Portreti/intervista

Xhevdet Çelmeta: Qemal Stafa simbol i Ditës së Dëshmorëve

Qemal Stafa, simbol i Ditës së Dëshmorëve
Qemal Stafa lindi më 20 mars në Elbasan, në një familje qytetare të mesme, e cila mbahej me rrogën e të atit, Hasanit, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Stamboll. Pas shpalljes së Pavarësisë, oficeri patriot u kthye në Elbasan dhe u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës. Major Hasan Stafa ishte nga të parët oficerë që u morën në detyrë nga qeveria e zgjedhur në Kongresin e Lushnjës. Më 1923 u transferua në Shkodër me detyrën Drejtor i Zyrës së Rekrutimit. Qëndrimi opozitar i Hasan Stafës kundër qeverisë së Zogut, ndikoi në formimin e ardhshëm të Qemalit. Zogu e nxorri oficerin Hasan Stafa në pension, duke mos i dhënë mundësi tjetër. Hasani iu kushtua edukimit të 3 djemve dhe 2 vajzave të tij për t’i nxjerrë të shkolluar derisa vdiq papritur në 1935. Pas vdekjes së babait, e tërë barra e familjes ra mbi nënën e Qemalit, Sabiren, e cila ishte po nga Elbasani, nga fisi i Dylgjerëve. Në korrik 1936, Qemali u largua nga Shkodra dhe u vendos familjarisht në Tiranë. Në vitin e ri shkollor 1936 – 1937, Qemali filloi mësimet në gjimnazin e Tiranës në klasën VII. Ai atje njihet me të rinjtë revolucionarë, Xhezmi Delli, Ali Demi dhe Themo Vasi. Puna politike me gjimnazistët ishte pjesë e veprimtarisë revolucionare të Qemalit në Tiranë. Në vjeshtën e 1936, Qemali u njoh me militantin komunist Vasil Shanto dhe nëpërmjet tij arriti të hynte në lidhje me lëvizjen komuniste që vepronte në kryeqytet. Qemali u bë krah i fortë i Vasilit në këto përpjekje. Në 1937, Qemali ngriti celulën e parë komuniste në gjimnazin e Tiranës me të rinj të sprovuar e besnikë. Të parët organizoi shokët e tij Ali Demin dhe Themo Vasin. Puna e Qemalit u intensifikua për ngritjen e celulave komuniste me studentët e Institutit Teknik, si me Perlat Rexhepin, Sadik Stavalecin e Skënder Çaçin. Nga vera e 1937, Qemali organizon celulën komuniste në Institutin Femëror me studentet revolucionare të këtij instituti. Gjatë 1937 veprimtaria revolucionare e Qemalit shtrihet edhe në qytete të tjera, si në Elbasan, ku organizon celulën komuniste me Sami Bahollin, Jorgji Shuteriqin, Enver Palluqin etj. Në verën e 1938, Qemali e mbaron gjimazin me rezultate shumë të mira. Dëshira e tij për të vazhduar studimet e larta me bursë shteti mori fund, me arrestimin e tij si komunist më 21 korrik 1938 dhe dërgohet në burgun e Elbasanit. Në mbarim të hetimeve Qemali u lirua nga burgu si i pafajshëm dhe u kthye në Tiranë. Ai punoi si sekretar privat në shtypshkronjën “Luarasi”, por u pushua nga puna për veprimtari revolucionare. Në 24 janar 1939 arrestohet nga xhandarmëria. Pas 7 ditë e netë torturash e shtrëngime në zyrat e qelisë së xhandarmërisë, Qemalin e dërguan në burgun e vjetër, ku ishin burgosur 73 vetë, kryesisht nga Grupi Komunist i Shkodrës, si dhe Vasil Shanto. Qemali nga tribuna e gjyqit shpalli hapur veprimtarinë e tij duke deklaruar: “Jam komunist i bindur dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypur. Jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipërinë!”
Gjykata vendosi që të dënoheshin me burgim Qemali së bashku 56 të tjerë, midis të cilëve Vasil Shanto, Myzafer Asqeriu dhe Emin Duraku, Së bashku me grupin komunist të dënuar, Qemali internohet me punë të detyruar në fshatin Mbreshtan të Beratit. Gjyqi kundër komunistëve bëri jehonë të madhe në tërë vendin. Më 30 mars 1939, Qemali transferohet në burgun e Tiranës. Më 6 prill 1939 ai arratiset nga burgu dhe plagoset. Në tetor 1939 shkoi në Itali për të ndjekur studimet për Drejtësi në Universitetin e Firences, ku atje vazhdoi veprimtarinë revolucionare. Në janar 1940 kthehet në Atdhe dhe punon së bashku me shokun e tij të ngushtë Vasil Shanton për organizimin e qëndresës antifashiste. Në mars-qershor 1940 shkoi prapë në Itali, ku organizoi rininë studentore shqiptare në luftë kundër fashizmit. Në qershor-tetor 1940 kthehet përsëri në Shqipëri në ballë të përpjekjeve për bashkimin e komunistëve shqiptarë dhe të luftës antifashiste. Ai njihet e bashkëpunon ngushtë me shokun Enver Hoxha. Në janar-qershor vazhdon veprimtarinë revolucionare në Itali, por ndiqet, mbahet në mbikqyrje dhe arrestohet disaherë nga spiunët fashistë. Më 18 qershor 1941, Qemali kthehet përfundimisht në Atdhe. Më 23 qershor 1941 ai hidhet në ilegalitet. Në korrik 1941 shkon në Pezë dhe takohet me Myslim Pezën. Në korrik-nëntor 1941 bashkë me Vasil Shanton mbështesin fuqimisht platformën e Enver Hoxhës për bashkimin e komunistëve shqiptarë në një repart pararojë, siç do të ishte PKSH. Më 8-14 nëntor 1941 merr pjesë në mbledhjen historike të Grupeve Komuniste si përfaqësues i Grupit Komunist të Shkodrës dhe zgjidhet anëtar i KQ të Përkohshëm të PKSH. Më 23 nëntor 1941 zgjidhet Sekretar Politik i KQ së Rinisë Komuniste Shqiptare. Në shkurt 1942 shkon ilegalisht në Shkodër dhe krijon Komitetin Qarkor të Rinisë Komuniste. Në mars-prill 1942, i ngarkuar me detyra partie dhe për të ngritur Organizatën e Rinisë Komuniste shkon në Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Fier, Durrës, Berat etj. Më 12-14 prill 1942 merr pjesë në Konsultën e Parë të Aktivit të PKSH. Më 5 maj 1942 rrethohet dhe vritet pabesisht nga fashistët dhe spiunët në një bazë ilegale në Tiranë.
Më 6 korrik 1945, Kryesia e KANÇSH e shpall Qemal Stafën Hero të Popullit. Për të kujtuar dëshmorët që ranë në LANÇ, dita e 5 Majit është shpallur si Dita e Dëshmorëve. Për të nderuar dhe kujtuar Heroin e Popullit Qemal Stafa, Stadiumit Kombëtar të futbollit në Tiranë i është vënë emri i tij. Një gjimnaz dhe një rrugë kryesore në kryeqytet mbajnë emrin e këtij Heroi të Popullit. Po kështu busti i tij është ngritur në sheshin përballë Presidencës.