Shqipëria/Aktualitet

Xh. Bislimi: Përfaqësues të popullit shqiptar apo papagaj të Mickovskit

PËRFAQËSUES TË POPULLIT SHQIPTAR APO PAPAGAJ TË MICKOVSKIT
Qarqe të caktuara nacional-shoviniste, të lidhura ngushtë me partinë dhe Qeverinë e Mickovskit, po angazhohen për destabilizimin e marrëdhënieve midis popullit shqiptar dhe maqedonas! Fushata e organizuar, institucionalisht, nga VMRO-ja dhe qarqet nacionaliste e shoviniste, kundër gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj zyrtar janë argument dhe tregues se partia dhe qeveria e Mickovskit po i fryejnë mosdurimit dhe acarimit të marrëdhënieve me popullin shqiptar në Maqedoninë e tij, gjë që mund të shpie në një destabilizim të përgjithshëm të këtij vendi…
Destabilizimi i Maqedonisë së Veriut mund të jetë interes i ndonjë vendi si Rusia luftënxitëse dhe satelitja e saj, Serbia, por nuk është interes i popullit maqedon (sllav).
Qeveria e Mickovskit dhe institucionet shtetërore të Maqedonisë duhet ta kenë të qartë (kaq gjë do të duhejë ta kishin mësuar!) se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të mbahet në këmbë vetëm si shtet i dy popujve të barabartë: shqiptarëve dhe maqedonëve sllavë!
Këtë gjë duhet ta kuptojnë edhe partizat shqiptare, që u bashkuan me VMRO- në e Mickovskit. Zëvendëskryeministri, Mexhiti, Kryetari i Kuvendit të Republikës, Gashi, dhe gjithë zyrtarët qeveritar e partiak të VLEN-it, pavarësisht se nuk e morën besimin e popullit shqiptar me votë, duhet të mendojnë, të paraqiten, të sillen e të veprojnë si përfaqësues të popullit të tyre dhe të interesave të tij e jo si papagaj të Mickovskit!! Nuk po u ka hije hiç, kur po dalin (menjëherë pas tij) dhe po përsërisin deklaratat demagogjike të Mickovskit, kuptohet të përkthyera!
Mendoni se mund t’i gënjeni e mashtroni shqiptarët!? Gaboheni, zotërinj! Cili shqiptar nuk e di që Mickovski dhe partia e tij ishin dhe janë kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve (gjuhës shqipe)? Edhe ju e dini që kjo parti pati braktisur sallën e parlamentit, kur u votua ky ligj në vitin 2019. Ishte Mickovski dhe partia e tij që gjatë gjithë këtyre viteve e quajtën këtë Ligj “antikushtetues”, me çka frymëzuan dhe nxitën qarqe e grupe nacional-shoviniste kundër këtij Ligji dhe kundër barazisë midis dy popujve tanë! Po kjo parti, dhe, po kjo qeveri, po manipulon edhe pas ardhjes në pushtet, me ndjenjat nacionaliste e shoviniste të një pjese të popullsisë sllave, duke i ndërsyer kundër të drejtave themelore demokratike, politike e kombëtar të popullit shqiptar në Republikën e tij. Në emër të këtij nacionalizmi e shovinizmi të dalldisur Mickovski dhe partia e tij po e përdor pushtetin dhe sistemin shtetëror (edhe Gjykatën Kushtetuese) për t’i zhvlerësuar dhe shkelur e mohuar të drejtat minimale të shqiptarëve, të fituara me shumë përpjekje, mund, luftë e gjak!
I “akomoduar” me përkrahjen pa kushte që po i jep VLEN-i i taravolëve, Mickovski, për ta trembur pjesën që kishte fituar besimin e popullit shqiptar, po e kërcënon përditë me arrestime e burgosje, tamam si të ishte kryehetuesi, kryeprokurori e kruegjykatësi e jo Kryeministri i një Republike demokratike!! Paska harruar ky Mickovski korrupcionin dhe krimin galopant të VMRO-së dhe të Qeverisë së Gruevskit, që iku nga vendi! Mbase nuk ka harruar ky farë Mickovski se si u përdor drejtësia dhe aparati shtetëror për shtypjen dhe dhunimin e të drejtave të shqiptarëve?!
Mikja jonë e demokracisë dhe e drejtësisë, SHBA-ja, do të kontribuonte shumë sikur ta kishte zgjeruar listën e personave të padëshiruar (“listën e zezë”) me disa nga politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, miq e kolegë të Mickovskit, që jo vetëm ndikuan, por e përforën brutalisht e barbarisht drejtësinë dhe sistemin (shtetin), para dhe pas vitit 1990, për shtypjen dhe mohimin e të drejtave themelore të popullit shqiptar dhe për mbushjen e burgjeve me shqiptarë…
Në kohën që kërkohej bsshkimi dhe garimi i partive politike shqiptare me një listë, për marren e tij dhe për të dobësimin e pozitës së shqiptarëve, krah dhe kumbar i VLEN-it, u bë edhe Kryeministri i Kosovës, që edhe në një konferencë shtypi me Mickovskin, deklaronte se “gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni”!! Tamam në kohën kur Mickovski po angazhohet ta ndryshojë ose shfuqizojë ligjin që e bëri shqipen gjuhë zyrtare në Maqedoni!! O tempora, o mores!
Kam besim që ka akoma qarqe e personalitete të arsyeshme në krahun maqedon-sllav që nuk do të pajtohen me shkeljen dhe mohimin e të drejtave të popullit shqiptar në këtë Republikë… Me gjithë vërejtjet që kam për VLEN-nin, kam besim që drejtuesit e këtij koalicioni (pjesë e Qeverisë) nuk do të pajtohen me çfarëdo cenimi e shkelje që Mickovski dhe partia e tij mund t’u bëjnë të drejtave të shqiptarëve… Ndryshe duhet të shfrytëzohet e drejta e bashkimit të natyrshëm me shtetin Amë, Republikën e Shqipërisë.