Xh. Gjini: MIRËNJOHJA E MADHE E FRANCËS PËR TË HUAJT QË BËNË QËNDRESË DHE RANË PËR LIRINË E SAJ NË KOHËN E PUSHTIMIT NAZIST GJERMAN
MIRËNJOHJA E MADHE E FRANCËS PËR TË HUAJT QË BËNË QËNDRESË DHE RANË PËR LIRINË E SAJ NË KOHËN E PUSHTIMIT NAZIST GJERMAN
Franca, me vendim të Kryetarit të saj, sot e panteonizoi luftëtarin e rezistencës – qëndresës franceze, Missak Mouchamin, bashkë me 22 anëtarët e grupit të tij të pushkatuar nga pushtuesit nazistë më 21 shkurt 1944. Bashkë me ta e “fitoi” Panteonin edhe gruaja e Missakut, Melinea, e cila ishte anëtare e grupit, por që nuk ishte zënë nga gjermanët dhe policia kuislinge franceze…
Ç’është Panteoni në Francë?
PANTEONI është vendi ose varreza ku janë varrosur e do të varrosen njerëzit e shquar të Francës: heronj, shkrimtarë, shkencëtarë, politikanë – burrështetas, etj. Deri tash në Panteon ishin varrosur 81 personalitete të shquara franceze. Këtij numri, sot iu shtuan edhe 24 luftëtarë dhe heronj të rezistencës antinaziste franceze: Misssku me gruan e tij, Melinën dhe 22 anëtarët e grupit të tij. Në Panteon ka vend për t’u varrosur gjithsej 300 njerëz të shquar të Francës…
Kush ishte Misak Mushamini?
Missaku ishte lindur në vitin 1906 në qytetin armenian, Adijaman, në Juglindje të Turqisë së sotme. Në moshën 9 vjeçare, në vitin 1915, forcat otomane kishin ndërmarrë fushatën e masakrave dhe të gjenocidit ndaj popullit armenian. I kishin vrarë edhe të atin dhe familjen e Misakut. Kishte shpëtuar nëna me dy djemë, fëmijë: Missaku dhe një vëlla i tij. Nëna pastaj u kishte vdekur nga uria, kurse këta të dy kishin përfunduar në një jetimore në Liban. Nga aty, në vitin 1924 kishin arritur të shkonin në Paris (Francë). Atje, Misaku kishte punuar një kohë në fabrikën e citroenit. Vëllau i kishte vdekur pas tri vitesh nga tuberkulozi. Në Paris ai kishte njohur edhe vajzën armeniene, Melenien, e cila ishte gjithashtu jetime dhe kishte përjetuar gjenocidin ndaj familjes dhe popullit të saj…
Në vitin 1933 kishte bërë kërkesë pranë autoriteteve franceze për shtetësi, por nuk e kishte fituar. Kërkesën për shtetësi e kishte përsëritur edhe në vitin 1940, por pa sukses…
Misaku gjatë qëndrimit në Paris kishte ndjekur kurse universitare në Sorbonë, shkruante artikuj dhe vizitonte e shoqërohej me rrethe komuniste… Ishte bërë i njohur edhe si poet.
Pas pushtimit të Francës nga Gjermania hitleriane, ai ishte arrestuar disa herë për shkak të veprimtarisë së tij politike antifashiste dhe antinaziste… Misaku ishte përcaktuar dhe u angazhua për rezistencë të armatosur kundër nazifashizmit. Në vitin 1943 kishte krijuar grupin dhe ishte një ndër përgjegjësit e FTP-MOI (Atentatorët dhe partizanët francezë – punëtorët e huaj (imigrantët). Grupi përbëhej nga armenienë, polakë, hungarezë, çifutë, spanjollë, rumunë… dhe ishin pjesë e rrjetit të rezistencë klandestine franceze. Gruaja e tij, Melenie, në fillim merrej me shtypjen dhe shpërndarjen e materialeve, mbledhjen e informatave për forcat e nazistëve dhe kuislingëve, etj., kurse më vonë u përfshi edhe në veprimtarinë e armatosur dhe në atentate kundër pushtuesve nazistë…
Më 16 nëntor 1943 shërbimi sekret dhe policia franceze e qeverisë së Vishisë e kishin arrestuar grupin (23 veta). Nuk ishte zënë Melenie, e cila ishte fshehur te një mike. Misaku me 22 shokë e bashkēkuftëtarë tjerë ishin pushkatuar mē 21 shkurt 1944 nga forcat pushtuese naziste.
Populli francez i nderoi dhe u ishte gjithmonë mirënjohës këtyre antinazistëve dhe luftëtarëve
liridashës, që ranë për lirinë e Francës. Por, qarqe të caktuara politike dhe shtetërore me bindje dhe ideologji të djathtë borgjeze nuk ishin shumë të interesuara t’ua njihnin meritat dhe t’ua jepnin vendin e duhur, sepse anëtarët e grupit të Misakut ishin të huaj (imigrantë në Francë) dhe pêr shkak se kishin qenë pjesë e Lëvizjes komuniste!!…
Sot, shteti francez, me vendim të Kryetarit të Republikës, në 80 vjetorin e pushkatimit të Missakut dhe bashkëluftëtarëve të tij i zhvarrosi dhe rivarrosi në Panteon me nderime të larta shtetërore. Me ta edhe Meleninë që kishte vdekur në vitin 1989. Kjo është mirënjohja dhe nderimi më i madh që populli dhe shteti francez u bënë këtyre heronjve të qëndresës-rezistencës franceze.
Franca dhe populli francez me vendosjen e këtyre 24 luftëtarëve dhe heronjve të huaj (etrangers) në Panteon, përkrah francezëve më të vlerësuar dhe merituar, shpalosi edhe njëherë vlerat e saj të larta qytetëruese, humane dhe demokratike para popujve të Evropës dhe të botës demokratike. Për këtë vendim dhe veprim Franca dhe populli francez meriton respektin e popujve liridashës (edhe të popullit shqiptar), që luftuan kundër ideologjisë më antinjerëzore dhe aleancës botërore nazifashiste që kërcënonte seriozisht vlerat civilizuese dhe të përbotëshme të njerëzimit…
Nga Franca dhe populli i saj do të duhejë të mësonte edhe politika sharlatane shqiptare, edhe shtetet tona shqiptare, që denigrojnë, mohojnë e përbaltin rezistencën dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u thurrin himne organizatave dhe figurave kuislinge e kolaboracioniste kriminele!…
Këto qarqe politike, qeveritare e mediatike (edhe religjioze), me origjinë kryesisht titiste dhe esadiste të njëjtën propagandë dhe fushatë të egër e bëjnë, edhe sot e gjithē ditën, edhe kundër përpjekjeve, angazhimit dhe Lëvizjes Kombëtare e Luftës sonë për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë!…