Shkruan: Blerim Muriqi
Të nderuar lexues! Sot, në këtë datë të shënuar, “28-tën e Nëntorëve të Mëdhenj”, të cilën ua urojmë nga zemra, Gazeta LËVIZJA po nis rrugën e shërbimit me fjalën e saj publike, me të cilën ajo mëton të vijë në jetën e popullit tonë, ashtu e gjallë, me frymën e dekadave të trazuara po aq sa edhe të bërjeve të mëdha, të të gjitha viseve të Shqipërisë sonë dhe të Mërgatës, asaj dhimbjes sonë të madhe, e cila edhe pse larg vendit, çdo ditë e më shumë po na bënë krenarë për rolin e saj aktiv në shoqëritë ku tashmë brezat kanë lëshuar rrënjë..
Fjala jonë, do përpiqet të jetë sikur na frymëzoi e shkuara e popullit tonë, me të ndodhurën e kurdo dhe kudo arritshme dhe e të gjitha ngjyrave nëpër të cilat na degdisi fati historik e do të na e shtroj e tashmja.
Gazeta LËVIZJA vjen për ta thënë fjalën e saj në shoqëri, me koloritin e vet nëpër zhvillime e pasqyrime, për çka nuk do i mungoj as zëri, as fjala, as guximi dhe as pikantja!
Është me fat secili medium që mund t’i kapë e pasqyroj zërat e shoqërisë në kohë reale dhe shtrirje të madhe. Sikur askush tjetër në mediumet tona, ne mund t’ia dalim. Jeta na ka përplasur shumë dhe kjo ka bërë të kemi dorë në gjithë shtrirjen tonë si brenda vendit, Shqipërisë me vise, po ashtu edhe në Mërgatën tonë aq të shtrirë.
Uroj qe Gazeta LËVIZJA ta gjej rrugën te secila mendje e ndritur e popullit tonë, te secila ngjarje sado e vështirë të jetë dhe te secila e ndodhur e të shkuarës e t’i sjellë ato për lexuesin tonë.
Fjala e kujdesur dhe lajmi i shpejtë e gjithëpërfshirës janë çelësi i suksesit. Sikur e para pashkëputshëm është detyrimi moral i redaksisë, e dyta varet kryekëput nga puna në terren, fizik e virtual, i të gjithëve, të cilët duan që me punën e tyre t’i japin dorë rritës së gazetës.
Çdo e ndodhur aty ku jemi ne, përbën lajm. Sot mjetet e komunikimit masiv na e kanë bërë të mundur ta marrim lajmin në kohë reale nga të gjithë cepat e botës, sikur, edhe nga të gjitha thellësitë e Shqipërisë.
Çdo gjë e të shkuarës, çdo nxitje opinioniste për të tashmen dhe çdo analizë që mund të hapë shtigjet e së nesërmes e që ndjejmë se duhet ta themi në formë të shkruar, apo të portretizuar në dokumentar, për ta lënë në mbamendjen e shoqërisë, mos të ngurrojmë, ta bëjmë zë të Lëvizjes: komunikim me lexuesin dhe opinionet përmes saj!
Çdo bukuri të vendit tonë e çdo zë të mbamendjes së tij mund ta bëjmë po ashtu dokumentar, portret natyre a rrëfim historik.
Ashtu sikur është kapilare shtrirja e Lëvizjes në shoqërinë tonë në atdhe e në Mërgatë, përmbledhës e i kudoshëm le të jetë lajmi i gjetur për t’u dhënë dhe informimi i shpejtë, kujtesa dhe memorizimi i saj!
Rrugëtim të mbarë, Lëvizja jonë, nëpër shoqërinë tonë shqiptare kudo ajo shtrihet sot, cep më cep të globit!
Gazeta LËVIZJA, sot na e ka nevojën të gjithëve! Andaj, secili a secila, jemi të thirrur ta japim kontributin tonë, sekush në mundësitë e tij apo saj, me lajmin e mbledhur në meset ku jetojmë apo me trajtesat nëpër fushat ku na lejojnë kapacitetet, me opinionet për shqetësimet e shoqërisë e proceset në zhvillim, me evokimin e kujtimeve a rrëfimin për jetën reale të mesit ku jetojmë!
Pastë jetë të gjatë e punë të suksesshme Gazeta LËVIZJA! Urime!
Me respekt!