Rusia më e izoluar se kurrë për shkakun e një vendimi aventurier të Putinit për ta pushtuar Ukrainën…
Me vetëm pesë vota kundër (Rusia me Bjellorusinë, Korenë e Veriut, Sirinë dhe Eritrean!…), Asambleja e OKB – së miratoi rezolutën, e cila dënon sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkon që Rusia dhe ushtria e saj të tërhiqen pa kushte nga Ukraina në kufijtë e pranuar ndërkombëtar… Kjo rezolutë nuk ishte miratuar nga Këshilli i Sigurimit për shkak të VETOS ruse. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, si edhe Mbledhja e Asamblesë së OKB – së, ishin mbajtur me kërkesën e SHBA – ve dhe Republika e Shqipërisë, anëtare të Këshillit të Sigurimit (SHBA anëtare e përherëshme dhe me të drejtë VETOJE).
Për rezolutën votuan 141 shtete, anëtare të OKB – së, kurse abstenuan 35 shtete, midis tyre Kina dhe India. Një unitet gati absolut i botës kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. E veçanta e këtij votimi është vota “për” e krijesës së Rusisë, Serbisë! Votimi i kësaj rezolute nga Serbia do të mbahet mend… Hallin e madh që e ka zënë Serbinë e rrëfeu sot edhe kryetari i saj, Vuçiçi, i cili tha se “vendi i tij kurrë më ngushtë nuk ka qenë… Serbinë tonë dhe popullin e saj sot nuk po e kupton askush në botë”, tha Vuçiçi.
Megjithatë, Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve që BE – ja i ka vendosur Rusisë… Kur është puna për sanksione kundër “nënës” Rusi, Beogradi dhe sundimtarët e Serbisë akoma nuk janë gati, nuk u bënë zemra t’i vendosin sanksione Rusisë që i ka krijuar… Në krah të Vuçiçit u detyrua të rreshtohet edhe nacionalshovinisti, Dodiku, i republika serpskës, i cili deri dje ishte qind për qind në anën e Rusisë. Por, tash po thotë, siç po thotë Vuçiçi, se është për “integritetin territorial të Ukrainës”, por sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Dodiku paska kërkuar që “Bosnja e Hercegovina të jetë neutrale”… Mirëpo, në rrethanat e krijuara pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë duket që Bosnja e Hercegovina s’po pyet më për Dodikun dhe qëndrimet e tij nacionalshoviniste.