Arkiv / Ripublikim

Xhevat Gjini: HIP SE TË VRAVA, ZBRIT SE TË VRAVA (Gjykata Speciale si gogol!)

Prishtinë, 11 janar 2018

U bënë vite që Gjykata Speciale po përdoret si gogol për t’i trembur shqiptarët që guxuan dhe guxojnë të aspirojnë liri, pavarësi, sovranitet dhe shkëputje të plotë nga Serbia! Edhe para themelimit të kësaj Gjykate, unikate në botë, luftëtarët e lirisë, dalëzotësit e Kosovës u ndoqën nga “drejtësia” ndërkombëtare që ushtrohejë nga UNMIK-u,kurse më vonë nga UNMIK – EULEX-i dhe bashkëpunëtorët e tyre jugokosovarë! Qindra luftëtarë të LPK – UÇK-së u persekutuan me dyshime dhe akuza absurde, u dënuan me “fakte” të trilluara-fabrikuara në Serbi dhe nga argatët e saj në Kosovë! Përkrah Serbisë ishte edhe LDK-ja me komisionin e saj, ajo që bënte “hetime” dhe mblidhte “fakte” për “krimet” e UÇK-së!! Mirëpo, Serbia dhe aleatët e saj nuk u mjaftuan me këto “hetime” e “fakte” për “krimet” e UÇK-së! Serbia, aleatët dhe argatët e saj nuk u kënaqën as me persekutimin dhe dënimin e luftëtarëve të UÇK-së! Nuk u kënaqën sepse, edhe pas gjithë kësaj propagande fashiste dhe pas shpifjeve monstruoze ndaj luftës së LPK – UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës dhe, edhe pas persekutimit dhe dënimit të qindra luftëtarëve të UÇK-së, populli shqiptar dhe shqiptarët kudo që janë në botë flasin me adhurim dhe ndjehen krenar me Luftën e UÇK-së. Nuk bëri punë as Gjykata e Hagës për ta dënuar këtë Luftë, që prishi “matematikat” e shteteve shoviniste fqinje në rajon dhe të Fuqive të Mëdha për rajonin!

Prandaj, Serbia dhe aleatët e saj nisën fushatën dhe propagandën e re kundër luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar, duke akuzuar UÇK-në për “trafik organesh të njerëzve”!! Xhelati akuzonte viktimën! Kjo propagandë naziste e gebelsiane gjeti përkrahës edhe në disa shtete evropiane! Rrethanave, që i mundësuan UNMIK-EULEX-it, LDK-së dhe Serbisë me aleatët e saj që ta persekutonin dhe dënonin UÇK-në, i kontribuan edhe disa “patriotë” të rinj që ishin veshur me kapitalin e Luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar! Për krijimin e një Gjykate, që s’e kishte njohur bota dhe praktika ndërkombëtare më parë, u anagzhuan dhe bënë presion e shantazh mbi deputetët pikërisht këta “patriotë”, duke kërcënuar që: “nëse nuk e krijon këtë Gjykatë Kuvendi i Kosovës atëherë, ajo do të krijohet nga OKB-ja (Këshilli i Sigurimit) dhe në Kosovë do të rikthehet Rezoluta 1244”!?? Dy vjet më vonë, të njëjtit, që kishin këmbëngulur për themelimin e Gjykatës Speciale me votën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, morën nismën për shfuqizimin e kësaj Gjykate!? U ngritë në këmbë i gjithë llumi i shoqërisë sonë kundër shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale! Edhe nismëtarët ose nismëtari për shfuqizimin e këtij ligji nuk e kishte ndërmend t’i shkonte deri në fund! Me këtë nismë synohejë hapja e “negociatave” me ndërkombëtarët për fatin e personit ose personave te veçantë e jo për mbrojtjen e Luftës së UÇK-së!! Kundërshtarët e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale përdorën dhe po përdorin të njëjtën kartë që e përdorën për krijimin e Gjykatës: “nuk bën në asnjë mënyrë të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale, sepse ajo do të krijohejë nga OKB-ja (Këshilli i Sigurimit!) dhe Kosova do të kthehet para vitit 2008, në statusin e para shpalljes së Pavarësisë”!?

Krah i fortë i Gjykatës dhe i ndjekjes, gjykimit dhe dënimit të UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj ishin dhe mbetën edhe mediet që po torturojnë e dhunojnë sabah e aksham qytetarin tonë shqiptar dhe mendjen e shpirtin e tij liridashës me propagandën jugokosovare!! Nuk bëhet dita pa e pyetur televizioni “21” e lloj-lloj portalesh, të tipit Bubuzhala, tipin e Dastid Pallaskës për punën e Gjykatës Speciale! Shpjegimet e tij prej “analisti” dhe “eksperti” të drejtësisë janë të njohura dhe tepër bajate! Ky farë tipi, edhe kur këndonte dikur nuk mund të këndonte pa një serb në duet! Kështu i dalin edhe “analizat” si punë dueti shqip-serbisht”! Të këtillë tipa janë edhe gjithë armata që i mbajnë “ison” Pallaskës, Bubuzhalës, Baton Haxhiut, Isa Mustafës, Azem Vllasit… e kopesë së tyre jugokosovare! E keqja dhe e dhimbshmja është se kjo kope jugokosovarësh fuqinë e morën edhe nga “patriotët” e rinj që më shumë se lavdinë dhe kapitalin e liridashësit e të luftëtarit të lirisë parapëlqyen lavdinë e pushtetit, paranë dhe pasurinë…