Botë

Varshavë: Kriza kufitare, përpjekja më e madhe për destabilizimin e Evropës që nga Lufta e Ftohtë

VARSHAVË, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e përshkroi sot krizën e emigrantëve në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, kufiri lindor i BE-së, si përpjekjen më të madhe për të destabilizuar Evropën që nga Lufta e Ftohtë.

“Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka nisur një luftë hibride kundër BE-së. Është përpjekja më e madhe për të destabilizuar Evropën në 30 vjet”, shkroi Morawiecki në Twitter.

“Polonia nuk do t’i dorëzohet shantazheve dhe do të bëjë gjithçka për të mbrojtur kufijtë e BE-së”, shtoi ai.

Më vonë sot, kreu i qeverisë polake do të takohet me homologët e tij nga shtetet baltike, dy prej të cilave ndajnë gjithashtu një kufi me Bjellorusinë, për të diskutuar krizën, përpara se të vizitojë kryeqytetet e tjera evropiane këtë javë.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke sjellë emigrantë të mundshëm në kufi, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe duke u premtuar atyre kalim të lehtë përmes Bashkimit Evropian.

Bjellorusia e ka mohuar akuzën, duke fajësuar BE-në për mosmirëpritjen e emigrantëve.

Të premten, Lukashenko tha për BBC-në se ishte “absolutisht e mundur” që forcat e tij të kishin ndihmuar njerëzit të kalonin në BE, por mohoi të kishte orkestruar operacionin.

“Ne jemi sllavë. Ne kemi zemër. Trupat tona e dinë që emigrantët po shkojnë në Gjermani… Ndoshta, dikush i ka ndihmuar ata, por nuk i ftova unë këtu”, tha ai.

Megjithëse ka shenja se kriza po lehtësohet pak, rojet kufitare polake raportuan sot për përpjekje të mëtejshme për të kaluar, veçanërisht nga një “grup shumë agresiv prej rreth 100 emigrantësh”./ /ervo/