Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: “Alizoti dhe Alibeu”, kush po merret me të kaluarën komuniste, për cilat qëllime dhe si e trajton atë?

Një prej problemeve më të diskutuar dhe debatuar nga shoqëria shqiptare gjatë këtyre 32 viteve ka qenë e shkuara “komuniste” dhe kryesisht fajet dhe krimet e kryer gjatë më shumë se katër dekadave që ai regjim ishte në pushtet. Qasja ndaj asaj kohe, ashtu si ndaj cilësdo periudhë të jetesës dhe qeverisjes shqiptare, është diçka krejt normale, e arsyeshme dhe, jo rrallë, e domosdoshme.

Mirëpo, nëse trajtimi i saj është normal, mënyra dhe qëllimet e marrjes me një periudhë të caktuar historike kanë rëndësi të madhe, prandaj edhe domethënëse. Çështja shtrohet: Kush merret me të kaluarën, për ç’qëllime merret dhe si e trajton atë? A merresh me të kaluarën për të nxjerrë mësime, për të dënuar të këqijat dhe vendosur drejtësi, apo e përdor atë si armë hakmarrëse, kartë politike për pushtet, apo si alibi për sjelljet dhe veprimet e tua të sotme?

Nëse klasa politike shqiptare e pas vitit 1990 do të kishte pasur ideale, vizion dhe dinjitet, do të duhej të kishte rënë dakord që fajet e sistemit politik njëpartiak të shërbenin si mësim për të mos u përsëritur pas ndryshimeve politike dhe, nga ana tjetër, të përcaktonte qartë dhe me ndershmëri kategoritë e individëve apo familjeve që e patën pësuar padrejtësisht nga regjimi i ashtuquajtur komunist.

Në vend të kësaj qasjeje, u duk dhe vazhdon të duket qartë se politika shqiptare ka qenë dhe mbetet hipokrite dhe e pandershme ndaj këtyre problemeve. Për motive pushteti dhe aspak për humanizëm e drejtësi, politika filloi ndarjen në “ne” dhe “ju”, në “engjëj” e “djaj”, “xhelatë” dhe “viktima”. Përgjegjësitë morale, politike dhe juridike për fajet dhe krimet e shkuara iu veshën grupimeve sociale e politike të caktuar në përpjekje për t’u paraqitur përpara opinionit vendas dhe të huaj si “shpëtimtarë”, “engjëj mbrojtës” dhe “zotër të drejtësisë” mbi tokë.

Nëse politikanët shqiptarë të mbas 1990 ndjenin vërtetë dhimbje për viktimat e regjimit të para 1990 dhe nëse dëshironin vërtetë rivendosjen e të drejtave të tyre, do të ishte dashur që, pasi të përcaktonin me ndershmëri kriteret e të përndjekurve, të ngrinin një gjykatë të veçantë për shqyrtimin e rasteve kur viktimat kanë pretenduar apo pretendonin se ishin dënuar padrejtësisht. Në këtë mënyrë, edhe do iu jepej pafajësia, siç iu dha të pushkatuarve për ngjarjen në ambasadën sovjetike në vitin 1951, por edhe do të merreshin të pandehur e të dënoheshin të gjithë ata ish-punonjës të pushtetit ekzekutiv dhe të sistemit gjyqësor, të cilëve do iu provohej fajësia e drejtpërdrejtë në krimet ndaj personave të pafajshëm.

Në vend të kësaj qasjeje u shfaqën qendrime të gabuara moralisht, ligjërisht dhe politikisht. Në një kategori me të dënuarin padrejtësisht (atë që s’kishte kryer realisht veprën penale për të cilën ishte ndëshkuar) u fut edhe ai që vepra kriminale i ishte vërtetuar plotësisht; të dënuarit për “agjitacion e propagandë”, domethënë për shprehjen e mendimit të lirë kundër regjimit, u trajtuan si të barabartë me spiunin, sabotatorin, terroristin apo bashkëpunëtorin e pushtuesve gjatë luftës. Po kështu, në vend që pafajësia t’iu jepej nëpërmjet gjykatave, siç ndodh në të gjithë botën, kjo pafajësi u dha në grup nga Parlamenti, i cili mori atributet e një Gjykate Supreme. Pafajësitë e dhëna nga politika janë po aq të padrejta sa fajësitë e imponuara nga politika. Edhe dëmshpërblimet materiale që u caktuan për njerëzit e përndjekur, në vend që të bëheshin një detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët për të gjitha forcat politike, u shndërruan në mjete të luftës politike dhe në karta të rreme morale për ata që nuk iu qante zemra për padrejtësitë e të shkuarës ndaj të tjerëve, por për pushtetin e tashëm për vetjet e tyre. Këtu flinte “lepuri”, domethënë meraku i tyre.

Duke vepruar në këtë mënyrë dhe me këtë moral, as problemet e kategorive padrejtësisht të përndjekura nuk u zgjidhën shpejt dhe si duhet dhe as qëndrimet kundrejt të kaluarës e fajeve të saj nuk u unifikuan sadopak. Nën drejtimin dhe me nxitjen e jo pak bastardëve të regjimit komunist, tashmë të shndërruar për qëllime përfitimesh vetjake në antikomunistë, në bashkëpunim me disa skifterë të zinj që iu përkisnin familjeve të përndjekura, çështja e së shkuarës u katandis në një garë të pamoralshme për përfitime politike dhe në një armë vrervjellëse kundrejt pjesës më të madhe të popullsisë. Propaganda e këtyre dy kategorive të pamoralshme shoqërore tentoi, dhe vazhdon përpjekjet, të krijojë stereotipet shoqërore të “të persekutuarit” si “njeri patriot, fisnik, intelektual, demokrat” etj. dhe jo të përndjekurve si individë apo familje “komuniste, antidemokrate, injorante, antishqiptare, kriminele” etj.

U krijuan madje edhe institute për studimin e “krimeve të komunizmit”, apo institucione për studimin dhe publikimin e dosjeve të të përndjekurve dhe bashkëpunëtorëve të shërbimit të atëhershëm të Sigurimit të Shtetit. Edhe sot, pas 32 viteve, kjo odise vazhdon dhe politikanët grinden për të marrë “meritat” në ideimin dhe funksionimin e këtyre instrumenteve fjalëshumë, ndërsa një pjesë e tyre dhe e medias ankohen se “po harrohet e kaluara komuniste… po rutinizohet qëndrimi kundrejt së keqes” etj.etj. Kjo kategori njerëzish kërkojnë medoemos t’i mbajnë shqiptarët pengje të së kaluarës, t’iu imponojnë atyre të njëjtat mendime e qendrime dhe t’i detyrojnë të harrojnë hallet dhe jetesën e tyre të përditëshme e të mendojnë e merren vetëm me të shkuarën “komuniste”.

Dy deputetë të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Tomorr Alizoti, që duket se vijnë nga familje bejlerësh, të përndjekura nga regjimi i para 1990, këmbëngulnin ditët e fundit që Parlamenti shqiptar të vazhdonte të merrej dhe “të nderonte” ngjarje të tilla si Revolta në Burgun e Qafë Barit në maj 1984, pas së cilës dy të dënuar u ridënuan dhe u pushkatuan ndërsa disa të tjerëve iu shtuan vitet e burgimit. Nuk ka dyshim se z. Alizoti i përket një familjeje të përndjekur politikisht dhe se ndërgjegjja jonë duhet të mos pajtohet me burgimin e babait të tij për “agjitacion e propagandë” dhe as me vuajtjet që ka kaluar në fëmijërinë dhe rininë e tij ky deputet.

Ndërkohë, ndërgjegjja jonë nuk duhet të pajtohet as me qasjen që shfaq kundrejt së kaluarës z. Alizoti dhe jo pak të tjerë si ai. Ndërsa shumica dërmuese e ish-komunistëve dhe pasardhësve të tyre, me të drejtë, nuk pajtohen me fajet dhe krimet e regjimit “komunist”, është e çuditëshme dhe shumë domethënëse që, prej mbi tre dhjetëvjeçarë, nuk kemi dëgjuar qoftë edhe një pasardhës të klasave të përmbysura në 1944 të ketë pranuar apo dënuar moralisht krimet e kryer prej paraardhësve të vet, që titujt bej, aga e bajraktar, bashkë me pasuritë i kishin peshqesh nga sulltanët e Perandorisë Osmane. Përpjekjet për trushplarje të popullit nëpërmjet trumbetimit të gënjeshtrave historike, morale dhe politike se krime dhe përndjekje ka pasur vetëm gjatë periudhës 1944-1990 dhe pjesa tjetër e kohës historike, politike e shoqërore ka qenë “e paqtë, demokratike, e drejtë” etj. kanë prodhuar efektin e kundërt edhe për qëllimin e synuar.

Kur populli sheh se, me djallëzi, hipokrizi dhe në mënyrë të pamoralshme, dikush i përzien dhe trajton njëlloj të pafajshmit, të dënuarit për “agjitacion e propagandë” dhe të internuarit familjarisht për motive politike me kriminelët e Luftës së Dytë Botërore, me spiunët e shërbimeve të huaja të zbulimit, terroristët që vrisnin gra, fëmijë, madje edhe mësues që kërkonin përhapjen e shkollave e të dijes, si dhe pjesëmarrjen e rinisë në aksione për rindërtimin e vendit, atëherë kauza e të përndjekurve fillon, padrejtësisht, e zbehet dhe trajtimi i fajeve dhe krimeve të periudhës hoxhiste humbet efektet e synuara.

Le të shohim çfarë thanë dy deputetët e lartpërmendur pak ditë më parë në Parlament. E. AliBej, duke iu drejtuar Kryeministrit, tha: “Nuk ke ndërgjegje për atë që kanë bërë të parët e tu… Flet ti për mbështetjen që iu ke dhënë të përndjekurve…Ty të dalin çdo 5 maj me flamur të kuq dhe ti nuk pipëtin”. Ndërsa me togfjalëshin “të parët e tu” AliBeu nënkupton të gjithë ata që punuan në shtetin shqiptar gjatë katër dekadave të regjimit diktatorial, madje, akoma më keq, të gjithë ata që nuk pësuan përndjekje politike (rreth 95% e popullsisë), ai nuk ka thënë dhe nuk thotë asgjë për “të parët e tij”, për ata që u puthën me pushtuesit nazifashistë, u vunë në shërbim të tyre, spiunuan, arrestuan, internuan apo vranë “të parët” e Ramës, në interes të pushtuesve dhe për përfitimet e veta politike e materiale, gjithnjë kundër interesave të atdheut. Në këtë kuadër shfaqet edhe urrejtja e tij për 5 Majin, si Dita e Dëshmorëve të rënë në luftë me pushtuesit dhe veglat e tyre shqiptare, dhe, gjithashtu, mospajtimi i tij me pluralizmin e mendimit ku secili ka të drejtë të mbajë flamurin që do, madje flamurin e një partie të ligjshme dhe që zhvillon veprimtari kushtetuese.

Deputeti T. AliZoti pohoi, sërish duke iu drejtuar z. Rama, se “Kur unë jetoja në kasolle, ju ishit në mes të Tiranës. Jo, se kishit faj. Shqipëria duhej t’i respektonte Pal Sokolin… Po të mos ishte Partia e Punës, ju dhe Olsi do të shpërndanit çadra në Dhërmi dhe Vuno. Ju, të paktën duhet që për dy fisnikë që sfiduan diktaturën, t’i nderonit. Sepse kjo parti e majtë është pasuri kombëtare dhe duhet të shkëputet nga krimet e komunizmit…”.
Nga ato që tha zotëria i lartpërmendur, dy ishin të vërteta: Që ai vetë ka kaluar padrejtësisht një jetë në mjerim e internim, dhe se Partia e Punës, ndryshe nga regjimet politike të paraardhësve të tij, i dhanë mundësinë shumicës dërmuese të popullsisë të arësimohej e kulturohej. Por, këtu shfaqen edhe cinizmi dhe mendësia e bejlurçinës pasi ai trashëgon mendësinë e klasës që i përket e cila besonte se pasuria materiale të bën fisnik dhe të jep të drejtën e përjetëshme për sundim. Duket se një nga pengjet më të mëdha të një pjese të asaj klase ka qenë fakti që s’duronin dot kur shihnin se arsimin, kulturën dhe qeverisjen mund t’i merrte dhe t’i kryente edhe qytetari e fshatari i thjeshtë kur natyra e kishte pajisur me intelektin e duhur, dhe se ky intelekt nuk kishte qenë monopol i të pasurve (pronarë tokash, fabrikash, dhensh e dhishë), por i cilësdo qenie njerëzore që mund t’i kishte kushtet e nevojshme për zhvillimin e tij.

Në të vërtetë, ekziston një hendek i madh midis qenies “fisnik” thjesht për shkak të zotërimit të pasurive materiale, dhe qenies i tillë për shkak të kulturës dhe virtyteve individuale. As pasuria materiale dhe as qenia i përndjekur në një periudhë të caktuar historike nuk të bëjnë vetëvetiu fisnik. Përveç se nuk iu kujton saktësisht emrat dy ish-të burgosurve të ridënuar në vitin 1984, z. AliZoti i shpall ata “fisnikë” thjesht dhe vetëm pse “sfiduan diktaturën”. Përtej keqardhjes njerëzore për fatin dhe fundin tragjik, i duhet kujtuar z. AliZoti dhe atyre që kanë mendësitë e tij, se diktatura pati dënuar, me faj dhe pa faj, të ditur dhe injorantë, fisnikë dhe sharlatanë të të gjitha llojeve, pasi kriteri i saj ishte qëndrimi që individët mbanin, apo që ajo besonte se mbanin, kundrejt sistemit politik që ishte në veprim. Në rastin konkret, njëri prej tyre, përveç “agjitacionit e propagandës”, ka qenë i dënuar edhe për vjedhjen e kacafortave të dyqaneve të fshatarave, ndërsa i dënuari që qe bërë shkak (ose pretekst) i revoltës, N. Pisha, pas viteve ’90 është riburgosur, këtë radhë për përdhunimin e një murgeshe polake. Fisnik të bën kultura dhe karakteri dhe jo pasuria apo titulli i dhënë nga pushtuesit e huaj për shërbime ndaj tyre dhe jo ndaj atdheut dhe, jo rrallë, kundër atdheut dhe popullit tënd. Ata që janë vërtetë fisnikë shkëputen, nuk pajtohen dhe dënojnë të gjitha llojet e krimeve, kurdo dhe nga kushdo të jenë kryer, dhe jo vetëm ato krime nga të cilat e pësojnë ata vetë.

Nëse Parlamenti shqiptar do të duhej të ngrihej në këmbë dhe të “nderonte” çdo individ të dënuar politikisht apo çdo ngjarje anti-regjim gjatë gjithë historisë shtetformuese dhe qeverisëse të shqiptarëve, duke përfshirë edhe qeverisjet e partisë së z. AliZoti, atëherë ky Parlament nuk do të kishte kohë asfare të merrej me misionin dhe detyrat e tij dhe, gjithashtu, popullit shqiptar nuk do i mjaftonte koha të merrej me hallet dhe problemet e tij të përditëshme.

Në kushtet kur, për çdo mendje normale dhe për çdo ndërgjegje të paturbulluar, mundësia e kthimit të një sistemi politik njëpartiak në Shqipëri nuk ekziston, dëshirat dhe përpjekjet e individëve apo partive politike për ta mbajtur popullin shqiptar peng të së kaluarës, për të luajtur me ndjenjat e tij dhe për ta tërhequr për hunde në çdo aventurë të sharlatanëve të sotëm politikë, janë sa djallëzore, aq edhe të dëmshme. Jepuni ish-të përndjekurve të vërtetë çfarë iu takon dhe le të vihen edhe ata në rresht për të garuar me pjesën tjetër të popullsisë, siç është vënë z. AliZoti dhe ia ka dalë mbanë. Kanë kaluar 32 vjet dhe shoqëria shqiptare nuk mund të ecë përpara duke vazhduar me klasifikime, glorifikime apo poshtërime grupesh apo kategorishë shoqërore. Aq më pak dhe aq më keq duke poshtëruar dhe nëpërkëmbur ata që sakrifikuan për vendin kur ishte i pushtuar nga nazifashizmi apo kur i nevojitej vendit rindërtimi dhe iluminimi. Adhuruesit dhe avokatët e pushtimeve e të pushtuesve si dhe të veglave të tyre, si dhe ata që, për pushtet dhe privilegje, e vodhën, grabitën, dogjën dhe përçanë Shqipërinë këto tri dekada nuk kanë të drejtë morale dhe as historike t’i japin popullit shqiptar leksione morale as për të shkuarën dhe as për të sotmen.

Keqardhja dhe respekti ynë duhet të shkojnë për të përndjekurit e vërtetë, të përndjekurit e ndërgjegjes dhe të internuarit politikë, ndërsa neverinë tonë duhet të mos e kursejmë kundrejt hipokritëve, sharlatanëve dhe shpërdoruesve të të vërtetave historike. Ndërgjegjja jonë individuale dhe kolektive duhet të identifikojë qartë fajet dhe krimet e së kaluarës “komuniste”, por edhe të çdo kohe tjetër, dhe nuk duhet të pajtohet me to por t’i dënojë. T’i dënojë për hir të ndërgjegjes, moralit e progresit dhe jo për hir të përfitimeve vetjake, të çastit apo për të “pastruar” njollat e errëta në trungun e pemëve familjare apo partiake. (DITA)

Postimet e fundit !