NË KUJTIM DHE NDERIM TË HEROIT TË LPK – UÇK – së dhe të Atdheut, Gjeneral Jashar SALIHUT
Të dashur veprimtarë dhe drejtues të Shoqërisë LËVIZJA!
Sot, u bënë 22 vjet pa Gjeneralin dhe Heroin e LPK – UÇK – së dhe të Atdheut, shokun, mikun, bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin tonë shembullor, JASHAR SALIHUN! Në jetën e tij nuk kishte çështje, detyrë dhe angazhim më të rëndëishëm se lufta për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Jashari ishte një nga themeluesit e Komitetit të Deçanit në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, ku ishte profesor. Veprimtaria e Tij dhe e Komitetit të Deçanit kishte vënë në lëvizje gjithë aparatin shtetëror të pushtuesit dhe agjenturat e tij kolaboracioniste. Për veprimtarinë e tij patriotike ishte arrestuar dhe dënuar me shumë vite burg të rëndë. Ai u arrestua në një kazermë të Beogradit më 9 maj 1981, ku ishte ushtar me detyrim, dhe u dërgua në Kosovë për t’u gjykuar nga gjykata pushtuese-kolaboracioniste… Vitet ne burg Jashar Salihun e bënë edhe më të fortë e më të përgatitur për luftë të pakompromis me pushtuesit dhe kolaboracionistët. Pas daljes nga burgjet famëkëqija të Jugoserbisë pushtuese Jashari iu bashkua LPRK – së (më vonë LPK – së) dhe nuk pushoi deri në frymën e fundit për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Ai, pjesë e Lëvizjes së pajtimit kombëtar, të inicuar nga LPRK – ja, kishte drejtuar edhe tubimin më të madh të pajtimit kombëtar (500 000 shqiptarë), te Verrat e Llukës. Jashar Salihu ishte një nga drejtuesit e shquar të LPK – UÇK – së, Kryetar i Fondit “Vendlindja Thërret”, organizator, politikan, intelektual, diplomat dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK – së. Sa i ashpër dhe i rreptë në pamje po aq njerëzor dhe i dashur me njerëzit që e rrethonin dhe vepronin e luftonin me Te. Të rrallë janë njerëzit me zemër e mendje atdhetare si Jashari ynë.
Jashar Salihun e kisha njohur në një kazermë ushtarake në Beograd (1980 – 1981), ku ishim bashkë deri në ditën kur e arrestuan. Unë djalë i ri (20 – vjeçar), kurse ai ishte 27 – vjeçar, profesor i anglishtes. Shumë shpejt u afruam dhe u bëmë shokë. Me Jasharin shkonim i vizitonim edhe studentët shqiptarë në Beograd dhe rrinim e bisedonim gjatë me ta… Jashari, vishej me rroba civile dhe shkonte edhe në Ambasadën shqiptare, kur kishte leje për dalje në qytet. Prej tij lexova për herë të parë (në kazermën e pushtuesit!) revistën “Shqipëria e Re”, “Ylli Mëngjesit”, por lexonim edhe libra që i siguronim nga shtëpia ose nga studentët që ishin aty… Pranvera Shqiptare ’81 na gjeti në kazermë. Armiqtë tanë ishin tërbuar dhe po suleshin me të gjitha mjetet dhe mënyrat që kishin kundër popullit tonë të robëruar, kundër qenies shqiptare.Tërbimi i tyre sa vinte e merrte përmasat e provokimeve, presioneve, shantazheve dhunës dhe vrasjes edhe ndaj ushtarëve shqiptarë. Jashari me pjekurin e Tij politike dhe intelektuale na drejtonte si një komesar me përvojë politike edhe në kazermën e armikut, ku ishim të detyruar të qëndronim. Zbulimi dhe arrestimi i disa shokëve dhe materialeve të organizatës në Deçan qoi edhe në arrestimin e Jasharit. Pas shumë vitesh burg u takuam dhe u bashkuam përsëri në LPK – UÇK me Gjeneral Jashar Salihun… Njohjen me Jasharin Salihun në moshë të re e quaj fat dhe shkollë
Në jetë të jetëve Nderim dhe Lavdi për Gjeneral Jashar Salihun!
Me nderim të thellë! Xhevat Bislimi