Kulturë\Letërsi

Xh. Gjini: Fjala ime në emër të Shoqërisë LËVIZJA për librin: Shtegtime nëpër Atdhe

Miq të dashur të librit dhe të autorit!

Ju veprimtarë e luftëtar të mendjes e të pushkës për lirinë e trojeve shqiptare!

Zonja dhe zotërinj!

Libri në dy pjesë: Shtegtime nëpër Atdhe, që po përurojmë sot, është shkruar dhe përgatitur me përkushtim e mund pesëvjeçar nga autori Berat Luzha dhe është botuar nga Shoqëria LËVIZJA. Njohjen e Atdheut autori i këtij libri e kishte dëshirë jetësore. Në vitet e rinisë së tij, Berat Luzha dhe brezi i tij, u angazhuan, u organizuan, u përpoqën dhe luftuan që edhe trojet e robëruara të Atdheut ta fitonin lirinë, t’i fitonin të drejtat e mohuara kombëtare, politike e demokratike. Pushtimi, grabitja dhe copëtimi i dhunshëm i Shqipërisë nga shtetet shoviniste fqinje ishte shkaku i të gjitha fatkeqësive dhe tragjedive që përjetoi populli shqiptar në shekujt XIX dhe XX. Ky copëtim i Atdheut nuk u njoh dhe nuk u pranua në asnjë kohë dhe nga as një brez shqiptarësh.

Libri Shtegtime nëpër Atdhe ka dy vëllime, me nga 111 njësi dhe është i përshtatshëm për lexues të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Motoja: “Ta njohim Atdheun që ta duam më shumë” ka ardhur në shprehje më së miri në këtë libër. Autori në librin e tij të ndarë në dy pjesë ka përfshi qytete e fshatra dhe male e dete nga e gjithë gjeografia shqiptare, pavarësisht kufijve që ndajnë dhunshëm Atdheun tonë të vetëm, Shqipërinë. Lexuesi që do ta ketë fatin ta ketë këtë libër të veçantë, me vlera dhe të dhëna kulturore, historike, demografike, gjeografike, turistike, ekonomike, etj., do ta njoh dhe do ta dojë edhe më shumë Atdheun.

Të nderuar të pranishëm!

Jam i nderuar që sot m’u dha rasti t’i them pak fjalë për librin dhe autorin e këtij libri, Berat Luzhën, i cili është emër dhe personalitet i njohur për shqiptarët në Atdhe dhe jashtë tij. Shoku dhe miku ynë, Berat Luzha, përveç si veprimtar, i burgosur politik dhe luftëtar lirie, politikan e drejtues, është i njohur qysh herët edhe si gazetar, poet e publicist. Shkrimet e tij të shumta janë botuar në gazetën “Rilindja”, pastaj në gazetën atdhetare – ilegale “LIRIA”, në gazetën “Bashkimi” dhe në gazeta e revista tjera. Berati në vitin 1996 kishte udhëhequr me veprimtarinë e themelimit të Shoqatës së Burgosurve Politikë dhe ishte Kryetar i saj deri në vitin 2001. Gjatë Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK – së e të kombit shqiptar, Berat Luzha ka udhëhequr Drejtorinë e Shtabit të Përgjithshëm për Informim Publik dhe ka drejtuar projektin për themelimin e Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress” e të Radios “Kosova e Lirë”. Atdhetar dhe veprimtar politik i organizuar kundër pushtimit të tokave tona nga Jugoserbia, pjesëmarrës në demonstratat e Pranverës Shqiptare ’81, Berati ishte dënuar dy herë me 22 vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur nëntë vjet. Pas Luftës Berati është zgjedhur katër herë deputet, ka qenë zëvendësministër dhe ka ushtruar edhe detyra e funksione tjera politike e shoqërore.

Berat Luzha ka të botuar librin poetik: “Këngë burgu – këngë lirie”, librin monografik: “Një histori për Sylë Durmishin”, librin “Arkivi i Luftës” në katër vëllime dhe ka edhe libra tjerë në dorëshkrim.

Zonja dhe zotërinj!

Unë, nuk do të zgjatem më shumë, por e do puna dhe vendi që në emër të Shoqërisë LËVIZJA dhe në emrin tuaj t’i përshëndes bashkëfamiljarët e Beratit, farefisin dhe shokët e miqtë e tij të shumtë, që janë e që s’janë në këtë ngjarje përurimi e festimi, kurse shokut dhe mikut tonë të vyer t’i urojmë shëndet, mbarësi e libra të rinj për publikun! Urime Berat! Ju falemnderit për vëmendjen!