KIEV, 23 tetor /ATSH-DPA/-Sulmet e përshkallëzuara të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës mund të shkaktojnë një katastrofë humanitare të madhe, ndërsa vendi i goditur nga lufta po përgatitet për ardhjen e borës dhe të ftohtit, tha qeveria në Kiev.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte lëshuar 36 raketa të tjera në Ukrainë të shtunën. “Agresori vazhdon të terrorizojë vendin tonë”, tha Zelensky.
“Shumë prej tyre u qëlluan nga mbrojtja ajrore, por të tjerët arritën të godasin objektet energjetike”, tha ai, duke u kërkuar fuqive botërore të ndihmojnë për të ndalur kete terror.
Ai falënderoi ofruesit e shërbimeve të energjisë dhe operatorët e rrjetit që ishin në procesin e rindërtimit të zonave kritike pavarësisht rreziqeve.
“Rreth 40% e infrastrukturës energjetike të vendit është shkatërruar tashmë”, sipas Kievit.
“Rreth 1.5 milionë klientë të kompanisë energjetike “Ukrenergo” janë pa energji elektrike”, tha zyra e Zelensky.
“Ukrenergo” njoftoi dëme të rënda të shkaktuara nga sulmet ruse në perëndim të vendit.
“Një objekt energjetik në Luzk u godit rëndë dhe furnizimi dështoi”, thanë autoritetet.
“Duke goditur infrastrukturën kritike të Ukrainës, Kremlini dëshiron të provokojë largimin e refugjatëve të rinj në Evropë”, shkroi në Twitter këshilltari i Zelensky, Mykhailo Podolyak.
“E vetmja mënyrë për të ndaluar katastrofën humanitare është transferimi i shpejtë i mbrojtjes ajrore dhe raketave shtesë”, shkroi ai. //a.i/