Kulturë\Letërsi

Xh. Gjini: Rahoveci shënoi 85 – vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe atdhetarit të shquar Sylejman Krasniqi

Sot, në sallën e komunës së Rahovecit, u shënua 85 – vjetori i lindjes së shkrimtarit të shquar dhe veprimtarit për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, Sylejman Krasniqi. Ai kishte lindur në Hoçë të Vogël të Rahovecit. Në vitet e ’50 – ta (1958), të shek. XX, pas burgut dhe perekutimit permanent, kishte vendosur te shkonte në Tiranë (në shtetin tonë Amë), ku edhe u bë shkrimtar dhe personalitet i dëgjuar ndër shqiptarë dhe në botë. Vepra e tij pati ndikim të madh në Lëvizjen tonë Kombëtare (në Shqipërinë e pushtuar) dhe në frymëzimin atdhetar të rinisë shqiptare në Shqipërinë këndej Drinit. Romanet e tij (“Mic Sokoli”, “Oso Kuka”, “Pushka top Bajram Curri” dhe vepra tjera) shpërndaheshin fshehur dhe lexoheshin me një frymë nga rinia atdhetare. Për Sylejman Krasniqin dhe veprën e tij referuan: Mehmet Hajrizi, një studiuese nga Gjirokastra, Fitore Mala, Albana (vajza e shkrimtarit), Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Shyqeri Galica, Kudusi Lame, etj. Akademinë e hapi Kryetari i komunës, Ismajl Latifi. Për këtë ngjarje të veçantë kishin ardhur edhe gruaja e shkrimtarit me dy djemt dhe me vajzën, bashkëkombës nga Tropoja dhe qytete tjera.

Më 7 dhjetor të 1937 në Hoqë të Vogël të Komunës së Rahovecit, u lind shkrimtari, Sylejman Krasniqi.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Prizren. Ka qenë e dënuar me burg për shkak të aktivitetit të tij kombëtar. Burgun e ka mbajtur në Rahovec, në Prizren dhe në Serbi në vitet 1952-1953.
U arratis për në Shqipëri me përkushtimin për të bërë të pamundurën për çështjen kombëtare. “Shpëtimin” mendoi se do ta gjente në Shqipërinë nënë, kur më 1958 i dolën lot gëzimi teksa shkelte për herë të parë në Shqipëri. Fjala shqip e ushtarëve të kufirit teksa i thoshin “Ndal” iu duk si përshëndetja më e ëmbël.
Ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi Shqipe, në vitet 1963 – 1967. Ka punuar si mësues i shkollave të mesme në Mat dhe në Tiranë deri në vitin 1982, kur iu dha titulli shkrimtar në profesion të lirë, Vdiq në Tiranë më 16 korrik 2011. Në jetën e tij letrare shkroi mbi 20 vepra historike dhe shumë artikuj e shkrime publicistike Ndër veprat më të njohura janë: Tri motra, tri histori, novelë, Qielli i përflakur, Prisja e komitëve, Mic Sokoli, Besëlidhja shqiptare, Pushka top, Bajram Curri, e të tjera.