Sipas kryeministres së Serbisë, Brnabiq, banorët e Novi Pazarit paskan “kërkuar të hapet një konsullatë turke në këtë qytet” dhe, po sipas Brnabiqit, kjo dëshirë do t’u plotësohet atyre duke hapur konsullatën turke!
Shtrohet pyetja: Vërtetë është dëshirë e kërkesë e banorëve të asaj ane?! Nëse po, atëhere kush po rrenë se atje po ringjallet dëshira te banorët e asimiluar që flasin sllavisht (të shndërruar në boshnjakë e “myslimanë”) për t’u rikthyer në rrënjët shqiptare?!
Ose, pse nuk u kërkua që në Novi Pazar të hapet një Konsullatë e Republikës së Shqipërisë? Për të ndihmuar që këta banorë të shkombëtarizuar të ndjehen përsëri sikur gjyshërit shqiptarë! Apo ndjenjat e tyre qenkanë më turke se shqiptare?!
Serbia dhe Mali i Zi do t’u lejojnë këtyre fatkeqëve të shkombëtarizuar të Sanxhakut të jenë gjithçka tjetër, pos të jenë shqiptarë!
Atyre do t’u lejohen xhami sa të duan, Konsullatë turke, të jenë “myslimanë” që flasin serbisht… por atyre nuk u lejohet të jenë çfarë ishin gjyshërit e ndoshta edhe etërit e tyre! Atyre nuk u lejohet të jenë shqiptarë! Prandaj, u mohohet qenia e tyre kombëtare, u imponohet gjuha serbe dhe u imponohet konsullata turke! Tirana, Prishtina e Shkupi duhet të jenë të pranishme dhe të “investojnë” fuqishëm në Sanxhakun tonë (8 400 km katrore)…
add a comment