Kulturë\Letërsi

Tregimi i së dieles: ËNDËRR VRASTARE

Bedri Halimi

Hyra kishte kohë që po sorollatej rrugëve të Prishtinës për të gjetur punë. Okupatori serb i kishte larguar shumë punëtorë nga vendet e tyre të punës me motivacionin se nuk kishin pranuar që të ishin qytetarë luajalë të Sërbisë. Hyra ishte e bukur, flokë kaçurrele, me thonjë të lyer e të zgjatur, me buzë të theksuara e me çizme me taka të larta. Duke kërkuar punë, ajo kishte rënë në kontakt me disa gazetarë të Rilindjes, gazetë që tashmë nuk po botohej ngase okupatori serb e kishte ndaluar botimin e saj. Në vend të Rilindjes tashmë po botohej gazeta Bujku. Ishte i njëjti staf i Rilindjes që po punonte në kushte të jashtëzakonshme në këtë gazetë. Gazetarët si pikë referimi kishin përzgjedhur kafenenë “KOHA” përballë Pallatit të Rilindjes. Një ditë, në kafene u dëgjuan trokitjet ritmike të takave të çizmeve të një femre. Ishin trokëllima të veçanta. Gazetarëve e shkrimtarëve që ndodheshin në kafene, për një moment u tërhoq vëmendja nga këto trokëllima të theksuara si të një kali që ecën rrugës me kalldrëm. Të gjithë kthyen kokën dhe panë një vajzë të byukur që kishte hyrë në lokal, dhe njëkohësisht shikonin njërin -tjetrin në sy në tavavolinat ku qëndronin, sikur donin të pyesnin se kush është kjo vajzë. Secili jepte përgjigjen në heshtje pa u pyetur nga njëri- tjetri duke rrudhur krahët. Vajza shoqërohej nga një shoqe dhe një gazetar i Rilindjes Q. Zunë vend në një tavolinë në qoshe të kafenesë. Porositën kafetë dhe filluan bisedat. Nganjëherë të qeshurat e Q ishin të mëdha dhe imponuese karshi vajzave në tavolinë. Kjo vajzë filloi të vinte disa herë në vazhdimësi dhe shoqërimin përpos me Q filloi ta zgjerojë edhe me të tjerë. Një ditë, meqë të gjitha tavolinat ishin të zëna, në një tavolinë ishin të ulur shkrimtarët MK dhe IP të cilët po bisedonin për çështje letërsie dhe njëkohësishtë po prisnin shokun e tyre Kushtrimin. Meqë ishin dy karrige të lira në të njëjtën tavolinë, përmes Q kërkuan të uleshin në tavolinën e njëjtë. Gjatë bisedës vajza me kaçurrela, Hyra, që kishte ardhur nga një qytet tjetër në Prishtinë, filloi t’i rrëfejë hallet e veta. Gjatë bisedës Kushtrimi vërejti se kësaj vajze nuk po i pret sakica në një vend dhe për një moment e pyeti se çfarë shkolle kishte mbaruar. Ajo tregoi se kishte përfunduar shkollën e mesme ekonomike dhe se ishte pa punë. Ndërkaq vëllezërit e saj kishin kaluar si azilantë në Gjermani. Sapo kishin filluar punën në Gjermani duke punuar në të zezë, sepse njëkohësisht këta po përdornin edhe të drejtën e kompensimit material gjatë qëndrimit si azilant politik. Hyra siç u prezentua kishte dëshirë që të shkruante poezi. Madje nga dëshira e madhe e saj për t’u dukur, shpeshherë i ngatërronte termat letrarë duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit në taviolinë. Nxori nga çanta pa ia kërkuar askush një fletore ku kishte filluar të shkruante poezi me laps kimik. Titujt e poezive i kishte shënuar me ngjyrë të kuqe, kurse përmbajtjen me të kaltër. Gjithashtu në pjesën e epërme të faqes kishte bërë edhe ndonjë larë në formë luleje me fllamaster. Poezitë i kishte shumë të dobëta, deklarative, fjali të palidhura si vargje poetike. Kur filloi t’ua lexojë të pranishmëve në tavolinë, niveli i tyre të krijonte neveri. Ishte torturë e veçantë ta dëgjoje këtë njeri duke lexuar edhe keq, por edhe e shkruar keq. Kjo ishte në disharmoni të madhe mes bukurisë së saj fizike dhe produktit të saj mendor. Të pranishmit sërish u qeshën me ironi, kurse Hyra u qesh me shpirt duke menduar se kishte bërë hata. Ua ofroi ato punime të pranishmëve për t’i lexuar dhe për t’ia korigjuar. Duke parë nivelin tepër të dobët asnjëri nuk pranoi, duke u arsyetuar në forma të ndryshme. Të nesërmen Hyra nuk u ul më me të njëjtit njerëz në tavolinë. Kishte ndërruar shoqërinë. Tashmë ishte ulur me disa krijues mesatarë, që e mbanin veten për poet të niveleve të majave të letërsisë. Njëri nga këta kishte mjekër, njëri mbante syze, kurse njëri kishte një dhëmb ari, që sa herë qeshej artificialisht, dhëmbi sikur tregonte nivelin e zbrasëtisë intelektuale të pronarit. Shoqërimi me Hyrën tashmë u bë i përditshëm. Në tavolinë shpeshherë nxirrnin letra për të korrigjuar krijimet e Hyrës. Kështu ditë pas ditësh Hyra hyri në kafene me disa libra në dorë. Të pranishmit u panë sy më sy dhe vërejtën se autorja e librit ishte Hyra. Gjatë shfletimit vërejtën se libri ishte me poezi. Shokët e tavolinës së Hyrës ishin bërë shend e verë, kurse Hyra sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Kështu Hyra ishte bërë poete. Shkrimtarët, të cilët kishin patur rastin të rrinin në tavolinë me Hyrën, ashtu të mbërthyer sy më sy, lëshonin nga një “offff” e “uffff” duke luajtur kokën. Njëri e kishte marrë një libër nga kurioziteti për ta parë gjoja anën teknike. Në fakt ai kishte parë redaktorët dhe recensentët. Dhe këta, ishin shokët e tavolinës së Hyrës. Dikush nga ata e kishte gjëndjen e mirë ekonomike dhe shoqërohej si shpesh me Hyrën edhe pas orarit të punës. Por Hyra nuk e kishte problem shoqëriminin. Ajo filloi ta zgjerojë rrethin e njerëzve, me të cilët shoqërohej. Me të gjithë që shoqërohej, nga pak fërkoheshin në letërsi. Secili në vete i lëshonte nga një shpoti Hyrës e Hyra pa e analizuar fare qeshej si fëmijë. Kështu ajo filloi edhe të shkonte me automjet me disa prej këtyre njerëzve që pretendonin se merreshin me letërsi. Nëpër orë letrare merrte pjesë edhe Hyra, e shoqëruar nga hamshorët e letërsisë. Kur e prezantonin Hyrën, të gjithë bëheshin sy e vesh nga bukuria e saj, duke pritur se çka do të thoshte dhe çfarë poezie do të lexonte. Që në fillim Hyra ngatërrohej me përshëndetje dhe pastaj poezinë e lexonte dobët. Në ndonjë rast kur lexonte ndonjë poezi që ishte e arrirë (nga se ja kish shkruar dikush), leximin e bënte shumë keq. Themi e arrirë për shkak se niveli i poezisë së lexuar, krahasuar me nivelin e poezive të fletorës ishte pakrahasimisht i madh. Të gjithë filluan të flasin se poezitë e kësaj ia shkruante iksi apo ypsiloni, pastaj se ia shkruanin së bashku disa nga krijuesit, duke përmendur emra të veçantë, për të cilët thuhet se dikush ia bënte me para, nga se vëllezërit i kishte në Gjermani. Kurse dikush thoshte se poezitë i kishte shkruar me shpinë. Kështu Hyra u bë e njohur. Filloi të shoqërohej edhe me disa femra të cilat në forma të ndryshme po lakmonin dhe ëndërronin të hynin në botën e letërsisë. Përflitej se disa krijues, i kishin kërkuar Hyrës që t`u gjente shoqe, për të kaluar së bashku çastet e monotonisë siç i kishe thënë njëri. Hyra fillimisht nuk kishe dashur ta bënte këtë, por pas insistimit këmbëngulës, pas lutjeve imponuse si dhe pas lavdërimeve përulëse ndaj saj, kishte filluar që t’i afronte dalangadalë disa nga shoqet e saj. Edhe shoqet ishin të bukura, por nja dy prej tyre e kishin gjëndjen ekonomike jo të mirë. Me kalimin e kohës edhe këto u bënë poete. Ndërkaq Hyra ishte mbretëreshë e tyre. Edhe këto filluan të silleshin si Hyra, duke marrë pjesë në orë letrare. Edhe këto ngatërroheshin si Hyra në çështjet elementare. Sa trishtim e tmerr njëkohësisht ishte që të dëgjohej se si lexonin. Sa trishtim ishte të shikohej se sa keq shkruanin. Po me kalimin e kohës, edhe këto botuan libra me poezi të cilat dallonin nga shkarravinat e tyre fillestare. Në qarqet letrare të Prishtinës flitej se filani e bëri poete filanen, e fisteku e bëri poete fisteken. Përflitej se filan shkrimtar këtë gjë e bën për para, duke ia shkruar poezitë filanes, se filan shkrimatr i hyp filanes, prandaj ia rishkruan të gjitha poezitë. Madje përflitej edhe për emra krijuesish, që këtë e bëjnë për të dyja bashkë, edhe për para, edhe për shfrytëzim seksual. Njërën nga këto, një ditë e takon Kushtrimi rastësisht në kafenenë “Koha”. Ajo e njihte Kushtrimin fizikisht, ngase e kishte takuar në manifestime të ndryshme letrare. Kushtrimi e kishte provokuar për një moment. Fillimisht i kishe bërë kompliment, ndërkaq i kishte thënë se Hyra gjoja kishte thënë për këto krijueset tjera, se janë nxënëse të mia, dhe se asnjëra nga ato nuk më afrohet. Sepse Hyra kishte gjoja një kulturë leximi dhe shkrimi kulminant. Shoqja e saj që po bisedonte quhej Zyrafete, por e thërrisnin shkurt Zyra. Ajo u nxeh duke u skuqur në faqe dhe për një moment shpërtheu duke treguar se Hyra ka qenë nxënëse e dobët në shkollë fillore dhe nxënëse e dobët në shkollë të mesme. Gjithashtu tregoi se ajo nuk kishte lexuar asnjë libër dhe se kurrë lekturat shkollore nuk i kishte bërë dhe as lexuar, por i kishe kopjuar te vëllezërit e Zyrës. Madje një vit në shkollë të mesme kishte mbetur në provim pikërisht në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, krahas edhe një lënde tjetër. Tregoi gjithashtu se disa nota të dobëta i kishe përmirësuar përmes formave të ndryshme të ndërhyrjeve. Kurse për vete Zyra tha se as unë nuk kam lexuar shumë, por të paktën në gjuhë e kam pasur notën 4. As unë nuk kam shkruar më përpara, po tani kam filluar të merrem me shkrime letrare. Kushtrimi e komplimentoi sërish Zyrën duke i thënë se kishte dëgjuar nga dikush që i paskësh thënë Hyra se poezitë e Zyrës ia shkruanin disa shkrimtarë, duke i thënë se i dinte edhe emrat e tyre. Në fund për ta relativizuar muhabetin, Kushtrimi i tha se fundja nuk është ndonjë gjë e panjohur në letërsi në çdo vend të botës, dhe se ti sigurisht nuk e ke për turp t’i përmendësh emrat e njerëzve me të cilët bashkëpunon. Bashkëpunimi nuk nënkupton se ata t’i kanë shkruar librat përkatësisht krijimet letrare, por nënkupton se ata të kanë ndihmuar në idetë dhe shkrimet e tua. Prandaj pse të thuhet për ty kështu? Zyra përsëri u mërdhez, duke i pëlqyer arsyetimi i fundit i Kushtrimit, duke potencuar pastaj se ‘mua nuk ma nin’, se unë bashkëpunoj hapur me filanin, filanin, filanin…dhe se për ndihmën që më kanë dhënë i kam paguar nga 1000 marka secilin, por Hyra le të tregojë se si i shkruan poezitë me shpinë duke bashkëpunuar me filanin, filanin, filanin…duke përmendur kështu afër 10 veta me emra dhe mbiemra. Kushtrimi i thotë, mos fol kështu se ndoshta nuk është e vërtetë. Zyra sërish reagoi duke i thënë se Hyra vetë m’i ka pohuar të gjitha me gojën e saj, dhe se nuk e ka problem të rrijë, të shoqërohet me të gjithë këta, por edhe me të tjerë. Ajo e ka zgjeruar rrethin tashmë shumë, sepse para ka siguruar, ngase vëllezërit e saj mendojnë se motra e tyre është bërë shkrimtare me meritë. Ata mendojnë se motra e tyre është duke i shkruar vetë librat e saj. Hyra deri tani ka pasur ndonjë ide për të shkruar për lisin, malin, për zogun, për Kosovën, ku çdo poezi ia jepte ndonjë shkrimtari për t’ia korrigjuar, duke fjetur me secilin prej tyre, kurse tani nuk lodhet as ide të kërkojë te ndonjë shkrimtar, ngase të gjithë ata që i japin poezitë e veta. Kjo ka vetëm një detyrë. Të jetë gati për t’u përgjigjur kërkesave seksuale të tyre. Duke folur kështu Zyra më në fund sikur u pendua paksa, duke i thënë Kushtrimit se të gjitha këto jane mëse të vërteta, por të kisha lutur që të mos e përmendësh kund emrin tim si burim informacioni. Në pyetjen se për se ke besim te unë që m’i thua këto, për të cilat thua se janë të vërteta, Zyra i thotë: Edhe unë kam bërë disa gabime, edhe unë kam shkuar me disa shkrimtarë por të gjithë ata i kam paguar për punën që kanë bërë, kurse tek ti kam besim për faktin se kam vërejtur gjatë prezantimeve që ke bërë në manifestime të ndryshme, se je njeri serioz dhe se për ty flitet mirë në qarqet letrare. Kështu, Zyra me Kushtrimin, filluan që të takoheshin ndonjëherë po në kafenenë “KOHA”. Meqenëse Zyra kishte krijuar një besim tek Kushtrimi, duke treguar për bëmat e Hyrës dhe ndonjë poeteshe tjetër, sikur kishte nevojë për rrëfim brenda vetes. Prandaj e bindur se Kushtrimi nuk do t’ia keqpërdorte fjalët, filloi t’i tregojë edhe për disa krijuese të tjera. Kështu i tregoi raste të ndryshme se si njëra i shante me nënë disa nga këta krijues, të cilët ia kishin rregulluar poezitë. Kur kishte parë se dikujt tjetër po i rregullonin edhe titujt e poezive, i kishte ardhur inat. Kishte dalë në përfundimin se kësaj tjetrës ia kishin bërë poezitë më të mira. Kjo nuk dinte të dallonte vlerën estetike, por donte që ndihma t’i bëhej vetëm asaj, sepse siç shprehej ajo lirëshëm në zhargonin e një rebeleje : ”Përderisa janë q… me mua atëherë duhet edhe të rrinë besnikë vetëm ndaj meje, se përndryshe jua q… nanën krejtëve, ua bëjë publike çdo gjë që di për ta”. Në pyetjet e Kushtrimit se cilët krijues po merren me “ndihmesa të tilla“ ndaj këtyre femrave krijuese, Zyra i përmendi disa emra, të cilët ishin nën mesataren e krijueseve në Kosovë, por nja dy tre sosh që i përmendi janë poetë mbi këtë mesatare.- Po pse e bëjnë këtë këta krijues – pyeti me kureshtje Kushtrimi? Pse e bëjnë? Kjo dihet!.. Disa e bëjnë për të përfituar duke i shtënë në dorë, për të fjetur me to në shtrat, por ka edhe ndonjë që kjo punë nuk i intereson, por i intereson paraja. Pas përfundimit të luftës, Hyra shikonte se si të inkorporohej në rrjedha duke ju imponuar disa komandantëve të niveleve të ndryshme. Atyre u kishte treguar se merrej me shkrime letrare, poezi, e madje ndonjërit prej tyre edhe ia kishte kushtuar ndonjë poezi, por asnjërit nga ata për çudi të saj, kjo gjë nuk i kishte lënë përshtypje. Kështu që Hyra duke e parë se nuk e kishin marrë parasysh, kishte thënë se këta janë hamshorë dhe nuk marrin vesh nga letërsia e as nga kultura. Kishte deklaruar kështu madje edhe në ndonjë vend publik, kështu që këto fjalë u kishin shkuar në vesh atyre komandantëve, të cilët ajo i kishte përmendur me emra. Këtë e kishte bërë sidomos kur kishte dëgjuar se këta komandantë po shoqëroheshin me disa femra më të reja se kjo. Nga inati, Hyra pas lufte kishte marrë rrugën e perëndimit. Ishte sorollatur për një kohë nëpër Gjermani e Zvicër, duke u shoqëruar me disa veprimtarë të çështjes kombëtare, por as ata, sipas saj, nuk e kishin afruar ashtu siç kishte llogaritur ajo. Kishte provuar që të shkruante poezi edhe për lufën e dëshmorë të ndryshëm, por poezitë e saj ishin shumë deklarative dhe të dobëta. Pasi ishte mësuar që të ishte e previlegjuar në rrethet e botës mashkullore, me kategorinë e njerëzve që shoqërohej, dhe pasi kjo kategori tashmë në ambientin dhe rrethana të reja nuk po gëzonte respektin çfarë pretendonte, rrjedhimisht secili nga këta filluan të bëheshin opozitë ndaj çdo gjëje, në çdo aspekt, e me kalimin e kohës ishin bërë opozitë edhe ndaj njëri- tjetrit. Të gjithë këta tashmë ishin larguar edhe nga Hyra sepse kërkesat e tyre ishin më të larta, të paarritshme në raport me mundësitë që kishin. Meqë nuk ishte ambientuar në perëndim, duke mos u stabilizuar në asnjë punë, Hyra ishte kthyer në Kosovë sërish. Në Gjermani i kishin afruar të punonte si pjatalarëse në një restorant. Kjo e kishte refuzuar këtë detyrë, ashtu siç kishte refuzuar edhe në dy raste që të punonte si pastruse në një hotel, mundësi të cilën ia kishte krijuar një shqiptar. As këtë nuk e kishte pranuar. Nuk kishte pranuar as të bëhej kuzhiniere. -E si të bëhej kuzhiniere kur ajo vazhdimisht ka ngrënë gjëra të gatshme në qytet? – tha Zyra duke shtuar me ironi se ajo di të përgatisë vetëm vezë dhe suxhuk. Kështu ditë pas ditësh, Hyra kishte rënë në depresion. Ishte kontrolluar edhe tek psikologu, Gjithashtu ishte konsultuar edhe me një psikiatër. Psikiatri i kishte caktuar edhe terapi. Hyra fillimisht kishte filluar t’i përdorte barnat, por më vonë siduket shkalla e depresionit ishte rritur dhe si rrjedhojë barnat nuk po i përdorte më. Në vend të tyre përdorte shumë duhan dhe alkool. Nëpër kafene ku qëllonte, bërtiste e shante. Po kështu vepronte edhe kur merrte pjesë edhe në ndonjë manifestim letrar. Organizatorët e manifestimeve letrare, duke e parë se Hyra kishte filluar të fliste pa kontroll, kishin filluar të mos e thërrisnin si dhe të mos ia jepnin fjalën nëse ajo shkonte e paftuar. Pas disa skandaleve që kishte bërë, thuhet se një ditë ajo kishte përfunduar në repartin psikiatrik për trajtim të detyruar. Akoma qëndron në këtë repart, ku përdor një fletore dhe laps, ku shkruan në mënyrë të çrregullt, herë në fillim e herë në fund të fletores dhe duke ju thënë mjekëve se “unë jam poetesha më e mirë shqiptare dhe se mua me takon çmimi Nobël për letërsi”. Këto fjalë i përdor shpesh para kujtdo që takon. Mjekët dhe teknikët medicionalë, qeshin me të, dikush duke lëvizur kokën, dikush i bën qefin duke i thënë se ty të takon vërtet të jesh nobelistja e parë shqiptare në letërsi. E dikush me shikimin përtokë, ecën në heshtje duke lëvizur kokën me keqardhje.