Komenti

Xhevat Bislimi: Me fe kundër Shkollës së Parë Shqipe dhe kundër trashëgimisë kulturore e historike shqiptare

(Projekt për varrosjen e Shkollës së Parë Shqipe në Vërban!!…)

“Çdo fshat e ka një Pishtar, i cili është Mësuesi, dhe një që e shuan atë e që është Kleri” – thoshte Viktor Hygo.

Vërbani, qysh se mbahet mend e shkruhet, ishte vendbanim shqiptar. Pushtuesit gjatë shekujve ndërroheshin, shkonin e vinin… Ata, me vete sillnin edhe gjuhën, kulturën, traditat e besimet (fetë) e tyre për të ndikuar dhe tjetërsuar qenien dhe identitetin e vendasve. Por, si në gjithë Shqipërinë, edhe banorët e Vërbanit qëndruan dhe mbetën shqiptarë në çdo kohë. Emri Vërban (Urban) përmendet dhe njihet që nga lashtësia ilire. Vendbanimi historik me këtë emër ishte aty te Kllokoti i sotëm (rruga Ferzaj – Gjilan) dhe ky toponim është ruajtur deri në ditët e sotme. Në atë vend janë mbi 50 hektarë që po presin të hulumtohen nga arkeologët, që s’kanë fonde dhe as mbështetje shtetërore! Aty janë gjetur artefakte me vlera të mëdha që dokumentojnë se në atë vend ishte një nga qytetet e mëdha ilire… Në rrethana të dyndjeve dhe invazioneve të mëdha duket që një pjesë e atyre banorëve ilirë janë vendosur në fshatin tonë (rrëzë maleve), duke i dhënë edhe emrin Vërban (Urban)… Fshati ynë, (V)Urbani, pati fatin tragjik që patën dy të tretat e tokave të Shqipërisë. Ai, pas shembjes së Perandorisë Otomane, u pushtua nga Serbia (më vonë Jugoserbia), e cila për popullin shqiptar mbajti qëndrimin që mbante Perandoria Otomane: mohonte ekzistencën e popullit shqiptar dhe për rrjedhojë edhe çdo të drejtë e çdo liri kombëtare e njerëzore të tij! Njësoj, si pushtuesit e vjetër, edhe pushtuesit e rinj nuk lejonin shkolla shqipe për shqiptarët, por lejonin ndërtim xhamish, sepse shqiptarët i njihnin dhe i dëshironin e “pranonin” vetëm si “myslimanë” e si “mbetje turke”!!?? Duke i “njohur” dhe paraqitur si të këtillë, pushtuesit e rinj serbo-malazezo-grekë e patën shumë më të lehtë t’i arsyetonin projektet dhe ndërmarrjet e tyre shtetërore – ushtarake për shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve të pushtuar (dy të tretat e Shqipërisë). Rezultat i dhunës, terrorit dhe gjenocidit (shfarosjes) ndaj popullit të pushtuar shqiptar ishte spastrimi i mbi 30 000 km katrore të tokave të Shqipërisë dhe sllavizimi e greqizimi i tyre!! Projekti i shfarosjes dhe dëbimit të “turqve” e “myslimanëve” (shqiptarëve) u zbatua edhe me “miratimin” e plotë të Fuqive evropiane!! Kurse pjesa e popullit të pushtuar shqiptar, që i shpëtoi shfarosjes dhe shpërnguljes, iu nështrua shtypjes, dhunës dhe mohimit e ndalimit të çfarëdo lloji të drejtave kombëtare e qytetare me qëllim të shpërnguljes, asimilimit e tjetërsimit!! Rezultati ishte shndërrimi i qindra mijëra shqiptarëve në “myslimanë”, “boshnjakë”, “grekë”, “maqedonë” e “malazezë”!! Shembuj tipik Sanxhaku (mbi 8 000 km katrore), Çamëria (17 000 km katrore), mbi gjysma e Malit të Zi, një pjesë e mirë e Serbisë dhe e Maqedonisë dhe miliona të tjerë të turqizuar e në Turqi pa asnjë të drejtë kombëtare!!

Në kushte dhe rrethana, kur për shqiptarët lejohejë vetëm feja dhe faltoret (xhami e kisha), vërbanasit (paria) kishin marrë nismën për ngritjen e një xhamie si vend i vetëm ku mund të mblidhejë katundi (burrat) për t’iu lutur zotit dhe për t’u takuar e për t’i qarë hallet e tyre e të fshatit e më gjerë… Serbia pushtuese nuk lejonte objekt tjetër publik për shqiptarët. Meqë, lagjet e Vërbanit në atë kohë ishin të vendosura rrëzë malit dhe në kodra, në formë rrethi, ishte menduar dhe ishte vendosur që xhamia të ndërtohejë në mes të fshatit. Mirëpo, nuk kishte vend – tokë publike. Lagjia e vishve dhe lagjia e karadakve e kishin lëshuar nga një copë tokë për ndërtimin e xhamisë (rreth 12 ari ose 1200 metra katrore). Ishte Viti 1936. Nismëtar ishte Halim Vishi, që paska qenë edhe Kryetar i fshatit në ato vite. Pra, ideja ishte që katundi të kishte një objekt publik. Me përkrahjen e katundit ishte ndërtuar xhamia. Tre – katër vite më vonë Jugoserbia u pushtua nga shtetet e boshtit nazi-fashist: Gjermania, Bullgaria e Italia.

Shkatërrimi i Jugoserbisë mbretërore (monarkiste) shpëtoi një pjesë të mirë të shqiptare nga tregëtia (marrëveshja) jugosllavo – turke për shpërnguljen (shitblerjen!) e shqiptarëve si popullsi turke!!… Gjatë Luftës së Dytë Botërore për një pjesë të krahinave të pushtuara të Shqipërisë u krijuan kushte për hapjen e shkollave shqipe. Jetish Vishi, që kishte ndjekur medresen në Shkup, kishte rënë në kontakt dhe ishte njohur me konzullin shqiptar në Shkup (Hamit Kokollarin) dhe me qarqe që përhapnin fjalën, ABC – në dhe librin e shtypin shqip. Kështu kishte nisur të lexonte dhe të shkruante shqip, duke u frymëzuar dhe “armatosur” edhe për mbjelljen dhe përhapjen e gjuhës së shkruar shqipe dhe të lexuarit në gjuhë amëtare… Kështu kishte lindur mendimi dhe nisma për themelimin dhe hapjen e shkollës shqipe në Vërban. Kjo nismë ishte mbështetur fuqishëm nga paria dhe i gjithë fshati. Me punë vullnetare ishte ndërtuar shkolla me dy klasë mësimi, kurse gjysma e korridorit ishte ber zyrë e mësuesit… Etja e vërbanasve për shkollë e dituri ishte e madhe. Një ditë të bukur pranvere kishte ardhur dekreti nga Tirana me të cilin Jetish Vishi emrohejë mësues i shkollës në Vërban.

Shkolla u hap më 1 qershor 1943. Fshati Urban, sipas ndarjes që kishin bërë pushtuesit, ishte nën administratën pushtuese bullgare. Bullgarët ndalonin shkollimin në gjuhën shqipe. Dënimet ishin të rënda deri me pushkatim. Në këto kushte terrori themeluesi dhe mësuesi i parë, Jetish Vishi, ua mësonte shkrim – leximin e shqipes nxënësve të tij, të cilët i porosiste: “Sapo të shikoni një të panjohur afër shkollës futni në gji fletoret e tekstet e shqipes dhe vendosini në banka librat fetarë”. Të mësosh për fenë (kuptohet në gjuhën arabe!) të lejonte edhe bullgari! Disa javë më vonë Vërbani kalon nën administratën pushtuese italiane, e cila kishte lejuar shkollën shqipe. Me këtë edhe mësuesi Jetish fitoi të drejtën dhe lirinë që t’ua mësonte alfabetin dhe të shkruarit e të lexuarit në shqip, pa frikën e ndëshkimit, nxënësve të tij. Shkolla kishte 80 nxënës. Gjysma e tyre vajza. Ky fakt provon se sa të etur e sa përparimtarë ishin banorët e këtij fshati… Me sa gëzim e shpresë i nisnin fëmijët e tyre në shkollë! Ata vetë (pa fajin e tyre) ishin analfabetë e të pashkolluar, por rëndësinë e shkollimit e të diturisë e kuptonin dhe e vlerësonin të barabartë me dritën e diellit. Ata nxënës edhe në pleqërinë e tyre i kujtonin ato mësime dhe i dinin përmendësh vjershat që ua kishte mësuar mësuesi i tyre, të cilin e kujtonin me dashuri e nderim të veçantë… Ajo shkollë, katërklasëshe, ka “jetuar” deri diku në vitin 1973, kur u ndërtua shkolla e re tetëklasëshe… Ndërtesa e shkollës së parë shqipe u braktis dhe u la pa përkujdesje! Ajo bashkë me tokën u “përvetësua nga xhamia! Në kohë të Jugoserbisë, e cila, pas Pranverës Shqiptare ’81, ashpërsoi persekutimin, shtypjen, dhunën e terrorin ndaj shqiptarëve, (ri)nisi fushata për ngritjen dhe forcimin e “vetëijes fetare” në dëm të “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”… Kudo nisën edhe ndërtimet e xhamive! Në Vërban ishte prishur xhamia e vjetër dhe po ndërtohejë xhamia e re! Në atë kohë apo pak më herët (rreth vitit 1985) ishte rrënuar edhe Shkolla e Parë Shqipe në Vërban!! Në ato rrethana të persekutimit, dhunës e terrorit pushtues nuk pritej dhe as nuk mendohejë përkujdesje për atë Shkollë-objekt…

Mbas çlirimit të Kosovës sërish dhe më me sukses vazhdoi të zbatohejë projekti për “islamizimin” (deshqiptarizimin) e Kosovës dhe të viseve të saj!! “Sponzorizimi” i këtij projekti me njerëz e me fonde ishte dhe është i jashtëzakonshëm!! Në kuadër të këtij projekti është edhe angazhimi që në themelet e Shkollës së Parë Shqipe në Vërban të ndërtohet një objekt fetar (për larje kufomash(!!) apo për s’di çfarë)!! Dikush me vetëdije dhe “sponzorizim” të qartë e dikush pa vetëdije (duke besuar se po bëjnë një punë fetare) po përpiqen ta zhdukin këtë SHENJË shqiptare në Vërban, siç po përpiqen ta zhdukin dhe varrosin trashëgiminë kulturore e historike shqiptare kudo në Kosovë e në viset e saj!! Projekti për zhdukjen dhe mbulimin e çdo gjurme shqiptare është i vjetër sa vet pushtimi i tokave tona…

Paria e Vërbanit (Drejtori i Shkollës me Këshillin e Arsimtarëve, Këshilli i fshatit, kryetarët e partive politike), nxënësit, studentët, intelektualët dhe gjithë banorët e fshatit duhet ta ndalojnë këtë krim të shëmtuar ndaj Shkollës së Parë Shqipe që po bëhet në emër të fesë!! Me apo pa vetëdije kjo turpëron fshatin tonë! Bijtë dhe bijat më të mira u angazhuan, u përpoqën, luftuan e ranë Dëshmorë ndër shekuj për Gjuhën dhe Shkollën Shqipe. Drejtoria Komunale e Arsimit, Inspektorati dhe Komuna e Vitisë duhet ta ndalojnë këtë përpjekje për përdhosjen dhe vrasjen e Shkollës së Parë Shqipe në Vërban. Po që se nuk e bën komuna duhet të ndërhyjë Qeveria… Nëse nuk e ndalojnë do të bëhen fajtorë dhe bashkëpjesëmarrës në këtë ekzekutim kriminal të Shkollës sonë të parë dhe do të vihen në tabelën e turpit sa të ketë shqiptarë mbi dhe… Ajo Shkollë duhet të rindërtohet siç ka qenë dhe të jetë muze i Shkollës së Parë dhe muze i fshatit arsimdashës e përparimtarë të Vërbanit tonë shqiptar. I bëj thirrje ndërgjegjies kombëtare, intelektuale e njerëzore të çdo Vërbanasi (këtu e jashtë fshatit apo Atdheut) që ta kundërshtojë dhe ndalojë këtë vepër makabre që po bëhet ndaj Shkollës sonë të parë! Xhamia dhe Bashkësia islame nuk janë të huajat, janë tonat… Prandaj, duhet të vihen në anën e kombit dhe të trashëgimisë së tij kulturore e historike dhe të mos bëhen fole e derqit e të birit… Shkollën shqipe dhe trashëgiminë tonë kulturore kombëtare e historike nuk mund ta mohojë, ndalojë e shkatërrojë askush! Ajo, edhe po të varroset, do të ngrihet nga varri edhe më madhështore dhe e pamposhtur…

Postimet e fundit !