Komenti

Xh. Gjini: Bota që po egërsohet (dehumanizohet)

Bota që po egërsohet (dehumanizohet)

Histori e përfolur shkurtimisht

Që kur lindën dy fjalët ngatërrestare: “e imja”, “e jotja” (prona) lindën edhe mosmarrëveshjet, konfliktet dhe luftërat që nuk po i ndahen shoqërisë njerëzore as në shek. XXI të erës sonë! Kështu më duket ka lindur dhe s’është shuar kurrë (deri sot) edhe konflikti izraelito – palestinez (arab). Izraelitët besojnë se janë bijtë e Abrahamit, prandaj edhe toka e pretenduar qysh atëherë ishte e tyre. Mirëpo, edhe arabët besojnë se janë bijë të Ibrahimit (Abrahamit). Sipas tregimeve të vjetra në librat e tyre izraelitët janë pasardhës të Isakut (i biri Abrahamit), kurse arabët janë pasardhës të Ismailit, po ashtu i biri Abrahamit (Ibrahimit). Pra, sipas kësaj legjende këta dy popuj janë kushëri të parë. Konflikti midis tyre, në dukje, historikisht është bërë në emër të religjionit dhe për religjionin (besimin). Në fakt konflikti midis tyre, në lashtësi dhe sot, është bërë dhe po bëhet për tokën, që secili nga këta dy popuj e ka shpallur si “tokë të shenjtë”. Këtë fat tragjik e ka patur dhe e ka edhe Jerusalemi i pretenduar si qytet i shenjtë nga izraelitët dhe nga arabët (palestinezët).

Konflikte midis fisesh e popujsh ka patur edhe para erës sonë në këtë rajon. Mollë sherri në ato kohëra të lashta ishte edhe Jerusalemi, i pretenduar dhe i dëshiruar nga të gjitha palët. Mbretëria e Judës dhe ajo izraelite ishin mundur, kurse Jerusalemi ishte rrënuar. Izraelitët ishin dëbuar kryesisht në Galile (në Veri të Izraelit të sotëm). Ky qytet, Jerusalemi, ishte rrënuar deri në themelet e tij edhe nga romakët, në kohën kur izraelitët ishin ngritur në kryengritje kundër pushtetit të tyre. Kjo kishte ndodhur në shekujt e parë të erës sonë, kur krishtërimi kishte lindur dhe po përhapej në ato krahina. Në atë kohë, pas shtypjes së kryengritjes, romakët i kishin dëbuar izraelitët nga toka e tyre, kurse vendit i kishin dhënë emrin: Palestinë. Izraelitët e dëbuar nga vendi i tyre ikën dhe u vendosën në Spanjë e në shumë vende tjera të botës. Më vonë, për disa shekuj ato vende u pushtuan dhe u qeverisën nga Perandoria Otomane, deri në fillim të Luftës së Parë Botërore.

Ideja për një shtet izraelit në “tokën e premtuar”, ku do të vinin izraelitët nga të katër anët e botës, lindi në fund të shek. XIX. Tragjedinë më të madhe izraelitët e përjetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u ndoqën, u burgosën, u internuan, u vranë, u masakruan, edhe u dogjën të gjallë, nga nazistët gjermanë dhe aleatët e tyre. Kuptohet, rrugën që ka bërë populli izraelit gjatë shekujve e kanë bërë edhe disa popuj të tjerë. Shumë prej popujve të vegjël edhe janë zhdukur nga faqja e dheut nga vende, shtete e perandori të mëdha. Një fat i tillë tragjik e ka shoqëruar edhe popullin shqiptar, që dikur banonte gjithë Ilirinë…

 

Konflikti palestinezo – izraelit sot

 

Shekulli i ri (XXI) nga popujt liridashës e paqedashës dëshirohej të ishte shekull i të drejtave dhe lirive për botën dhe shoqërinë njerëzore, të ishte shekull i mirëkuptimit, marrëveshjes, sigurisë, paqes dhe përparimit në botë. Konfliktet në Aganistan, në Libi, në Irak, në Siri, në Azerbajxhan – Armeni, në Ugandë dhe, sidomos lufta Ruso – Ukrainiane, etj. e kanë tronditur botën dhe po bëhen si një uvertyrë e një lufte botërore. Ndarja e botës po formësohet përditë e më shumë në dy blloqe: Blloku Perëndimor me SHBA – në në krye dhe Blloku Lindor (Kina, Rusia…). Rifillimi i konfliktit palestinezo – izraelit, pas sulmit që ndërmori HAMAS – i kundër Izraelit, ka shumë mundësi të merr përmasat e një konflikti – lufte rajonale. Grupet dhe organizatat islamike, të lidhura dhe mbështetura kryesisht nga Irani, por edhe nga Katari e vende tjera, kanë potencial për t’i tërhequr në konflikt edhe vende si Libani, Siria, Irani, Jordania dhe mbase edhe Egjiptin e vende tjera arabe. Ndezja e zjarreve të reja i duhet më shumë Rusisë në këtë kohë që është e “zënë” me luftën në Ukrainë…

Shpallja e gjendjes së luftës nga shteti izraelit dhe mobilizimi i 300 000 ushtarëve për ta pushtuar Rripin e Gazës i ka rritur skajshmërisht tensionet në rajon. Sekretari amerikan i shtetit, Antonio Blinkeni, ka vizituar gjatë kësaj kohe të gjitha vendet e rajonit për t’i ulur tensionet. Edhe Kryetari amerikan i ka bërë thirrje Izraelit që të mos pushtojë Rripin e Gazës, sepse do të ishte një gabim i madh! Irani nga ana e tij ka deklaruar se pushtimi Gazës do të përbënte shkak për t’u përfshirë në këtë konflikt. Izraeli sot priti në vizitë Kryetarin amerikan, Bajdenin. Vizitë ka paralajmëruar edhe kancelari gjerman Olaf Sholci…

Sulmi i HAMAS – it me raketa, vrasja e rreth 1 000 njerëzve dhe marrja peng e mbi 150 qytetarëve izraelitë është dënuar nga shumica e vendeve si sulm dhe akt terrorist. Si përgjigjie ndaj këtij sulmi Izraeli ka 12 ditë që po bombardon Rripin e Gazës me të gjitha llojet e armëve pa marrë në shenjë, siç i thonë fjalës. Deri tash janë vrarë rreth 3 000 qytetarë palestinezë. Mbi dy milionë njerëzve, që jetonin në Gaza, u është prerë uji, ushqimi, energjia elektrike dhe çdo lloj furnizimi apo shërbimi. Bombardimet e pandërprera dhe kërcënimi për ta pushtuar këtë copë tokë me forca tokësore i ka detyruar mbi 1 milion njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre drejt kufirit me Egjiptin. Mirëpo, qeveria egjiptiane është e vendosur që ta mbajë të mbyllur kufirin. Këtë qëndrim të palëkundur mbajti edhe sot Kryeministri egjiptian në takimin që pati me kancelarin gjerman, Olaf Sholcin…

Goditja e spitalit në Gaza dhe vrasja e mbi 400 njerëzve të sëmurë e të plagosur tronditi botën dhe njerëzimin. Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush. Izraeli po kërkon t’ia hedh fajin një organizate islamike (“Xhihadi islamik”), kurse HAMAS -i, palestinezët dhe arabët po e akuzonjnë Izraelin për shkatërrimin e spitalit dhe vrasjen e mbi 400 njerëzve (pacientëve) në këtë spital. Goditja me raketë e spitalit në Gaza ka indinjuar dhe zemëruar arabët pa dallim dhe botën e civilizuar. Bashkimi Evropian dhe shumë shtete të botës e dënuan sulmin ndaj spitalit dhe kërkuan të mblidhen fakte dhe të dihet kush qëlloi spitalin. “Izraeli ka të drejtë të mbrohet, thanë përfaqësuesit e BE – së, por kjo e drejtë ka kufijtë e saj dhe nuk i jep të drejtë të vrasë  civil të pafajshëm”…

Bombardimet e pallateve me banorë civilë dhe shkatërrimi i tyre në Ukrainë dhe tash në Rripin e Gazës, si dhe goditja e spitaleve, ndalja e ujit, e energjisë elektrike dhe e ushqimit për miliona njerëz janë shenja dhe fakte që provojnë se po tronditen themelet e humanizmit dhe se bota po dehumanizohet… Vrasja masive e njerëzve të pambrojtur dhe shkelja pa pikë frike e të gjitha konventave ndërkombëtare tregon se bota ka hyrë në një epokë të kaosit, dhunës, terrorit, krimit dhe shfarosjes së njerëzve nga shtete dhe vende që kanë potencial për të vrarë e shkatërruar në masë, siç është rasti i Rusisë në Ukrainë, etj. Tmerret dhe barbaritë që po kryhen nga njeriu kundër njeriut po krijojnë opinionin se: s’paska kafshë më të egër se njeriu!…

Konflikti i rindezur izraelito – palestinez i kohës sonë i ka rrënjët në vitin 1948, kur OKB – ja kishte propozuar krijimin e dy shteteve në atë hapësirë: shtetin e Izraeli dhe shtetin e Palestinës. Izraelitët krijuan shtetin e tyre, kurse arabët kundërshtuan krijimin e tij dhe nuk pranuan krijimin e shtetit palestinez. Pas konflikteve izraelito – arabe toka e propozuar për shtetin palestinez u pushtua nga Izraeli, nga Egjipti, Jordania… Kështu nisi vuajtja pa fund e popullit palestinez, i cili nuk la formë, rrugë e mjet pa përdorur për çlirimin e tokave të tij.

Konflikti i fundit dhe kërkesa e Izraelit që palestinezët, kryesisht refugjatë, të ikin edhe nga Rripi i Gazës duket që ka për synim “zgjidhjen” njëherë e mirë të çështjes palestineze dhe heqjen e krijimit të shtetit palestinez nga rendi i ditës! Rripi i Gazës i paska rreth 360 km katrore… Në këtë hapësirë kaq të vogël janë detyruar të mblidhen dhe të jetojnë mbi 2 milionë palestinezë (të rrethuar me tela e mure), që do të thotë mbi 5 000 banorë në një km katrore!! Dendësia më e madhe në botë! Kjo pozitë e popullit të copëtuar dhe të shtypur palestinez detyrimisht do të prodhojë tensione, konflikte, dhunë e vrasje pa fund. Prandaj, Izraelitët dhe palestinezët duhet të ndihmohen nga Fuqitë e Mëdha dhe nga vendet arabe që të “pajtohen” për një zgjidhje afatgjate me marrëveshje. Krijimi i shtetit palestinez dhe heqja dorë e Izraelit nga tokat e pushtuara do të ishte zgjidhja e duhur dhe e qëndrueshme. Kjo zgjidhje paqësore do të përmirësonte marrëdhëniet e Izraelit edhe me vendet fqinje arabe. Dhuna, terrorizmi, bombardimet – raketimet, vrasja dhe lufta nuk do të kenë fitimtarë. Palestinezët dhe izraelitët munden dhe meritojnë të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Për këtë duhet ndihma e botës demokratike, ndihma e atyre që kanë interea në atë rajon…