Opinion

Xhevat Gjini: Nuk bëhet shteti me simbolika, me heronj e referenca autonomiste – vasaliste

Kosova shqiptare, tokë e Shqipërisë, e pushtuar nga Jugoserbia dhe e copëtuar midis Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, pas shumë përpjekjesh e sakrificash ishte njohur si krahinë autonome vetëm në një hapsirë prej 10 888 km katrore! Pas Luftës Çlirimtare të LPK – UÇK – së dhe të mbarë kombit shqiptar brenda dhe jashtë Atdheut, Kosova me kufijtë e përcaktuar dhunshëm, nuk ia doli të bashkohej me shtetin e saj, Republikën e Shqipërisë, por ia doli të shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësia e saj u njoh nga 100 e sa shtete. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës (shkëputja nga Serbia) u “vulos” edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila për Shpalljen e Pavarësisë tha se ishte në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (OKB – së) dhe në përputhje të plotë me normat, dokumentet dhe rregullat ndërkombëtare. Pas këtij “opinioni” të GJND – së, të kërkuar nga vet Serbia, statusi i Kosovës dhe pavarësia e saj nuk do të duhej të ishte temë “dialogu” në Bruksel dhe në asnjë qendër tjetër. I gjithë angazhimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj shqiptar (edhe i atyre pakicave që e kanë pranuar Kosovën si shtetin e tyre…) do të duhej të ishte për konsolidimin dhe forcimin e shtetit, zhvillimin ekonomik, zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës, artit… dhe, sidomos, ngritjen e kapaciteteve të sigurisë e të mbrojtjes së vendit dhe kontrollin e plotë të territorit të Republikës.

Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i të gjitha politikave shtetërore me shtetin AMË do të duhej të ishte kusht sine que non për secilën qeveri në Prishtinë. Tirana zyrtare është dhe mbetet qendra dhe boshti i kombit shqiptar dhe i shqiptarëve kudo në botë. Shqiptarët pa dallim e dinin dhe do të duhej ta dinin edhe sot se pa atë shtet AMË Kosova dhe trojet tjera të pushtuara nga shtetet shoviniste të Ballkanit do të ishin “kafshatë e vogël” për t’u përbirë nga këto shtete pushtuese. Madje, edhe sot, Kosova është “kafshatë e vogël” dhe nuk do ta kishte vëmendjen dhe rëndësinë që e ka për Amerikën e vende tjera që e përkrahën në përpjekjet e saja për liri e shkëputje nga Serbia pushtuese…

Shqetësim, për mua, përbën fakti që klasa politike e shtetërore e Republikës së Kosovës edhe pas Shpalljes dhe njohjes së Pavarësisë vazhdon të sillet e të paraqitet para botës me logjikën dhe mendësinë vasaliste – autonomiste!! Me sa duket qeveritarëve dhe pushtetarëve në Prishtinë pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj akoma u duken si ëndërr, si diçka e pamundur!! Hululaja e tyre midis heronjve të autonomisë – vasalizmit dhe heronjve të Pavarësisë – shkëputjes nga Serbia dhe nga UNMIK – EULEX -i kuptohet lehtë nga “vëzhguesi” i vëmendshëm dhe i paanshëm. Përulja te varri i I. Rugovës (simbol i nënshtrimit, vasalitetit dhe bashkëpunimit me palën që Kosovës mund t’i njihte vetëm një autonomi të kufizuar…), ngritja e shtatoreve për te, vendosja e fotografive, mbajtja e “flamurit” dhe fotografive të tij në zyrat e shtetit(!!), emërtimi i rrugëve, shesheve, etj. me emrin e tij janë dëshmia më e mirë e tendencës për t’i glorifikuar “heronjtë” e krahur autonomist e vasalist!!… Shkojnë edhe te Varrezat e JASHARVE dhe te varri i Bacës Adem sa për të mbajtur një dorë te ata që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës…

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti mbledhje solemne për 2 korrikun 1990!! Përjetuam e dëgjuam edhe deklarata të “krerëve” të partive a të institucioneve në stilin e një gare për glorifikimin e një ngjarje të karakterit autonomist e vasalist, siç ishte 2 korriku 1990!! Lëvizja Kombëtare e shqiptarëve të pushtuar nga Jugoserbia dekada më parë kishte kërkuar Republikë brenda Jugoserbisë, si hap të parë për shkëputje nga shteti pushtues i Jugoserbisë dhe për t’u bashkuar me shtetin tonë, Republikën e Shqipërisë. Kosova Republikë (me Kosovë Lëvizja jonë Kombëtare kuptonte të gjitha trojet e pushtuara nga Jugoserbia…) dhe kërkesa për vetëvendosje ishte artikuluar qysh në vitin 1968… Kurse Bacë Adem Demaçi me Lëvizjen Revolucionare për bashkimin e shqiptarëve edhe më herët ishte angazhuar dhe kërkonte çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj krejt natyrshëm me shtetin tonë AMË… Në kohën kur akoma nuk dukej në horizont shpërbërja e Jugoserbisë edhe kërkesa për Republikë brenda shtetit pushtues ishte e drejtë. Mirëpo, ata që ishin rreshtuar në anën e gabuar (shqiptarët autonomistë e kolaboracionistë…) kënaqeshin edhe me ndonjë të drejtë elementare ose me një autonomi të kontrolluar dyfish: nga Serbia dhe nga federata!! Ky krah ose kjo shtresë nuk besonte kurrë se do të prishej Jugoserbia pushtuese!! Madje, edhe kur u prishë e kur u shpërbë si kullë prej rëre këta jugonostalgjikë nuk besonin dhe thoshin si ai që po gëlltitej nga ujku: “s’është e mundur, jam në ëndërr”!! Pra ishte Kuvendi dhe ishin delegatët e tij autonomistë e vasalistë dhe ishte e gjithë nomenklatura jugokomuniste e krahinës së Kosovës së copëtuar, që nuk kishin patur guximin dhe forcën të mbronin as autonominë e kufizuar të Kosovës!! Madje, kishin dhënë “pëlqimin” e kishin nënshkruar suspendimin e autonomisë (kujtojeni Surja Pupovcin dhe komisionin e kryesuar prej tij për “ndryshimet kushtetuese”, kujtojeni pastaj edhe votimin e këtyre “ndryshimeve” në kuvendin krahinor…)!! Në kulmin e dëshprimit dhe nën trysninë e popullit bënë një deklaratë në rrugë me të cilën “shpallën” Republikën e Kosovës në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave!! Në kohën që federata jugoserbe po shkërmoqej dhe të gjithë po përgatiteshin për shkëputje, qoftë edhe me luftë e gjak, delegatët autonomistë shpresonin për një “republikë brenda Jugoserbisë” që nuk ekzistonte më!!

Kur Republika ishte zgjidhje e drejtë ky krah dhe kjo nomenklaturë ishte kundër dhe luftonte krahpërkrah me Beogradin kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”!! Kurse kur kërkohej angazhim, organizim dhe mobilizim për shkëputje të plotë, kjo nomenklmaturë jugokomuniste kërkonte – lutej për republikë!! E njëjta nomenklaturë, e transformuar në “lidhje demokratike” dhe e “rreshtuar” pas Ibrahim Rugovës, në kohën që po përgatitej Lufta e Armatosur Çlirimtare, edhe gjatë kohës së Luftës Çlirimtare, angazhohej e lutej natën e ditën për “dialog” e marrëveshje kapitulluese me Serbinë, që po grinte popullin tonë dhe po angazhohejë me gjithë potencialin e saj luftarak e shtetëror për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë!! Kurse sot, kur janë krijuar kushtet për bashkëpunim e integrim me shtetin tonë, kjo nomenklaturë po angazhohet dhe po saboton bashkëpunimin dhe bashkërendimin me shtetin AMË!!…

Shteti që udhëhiqet me filozofinë dhe me koncepte autonomiste – vasaliste dhe që i glorifikon ngjarjet e “heronjtë” autonomistë – vasalistë vështirë që e ka seriozisht me pavarësinë dhe sovranitetin e tij!! Kjo, të paktën deri sot, është dëshmuar katërcipërisht me rastin e Kosovës!! Po ta kishin me gjithë mend e me një mendje pavarësinë dhe shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, sovranitetin e plotë të shtetit dhe bashkimin e kombit do të mblidheshin në Kuvendin e Republikës për ngjarje si Pranvera Shqiptare ’81, për Adem Demaçin, për Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për Heronjtë e 17 Janarit 1982, kur edhe u themelua Lëvizja nga bashkimi i organizatave të asaj kohe, për Epopenë e Jasharajve e të UÇK -së, për 28 Nëntorin e Pavarësisë së gjithë Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, për 28 Nëntorin e UÇK – së e të Adem Jasharit, e për ngjarje dhe heronj të lirisë e të Pavarësisë. Këto ngjarje e këta heronj do të duhej “glorifikuar” dhe do të duhej të ishin referencë e atyre që janë të përcaktuar dhe të angazhuar me jetë për pavarësinë e Kosovës dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare…