VËRTET PËR KEQARDHJE
“Gjella me kripë e kripa me karar”, ka thënë populli ynë i mirë. Jo për të polemizuar me njeri të gjallë, se po lëmë nam, por për të ndihmuar sadopak në shpërndarjen e kësaj mjegulle që po krijohet rreth LPK-së dhe UÇK-së, 30 vite pas!!
Zgjohet dikush pas tri dekadash nga gjumi dhe thotë “më në fund e kuptova se komunikatat në emër të UÇK-së qenkan shkruar nga një grup politik dhe qenkan lëshuar nga ndonjë banhof”!!? Përpjekje e pashembullt për ta denigruar LPK-në dhe UÇK-në !! Cila mund të jetë arsyeja që dikush mund ta shpërfill deri në këtë shkallë përpjekjen titanike dhe meritën historike, të suksesshme të LPK-së për çlirimin e Kosovës shqiptare, në kushte tepër të pabarabarta, nuk e di dhe s’kam si ta kuptojë!
Por, duke lexuar komentet dhe reagimet e këtyre ditëve më është mbushur mendja se disa shokë tanët në shkrimet e tyre po udhëhiqen nga disa inate të moçme, të karakterit joparimor, që janë zgjuar pas 30 vitesh e po çudisin edhe kundërshtarët e LPK-së !! Hileja ose joparimësia e tyre shfaqet hapur kur shprehin konsideratë për Këshillin e Përgjithshëm të LPK-së, shprehin konsideratë e vlerësim edhe për nëndegët e LPK-së, por denigrojnë, mohojnë, sulmojnë e ofendojnë Kryesinë e LPK-së, që herë ishte në rol-përgjegjësi për LPK-në, herë në rol-përgjegjësi pëf Degën Jashtë Vendit…
Po jap disa sqarime më shumë për të painformuarit dhe të keqinformuarit, sepse konsideroj që anëtarët e LPK-së e kanë njohur mirë Organizatën e tyre…
Lëvizja Popullore e Kosovës (emri saj i fundit), siç e kishte lindjen e pati edhe rrugëtimin e saj. Në fund të fundit nuk mund të kishte fat tjetër nga populli i saj. Për bashkimin e organizatave patriotike nuk kishte kushte në trojet e pushtuara të Shqipërisë (Kosova me viset e saj). Prandaj, pas Pranverës Shqiptare ’81, organizatat dhe grupet patriotike kishin vlerësuar që bisedimet, takimet dhe marrëdhëniet midis këtyre organizatave për bashkim të mbaheshin dhe zhvilloheshin jashtë Atdheut, sigurisht jo në “banhof”!!…
Që nga krijimi i LËVIZJES, më 17 Janar 1982, pas një procesi të gjatë e të vështirë, e deri te Mbledhja e Parë e Përgjithshme ishin dashur plotë 5 vjet rënie e ngritje, brenda dhe jashtë vendit! DËSHMORËT e parë të saj u bënë vetë themeluesit e saj, të cilët, po të ishin konsideruar si njerëz të “banhofit” nga Jugoserbia pushtuese, nuk do të ishin vrarë…
Në korrik të vitit 1987 ishte mbajtur Mb. e Parë e Përgjithshme, ishin miratuar programi e statuti dhe ishin zgjedhur organet drejtuese. Kjo ngjarje ishte e një rëndësie historike për kohën, ajo u bë shpresë, nxitje dhe motiv i fuqishëm për radhët e organizuara në trojet e pushtuara dhe për popullin e pushtuar shqiptar, sidomos për rininë heroike që nuk u dorëzua asnjëherë para dhunës, terrorit, represionit dhe dënimeve drakonike me burg.
Edhe Mbledhja e Dytë e Përgjithshme u organizua dhe u mbajtë jashtë Atdheut, në Zvicër. Në Mbledhje merrnin pjesë edhe delegatë nga trojet e pushtuara. Pa u konsoliduar mirë organet e zgjedhura të LPK-së nisën të frynin erërat e një epoke të re në vendet socialiste. Rënia e sistemeve moniste (një partiake) solli në skenë sistemin shumëpartiak, demokracinë pluraliste, kurse në Jugosllavinë e Tito-Rankoviçit po frynin erërat e shpërbërjes së federatës, që po zhvillohejë me përplasje, konflikte e luftëra të përgjakshme, sidomos në Kroaci e Bosnje dhe Hercegovinë. Shkaktare e kësaj shpërbërjeje të përgjakshme ishte Serbia, e cila u angazhua për krijimin e Serbisë së Madhe, deri aty ku kishte qoftë edhe një serb…
Në Prishtinë, një grup ish komunistësh të LKJ-së, me në krye Jusuf Bugjovin, krijuan Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kryetar të saj e “zgjodhën”, Ibrahim Rugovën, një kritik letrar. Thelbi i programit të kësaj partie ishte pacifist dhe autonomist. LDK-ja angazhimin e saj e bazonte kryekëput në durim, dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim me Serbinë pushtuese, edhe pas shkatërrimit të Jugosllavisë! Nuk ishte si LPK-ja pa adresë (“banhofeve”), sepse ishte regjistruar në Beograd!! Udhëheqja e saj sigurisht që e donte lirinë, e donte edhe pavarësinë nga Serbia mirëpo, për arritjen e tyre, filozofia, mjetet dhe mënyra e vetme ishin fjala-dialogu, paqja, mirëkuptimi, marrëveshja, demokracia… Gjëra që Serbinë nuk e bindnin t’ia dorëzonte Kosovën Ibrahim Rugovës dhe grupit të tij. Kjo “platformë” për zgjidhjen e çështjes shqiptare (për ta Kosova pa vise) po propagandohej fuqishëm, si i thonë fjalës, derë më derë! Për përhapjen dhe mbjelljen e kësaj “platforme” pushtuesi nuk kishte vendosur as një kufizim a pengesë…
Idetë çlirimtare dhe organizimi-Lëvizja për luftë të armatosur kishte humbur shumë terren! Persekutimi dhe terrori ndaj kujtdo që guxonte të përhapte-propagandonte idetë çlirimtare dhe idenë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nuk kishte rënë fare. Përveç persekutimit dhe terrorit që ushtronte Serbia, veprimtarët dhe patriotët e Lëvizjes duhej të përballeshin edhe me opsionin pacifist e kapitullues që ishte bër dominant në trojet e pushtuara shqiptare. Të ishe kundër opsionit pacifist të LDK-së të shpallnin si element i padëshiruar dhe, herë me vetëdije e herë pa të edhe të denonconin te organet e pushtuesit ! Kjo gjendje ishte edhe në Perëndim. LDK-ja kishte pushtuar hapësirën dhe ishte këmbëbgulëse për të kontrolluar dhe dominuar mendimin politik shqiptar në Kosovë (i mjaftonte pa trojet tjera shqiptare) dhe kudo në botë!
Gjendja ishte rënduar së tepërmi edhe në shtetin tonë AMË, që kishte qenë shpresa dhe mbështetja jonë e vetme deri atëherë. Shteti ynë ishte në ditët e tij më të këqija. Forcat esadiste dhe pjella kolaboracioniste, me përkrahjen e huaj, ishin riorganizuar dhe po vandalizonin, shkatërronin e digjnin vendin…
LPK-ja, brenda e jashtë, po mundohej me shpirt ndër dhëmbë të ruante substancën e saj dhe t’i mbijetonte këtyre rrethanave të jashtëzkonshme për të vazhduar përpjekjet dhe organizimin për çlirimin e Kosovës (me Kosovë LPK-ja kuptonte të gjitha trojet e pushtuara nga Jugoserbia). Pati anëtarë që u luhaten dhe u gënjyen nga opsioni pacifist, ndonjëri ra, u dorëzuar fare…
Pas takimeve e këshillimeve të shumëta (brenda e jashtë vendit) drejtuesit e LPK-së vendosën që Mb. e Tretë e Përgjithshme të mbahejë brenda, në vendin e pushtuar, me një përfshirje edhe të shumë veprimtarëve e atdhetarëve që ishin liruar nga burgjet e pushtuesit. Mbledhja u mbajt në Ujmir, në tetor 1991. Delegatët ishin nga të gjitha rrethet. Për të ndihmuar përgatitjen e Mbledhjes në Kosovë kishin hyrë edhe shokë-drejtues nga Perëndimi. Rëndësia e kësaj Mbledhjeje ishte e madhe (mbase vendimtare) për shpëtimin dhe vazhdimësinë e LPK-së. Me gjithë vështirësitë që pati LPK-ja edhe pas kësaj Mbledhjeje, ajo mbylli vrimat nga mund të hynte uji në anijen e saj…
Organizimi i Luftës së Armatosur-Epoka e UÇK-së
Pas dorëheqjeve që bënë disa drejtues të LPK-së, të zgjedhur në Mb. e Tretë dhe nga Këshilli i Përgjithshëm, Kryesia e Degës mori masat, në bashkëpunim me shokët brenda, për konsolidimin e Organizatës, sepse gjatë viteve 1990-92 ishin krijuar dy kampe “ekstreme”: njëri kërkonte, me gjysmë zëri, legalizimin, shndërrimin e LPK-së në parti politike dhe “kampi” tjetër këmbëngulte për luftë të armatosur… Opsioni i parë ishte kapitullim pa kushte, ndërsa opsioni i dytë ishte opsion programor i LPK-së dhe i popullit të pushtuar shqiptar, që kërkonte mendje të përgjegjshme, dije, organizim dhe ngritje të strukturave organizative e luftarake. Lufta nuk ishte lodër me të cilën mund të luaje pa patur pasoja ! Hyrja në luftë me Serbinë nuk ishte hyrje në “bigbradher” apo pjesëmarrje në ndonjë garë futbolli ! Ishte koha kur një pjesë e Këshillave të LPK-së kishin bërë ndarjen në krah luftarak dhe krah politik, ishin krijuar njësitet e armatosura dhe po ngritej logjistika për sigurimin dhe transportimin e armëve…
Pas shumë takimesh e analizash ishte vendosur të thirrej Mb. Konsultative e LPK-së në Kollare (prill 1993). Mbledhja rikonfirmoi përcaktimin dhe angazhimin e LPK-së për Luftë Çlirimtare dhe zgjodhi një Grup për Organizimin dhe Riorganizimin e LPK-së. Pas tre muajsh u thirrë Mb. e Katërt e Pergjithshme në Prishtinë. Merrnin pjesë delegatë nga të gjitha viset dhe delegatët e Degës së LPK-së… Mb. dha orientime, miratoi rezoluta dhe mori vendime të qarta për organizimin e luftës së armatosur çlirimtare… Përgjegjës ose “shef” për këtë punë ishte emruar Xh. Haziri (brenda vendit), kurse Xh. Haliti, përgjegjës jashtë vendit. Mirëpo, armiku kishte arrestuar Xhavit Hazirin, Bajrush Xhemajlin, etj. dhe kërkoheshin edhe shumë shokë të tjerë, të identifikuar nga pushtuesit, si persona të mundshëm për organizim të kryengritjes së armatosur. Këta, që të mos arrestoheshin u detyruan të kalonin në Tiranë. Fat i madh që kishim shtetin tonë për t’i shpëtuar kapjes nga armiku, por edhe për t’u organizuar dhe për të hyrë në Kosovë si luftëtarë lirie… Arrestimi i Xh. Hazirit dhe shokëve tjerë ishte goditje e madhe për Organizatën.
Në këto rrethana përgjegjësitë (kompetencat) i kalonin Degës, e cila tash ushtronte përgjegjësitë e saj në emër të LPK-së. Organet e LPK-së, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia, në përputhje me vendimet e Mb. së Katërt, morën përsipër organizimin, strukturimin dhe koordinimin e njësiteve dhe grupeve të armatosura çlirimtare. Kjo edhe është pjesa që kontestohet pas 30 vitesh nga disa shokë, pa thënë kush duhet ta bënte këtë punë ?! S’dua të besoj që kanë iluzione që këtë punë do ta bënte LDK-ja !!
Përgjegjësia kryesore për këtë çështje i binte Sektorit të Veçantë dhe Kryesisë, që dikush po e konteston nga pozitat e sotit ! Duhet të sqarojë, për ata që mund të bien në lajthitje nga shkrimet që mund të kenë lexuar këto ditë, se Kryesia zgjedhej nga Këshilli i Përgjithshëm dhe ishte pjesë e atij Këshilli, të cilin e drejtonte. Kryesia zbatonte dhe operacionalizonte vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, i ftonte mbledhjet, etj. Prandaj, sulmet ndaj Kryesisë janë joparimore dhe për qëllime spekulative dhe denigruese ! Kryesia dhe Sektori i Veçantë, në bashkëpunim të ngushtë me veprimtarë, luftëtarë e drejtues të njësiteve të LPK-së brenda dhe me personalitete ushtarake, politike e shtetërore në Tiranë, ia dolën të organizojnë, strukturojnë dhe koordinojnë njësitet dhe veprimet e armatosura Çlirimtare në Kosovë dhe në viset e saj deri sa ishin krijuar kushtet për t’u dhënë emrin USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, më 17 Nëntor 1994, kur disa e kishin fjetur mendjen dhe shihnin punët e tyre, duke shfaqur edhe mosbesim në mundësin e organizimit të Luftës së Armatosur… Nuk po i kuptoj disa skeptikë nga kush kanë pritur, nëse jo nga LPK-ja, që ta krijojë UÇK-në ?! S’dua të besoj që kanë pritur nga LDK-ja !!
Para këtij vendimi historik, kur edhe u bë publike krijimi dhe ekzistenca e UÇK-së, ishte krijuar edhe Fondi Çlirimtar “Vendlindja Thërret” (A thua kush ia kishte gjetur emrin, kush ishte kumbara ?!!). T’ia kontestosh të drejtën dhe autorsinë LPK-së për ngritjen, strukturimin dhe drejtimin e Luftës së Armatosur (komunikatat janë puna më e vogël, por e rëndësishme për komunikim dhe informim të popullit tonë dhe botës) do të thotë që qenke tallur me Organizatën dhe Luftën Çlirimtare atëherë ose po tallesh sot, 30 vjet pas, duke qenë edhe vet nga “banhofi”! Për cilën arsye e për llogari të kujt?!!
Edhe atëherë ka patur mendime, pikëpamje dhe propozime të ndryshme për emrin, por ka fituar emri Ushtri Çlirimtare e Kosovës me dëshirë dhe qëllim që të bashkohejë i gjithë populli pa dallim partie, feje e krahine. LPK-ja nuk e kishte marrë përsipër në emër të saj për t’u lënë hapësirë të gjithëve t’i bashkoheshin luftës. Në fund të fundit LPK-ja s’e kishte krijuar UÇK-në për vete, por për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë… Prandaj, LPK-ja nuk mund ta linte në baltë krijesën e saj dhe të bënte sehir. Këtë nuk do t’ia falte historia! LPK-ja nuk mund t’i lante duart duke u fshehur pas “procesit” dhe pas vendimeve të Mb. Katërt, të cilat, pa zbatimin-jetësimin e tyre do të zverdheshin diku në “arkivat personale” si shumë vendime të organizatave e forcave tjera politike !! Pra, koha i dha plotësisht të drejtë LPK-së dhe Kryesisë që drejtoi në ato vite vendimtare për lirinë e Kosovës (pa vise).
Kryesia, që ne e kishim zgjedhur dhe mandatuar, po të mos i kishte kryer gjitha këto veprime dhe detyrime, siç paska dashur dikush, do të kishte merituar përbuzjen e anëtarëve të LPK-së dhe të gjithë kombit shqiptar.
Përpjekjet për të manipuluar me Familjen e Shenjtë JASHARI dhe me adhurimin dhe ndjenjat patriotike e liridashëse që kanë shqiptarët për këtë FAMILJE dhe Heroizmin e saj janë të papranueshme deri në neveri! Kush e ndjeu më shumë se LPK-ja rënien e kësaj Familjeje, të Shaban, Hamzë e Adem Jasharit dhe të Dëshmorëve tjerë ?! Kush i mbushi radhët e UÇK-së pas Luftës së Prekazit, pos anëtarëve të LPK-së (edhe nga “banhofet), edhe nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së… Me luftën dhe rëniet e tyre heroike, luftëtarët e LPK-së masivizuan luftën dhe UÇK-në, e cila fitoi dashurinë, respektin dhe përkrahjen e mbarë kombit shqiptar dhe të botës…
Është meritë e padiskutueshme e Kryesisë dhe e LPK-së që nuk i la përgjegjësi drejtuese Kryesisë së re (të qershorit 1998), madje as komunikatat s’ishte më nevoja t’i lëshonte ! UÇK-ja tashmë ishte rritur, strukturuar e profilizuar dhe kishte zonat, komandat, shtabet e zonave, Shtabin e Përgjithshëm, Zëdhënësin dhe gjithë sektorët e nevojshëm. LPK-ja ishte vënë plotësisht në mbështetje të krijesës së saj me luftëtarë, me fonde dhe me përfaqësim politikë, me propagandë, e veprimtari tjera kudo në botë, deri në Australi… (edhe nga “banhofet”).
Mbi 3 000 tubime të mëdha ka organizuar LPK-ja e “banhofeve” në emër të Fondit Çlirimtar “Vendlindja Thërret” dhe qindra mijëra takime individuale e grupore anekënd botës për bashkimin politik të shqiptarëve, për fonde dhe për mobilizim të vullnetarëve, që niseshin me mijëra (nga “banhofet !) për të luftuar për çlirimin e tokës së pushtuar…
E di që dikush përsëri do të thotë që s’e kishte me LPK-në, por me Kryesinë ! Se çdo të ishte LPK-ja pa organet drejtuese, pa gazetën, pa hierarkinë e saj mund ta kuptojë secili ! Ka ndonjë që sot e ndanë (në mendjen e tij të vockël) LPK-në në “jashtë” e “brenda”! Një tendencë tjetër shumë e ulët! LPK-ja gjatë gjithë ekzistencës së saj, sidomos gjatë Luftës, u dëshmua se ishte një dhe e pandarë. Këtë e vërtetoi edhe me organizimin, drejtimin dhe fitimin e Luftës…
Lavdi Dëshmorëve ! Nderim luftëtarëve, veprimtarëve dhe drejtuesve të LPK – UÇK-SË !
P. S.
LPK-ja dhe UÇK-ja nuk janë më tonat, ato i takojnë kombit shqiptar, i takojnë historisë së tij. Inatet dhe mëllefin që mund t’i kemi me njëri-tjetri është mirë, gjuthashtu, t’i mbyllim në “arkiva”… Prandaj, ata që nuk kanë forcë shpirtërore, morale e intelektuale të thonë një fjalë të mirë për atë përpjekje titanike, për atë sakrificë kolosale dhe për atë fitore madhështore (me gjithë dibësitë, gabimet e mundshme gjatë ati rrugëtimi) do të bënin mirë të heshtnin…
Me LPK-në dhe UÇK-në duhet të merren studiuesit, bazuar edhe në dokumenta. Edhe për gabimet (edhe për tradhtitë) që mund të ketë bër dikush, cilido qoftë, nëse i ka shpëtuar luftës nuk do t’i shpëtojë gjykimit të historisë… Mjerë ai që ia ka patur dhe ia ka me hile kësaj toke e këtij populli !
add a comment