Shqipëria/Aktualitet

Xhevat Hasani: A e ka humbur Serbia Kosovën?

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë, ndonjëherë edhe nga goja e ndonjë politikani shqiptar, se si gjoja «Serbia e paska humbur Kosovën», që kur ajo në qershorin e vitit 1999 u detyrua t`i largonte forcat e saj nga Kosova dhe që kur Kosova në shkurtin e vitit 2008 e shpalli pavarësinë e saj!? Shtrohet pyetja: a i qëndron kjo thënie të vërtetës objektiv? Mendoj se kjo thënie jo vetëm që nuk i qëndron realitetit objektiv, por se është shumë e dëmshme politikisht për Kosovën dhe shqiptarët. Serbia për ta humbur Kosovën ishte dashur që Kosova paraprakisht të ishte e Serbisë. Por, siç dihet, Kosova që nga kohët antike kur ajo është quajtur Dardani e deri më tani, ka qenë dhe ka mbetur territor i banuar vazhdimisht me shumicë shqiptare, gjë që flet se de fakto Kosova nuk ka qenë asnjëherë e Serbisë, por ka qenë e ka mbetur gjithnjë territor dhe atdhe i shqiptarëve. Duke mos qenë Kosova asnjëherë e Serbisë, kjo e fundit as që ka pasur se si ta humbte atë (Kosovën) në qershorin e vitit 1999, apo në shkurtin e vitit 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj. Ajo që i ka ndodhur Serbisë me Kosovën ka qenë largimi i saj nga territori i huaj; nga Kosova shqiptare, të cilën e kishte pushtuar në vitin 1912 me terror e gjenocid. Prandaj, të thuash se “Serbia e ka humbur Kosovën» është njësoj sikur të thuash se «Kosova paraprakisht ka qenë e Serbisë», por se tani ajo (Serbia) për shkak të luftës së UÇK-së dhe për shkak të ndërhyrjes së NATO-s e paska humbur Kosovën padrejtësisht!!

S`ka dyshim se kushdo që ka thënë se «Serbia e ka humbur Kosovën», me ose pa dashje, e ka mbështetur Serbinë në rrugën e saj të mosnjohjes së shtetit të Kosovës. Serbia, pikërisht duke konsideruar se e ka humbur padrejtësisht Kosovën, po e mban edhe tash në kushtetutën e saj si pjesë të Serbisë. Ajo tanimë shumë herë është përbetuar e po përbetohet se nuk do ta njeh kurrë shtetin e Kosovës dhe, për më tepër, edhe po kërkon hise në Kosovë: kërkon që t`ia aneksoj vetës (Serbisë) tre-katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kurse nëse kjo nuk i shkrep, kërkon një asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Për të gjitha këto thënia «Serbia e ka humbur Kosovën», sidomos kur ajo del nga goja e ndonjë politikani shqiptar, jo vetëm që është e gabueshme politikisht, por ishte dashur të ishte edhe e dënueshme (së pakut me votë) për atë politkan.