Erëza Ibrahimi
Ndërsa e gjithë bota është vënë në lëvizje për krijimin e një vaksine të sigurt dhe efikase kundër Covid-19, kompania amerikane “Moderna” thotë se testet e para te njerëzit kanë rezultuar premtuese.
Në disa muaj kohë krizat e pandemisë COVID-19 kanë sjellë ndryshime të theksuara të cilat me siguri do të na përcjellin edhe disa vite me radhë. Këto ndryshime me avantazhet dhe disavantazhet e veta kanë rritur vetëdijen e njerëzimit në përmasa globale. Muajt e fundit shoqëria njerëzore është përballur me kataklizma në çdo sferë të jetës. Probleme me ekonominë, arsimin e më së rëndi me shëndetësinë. Rreth 1.44 milion vdekje në mbarë botën, e miliona të tjerë të infektuar me virusin Corona. Si asnjëherë më parë në mënyrën më diskrete të mundshme bota është përballur me ‘dilemën hamletiane’. Kjo katrahurë e krijuar rezultoi me presionin global për zgjidhjen e kësaj situate kërcënuese.
Shumë shtete janë duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe efektive për të luftuar pandeminë me koronavirus. Në anën tjetër më shumë se 170 vaksina janë duke u zhvilluar nga universitete, ekipe hulumtuese dhe laboratore nëpër botë, madje disa nga këto vaksina edhe janë testuar në njerëz. Krijimi i vaksinave të posaçme është një proces mjaft kompleks i shoqëruar me pasiguri dhe zakonisht kërkohet testim dhe hulumtim me vite me radhë para se të hyjnë në përdorim. Mirëpo natyrisht që kjo situatë e krijuar ka bërë që të zbulohen vaksina e terapi të shumta në shumë pak kohë. Duke u bazuar në këtë fakt natyrisht që do të ketë hapsirë për gabime, efekte anësore të shumta e ndoshta do të rezultonte që këto vaksina të mos jenë fare efektive andaj për momentin nuk është aprovuar asnjë vaksinë e cila siguron rezultate pozitive.
Përkunder kësaj Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpresë se miliona doza të vaksinës do të jenë të gatshme deri në fund të vitit dhe fillimisht do të përdoren nga persona më shumë të cënueshëm. Në mesin e shumë varianteve dhe platformave të mundshme thuhet se vaksina e kompanisë “Moderna” ka kaluar një pengesë të rëndësishme. Kjo kompani zhvilloi disa studime laboratorike të vaksinës së saj. Fillimisht testoi vaksinën e saj tek minjtë duke u siguruar që vaksina nuk do të rriste rrezikun e shkaktimit të ndonjë sëmundje edhe më të rëndë. Gjithashtu ka siguruar që një dozë e vaksinës do të jetë e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje ndaj koronaviruseve te reja. Vaksina gjithashtu u duk se ishte edhe një masë preventive kundër infeksionit të koronavirusit në mushkëri dhe hundëve pa mbetje të efekteve toksike. Kompania theksoi se minjtë që morrën një dozë të vaksinës së saj, shtatë javë më vonë ishin plotësisht të mbrojtur kundër përsëritjes së virusit në mushkëri, që do të thotë se me një vaksionim të vetëm mundësohet parandalimi i përsëritjes së virusit në mushkëri. Përpos kompanisë “Moderna” ka edhe plot kompani e grupe hulumtuese të cilat po ecin në ‘hapa të mbarë’ drejt rrugës për mposhtjen e virusit gjë kjo shumë pozitive dhe shpresëdhënëse për mbarë botën.
Moderna tha se rezultatet e para bazohen në 95 nga 30,000 vullnetarët, që janë injektuar me COVID-19. Nga 95 vullnetarët, 90 kanë marrë placebo dhe pesë e kanë marrë vaksinën, që ka dhënë rezultat efektiv prej 94,5 përqind. Sipas kësaj kompanie, 11 persona që kanë marrë pjesë në këtë studim janë sëmurë rëndë, e që të gjithë kishin qenë në grupin që janë injektuar me placebo dhe jo me vaksinën për koronavirus.