PLLAKA QË PO PRET VENDIN E VET
Vitin 2022 Shoqëria LËVIZJA e ka shpallur VIT TË LËVIZJES për nder dhe kujtim të BASHKIMIT POLITIK TË ORGANIZATAVE PATRIOTIKE SHQIPTARE – KRIJIMIT TË LPK – SË DHE PËR NDER, KUJTIM E MIRËNJOHJE PËR THEMELUESIT DHE HERONJTË E LËVIZJES: JUSUFIT, KADRIUT E BARDHOSHIT. Në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë Shqiptarë dhe me komunat tona në Kosovë dhe në viset e saj janë organizuar dhe janë mbajtur dhjetra Akademi mirënjohjeje dhe veprimtari tjera për këtë NGJARJE historike (40 – vjetori) të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të mbarë kombit tonë…
Gjatë këtij viti janë vendosur edhe shumë pllaka nderimi e kujtimi në shtëpi e vende të shënuara të LËVIZJES. E mira (edhe dëshira dhe kërkesa jonë) do të ishte që, të gjitha këto veprimtari e shumë tjera të kësaj rëndësie për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për LIRINË tonë, të organizoheshin nga institucionet shtetërore dhe me fonde të tyre. Sepse, për ngjarje dhe figura të përmasës kombëtare nuk është e drejtë dhe as nuk u takon familjeve të “interesohen”, të angazhohen e të shpenzohen… Figura, veprimtari dhe ngjarje të përmasës kombëtare i kalojnë “kornizat” e një familjeje, madje edhe të një partie… Gara e partive për të treguar e dëshmuar se kjo apo ajo figurë e LËVIZJES dhe kjo apo ajo ngjarje e përmasës Kombëtare i takonte apo i takon kësaj e asaj partie është absurde dhe anticivilizuese. Prandaj, Shoqëria LËVIZJA, bashkë me shoqatat tona autoktone, po angazhohet dhe po përpiqet që t’i “edukojë” dhe ndërgjegjësojë institucionet tona politike e shteterore që këto ngjarje e figura dhe krejt Lëvizja Kombëtare Shqiptare të ketë vendin e saj të merituar në tekstet shkollore dhe universitare, në krijimtarinë letrare dhe artistike dhe në shoqërinë tonë shqiptare cep më cep Atdheut tonë ende të copëtuar, por shumë më mirë e më të fortë se dje, falë përpjekjeve, veprimtarisë dhe luftës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, falë Heronjve dhe Dëshmorëve të saj dhe falë Luftës Çlirimtare dhe Heronjve e Dëshmorëve të Atdheut…
Pllaka që shikoni këtu i kushtohet fillimit të botimit të gazetës së parë kombëtare, liridashëse dhe antipushtuese në trojet e pushtuara të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore… Ajo ishte organ i Grupit Revolucionar të Kosovës dhe u shtyp (botua) në shtëpinë e Heroit të mendjes dhe të qëndresës shqiptare, Kadri Mani, i cili gjithë jetën e kishte vënë në shërbim të bashkimit kombëtar. Shtëpia e tij ishte një prej bazave të fuqishme dhe dinjitoze të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe shtypit të saj, gazetës famëmadhe, “Zëri i Kosovës”, e cila rifilloi të botohejë nga Heroi i LËVIZJES, Jusuf Gërvalla, dhe pastaj, për dy dekada, nga organizata politike çlirimtare, LPK-ja, që organizoi edhe Luftën Çlirimtare – UÇK – në fitimtare…
Pllaka që shikoni këtu është porositur nga Shoqëria LËVIZJA, në marrëveshje dhe bashkëpunim me bashkëveprimtarët dhe me pasardhësit e kolosit të Lëvizjes sonë Kombëtare, Kadri Osmani…
Janë duke u punuar edhe disa pllaka që do të vendosen në Prishtinën tonë shqiptare. Brezi i ri duhet të mësojë e të njihet me përkushtimin, me përpjekjet, me angazhimin, Luftën dhe sakrificën e madhe të brezit të Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Kadri Halimit, Shaban Shalës, Kadri Labënishtit, Fazli Graiçevcit, Kadri Osmanit, Rafi Halilit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Binak Ulajt, Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, Fazli Veliut, Hyda Dobrunës dhe Familjes Dobruna, Emrush Xhemajlit dhe Familjes Xhemajli, Berat Luzhës, Ali Ahmetit, Nazire Zogajt, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, Fadil Vatës, Arif Seferit, Nesemi Elshanit, Besim Ndrecës, Ukshin Hotit, Naser Veliut, Zahir Pajazitit, Edmondit e Hakifit, Beqir Limanit, Mujë Krasniqit, Gursel e Bajram Sylejmanit, Fehmi e Xhevë Lladrocit, Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, Luan e Shkëlzen Haradinajt e Familjes Haradinaj, Ismet Jasharit, Tahir Sinanit, Remzi Ademi, Qerim Kelmendit dhe mijëra veprimtarëve dhe luftëtarëve të penës e të pushkës, Heronjve e Dëshmorëve të Atdheut para dhe pas tyre… Rinia jonë dhe brezat pas tyre duhet të mësojnë sa e shtrenjtë ishte liria e fituar për Kosovën pa vise dhe ende të pabashkuar me shtetin dhe Atdheun e saj dhe sa përpjekje dhe angazhime i presin për jetësimin e POROSISË së të RËNËVE për liri e bashkim kombëtar…
add a comment