Opinion

Xhemal Ahmeti: Shqiptarit nuk i duhet atributi “islamik”

(Para se të nisen aksione që askujt nuk do t’i bënin mirë)

Pse religjiozët e Reinach-ut munden të sigurojnë miliona për ta ndërtuar një xhami e shqiptarët s’kanë mundësi as një zyrë ta paguajnë që do të mbronte identitetin e tyre nga keqpërdorimi? Sespe shqiptarët i kanë shtetet e korruptuara dhe kriminele [Pêrndryshe minimum do kishin reaguar ministritë e Kulturës]. Sepse fondet për ndërtimin e xhamive vijnë nga Turqia, Arabia ose sekserët e tyre (biznismenë) brenda shqiptarëve. Pse ka mundësi që një financues turk, arab, islamik të vë islamin në favor të identitetit dhe nacionalizmit shqiptar duke e qaujtur tempullin e tij „Qendra kulturore shqiptaro-islame“, kështu duke përjashtuar apriori vëllezërit myslimanë turk, arab, somalez, afrikan nga tempulli? Sepse është racist myslimani shqiptar karshi atij afrikan? Jo. Arsyeja e këtij paradoksi ka të bëjë më sponzorët pas projektit: ata nuk përhapin me kaq ekstremizëm islamin ndër shqiptarë, ngase besojnë ky të jetë populli i vërtetë hyjnor e jo hebrenjtë e mekanezët. Ata minojnë identitetin shqiptar komplet për arsye tjera. Disa nga shtetet e perëndimit që udhëhiqen nga konzervatorët u shkon në trastë kjo politikë ngase besojnë ende të kenë probleme me shqiptarët që i konsiderojnë si lindorë e jo perëndimorë. Gjersa në Kosovë e Shqipëri ky projekt kërkon si duket më shumë kohë, në shtetet perëndimore si Zvicra, Austria e ca tjera suksesi është i madh: në këto shtete tashmë rrallë përmendet shqiptari kosovar apo ai i Shqipërisë pa nënvizimin me të zezë të përkatësisë së tij fetare. Kjo nuk do ishte dramë nëse vërtet identiteti kulturor shqiptar të ishte si ai arab ose hebrenj që konstituohet mbi fénë, por kjo nuk qëndron as historikisht, as politikisht as zyrtarisht: kjo është edhe fabrikë konfliktesh sociale, kur kihet parasysh se shqiptarët u përkasin disa feve e jo njërës. Askush nuk kërkon që shqiptari mysliman ta fshehë përkatësinë e tij fetare. Askush nuk duhet të ndihet inferiore pse beson në këtë apo atë Zot. Është e drejtë tij personale, grupore (brenda tempullit). Po ky dhe grupi i tij nuk ka të drejtë të përdhunojë një identitet duke e falsifikuar atë sikur të ishte islam apo budist. Për këtë arsye në pasaporta nuk shkruan; anglezi i krishterë, anglezi, protestant apo zvicerani katolik apo mysliman, ngase Anglia dhe Zvicra jo që nuk janë teokraci por edhe historikisht nuk janë ngritur mbi fetë. Njëjtë si shqiptarët. Ai që duhet të ndihet inferior në këtë aferë të religjiopatëve është shqiptari, të cilit këto religjione ia keqpërdorin identitetin për qëllime politike. Shqiptari po – ka mbetur ndonjë dikah? Në diasporë si duket nuk e gjenë më. Largoni firmën shqiptare – islami nuk është shqiptar, është i të gjithëve por ai s’ka ç’të ketë humbur brenda identitetit politik dhe kulturor të shqiptarëve. Mbajeni për vete – privatisht. Shqiptarët kanë histori, kulturë joreligjioze dhe shumicat e tyre kanë zgjedhur të jetojnë në sisteme politike që s’janë teokraci.