Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Për dhe kundër Fondit të Sigurisë… Mbrojtja dhe siguria e Kosovës shqiptare nuk mund të ndahet nga mbrojtja dhe siguria e shtetit tonë AMË

Në vend të hyrjes

Kombet me një traditë dhe kulturë të konsoliduar shtetërore mbrojtja dhe siguria e Atdheut i bashkon, sepse janë dy çështje jetike për ekzistencën e një vendi – shteti dhe janë parakushte sine que non për zhvillimin ekonomik, përparimin dhe mirqenien e përgjithshme të një kombi. Fati ynë ndër shekuj ishte kryesisht i keq dhe mjaft tragjik. Pushtimi i gjatë dhe barbar i kushtoi shumë popullit tonë në krijimin e traditës dhe të kulturës shtetërore. Të fundit në Iliri mezi e krijuamë shtetin tonë në një të tretën e Atdheut – Shqipërisë. Ç’është e vërteta Pavarësia ishte shpallur në Kuvendin e Vlorës për të gjithë Shqipërinë (mbi 90 000 km katrore), por shtetet fqinje, të nxitura dhe përkrahura nga Fuqitë e Mëdha, iu vërsulën tokave të Shqipërisë dhe popullit shqiptar si ujqërit e uritur… Shumë krahina i spastruan me zjarr e hekur nga shqiptarët, të tjera u robëruan dhe uzurpuan… Disa nga ato, në kohë dhe rrethana të ndryshme, u asimiluan në greke, serbe, boshnjake, myslimane, malazeze e maqedone! Megjithatë, ishim me fat që “fituamë” një shtet tonin shqiptar në 28 740 km katrore. Ky shtet, gati për një shekull, ishte dhe mbeti shpresa, frymëzimi, përkrahja dhe forca e vetme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në krahinat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia dhe nga Greqia. Shteti ynë AMË ishte dhe mbeti shpresë, frymëzim, përkrahje dhe forcë edhe për shqiptarët kudo në botë.

Përpjekjet, lufta dhe fitorja e LËVIZJES, me Luftën Çlirimtare të UÇK -së në Kosovën pa vise, në Maqedoninë shqiptare dhe kudo në trojet e pushtuara të Shqipërisë, nuk mund të mendohet, nuk mund të shpjegohet dhe nuk mund të kuptohet pa shtetin tonë AMË dhe rolin e tij. Kushdo që mbështetet në teza tjera do të dalë i gabuar dhe në anën e gabuar të historisë. Secili shqiptar, që ka dy gramë mend në kokë, do të duhejë të kuptonte se Republika e Shqipërisë dhe SHQIPËRIA nuk janë e njëjta gjë, sepse Republika e Shqipërisë përfshinë vetëm një të tretën e Shqipërisë, kurse Shqipëria përfshinë çdo pëllëmbë të tokës shqiptare në Iliri (Ballkan). Prandaj, edhe Kosova është në Shqipëri dhe tokë shqiptare, edhe Maqedonia dhe çdo krahinë e vendbanim tjetër shqiptar në Greqi (Çamëria), në Malin e Zi e në Serbi janë në Shqipëri dhe toka të saj të pushtuara me dhunë, terror, masakra e gjenocid, sidomos gjatë shekujve XIX e XX. Përpjekjet e djeshme dhe të sotme për ta paraqitur një krahinë të Shqipërisë (Kosovën pa vise) dhe popullin e saj shqiptar si vend dhe si popull të ndryshëm nga Shqipëria dhe shqiptarët janë thellësisht antishqiptare, antihistorike, antinjerëzore dhe anticivilizuese. Këto tendenca e përpjekje, që ngrenë krye herë pas here, dhe në situata të vështira për shqiptarët nxiten, mbështeten dhe financohen nga vendet e qarqet armike që mbajnë të pushtuara tokat e Shqipërisë dhe mohojnë të drejtatë elementare kombëtare e demokratike të shqiptarëve të pushtuar.

Çlirimi i një krahine prej afër 11 000 km katrore të Shqipërisë (Kosovës pa vise) ishte goditja më e madhe për fqinjët shovinistë e pushtues të tokave tona që nga viti tragjik 1912, kur u copëtua SHQIPËRIA, kurse bashkimi i Kosovës me TRUNGUN e saj, Republikën e Shqipërisë, do të përbënte goditje vdekjeprurëse për ambicjet e tyre shoviniste e hegjemoniste… Prandaj, gjithë ai kundërshtim e gjithë ky angazhim i fqinjve shovinistë dhe aleatëve të tyre kundër një të drejte fundamentale të Kosovës për t’u bashkuar me kombin që i takon!! Prandaj, edhe çështje jetike si siguria e mbrojtja në vend se të na bashkojnë na ndajnë!!…

 

Krijimi i Fondit të Sigurisë nuk i përmbush kërkesat e kohës për mbrojtjen dhe sigurinë e kombit tonë

“Fondi i Sigurisë” krijoi një entuziazëm gati fëminor në pjesën e militantëve të sinqertë të LVV -së e të Albinit. Këtë entuziazëm të tyre me ngjyrime të forta populiste e kupton sapo të hapësh rrjetet sociale. Për vete e kuptoj si dëshirë dhe nevojë të sinqertë për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës. E drejtë e natyrshme dhe legjitime. Por, a përmbushet kjo dëshirë dhe nevojë për mbrojtje e siguri me krijimin e një Fondi për Siguri dhe me hapjen e një a më shumë llogarive rrjedhëse në banka të ndryshme?

Disa parti thanë se « mbrojtja dhe siguria e vendit nuk arrihet me lëmosha e duke krijuar fonde… Sot jemi shtet dhe nuk kemi nevojë të krijojmë fond », etj. Kundër këtij fondi janë deklaruar edhe militantët e këtyre partive. Komentet e tyre në rrjetet sociale tregojnë se pjesa e militantëve të partive edhe krijimin e këtij fondi e shikojnë me syzet e partisë ose të « udhëheqësit » të partisë që i takojnë. Ata që çështjet e sigurisë e të mbrojtjes i shikojnë pa syzet e partive e të « liderëve » të tyre janë kritikë për qeverisjen e vendit pas çlirimit e deri sot, pra edhe për mbrojtjen dhe sigurinë.

Mbrojtja dhe siguria e Kosovës shqiptare nuk mund të jetë e shkëputur nga mbrojtja dhe siguria e shtetit tonë AMË, por as nga siguria rajonale e më gjerë. Puna e parë që do të duhejë të bënte Qeveria e LVV – së është « pajtimi », bashkërendimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me Tiranën zyrtare, me shtetin tonë AMË. Republika e Shqipërisë është anëtare e OKB – së (tash edhe e Këshillit të Sigurimit), anëtare e NATO -s dhe partnere e besueshme e SHBA – ve. SHBA – të thirrin mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e të Asamblesë së OKB -së me shtetin tonë AMË, kurse krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës shqiptare « refuzojnë » bashkëpunimin dhe bashkërendimin me shtetin e tyre AMË !! Absurditet i padëgjuar !! NATO – ja bashkëpunon e bashkërendon politikat e mbrojtjes e të sigurisë me Tiranën zyrtare, kurse krerët adoleshentë të Kosovës shqiptare nuk lënë gur pa luajtur dhe arsye pa gjetur (shpikur) për t’i ikur bashkëpunimit e bashkërendimit të politikave të mbrojtjes e të sigurisë, sidomos !! Republika e Kosovës edhe sot, si gjithmonë populli i saj shqiptar, duhet të jetë natyrëshëm e harmonizuar me TRUNGUN e saj. Për më tepër kur shteti ynë AMË (Kryeministri dhe përfaqësuesit e tij) sot janë në TAVOLINËN, ku bisedohen politikat e mbrojtjes e të sigurisë dhe ku merren vendime për çështje të sigurisë globale. Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës s’kanë pse shpenzojnë kohë e para publike për të shkuar korridoreve e skutave, larg qendrave të vendosjes, sa për t’i kënaqur militantët e tyre e për t’u hequr të rëndësishëm ! Mjafton të shkojnë në qendrën e kombit tonë, në Tiranë…

Po të kihet parasysh marrëdhënia e ftohtë e krerëve të institucioneve të Kosovës me Tiranën them që Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të vetëreformohet dhe ta reformojë gjithë Qeverinë e tij. Rrethanat e krijuara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia kërkojnë politika dinamike dhe bashkërendim e harmonizim të plotë me Tiranën tonë. Albin Kurti duhet seriozisht dhe me shpejtësi të mendojë e të angazhohet për mundësinë e « integrimit » të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme (mbase edhe Ministria e Brendshme) me ministritë përkatëse të shtetit tonë AMË. Kuptohet, duke u « mirëkuptuar » me miqtë tanë, sidomos me SHBA – të por, për këtë « marrëdhënie » kujdeset shteti ynë AMË me rrugët dhe mënyrat që tashmë janë funksionale…

Mbrojtja dhe siguria nuk janë çështje njëdimensionale, çështje fondi për grumbullimin e ca parave! Mbrojtja dhe siguria janë çështje shumëdimensionale e komplekse. Ato janë të ndërthurrura e të ndërvarura me situatën ekonomike të vendit tonë, me demografinë, me arsimin, me shëndetësinë, me administratën, me mjedisin, me shtetet që na rrethojnë, etj, etj.. Krijimi i Fondit të Sigurisë, sado simpatik që duket, nuk i mbulon dobësitë e qeverisë dhe të qeverisjes. « Petullat me ujë nuk bëhen », na ka mësuar populli ynë i urtë. Siguria dhe mbrojtja nuk arrihen me dëshira e me nisma si kjo e krijimit të Fondit. Kohë më parë (me inercionin e pandemisë) ishte krijuar edhe një fond tjetër për ndërtimin e një spitali ! Ç’u bë me atë fond ?!

Rrethanat e krijuara në botë gjatë këtyre 7 – 8 ditëve janë ndoshta unike. Situata të këtilla të favorshme për Kosovën dhe për kombin shqiptar rrallëherë e hiç krijohen. Qeveria e Kosovës shqiptare, sidomos Kryeministri i saj, ka përgjegjsinë historike t’i shfrytëzojë këto situata të favorshme për ta shtyrë përpara çështjen e pazgjidhur shqiptare. Kjo përgjegjësi bie edhe mbi Tiranën zyrtare, e cila, në fund të fundit, s’guxon të mbetet peng e tekave të ndonjë « kosovocentristi », por duhet të bëjë punën dhe detyrat e saj si shtet AMË, siç e obligon edhe Kushtetuta, sepse vullneti i popullit shqiptar në Kosovë e në Iliri nuk mund të « shtypet » e nëpërkëmbet nga politikanë adoleshentë ose me koncepte e ideologji jugokosovare për Atdheun, kombin dhe bashkimin e kombit tonë në një shtet…

Postimet e fundit !