Kulturë\Letërsi

Xh. Bislimi: Duhanxhinjtë e papërgjegjshëm

DUHANXHINJTË E PAPËRGJEGJSHËM!
Në Evropën tonë, aq të admiruar e dëshiruar, ndalimi i duhanit në hapësira të mbyllura (më vonë edhe në hapësira publike) është çështje që i takon të shkuarës, historisë… Në shtetet e BE – së askujt nuk i shkon ndër mend që ta ndez cigaren në ambiente të mbyllura, të destinuara për njerëz (as në banesa), dhe as në hapësira publike…
Në Kosovën shqiptare (shtet i pavarur e sovran…) të rralla janë kafenetë, restaurantet, shkollat, zyrat dhe mjediset tjera publike ku nuk pihet duhani, pija më e dëmshme dhe më absurde që përdor njeriu i pa bereqet në kry!! Duhani pihet për shtatë palë qejfe edhe në hapësirat publike (rrugë, sheshe…)!! Duhani në mjedise (lokale) të mbyllura dhe në hapësira publike pihet edhe nga zyrtarë qeveritarë, deputetë e zyrtarë komunalë (të pushtetit vendor)!!
Ligji që ndalon pirjen e duhanit në këto hapësira është i qartë dhe i pakompromis… Por, ah medet! Kush ta zbatojë ligjin në këtë vend, ku shkelësit e parë janë ata që miratojnë ligjet dhe ata që duhet t’i zbatojnë ato!!
Rrallë kund mund të gjesh një kafene, ku mund të ulesh e të pish një kafe pa mjegullën e dendur të tymit të duhanit!! Verës mund të uleshe jashtë mureve të kafenes, por në kushte dimri je i dënuar nga duhanxhinjtë e pacipë, që me tymin e tyre helmojnë edhe ata që s’pijnë duhan!!
Kjo gjendje e “pashpresë” është edhe në Viti, ku jam i “dënuar” ndonjëherë të pi kafenë me shokë e miq!! Njeriu pyet veten: Kemi apo s’kemi organe ligjzbatuese?!!
S’ke si të mos indinjohesh edhe me njerëzit që në shtëpitë e banesat e tyre nuk pinë duhan, kurse në kefene e vende tjera publike ndezin cigaret njërën pas tjetrës pa fijen e turpit dhe pa pikën e edukatës!!
Praktikë dhe sjellje tjetër primitive është edhe muzika, kryesisht e huaj, pa asnjë vlerë dhe me zë të lartë në kafenet tona!! Pronarët e kafeneve as që duan t’ia dinë dhe as që pyesin për shijet muzikore të mysafirëve!! Dallimi midis diskotekës dhe shumë kafeneve është i vogël!!… Nga muzika me zë të lartë dhe krejt e pakuptueshme për mysafirët ngjan që nuk mund të llafosësh me shokët në tavolinë!!…