtar zhytej çdo ditë e më shumë në rrugën e bashkëpunimit me fashistët pushtues italianë kundër lëvizjes Nac- Çl. Mirë kjo, po parullat apo përshëndetjeve e partizanëve, sikurse dhe ato të “ballit” që kishin dalë para tetorit të vitit 1943, a jeni ju në gjendje ti analizoni shkencërisht dhe të bëni dallimet klasore nga njëra tjetra duke u thelluar mirë në to ? Partizanët përshëndetnin : Vdekje fashizmit – Liri Popullit ! (Pra asnjë kompromis me armikun për lirinë e popullit)…..teksa Ballistët e tu, që tashmë i bëre miq , ( e sos je ti i pari a i vrarë…) çirreshin: Shqipëri e shqiptareve- vdekje e tradhtarëve !… ( Pse nuk përmendet lufta nga ballistët, apo sepse përjetonin paqe, apo për faktin se balli nuk ishte përfshirë duke ruajtur një lloj neutraliteti?!). Ja iku dhe italiani e na erdh’ gjerman agai, kështu që thua ti prof . i historisë së përmbysur , “Ballit” ju dha mundësia ta tregonte veten në luftë. Po pse nuk luftuan?!, Apo nga inati që kishin me Enverin ? Nëse nuk do ishte Enveri në krye por një shok tjetër si ai, mos “Balli” yt do hidhej në luftë? Shiko, shiko prandaj dhe “Tate beu” u dërgoi qarkore gjithë ballistëve me qeleshe që të ulnin dyfeqet e të mo e prisnin me armë gjermanin? Të gënjen mëndja a i vrarë..sos me të vërtetë ballistët, i kishte zbrazur ndonjë herë armët kundër pushtuesin ! Ata i lidhte armiqësia që kishin kundër luftës çlirimtare të popujve e di pse? Sepse e kuptoninqë nëse fitonte Nac-çlirimtarja nuk do të ishin më agallarë.. Në shtjellimin tuaj foshnjarak se Enveri na i paskish provokuar i pari ballistët, është një nga lajthitjet e cila të bën me deomos të qeshësh me të madhe. Po pse ore prof. kështu shpjegohet shkencërisht historia, sikur të na qënkish një luftë e kalamajve 10 vjeçarë, që marrin nofulla keci dhe qengji e që bëjnë “lojë luftërash” dhe në fund grinden me njëri tjetrin e në të pastajmen nga inati e lenë luftën? Lufta është luftë dhe në luftë për natyrën e veçantë që ka ajo ,mund të bëhen dhe gabime në marrjen e ndonjë vendimi, si psh pushkatimi i 60 ballistëve të H. Matjanit në vitin 1944 dhe që Enver Hoxha me shokë e kanë kritikuar rëndë, por s’mund të themi se te heqësh dorë nga lufta është gabim, jo kjo është tradhëti dhe bashkëpunim me armikun. Ju pyes ju a kini arritur të kuptoni se terminologjia, “Partizanë” dhe “Ballistë”, në thelb mbartin pozicione të ndryshme klasore ? Dhe nëse mbartin pozicione të ndryshme dhe të kundërta klasore, a mundej që “Balli” të pozicionohej ndryshe? Unë them se kurrë sesi jo, jo, sepse atë ndarje dhe dallim klasor që kishim para lufte, pra në bejlerë e agallarë nga njëra anë dhe shtresa te vuajtura nga ana tjetër, po ai dallim do të ruhej dhe në luftë. Ja për një moment, supozojmë se Enveri apo dikush tjetër e teproi me “Ballin”, mos vallë kjo i detyroi ballistët të futnin në Qeverinë (Regjencën) 3-4 ballistë nën çizmen gjermane?! Mirë inatin e kishin me Enverin, po gjeneralin Devis pse e kapën e ja u dorëzuan gjermanëve? Apo dhe kjo për inat të Enverit, sepse ky misionar englez na qënkish atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Nac- Çl. ?!..E dini ju z. Paskal i Partisë herë demokrate e herë socialiste, se dhe vet englezët madje dhe vet gjermanët kanë shkruar dhe për partizanët por dhe për bëmat e ballisto- zogistëve? E dini ju se ata mbajnë anën e luftës Nacional- çlirimtare dhe jo të Ballit? Ku e kini ju qëllimin : Mos doni të thoni se po… vërtetë Lufta Nac- Çl, është epope e lavdishme, por ja që ishte në krye të saj personi i gabuar, Enveri. Pra ju, indirekt e artificialisht, kërkoni të bëni një ndarje të madhe, midis partizanëve tanë legjendarë, me udhëheqësin e saj E. Hoxha, por që në fakt, ata janë aq të lidhur, sa që po mohove njërin, ke mohuar dhe tjetrin. Nuk është çudi që dhe ta mendoni se po të mos ishte E. Hoxha, ballistë, zogistë e partizanë do të ishin sëbashku në rrugën e fitores. Gorrica pikëla!! Gaboni rëndë, shumë rëndë, sepse ishte ndarja klasore ajo që i pozicionoi shtresat e gjera te popullit dhe nuk ishte e rastësishme që disa u lidhën me “ çlirimtaren” dhe disa të tjerë me “Ballin” . Ju, ballistët e rinj, që rrëmoni tërë kohën mbi letrat tona dhe bëni lojën e ballit , ju them se nuk ju takon juve të vlerësoni luftën tonë dhe aq më tepër Komandantin e saj. Natyrisht dhe me njerëz si puna e juaj dhe e Ramës me qëndrime vlerësime dhe interpretime krejtësisht anti-historike që na turpërojnë para kombeve të tjerë, as që jua u kemi nevojën dhe as duam që ju të na e vlerësoni luftën tonë dhe Enverin. Duke qenë se jini në rrugën tuaj merruni me Ballin dhe Legalitetin dhe u ngrini atyre dhe diversantëve të tyre monumente sikurse po jua u ngrini. Enveri është e ka për të ngelur në gjirin e popullit i pavdekshëm. Besoj ju kujtohet ajo nëna nga Labinoti që e mori bustin e tij dhe e mbajti në shtëpinë e vet, teksa shumica e atyre që përdridhnin bythët rrugëve të Tiranës, mburren se e rrëzuan. Veç Enverit i rrëzuat bustin..por mos harroni se dhe kështu, ai qëndron mal në këmbë dhe nuk pyet për lapurakër si puna e juaj dhe lakenjve të tjerë që i vutë flakën Shqipërisë. Ja kush jini ju. Nuk kini as me të voglin ndryshim nga ballistët e djeshëm!
—–
Ylli Meçe
– Gazeta “Sot” dt 22 . 02 . 2022