Histori

Vrasja e Haxhi Zekës nga Serbia me dorën e Adem Zajmit

Haxhi Zeka ka qenë një ndër organizatorët e Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Vite më vonë u përpoq dhe themeloi Besëlidhjen e Pejës në frymën e Lëvizjes Kombëtare për lirinë e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar.

Haxh Zeka lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, por familja e tij u shpërngul në Pejë.  Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte forcat e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani. Haxhiu me parat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.

Së bashku me Sylejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonte të rimëkëmbëte Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj për mbrojtjen e tokave të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre në një vilajet. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.

Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me madhshti nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë.

Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës, ku u mblodhën 450-500 delegatë dhe u themelua Lidhja e Pejës, e cila Haxhi Zekën e zgjodhi kryetar të Komitetit të saj dhe përfaqësonte programin e Komitetit të Stambollit. Shumë qytete e krahina shqiptare u solidarizuan Besëlidhjen e Pejës.

Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve shovinistë. Në shkurt të 1901, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.

Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviq, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.

Haxhi Zeka u vra nga Serbia me dorën e Adem Zajmit më 21 shkurt 1902, në pazarin Pejës. Vrasja e tij e dobësoi Besëlidhjen e Pejës dhe organizimin e forcave për mbrojtjen e tokave të Shqipërisë nga pazarllëqet e Perandorisë Osmane dhe fqinjët shovinistë, që po grabisnin fshatra, qytete e krahina të Shqipërisë, edhe me ndihmën dhe miratimin e Fuqive të Mëdha…