Portreti/intervista

Xheladin Çelmeta: KOZMA NUSHI sypatrembur e mendjendritur

Atyre viteve të zjarrta, kur shkruhej lavdia
KOZMA NUSHI
sypatremburi, mendjendituri…
Kozma Nushi, gëzimi i parë familjar, si pinjoll i atdhetarit të shquar nga Vunoi, Sokrat Nushit, erdhi në jetë në Vunoin e Himarës më 15 qershor të vitit 1909, por duke pasur parasysh varfërinë e tejskajshme që mbizotëronte edhe në Krahinën e Bregdetit në startin e viteve 1900, familja e tij, u imponua të emigronte në Francë, duke u vendosur me vendbanim në Sent-Etien. …”Kësisoj,vitet e brishta të fëmijërisë Kozmai i kaloi në Desinë të Lionit, me reminishenca të theksuara të qytetërimit europian, ku pasi starton shkollën fillore, në vijimësi ndjek Liceun në Nicë, një prej shkollave prestigjioze të kohës, ku përpos njohurive mbi historinë e revolucionit francez, ai u përball me krijimtarinë e spikatur të një sërë poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj klasikë francezë”, shkruan për jetën e tij autori e studjuesi Piro Fotiadhi. Liceun e Nicës, Kozmai e përfundon në pranverën e vitit 1926 me rezultate të larta. Me përfundimin e shkollës së mesme, ai rishtaz kthehet në vendlindjen e tij, në Vuno. Në vijimësinë e viteve 30-të, rishtaz Kozma Nushi, largohet nga vendlindja dhe starton studimet Universitare pranë Fakultetit të Biokimisë, në Zvicër, të cilat për arsye financiare nuk mundi t’i përfundonte. Vatra familjare e Sokrat Nushit në Desinë të Francës, ku u rrit dhe brumos me pikëpamjet më përparimtare të kohës si; Kozma Nushi, po ashtu edhe vëllezërit e tij, Gogo dhe Ksenofon, si edhe motrat Shano e Lilo, veçonte në atë periudhë kohore si një prej bazave tepër të rëndësishme, ku përpos kalitjes së gjeneratave të luftëtarëve shqiptarë të spikatur për Liri, që jetonin dhe punonin në Francë, nisën të botoheshin gazetat antifashiste si “Sazani” dhe “Populli”, të cilat shpërndaheshin tek shqiptarët emigrantë dhe njëherazi silleshin ilegalisht edhe në Shqipëri.
Duke iu referuar dokumentave të periudhës kohore, 1934-‘38, Kozma Nushi, së bashku me vëllain e tij, Gogon dhe një sërë elementësh të tjerë me pikëpamje revolucionare, si Halim Xhelo, Ali Kelmendi, Kahreman Ylli, Qamil Çela, duke u inkuadruar si anëtarët më aktivë të PK të Francës, u përfshinë energjikisht në lëvizjen antifashiste në Francë, e cila realisht u shndërrua në një shkollë frymëzuese, idetë e të cilës ata në vijimësi i sollën në Tiranë. Lajmi i hidhur i pushtimit të Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste, i imponon të vendosin si familje, që të kthehen në Tiranë, duke u vendosur të banojnë diku pranë urës së Lanës. Tanimë edhe në kryeqytetin shqiptar, vatra e thjeshtë e Nushajve ose siç e quanin ndryshe, e famshmja “Baraka e Nushajve”, me kthimin e Kozma Nushit në Shqipëri në tetor 1941, shërbeu dhe ishte si një prej vatrave të zjarrta të LANÇ, ku hynin e dilnin ilegalë si Qemal Stafa, Ymer Dishnica,Vojo Kushi, Misto Mame, Shefqet Musaraj, etj. Kozma Nushi u kthye në Atdhe dhe qysh në ditët e para të qëndrimit në Shqipëri, bëhet anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Me krijimin e PK, Kozma Nushi, ndonëse për të siguruar jetesën punonte në ngarkim-shkarkim, zgjidhet anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë për Tiranën dhe më vonë si Sekretar organizativ i tij. Personalisht, Kozma Nushi, spikaste si një figurë serioze dhe tepër i përgatitur në aspektin ideologjik. Në vijimësi, Kozmai merr pjesë në maj 1943, në Konferencën e Labinotit, ku edhe zgjidhet Sekretar Politik i Qarkorit të Durrësit. …Kozma Nushi, sypatremburi mendjemprehtë, konspiratori admirues, në thellësi të shpirtit të tij, fshihte dëshirën për të thurur vargje e krijuar këngë…. Kozmai, ato vite të zjarrta të jetës dhe veprimtarisë së tij, ishte një figurë konsekuente dhe njeri fjalëkursyer, tepër i matur, shumë i prerë dhe njëherazi tepër i rreptë dhe i gatshëm në çdo moment të përballej e luftonte me cilindo pushtues apo tradhtar, që i rrezikonte dhe privonte Lirinë, aq shumë të dëshiruar. Kozma Nushi, për shkak të veprimtarisë intensive antifashiste, patriotike dhe luftës së tij energjike për liri kundër okupatorëve, në vjeshtën e vitit 1943, arrestohet nga ana e Gestapo-s, së bashku me disa antifashistë të tjerë dhe pas torturave çnjerëzore, ata të gjithë, vendosin t’i internojnë në kampin e përqendrimit të Zemunit (Beograd). Në shtator 1944, Kozma Nushi, izolohet dhe mbyllet në kampin shfarosës famëkeq të Mat’hauzenit, ku më 6 mars 1944 e linçuan mizorisht, e ekzekutojnë duke e djegur në krematorium… “I pari himariot martir, që viktimizohet nga kriminelët nazistë. Lajmin e hidhur për vdekjen e Kozma Nushit, e solli në Shqipëri, e fejuara e tij franceze në muajin mars 1945, kurse lidhur me këtë ngjarje makabre, shoku i tij i afërt, Dr. Ymer Dishnica, shkruajti një “Nekrologji”, e cila u botua në faqet e gazetës “Bashkimi”. Kozma Nushi, në periudhën e pasluftës, nderohet me titullin e lartë “Hero i Popullit”.