Shqipëria/Aktualitet

Tensionet në Kosovë, Rama: Dialog i palodhur me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët

Më në fund edhe reagimi i “ekuilibruar” i Kryeministrit shqiptar! E kuptojmë situatën dhe pozitën e shtetit tonë dhe të Qeverisë shqiptare… I kuptojmë edhe rrethanat dramatike në botë: Lufta në Ukrainë, situata e tendosur me Kinën rreth Tajvanit, gjendja e tensionuar midis dy Koreve dhe situata tjera konfliktuoze anembanë botës. E kuptojmë që këta “axhaminjtë” nuk këshillohen dhe i kanë “ngrirë” marrëdhëniet me shtetin tonë, etj. Por, kur Serbia hapur manifeston pretendime territoriale, ushtron agresion dhe ndërhyn brenda kufijve të njohur të Republikës Shqiptare të Kosovës shteti ynë AMË (anëtar i KS në OKB, antar i NATO -s) duhet ta qartësojë deri në fund qëndrimin dhe pozicionin e tij karshi Serbisë neofashiste e luftënxitëse… Tirana zyrtare duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë dhe botës (sidomos miqve tanë) se është për dialog dhe marrëveshje paqësore por, në rast të konfliktit apo cenimit territorial të Republikës së Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq dhe do të jetë në anën e Kosovës me të gjitha forcat e saj… Kështu i ruajmë edhe miqtë. Kështu ruhet edhe paqja dhe siguria. Serbia nuk njeh gjuhë demokratike e diplomatike… Metodat dhe mjetet e saj kundër Republikës së Kosovës nuk janë as demokratike, as diplomatike dhe as paqësore… (GL)

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se po e ndjek me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohet me qëndrimet e aleatëve strategjikë SHBA dhe BE.

Kryeministri reagoi në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës pas dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë dhe daljes nga Kuvendi të deputetëve të Listës Serbe.

“Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të planit franko-gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog”, u shpreh Rama përmes rrjeteve sociale.

Kryeministri theksoi se “autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë”.

Por, vijoi ai, “i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me ‘forcë’”.

“Prandaj duhet kërkuar një dialog i palodhur me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët”, u shpreh Rama.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme mandatet e tyre i dorëzuan edhe 10 deputetët e Listës Serbe.

Këto veprime kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë pezulluar drejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriç.

Ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e qeverisë së Kosovës për targat.

/m.m/r.e/