Kulturë\Letërsi

Xh. Gjini: Baba, babi apo atë?

BABA, BABI APO ATË?

Gjuha shqipe nuk mund të kishte fat tjetër nga ai që pati populli ynë ndër shekuj. Në periudha të ndryshme Iliria – Arbëria – Shqipëria ishte e pushtuar nga perandori të fuqishme që shtriheshin në tri kontinente. E tillë ishte Perandoria Romake, ajo Bizantine dhe e fundit Perandoria Otomane. Në rrethana të tilla ruajtja e pastërtisë së identitetit gjuhësor, shpirtëror e kulturor nuk ishte e lehtë. Të ishe në një marrëdhënie të tillë me pushtues të fuqishëm dhe me gjuhë që ishin në përdorim nga kisha e xhamia e pushtuesit dhe nga administrata, ushtria, etj. e tyre do të thoshte t’i ekspozoheshe rrezikut të ndikimit dhe huazimit të fjalëve nga gjuha e pushtuesit. Jo pak popuj edhe u shuan fare! Është fat i madh që gjuha shqipe, kultura dhe tradita jonë në një pjesë të rëndësishme të gjeografisë së saj mbijetoi. Madje, siç dëshmohet nga studiuesit tanë dhe të huaj, gjuha shqipe nuk ishte vetëm marrëse, por edhe dhënëse. Në marrëdhënie me gjuhën e pushtuesit dhe me gjuhët e fiseve dhe popujve që erdhën dhe u vendosën në tokën ilire – arbërore – shqiptare gjuha shqipe edhe u dha gjuhëve të tyre shumë fjalë nga fjalori (leksiku) i saj… U takon studiuesve tanë, edhe të huajve, që të hulumtojnë dhe provojnë se ka një fond të rëndësishëm të fjalëve të shqipes në gjuhët romane (latine), në gjuhën turke, në gjuhën greke dhe në gjuhët sllave. Duke qenë një prej gjuhëve më të lashta në botë shqipja jonë u ka dhënë shumë gjuhëve me të cilat ishte në marrëdhënie pushtimi ose fqinjësie.

Fjalë e huaj, që ka hyrë në gjuhën shqipe dhe që përdoret dendur është fjala BABA (në kohën tonë edhe babi). Prindin e tyre fëmijët shqiptarë e thërrasin: babë, baba ose babi! Brezi im ishte frymëzuar nga librat dhe nga pedagogët që vinin nga Tirana, sidomos në vitet e shtatëdhjeta. Ndikim po kaq të madh në edukimin dhe formimin gjuhësor, kulturor e kombëtar të brezit tim kishin edhe Radio Tirana, Radio Kukësi dhe Televizioni shqiptar me emisionet e tyre për gjuhën, kulturën, traditën, historinë, etj. Që në moshë të re, “për veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, u arrestova dhe u dënova me burg nga gjykata pushtuese e Jugoserbisë. Të arrestuar dhe dënuar me shumë vite burg ishin me mijëra të rinj e të reja anembanë trojeve të pushtuara shqiptare nga Jugoserbia. Pushtuesit po i rrëshqiste dheu nën këmbë. Populli shqiptar nuk e duronte më zgjedhën e rëndë të “vëllazërim – bashkimit” jugoserb, që nga rinia shqiptare, klasa punëtore, inteligjencia dhe fshatarësia përkthehej si shtypje, persekutim, dhunë, terror, burg, torturë, dëbim e vrasje e popullit shqiptar.

Gjatë vuajtjes së dënimit për disa muaj më vendosën edhe në burgun e Gurakocit (afër Burimit), ku ishin edhe mbi 50 të burgosur politikë shqiptarë. Aty m’u dha rasti i mirë të lexoja disa nga veprat e gjuhëtarit tonë të shquar, Eqrem Çabej. Në njërin nga vëllimet e Çabejt ishte i përfshirë edhe një artikull shkencor me titull: Mbi pastërtinë e gjuhës. Aty gjuhëtari ynë i dalluar kishte trajtuar çështjen e ruajtjes së gjuhës nga ndikimet e huaja, vjeljen e fjalëve që kërcnoheshin me harresë dhe mbulesë nga zhvillimi i shpejtë dhe ndryshimet që po bëheshin në mënyrën e jetesës, në mënyrën e prodhimit të të mirave materiale, nga ndikimet e artit, kulturës, mjeteve të komunikimit masiv, ndikimet e gjuhëve të huaja e tjera. E ngutshme, shkruante Çabej, është vjelja e fjalëve që janë “harruar” e që po harrohen dhe futja e tyre në përdorim të përditshëm. Në artikullin e tij “Mbi pastërtinë e gjuhës”, ai tregonte shembullin e irlandezëve, gjuha e të cilëve ishte “mbytur” nga anglishtja. Studiuesit irlandezë, shkruante Çabej, hulumtojnë e gjurmojnë fjalë të harruara e të mbuluara nga shekujt dhe i fusin në përdorim, madje edhe fjalë që nuk përdoreshin qzsh nga shekulli XII. Rifutja e një fjale të “harruar” në të folurin e sotëm ka vështirësitë e veta, thoshte Çabej. Në fillim fjala e “re” nuk e kënaq veshin tonë, por me kalimin e kohës vjen e bëhet fjalë krejtësisht e natyrshme për veshin dhe për folësin. Prandaj, bënte thirrje Çabej që të mos ngurrojmë t’i rikthejmë këto fjalë të vjetra të gjuhës sonë në vend të fjalëve të huaja (parafrazim), etj..

Në atë kohë, më kishte lindur fëmiu i parë (djalë). Artikulli që lexova (Mbi pastërtinë e gjuhës) ishte vendimtar që të merrja “vendimin”: Djali im do të më thërriste Atë e jo baba ose babi. Ndoshta kam qenë i pari shqiptar që kisha marrë këtë vendim në kohën tonë, kur fjala ATË ishte “harruar” dhe mbuluar nga shekujt dhe nuk ishte më në gojën e shqiptarit. Kjo fjalë jetonte dhe ruhej vetën në libra dhe te kleri i krishter shqiptar. E provova dhe më doli tamam siç e kishte thënë Çabeji ynë. Ishte shumë e rëndë dhe aspak e këndshme për veshin e prindërve të mi, por edhe për familjen dhe farefisin. Ku ishte parë që fëmiu ta thërriste babain e tij, ATË! E padëgjuar në anën tonë, po edhe më gjerë në shqiptari. Ai që s’e pati fare problem ishte djali – fëmiu, të cilin gruaja, prindërit, motrat… e kishin mësuar të më thërriste “babi”, ani që më njihte vetëm nga fotografia. Kur dola nga burgu i thashë: “Dëgjo Labinot (Labi)! Tash e tutje do të më thërrasësh ATË. Unë jam ATI e jo babi. Nga ai çast djali nuk gaboi asnjëher të vetme. Mirëpo, të tjerëve u duhej kohë që ta mësonin veshin me këtë fjalë të “re”. Por, vetëm pas disa muajve u bë krejt e natyrëshme që edhe prindërit, motrat dhe farefisi t’i thoshin djalit krejt natyrshëm: Erdhi ati, shko te ati, atë merre djalin, etj. Pas tij edhe tre djemtë tjerë kështu më thërrasin. Edhe fëmijët Labinotin e thërrasin atë. Njësoj edhe fëmijët e djalit të dytë, Arbanit. Por, nuk ndodhi kështu me vëllaun dhe me motrat. Nuk e patën “forcën” t’i mësonin fëmijët e tyre me këtë fjalë të lashtë të shqipes! Mbetën pengje të “modës” dhe të fjalëve të huaja, që janë ngulitur me shekuj dhe nuk është e lehtë të shkulen nga gjuha jonë! Forca e zakonit është e tmerrshme! Madje, edhe fjalë të huaja, që kanë hyrë krejt vonë në gjuhën tonë (pasul, kompir, pleskavicë, vullkanizer, lepak e shume fjalë tjera nga italishtja, anglishtja, arabishtja, turqishtja, greqishtja…), nuk po shkulen dhe dëbohen nga gjuha jonë e bukur dhe e lashtë sa vetë perënditë. Përgjegjësia më e madhe bie te shkolla dhe mësuesit, te politika dhe mediat, etj., por edhe te secili prej nesh. Sa shumë përkushtim e përpjekje bënë rinia jonë për ta mësuar dhe folur e shkruar me pikë e me presje një gjuhë të huaj, me shqiptim e intonacion, aq sa mund t’i marrësh për anglezë, italianë, arabë, turq, etj.. Të njëjtit, kur i lexon si shkruajnë dhe kur i dëgjon si flasin gjuhën e tyre, gjuhë perëndie, zhgënjehesh dhe revoltohesh e thua: ç’janë këta që nuk tregojnë pikën e respektit për gjuhën e tyre?!! Edhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi politikën – qeverisjen, që bënë politikat arsimore dhe mbi shkollën e mësuesit tanë, që janë edhe vetë larg asaj që quhet kulturë dhe vlerë gjuhësore e një kombi të qytetëruar…