Lëvizja\UÇK

Xh. Gjini: Akademi nderimi dhe falënderimi në 60 – vjetorin e vrasjes së Mësuesit Atdhetar SHABAN SHALA dhe 41 – vjetorin e LPK – së

NJOFTIM – FTESË PËR BASHKËKOMBËSIT TANË NË BESJANË
Motra dhe vëllezër shqiptarë të Besjanës (Llap e Gollak)!
Përvjetori historik i bashkimit politik të organizatave patriotike shqiptare – i krijimit të LPK – së në Besjanën tuaj shënohet ditën e 60 – vjetorit të Shaban SHALËS – mësues atdhetar, qëndrestar e luftëtar i paepur për lirinë e kësaj toke, për gjuhën tonë hyjnore dhe për Flamurin tonë kuqezi – i vrarë nga organet shtetërore terroriste të pushtuesit (Jugoserbisë). Në kohën e persekutimit, reprezaljeve, terrorit, shpërnguljes me dhunë, burgosjeve dhe vrasjeve pa gjyq, në tortura e në prita te kurdisura, patriotë si Shaban SHALA, të përkushtuar dhe të angazhuar edhe me jetën e tyre, ishin të rrallë. Prandaj, brezi ynë dhe brezat pas nesh duhet t’i kujtojnë dhe të përulen me nderim të thellë para jetës, përpjekjeve dhe luftës së Tyre për lirinë e popullit të pushtuar shqiptar dhe për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Rinia jonë shkollore duhet të rritet dhe edukohet me shembullin e Tyre… Atdhetarë intelektualë, liridashës e revolucionarë si: Adem Demaçi e Ahmet Haxhiu, Shaban Shala, Afrim Zhitija, Fahri e Bahri Fazliu, Ali Ajeti, Besim Latifi e Skender Munolli, Hasan Ramadani, Zahir Pajaziti, Ilir Konusheci e Hakif Zejnullahu, Agron Rrahmani dhe shumë të tjerë, bijë të Llapit e Gollakut, para e pas tyre, ishin dhe janë burim i pashterrshëm frymëzimi dhe atdhedashurie për brezat e tashëm e të ardhshëm jo vetëm të kësaj krahine të Shqipërisë, por për krejt Atdheun tonë të përbashkët dhe për shqiptarët kudo në botë. Në jetë të jetëve Nderim e Lavdi për Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut!