Shqipëria/Aktualitet

USHTRIA E KOSOVËS HEDH HAPIN E PARË PËR MISIONE PAQËRUAJTËSE NË BOTË

Kuvendi i Kosovës sonte, në një seancë të thirrur në orët e para të mbrëmjes, lejoi përmes votimit pjesëmarrjen e FSK-së në misione ndërkombëtare paqëruajtëse. Kjo ndërmarrje e mirë dhe vendim i rëndësishëm, që sot i erdhi Kosovës, na bënë të besojmë se tanimë ne kemi hedhur hapin e parë në rrugën e anëtarësimit në NATO. Kontributi ynë për paqen dhe sigurinë e globit, edhe pse do të jetë simbolik për nga pjesëmarrja, do përbëjë hapin më domethënës të ndërtimit të besimit se shteti i Kosovës me rritën e vet institucionale po shndërrohet në radhë të parë faktor stabiliteti në rajon dhe se i ka qëndruar besnik parimeve mbi të cilat bota e lirë, në krye me SHBA-të, u rreshtua në krah të Ushtrisë sonë Çlirimtare dhe na ndihmoi të çliroheshim nga pushtimi shekullor.  

Vendimi i sotëm i Kuvendit tonë dhe besimi i ushtrisë amerikane të na përfshijë në misionet e saj ndërkombëtare na bënë krenarë për të arriturat e shtetit tonë dhe rezultatet e mira të treguara të djemve dhe vajzave tona në uniformë.  

Nga nesër Kosova do të mund të kontribuoj në krah të ushtrive tjera simotra, të cilat në të ardhmen edhe do na përfshijnë në NATO, ombrellën e sigurisë perëndimore. 

Misionet e para të trupave tona do të jenë dy dhe atë në kohë të afërt. Ato do jenë misione të përbashkëta me trupat e shteteve mike, njëri me trupat e IOWA-s të SHBA-së dhe tjetri me trupat ushtarake të Kuvajtit.   

B. M.