Komenti

Xh. Gjini: Gjakftohtësia e një bote të sunduar nga liria dhe e drejta për të vrarë e shkatërruar

GJAKFTOHTËSIA E NJË BOTE TË SUNDUAR NGA ARMËT VRASTARE E SHKATËRRIMTARE
Bota e lirive dhe e të drejtave të njeriut dhe bota e vlerave demokratike me shpejtësi po transformohet në një botë ku liria, e drejta, demokracia dhe vet jeta varet njëqind për qind nga më i forti!! Bota, që jetën e njeriut dhe mirëqenien e tij synonte t’i kishte synime dhe ideale të përbotëshme, po transformohet në një botë ku çdo gjë ka vlerë më të madhe se jeta dhe mirëqenia e njeriut!! Bota po merr të gjitha karakteristikat dhe përmasat e një barbarie të harruar, të një bote ku “njeriu për njeriun është ujk”, është vrasës gjakftohtë!!
Kur Serbia sulmoi Kroacinë dhe Bosnje Hercegovinën, duke dhunuar, terrorizuar, vrarë e masakruar dhe duke shkatërruar çdo gjë që arrinin armët e saj, bota e madhe në territor, pasuri, fuqi e civilizim tha se “ky ishte një rast i izoluar që nuk guxon të përsëritet”, “që nuk lejojmë të përsëritet në ndonjë vend tjetër”, etj.! Përsëritja në një formë dhe përmbajtje edhe më të tmerrshme ndodhi në Ruandë, para syve të disa Fuqive të Mëdha!! Për tre muaj u therrën dhe masakruan, tamam si të ishin bagëti, 800 000 njerëz!! Kot që kjo dramë e kjo tragjedi njerëzore u kualifikua nga OKB – ja si gjenocid…
Egërsirat serbe me pamje njeriu, të trimëruara edhe nga indiferenca dhe gjakftohtësia e Fuqive të Mëdha, të etura për gjak ia mësyn popullit të pushtuar shqiptar në Kosovë!! Persekutuan, dhunuan, vranë, masakruan dhe dëbuan popullin shqiptar të papenguar!! Po të mos kishim shtetin tonë AMË dhe po të mos kishim patur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mbase do të ishte harruar puna e Kosovës dhe e popullit të saj, siç ishin harruar qytete, fshatra e krahina shqiptare më herët… Vet ekzistenca e shtetit tonë shqiptar (Republika e Shqipërisë) dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trojet e pushtuara, sidomos LPK – UÇK – ja, ishin përcaktuese me ndikim vendimtar (pa përjashtuar arsyet gjeopolitike…) për ndërhyrjen ushtarake të NATO – s (nga qielli…). Ishte ndërhyrja e parë ushtarake e NATO – s! Ekzistenca e shtetit shqiptar dhe LPK – UÇK – ja ishin potencial i mjaftueshëm për ta shndërruar Luftën Çlirimtare në Kosovë në një luftë mbarëshqiptare, që do të digjte Ballkanin dhe do të përcëllonte Europën… Me çlirimin e Kosovës shqiptare (në kufijtë e krahinës autonome) çêshtja shqiptare ka hyrë në një fazë të re dhe, herêt a vonë, do të zgjidhet në plotninë e saj…
Histori dhe “filma” me protagonistë dhe me krime e shkatërrime makabre kemi parë e lexuar edhe në Irak, Siri, Jemen, etj.
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë putiniste për ta pushtuar Ukrainēn dhe lufta që po vazhdon edhe sot e ka çuar botën në një shkallë të lartë barbarie. Goditja e pallateve të banimit me raketa të llojeve e profileve të ndryshme, duke vrarë e plagosur fëmijë, gra, pleq e burra civilë ka shpërfaqur një egërsi dhe pashpirtësi të njeriut rus dhe të shtetit që sundohet me dorë të hekurt nga Putini… Miliona njerëz kanë ngelur pa shtëpitē e tyre dhe janë detyruar të kërkojnë strehë dhe shpëtim në vende tjera! Qindra fshatra e dhjetra qytete janë bërë rrafsh me tokë nga forcat pushtuese barbare të Rusisë…
Një muaj më parë, si të ishte bërë me porosi, plasi lufta izraelito – palestineze, që mund të quhet ndër konfliktet e pashuara dhe të pazgjidhura në atë pjesë të botës që nga Lufta e Dytë Botërore!!
Shkas për këtë luftë të një ushtrie të armatosur me të gjitha llojet e armëve që njeh bota kundër një populli duarthatë u bë sulmi terrorist i një organizate palestineze, HAMAS, ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Bota e dënoi me të drejtë sulmin e HAMAS-it dhe sidomos marrjen peng të rreth 200 izraelitëve…
Që nga ajo ditë Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës (popullin palestinez) me të gjitha llojet e raketave dhe armëve tjera shkatërrimtare e vrastare. Ka disa ditë që forcat izraelite kanë hyrë edhe me tanke e ushtri në Gaza dhe po shkatërrojnë e po vrasin këdo që gjendet në atë qytet, në kampe, etj.
Rripi i Gazës ështê një territor i vogël (340 km²) ku janë detyruar të jetojnë 2 300 000 banorë-palestinezë, mbi 5 000 banorë në 1 km²!! Kjo është dendësia më e madhe në botë e popullsisë!! Jo vetëm kaq! Ky territor ishte shndërruar në një kamp përqëndrimi, i rrethuar me mure e tela dhe i mbikëqyrur nga forcat izraelite, pa lejen e të cilave banorët nuk mund të largoheshin dhe as të ktheheshin!! Natyrisht që një popullatë si kjo dhe në kushte të tmerrshme izolimi nuk ka si të ketë simpati e të mendojë mirë për shtetin e Izraelit, që mbanë të pushtuara dhe i ka kolonizuar territoret, që, sipas marrëveshjeve të arritura dhe sipas shumë rezolutave të OKB-së, i takojnë shtetit palestinez që ishte menduar të krijohejë për palestinezët!
Pas 7 tetorit 2023 Bota e Madhe i dha përkrahje Izraelit dhe Qeverisë së tij të ekstremit të djathtë për ta “luftuar dhe çrrënjosur HAMAS-in dhe forcat e tij”… Mirëpo, ajo që po shohim çdo ditë e çdo orë Izraeli po bombardon dhe po shkatërron me raketa ultramoderne pallatet dhe shtëpitë e palestinezëve, shkollat dhe spitalet e tyre, duke vrarë, plagosur e masakruar fëmijë, gra, pleq e të rinj duarthatë!! Deri tash janë vrarë mbi 4 000 fëmijë (40 % e të vrarëve)!!! Që nga 7 tetori kësaj popullsie mbi 2 milionëshe i është prerë uji, energjia elektrike, karburanti dhe çdo lloj furnizimi a shërbimi tjetër!!!
Izraeli dhe ushtria e tij, e “komanduar” nga Netanjahu (ekstremist i djathtë), me aq sa po shohim e lexojmë, i ka vënë qëllim vetes shkatërrimin dhe çrrënjosjen e popullit palestinez në Gaza dhe, bashkë me të, çështjen palestineze!? Ky qëllim është kuptuar saktë dhe po shqetëson administratën e Bajdenit… Reagimet dhe “kritikat” e Qeverisë amerikane ndaj fushatës tmerrësisht shkatërrimtare dhe vrastare izraelite janë shtuar këto ditët e fundit! Pamjet e një Gaze tërësisht të shkatërruar dhe me fëmijë e civilë të vrarë, të gjymtuar e të zhdukur nën rrënoja të pallateve po trondisin shoqërinë njerëzore!! Liritë dhe të drejtat e njeriut janë kthyer në liri dhe të drejta të të fortit për të vrarë, masakruar, shkatërruar e zhdukur popuj të pambrojtur!! Qëndrimi moskokēçarës dhe gjakftohtë i botës ose përkrahja e kësaj fushate barbare i ngarkon me faj dhe i bënë bashkëpërgjegjës për këto krime kundër njerëzimit!
Bota e Madhe ka nxjerrë ligje e ka nënshkruar traktate që mbrojnë botën shtazore (edhe derrat e egër), që mbrojnē shpendët, balenat dhe specie tjera, kurse vrasjen në masë të fëmijëve dhe të njerëzve të pambrojtur po e shikon me një gjakftohtēsi dhe qetësi të frikëshme për njerëzimin!!! Shqetësim për Botën e Madhe nuk përbën vrasja dhe masakrimi i një populli me qëllim të shfarosjes së tij, por mundësia e zgjerimit të konfliktit-luftës nē rajon! Ky, siç po lënë të kuptohet, êshtë shqetësimi i vetëm për ta!!
Televizionet botërore po transmetojnë pamje që do të tronditnin edhe kafshët… Për çudi këto pamje nuk kanë tronditur akoma ndërgjegjien dhe shpirtin e qeverive të Botës së Madhe, të “civilizuar”!!
Kjo luftë mund të jetë e veshur herë – herë edhe me petkun fetar, por fetare nuk është… Populli izraelit do të duhejë të mos e kishte harruar persekutimin dhe holokaustin e përjetuar, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore!! Shteti izraelit nuk mund ta fitojē dhe as t’i “blejë” kurrë paqen, qetësinë, sigurinë, mirëkuptimin dhe simpatinë e popujve fqinj dhe të popujve paqedashës të botës duke përdorur dhunën, terrorin, përndjekjen, vrasjen, masakrimin dhe zhdukjen e një populli tjetër. Populli izraelit do të duhejë (siç po bëjnë disa grupe të vogla izraelite) të distancohejë nga terrori dhe krimi që po bënë shteti i tij ndaj një populli duarthatë…
Krijimi i shtetit palestinez (sipas marrëveshjeve të arritura më herët) do të ishte zgjidhja që do të siguronte paqen, sigurinë dhe rrojtjen në fqinjësi normale. Kjo zgjidhje do të ishte edhe në interes të rajonit të tensionuar dhe në interes të vet Izraelit…
Vendosja e paqesë dhe fqinjësisë normale midis Izraelit dhe popujve fqinj do të ishte në interes edhe të Ukrainës dhe luftës së saj, që Bota e Madhe po e përkrah…