NË MUZEUN ETNOGRAFIK TË SHTJEFËN IVEZAJT – LEKAJ (TUZ)
Në Lekaj të Malësisë së Madhe (komuna e Tuzit) jeton shqiptari Shtjefën Ivezaj, dikur fotografist me emër, kurse sot burrë i moshuar, por me gjallëri, energji dhe motiv tê një të riu për flamurin kuqezi, për gjuhën, kulturën, traditën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar, që jeton në trojet e tij stërgjyshore prej mijëra vitesh… Xha Shtjefni, në krah të të cilit ishte dhe është gjithmonë gruaja dhe bashkudhëtarja e tij e vyer, shtëpinë e tij e ktheu në muze. Bota ka njohur dhe njeh shumë muze, por vështirë se mund të ketë njohur një muze si ky në Lekaj të Tuzit, ku vizitorit mund t’i duhen dy – tri ditë për t’u njohur me mijëra eksponate, artefakte dhe gjësende të mbledhura dhe të sistemuara me një pasion, këmbëngulje, durim e profesionalizëm të pashembullt në kushtet që mund të ofronte një shtëpi e ngritur për banim-familje. Për një punë kolosale, si kjo e xha Shtjefnit, krijohen ekipe dhe jepen fonde të mëdha në komuna e vende tjera, dhe nuk e bëjnë dot…
Komuna e Tuzit është themeluar, pas shumë kërkesave e përpjekjesh, në vitin 2018… Ajo ka 237 km², kufizohet me komunën e Podgoricës dhe me Republikën e Shqipërisë… I ka 42 vendbanime. Tuzi është qendra e këtyre vendbanimeve. Kjo komunë, si edhe Plava, Gucia, Ulqini, Tivari, Bellopoja, etj. (dy të tretat e Malit të Zi të sotēm) i takonin gjeografisë dhe demografisë shqiptare – Shqipërisë. Me dhunë e terror të organizuar sistematik shtetëror popullsia shqiptare është dëbuar, asimiluar dhe sllavizuar në masë dhe pērmasë tragjike. Sot, më shumë ka shqiptarë që deklarohen “boshnjakë”, “myslimanë” e “malazezë” se shqiptarë!! Për shkak të diskriminimit, mohimit të të drejtës së shkollimit në gjuhën amëtare, klerit boshnjak – sllav, mohimit të gjuhës dhe të drejtave ekonomike, kombëtare, politike e demokratike, dhunës shtetërore, dëbimit dhe asimilimit (herë të hapur, herë të mbuluar) sot, popullsia shqiptare nuk është më e madhe se në vitin 1948 (pa folur për dekadat e mëhershme)!! Tendenca e shpërnguljes dhe ikjes është e madhe edhe sot nga trojet ende shqiptare nën Mal të Zi… Është shtuar edhe veprimtaria e qarqeve dhe vendeve islamike me qëllim të asimilimit të mëtejmë të shqiptarëve dhe me dëshirë e projekt që t’i kthejnë në “boshnjakë” e “myslimanë”, që flasin, besojnë e mendojnë serbisht!!.Prandaj, Tirana (sidomos!), Prishtina, edhe Shkupi, duhet të jenë më të pranishme, më të përfshira, më aktive dhe më këmbëngulëse për mbrojtjen dhe zhvillimin e fuqizimin e gjuhës shqipe, të drejtave ekonomike, politike, kombëtare, kulturore e demokratike të shqiptarëve në rajon, sidomos të atyre që po rrezikohen dhe kërcënohen me zhdukje nga politikat shoviniste të shteteve fqinje-pushtuese të tokave tona… Përkushtimi, zotimi, veprimtaria dhe këmbëngulja e Shtjefën Ivezajt duhet t’u shërbejë dhe t’u bëhet udhërrëfyese politikanëve, qeverive, studiuesve dhe institucioneve tona shtetërore, arsimore, shkencore, kulturore, artistike… Kështu arrihet dhe ruhet fqinjësia, mirëkuptimi dhe paqa midis popujve që janë të “dënuar” të bashkëjetojnë në Siujdhesën Ilirike…
add a comment