Kulturë\Letërsi

Xh. Gjini: 50 – VJETORI I DALJES SË GAZETËS SË PARË KOMBËTARE, DEMOKRATIKE E LIRIDASHËSE PAS LDB NË TROJET E PUSHTUARA TË SHQIPËRISË

50 – VJETORI I DALJES SË GAZETËS SË PARË KOMBËTARE – ÇLIRIMTARE NË TROJET E PUSHTUARA TË SHQIPËRISË, “ZËRI I KOSOVËS”
Në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, po mbahet Akademi për 50 – vjetorin e daljes së gazetës së parë kombëtare-çlirimtare në trojet e pushtuara të Shqipërisë… Gazeta “ZËRI I KOSOVËS” ishte përgatitur dhe shtypur nga Grupi Revolucionar i Kosovës. Nr saj i parë doli në shkurt të vitit 1974, kurse numri 2 ishte botuar në prill të atij viti… AKADEMIA që po mbahet është organizuar nga Shoqëria LËVIZJA dhe nga Shoqata e të Burgosurve Politikë…
Kjo ishte gazeta e parë demokratike e liridashëse që dilte në tokat e pushtuara të Shqipërisë pas LDB. Dalja e saj mu në Prishtinën e pushtuar e kishte tronditur Jugosllavisë komunisto-titiste pushtuese dhe aparatin e saj represiv…
Ribotimin e saj e vazhdoi Jusuf Gërvalla në vitin 1981, në Gjermani… Gazeta “Zëri i Kosovës”, pas bashkimit politik të organizatave patriotike më 17 Janar 1982, u bë organ i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe ishte gazeta më jetëgjate e Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare… “ZËRI I KOSOVËS” ishte njëkohësisht edhe gazeta e vetme e USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS… Ajo përfundoi daljen e saj, aty ku kishte dalur nr i saj i parë, në Prishtinën, tashmë të çliruar…
“ZËRI I KOSOVËS” u bë ZËRI i atdhetarëve, revolucionarëve, veprimtarëve dhe intelektualëve liridashës, i demokratëve dhe i popullit të pushtuar shqiptar… Gazeta “Zëri i Kosovës” ishte dritarja nga hynin rrezet e lirisë në trojet e pushtuara të Shqipërisë. Ajo mbolli shpresën dhe farën e lirisë te rinia heroike shqiptare, të cilën nuk e thyenin as persekutimet, as reprezaljet, as dhuna, as torturat, as vrasjet, as terrori dhe as burgjet e pushtuesit jugotitist e jugokomunist…