Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Kapitalistët tanë “të ndershëm”, e majta që mungon dhe pabarazia e skajshme mes shumicës dhe një pakice harbute

Kapitalizmi është amoral. Është i mirë për të shtuar pasurinë, por është i keq në shpërndarjen e saj. Po të mos zhvillohet brenda një kuadri moral ai do të krijojë një shoqëri të padrejtë – Charley Reese (Çarli Rijs), gazetar konservator amerikan i shek.XX

Po të dëgjosh propagandën e pakufishme që bëhet prej tridhjetë vitesh tek ne rreth shoqërisë dhe sistemit politik në të cilin jetojmë, të krijohet përshtypja se jemi në parajsë. Këtë “parajsë” e etiketojnë si “ferr” individët dhe forcat politike opozitare.

Mirëpo për dreq, sapo vijnë në pushtet apo përfitojnë prej pushtetit të radhës e kthejnë në anën e përkundërt “pllakën”. Parajsa bëhet ferr dhe ferri parajsë brenda natës.

Propaganduesit (dhe mashtruesit) më të zellshëm janë kategoria e personave që gjatë kësaj periudhe kanë përfituar pushtet dhe pasuri, më së shumti në mënyrë të padrejtë dhe me rrugë e mjete kriminale.

Duke pasur parasysh kriteret që ata përdorin për vlerësimin e gjendjes së punëve dhe të shoqërisë, ne duhet t’iu japim të drejtë.

Ata na thonë se na mjafton liria për të folur, për t’u organizuar në parti politike ose për t’iu bashkuar palës që duam, për t’u grumbulluar e protestuar, si dhe për të zgjedhur cilindo që duam gjatë periudhave zgjedhore. Ky është refreni që dëgjojmë në çdo ligjërim politik apo mediatik.

Për t’u dukur simpatikë, joshës dhe interesantë, sistemit politik në të cilin jetojmë i kanë vënë emrin “demokraci”, domethënë “sundim i popullit”.

Po t’iu thuash se këto nuk mjaftojnë që shoqëria shqiptare të jetë e drejtë e demokratike, ata të kundërvihen menjëherë, duke të bërë pyetjen “asgjësuese”: Pse, çfarë kërkon ti, diktaturën e Hoxhës?

Po të kthehesh e t’i pyesësh: Si ka mundësi që shumica e popullit nuk është e kënaqur me “sundimin e vet” dhe, shpesh, njerëzit bien në dëshpërim, ngaqë e shohin të pamundur ta ndryshojnë thelbin dhe cilësinë e “sundimit të vet”, ndonëse zgjedhjet i ndryshojnë ekipet qeverisëse, ata zgërdhihen dhe thjesht të thonë se “megjithatë ne jetojmë në demokraci”.

Demokracia reale nuk përcaktohet thjesht nga fakti nëse ai që ndodhet në nevojë apo i shkelen të drejtat e tij, ka të drejtë dhe mundësi të ngrejë zërin e të ankohet, por nga fakti se sa dëgjohet zëri i tij dhe sa ekzistojnë mundësitë praktike që t’i plotësohen nevojat dhe t’i jepen të drejtat kushtetuese, pa e sorollatur, vonuar, diskriminuar dhe shtrënguar të përdor ryshfetin. Edhe kafshët kanë të drejtë të bërtasin përpara se t’i therrin, por kjo nuk i shpëton nga vdekja.

Fakti që, sipas të dhënave të Bankës Botërore, 57% e shqiptarëve ndodhen jashtë vendit dhe 50% e atyre që jetojnë në Shqipëri duan të ikin jashtë, është treguesi më i mirë se ne nuk jetojmë në demokraci, por në një kapitalizëm të pazhvilluar dhe, mbi të gjitha, të padrejtë.

Shkaku kryesor i ikjeve dhe prirja e qëndryeshme për ta lënë vendin nuk kushtëzohen nga pamundësia për të siguruar minimumin jetik, por nga ekzistenca trishtuese e padrejtësisë në marrëdhëniet shtet-shtetas dhe midis vetë shtetasve.

Njëra nga anët më të dukshme të padrejtësisë shoqërore është krijimi i një pabarazie të llahtarshme midis një pakice të privilegjuar, harbute, të pacipë e grabitëse, dhe shumicës së qytetarëve që jetojnë në zgrip.

Këtë pabarazi e bën edhe më të papranueshme dhe revoltuese fakti se shumica e të pasuruarve e kanë arritur këtë pa pasur kurrfarë meritash dhe pa mundime. E kanë arritur duke përdorur rrugë e mjete amorale dhe të paligjshme. Kur qytetari shqiptar shikon se qeveritarët e të gjitha krahëve vihen në poltronin e pushtetit me votën e tij, por shërbimet kryesore ia bëjnë pakicës së lartpërmendur, atëherë ai dëshpërohet dhe mendon largimin nga vendi.

Këto kohët e fundit, në kuadrin e trushplarjes, po na thonë se do të botojnë edhe libra “ideologësh” të mëdhenj perëndimorë që tregojnë se “demokracia është më e qëndrueshme sa më e madhe të jetë pabarazia shoqërore”.

Një “demokraci” e tillë, në fakt, është e rreme sepse ajo është oligarki (kapitalizëm oligarkik) ku një pakicë stërpasurohet dhe me pasurinë që përqendron në duart e saj imponon ligje dhe sisteme që i shërbejnë asaj në kurriz të shumicës, duke e bërë votën popullore të pavlefshme.

Për këtë pakicë, kriminalisht të privilegjuar, nuk ka rëndësi kush zgjidhet në qeverisje. Të gjitha qeveritë i shërbejnë asaj. Baroni anglez Nathan Rothschild thoshte në shekullin e 19-të se “Nuk më intereson cila kukull vendoset në fronin e Anglisë për të sunduar Perandorinë. Ai që kontrollon paratë e Britanisë, ai kontrollon edhe Perandorinë Britanike. Dhe, këto para i kontrolloj unë”.

Një sistem politik nuk mund të jetë as i drejtë dhe as i moralshëm kur, si të mirat ashtu edhe të këqijat, si arritjet ashtu edhe dështimet, nuk i ndajnë të gjitha shtresat dhe kategoritë shoqërore. Fakti që gjatë krizave ekonomike, atyre sociale e humanitare apo gjatë luftërave pasojat më të rënda iu bien shtresave të mesme e të varfëra të shoqërisë, ndërsa pakica e pasur, përkundrazi, del gjithmonë e fituar ekonomikisht tregon se pakica e pasur është e paprekshme nga e keqja e përgjithshme shoqërore, në mos qoftë edhe krijuesja e kësaj të keqeje.

Shikoni çfarë ndodh në vendin tonë: Kur ra tërmeti i 2019 apo pandemia e Kovid -19, ashtu si edhe tani që zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë, të parët që kërkuan ndihmë financiare nga shteti ishin përfaqësuesit e biznesit.

Dhe, jo vetëm kaq. Procesi i vaksinimit kundër Kovid -19, apo ai i testimit që iu kërkohej qytetarëve për të udhëtuar jashtë shtetit u shndërruan në një garë të ethshme fitimi e spekulimi, duke vënë tarifa më të larta se vendet perëndimore që kanë nivele ekonomike dhe të ardhurash financiare disa herë më të larta se tonat.

Kur nisi lufta në Ukrainë, kapitalistët tanë “të ndershëm” i rritën menjëherë çmimet e naftës, miellit etj., megjithëse malli që kishin stok ishte blerë në tregjet e huaj pa filluar lufta dhe me çmime më të ulëta. Ndërsa çmimet e naftës në botë ishin rritur me 20-30 %, kompanitë e autobusëve urban i kërkuan qeverisë t’i lejonte të rrisnin çmimin e biletave me 100%.

Madje, disa prej tyre i kërkuan qeverisë “ndihmë financiare”, domethënë të merrnin nga xhepi i përbashkët (buxheti i shtetit) i shqiptarëve shuma të konsiderueshme parash.

Të pasuruarve as që iu shkon nëpër mend të ulin përqindjet e fitimeve, por, përkundrazi, t’i ruajnë dhe rrisin ato. Ata duan që shtresat e varfra dhe të mesme të sakrifikojnë, qoftë edhe bukën e përditshme familjare, ndërsa ata nuk duhet të pakësojnë sadopak luksin që i kanë krijuar vetes dhe që na e demonstrojnë përditë me paturpësi të pamëshirshme.

Nëse iu thuhet se edhe ata duhet të mbajnë mbi kurriz sadopak nga barra e krizave, ata të përplasin në fytyrë teori dhe fraza filozofike për parimet e “ekonomisë së tregut”, funksionimin e shtetit demokratik dhe pasojat që do të vijnë në rast se shteti ndërhyn në treg. Mirëpo, kur ndodhi kriza botërore financiare e vitit 2006 qeveritë e vendeve kryesore perëndimore ndërhynë në “tregun e lirë” duke marrë triliona dollarë nga paratë e taksapaguesve të vendeve të tyre dhe duke ua dhënë gjigantëve ekonomiko-financiarë për t’i shpëtuar nga falimentimi.

Nëse tregu duhej të ishte i lirë, i pandikuar nga politika dhe qeverisjet dhe nëse tregu ishte vërtetë konkurrencë e lirë, atëherë le të falimentonin edhe gjigantët. Pse gjigantët shpëtohen nga qeveritë ndërsa “milingonat” lihen në fatin dhe nën thundrën e “tregut dhe konkurrencës së lirë”?!

Më duhet të pranoj se i njoh dhe nuk i shpërfill tërësisht argumentet që jepen pse veprohet kështu, por nuk harroj dot atë që thoshte Viktor Hygoi se “Parajsa e të pasurve krijohet nga ferri i të varfërve”.

Nga ana tjetër, qeveria e ashtuquajtur e majtë, ngurron të ndërhyjë me masa ligjore, së pari e mbi të gjitha, për të mos lejuar spekulimin e gangsterëve të tregut. Nëse një qeveri nuk përgjigjet për punësimin, sigurinë etj. dhe nuk i mbron qytetarët nga spekulimi dhe spekulantët, nga matrapazët dhe grabitësit me licencë, ajo nuk është më qeveri e popullit dhe sistemi politik nuk mund të jetë më demokratik.

Një qeveri që ndërhyn me proceduara të shpejtuara për t’iu dhënë tendera dhe koncesione një grushti pasunarësh të paskrupullt, por ngurron të mbrojë shumicën e popullit nga spekulimet, mashtrimet dhe grabitjet që iu bën atyre kjo pakicë, nuk mund të jetë as qeveri e majtë dhe as qeveri demokratike.

Një qeveri e tillë nuk bën keq t’i mbajë në kujtesë vargjet e Sadiut që thoshte: “Shiko vegjëlinë, brengosu për të / Kij frikë nga koha, se poshtë të vë ! “.

Histeria që kapi botën e biznesit sapo nisi lufta në Ukrainë, duke rritur çmimet edhe për mallra, kostoja e të cilëve s’ka kurrfarë lidhjeje me luftën dhe tregjet ndërkombëtare, tregon kalbëzimin moral të botës kapitaliste shqiptare.

Mund të merret fare lehtë me mend se çfarë do të bënin këta banditë “të nderuar” në rast, larg qoftë, të një lufte botërore apo thjesht lokale ku do të përfshihej edhe Shqipëria. Ata, me siguri, do ta detyronin një pjesë të popullit shqiptar të shiste edhe shtëpitë për të siguruar bukën e fëmijëve.

Një qeveri vërtetë demokratike dhe një qeveri vërtetë e majtë duhet të jetë vazhdimisht syçelur, kërkuese dhe ndëshkuese kundrejt përpjekjeve të botës së biznesit për t’iu shmangur taksave apo për të spekuluar në treg, ndërkohë që, nga ana tjetër, kjo botë e biznesit tregohet po aq e pamëshirshme në moskrijimin e kushteve normale të punës për punëmarrësit, në mospagimin e rregullt të pagave për punën e kryer etj.

Një qeveri vërtetë demokratike, as nuk duhet ta diskriminojë apo ndëshkojë padrejtësisht botën e biznesit, por as nuk duhet të mbyllë sytë përballë spekulimeve që ajo kryen, gjithnjë nën maskën e “lirisë së tregut”.

Tregun e krijojnë dhe menaxhojnë njerëzit dhe jo UFO-t, prandaj përpjekjet për të fajësuar tregun si diçka që qëndron jashtë nesh, si një gjë e padukshme dhe e padisiplinueshme (sipas ligjeve) nuk është gjë tjetër veçse flirtim me botën e biznesit dhe hihedhje syve për të verbuar popullin taksapagues. Populli nuk i ka votuar qeveritarët që ta verbojnë e varfërojnë. (DITA)