Opinion

Xhevat Bislimi: Askujt nuk mund t’i jepet dhe njihet liria dhe e drejta për ta mohuar dhe përbuzur gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin tonë shqiptar

“Nëse adhuron armikun, Je i humbur. Nëse merr fenë e armikut, Je i skllavëruar. Nëse e përzien gjakun me armikun, je i shkatërruar.”Polidori i Spartës(741-665 p.e.s.)

Duket pak e ashpër “porosia” që jep titulli, por e bën të domosdoshme gjendja dhe e vërteta e hidhur në tokën e shqiptarëve! Në qendrën e shtetit Amë dhe të të gjithë shqiptarëve është Sheshi i Kryeheroit dhe Kryeprofetit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Aty është edhe monumenti i Tij madhështor. Pikërisht ky SHESH është bër cak i përdhosjes dhe përbuzjes nga bashkësia islame dhe nga qarqe thellësisht antishqiptare e anti Zot që qëndrojnë prapa saj… Kjo tashmë dihet dhe manifestohet hapur dhe me agresivitet të pashembullt në emër të fesë!! Por, ajo që nuk pranohet dhe nuk kuptohet nga shqiptarët është qëndrimi i shtetit “laik” shqiptar!! Nëse nuk e mbron shteti me institucionet dhe ligjet e tij qenien shqiptare, krenarinë kombëtare, trashëgiminë shpirtërore dhe materiale, kulturore e historike dhe, nëse ky shtet nuk e mbron dhe kultivon krenarinë e një kombi, Kryeheroin dhe Kryeprofetin shqiptar, Gjergj Kastriotin, nga tendencat dhe veprimet e hapura për ta përdhosur, degraduar e përbuzur, atëherë kush duhet ta mbrojë?!!

Falja ala arabçe dhe alaturka në Sheshin që mban emrin e Gjergj Kastriotit dhe para Monumentit të tij s’ka të bëj fare me fe e me zot. Thirrjet në gjuhë të huaj me altoparlant nga minaret turko-arabe nuk janë fe e besim në Zot, por dhunim i publikut dhe qetësisë e lirisë së tij… Janë përpjekje për të krijuar imazh të deformuar për shqiptarët dhe dhunim i identitetit tonë shqiptar. Organizimi i “iftareve” nga krerët e institucioneve të shtetit të dytë të Shqipërisë nuk bëhet për qëllime fetare e besimi në zot por, është dhunim i laicitetit të Republikës sonë dhe politikë e matrapazllëk me fenë! Është hipokrizi e ulët e pushtetarëve axhaminj e të ndikuar nga islami politik e antishqiptar nga qeveri e vende neootomane! Të këtij karakteri janë edhe ndërprerjet e mbledhjeve të qeverisë kur thirret ezani(!), deputete me shami e deputetë me mjekra, urimet e zyrtarëve të lartë shtetëror, duke u shërbyer edhe me citate nga bibla apo kurani!! Të kësaj natyre janë edhe urimet e institucioneve vendore e qëndrore, e medieve dhe shoqatave të ndryshme për festa fetare! Tamam shtet religjioz!!

Feja dhe besimi në zot janë çështje tërësisht shpirtërore e personale dhe nuk manifestohen publikisht e primitivisht, siç po bëhet në shtetet tona: R. e Shqipërisë, R. e Kosovës dhe R. e Maqedonisë!! Manifestimi publik i fesë dhe besimit në zot nuk është më fe e besim në Zot dhe nuk është më çështje shpirtërore, por veprimtari e karakterit politik dhe ideologjik me synime të qarta për ta kapur shtetin, kurse në rastin tonë veprimtari thellësisht reaksionare dhe antishqiptare. Besimtarët falen e luten në shtëpitë e tyre ose në xhami a në kishë, po jo në rrugë e sheshe dhe asesi në shkolla e institucione shkencore, kulturore e shtetërore, siç po ndodhë te ne!!

Falja alaturka në Sheshin e Kryeheroit dhe Kryeprofetit të një kombi është fyerje për ndjenjat dhe për krenarinë shqiptare, është provokim i rrezikshëm. Si mund të tolerohet nga shteti laik që 1500 – 2000 “besimtarë”, të mobilizuar e organizuar, të dhunojnë e provokojnë ndjenjat kombëtare e patriotike të miliona shqiptarëve?!! Shqiptarofobia që po sponzorizohet, financohet dhe manifestohet kaq hapur në qendrën e kombit shqiptar dhe të krejt shqiptarëve dhe në gjithë gjeografinë shqiptare është e patolerueshme! Kjo më nuk ka si të quhet tolerancë (ndër)fetare, por dhunim i identitetit dhe imazhit të kombit shqiptar…

Bashkia e Tiranës dhe shteti ynë Amë nuk guxojnë t’i lejojnë edhe më tej këto veprimtari primitive e naive në dukje, por antishqiptare në thelb. Përdorimi i fesë dhe i zotit për qëllime politike dhe për ta goditur identitetin dhe krenarinë e qytetërimin shqiptar duhet të marrë fund në gjithë hapsirën shqiptare. Besimi dhe liria e besimit është e garantuar, por e ndarë nga shteti. Shtetet tona shqiptare janë shtete laike. Dhe, mbi të gjitha, liria e besimit nuk nënkupton lirinë dhe të drejtën për ta përdhosur dhe përbuzur gjuhën tonë shqipe, kulturën, historinë, traditën krenarinë, dhe lavdinë shqiptare. Feja që angazhohet për zhveshjen e popullit shqiptar nga identiteti dhe vlerat e tij kombëtare, nga njëra anë, dhe veshjen e tij me një identitet tjetër dhe me obskurantizëm e injorancë, nga ana tjetër, nuk është më fe e besim në Zot, por projekt politik armiqësor antishqiptar… Këtu duhet shteti dhe institucionet e tij për t’i rregulluar këto marrëdhënie dhe per t’u treguar të gjitha qarqeve dhe vendeve me synime të këtilla se nuk tolerohet nëpërkëmbja e vlerave tona kombëtare. Sheshi i Gjergj Kastriotit dhe çdo pëllëmbë e tokës shqiptare u takon shqiptarëve pa dallim për të jetuar në mënyrën e tyre dhe për të manifestuar përkatësinë, krenarinë dhe ndjenjat e tyre kombëtare shqiptare, shqiptarsinë e trashguar për mijëra vjet nga brezi në brez…


Postimet e fundit !