Histori

Ylli Meçe: Teksa po prisnim… Xhevdet Mustafën!

Tashmë historia e zbarkimit dhe misionit të parealizuar të bandës së Xhevdet Mustafës me të gjitha enigmat e veta pothuajse është bërë e qartë në publikun shqiptar, madje nuk është çudi që dhe vetë zbulimet e huaja të jenë habitur me shkallën e lartë të gatishmërisë së forcave tona kufitare dhe ato të Flotës Ushtarako Detare si pjesë që ruanin ujërat tona territoriale në mbrojtje të sovranitetit dhe pavarësisë të atdheut tonë, Shqipërisë. Natyrisht, unë sikurse dhe shokët e mi të armëve nuk ishim aspak në dijeni për misionin e bandës komando me terroristë dhe se si e në ç’mënyrë fijet e saj shkonin deri në koordinimin e veprimtarisë së saj me disa agjentë potencialë brenda vetë udhëheqjes së PPSH-së për të rrëzuar Enver Hoxhën. Nga analiza që i kam bërë e i jam rikthyer herë mbas here kësaj ngjarjeje, që bëri aq shumë bujë, në vitet e mëvonshme duke shfletuar rreth personit Xhevdet Mustafa, por dhe duke e lidhur këtë ndodhi me disa elementë të tjerë plotësues, bindem plotësisht se mbrapa aktit terrorist të tij, qëndronte dora e CIA-s amerikane pse jo dhe e SIMS-it italian mbase dhe e zbulimeve të tjera, si psh. ajo e UDB-së jugosllave dhe nuk është çudi që për misione kaq të rëndësishme të ketë patur dhe koordinim të përbashkët midis zbulimeve të këtyre vendeve teksa Jugosllavisë po i dridhej nën këmbë, toka e Kosovës së përflakur. Personalisht, sikurse e shkruajta dhe më sipër apo dhe në ndonjë organ tjetër, për detyrën që mbaja në atë kohë si Komandant i Skuadriljes së katrave silurues në Bazën Ushtarako-Detare dhe njësinë e Sazanit, më është dashur që përpara kësaj ngjarjeje të kem qenë herë dëshmitar direkt, kur shoqëronim luftanijet amerikane, të cilat nuk e njihnin kufirin tonë detar prej 15 miljesh (një mil detar është afërsisht i barabartë me 1.85 km), por njihnin kufirin e vjetër prej 12 miljesh detare. Amerikanët, duke qenë se kishin vendosur veton e tyre i shkelnin ujërat tona. Ndodhte që shpesh herë, në formacione luftarake ata lundronin në konvoi (lloj formacioni tip karvani) duke mbrojtur anijen më të rëndësishme të tyre, sikurse më ka qëlluar rasti që së bashku me kolegët e mi detarë e oficerë, të shikonim mbi kokat tona helikopterët, të cilët uleshin e ngriheshin herë njëri e herë tjetri që të siguronin mbrojtjen ajrore dhe fluturonin mbi kokat tona jo më shumë se 100-150 m, teksa dhe ne i shoqëronim lëvizjet e tyre me grykat e mitralozave dhe me silurët e përgatitura për qitje. Ishte një përgjegjësi e madhe sepse, duhej të ruheshim dhe nga provokacionet, duhet të tregoheshim shumë gjakftohtë, ngaqë mbas nesh kishim lirinë e një populli të tërë, se një veprim i nxituar apo i pamatur nga ana e jonë, mund të çonte dhe në konflikt të armatosur. Ja kështu na ndodhi dikur, sidomos mbas ngjarjes së futjes së nëndetëses së huaj në Gjirin e Vlorës afër madje shumë afër Bazës Ushtarako Detare të Nëndetëseve të dislokuara këto në Pashalimanin e famshëm. Por përpara se të shkojmë te Xhevdet Mustafa, më duhet të nënvizoj se situata e brendshme, përkonte me presionin e madh që po i bëhej Mehmet Shehut nga padronët e tij, nga ku ai, duhej të shpejtonte planin për eliminimin e Enver Hoxhës. Futja e nëndetëses së huaj (që unë e mendoj se ishte amerikane, për vetë faktin se në Taranto, pra në jug të Italisë ndodhet një Bazë Usht. Detare amerikane) kishte për qëllim të demonstronte praninë e saj. Ajo doli qëllimisht në PDN, pozicion ky që e bën të dallueshme “Urën e komandimit të nëndetëses”. Shtrohet pyetja po a mund të ishte dhe ruse? Sigurisht që mund të ishte dhe ruse, por përse do vinte nëndetësja ruse në Pashaliman, teksa ata e kishin si në “pëllëmbë të dorës” jo vetëm pozicionin e saktë gjeo-detar të bazës tonë ushtarake, por dhe e dinin dhe i njihnin me imtësi të gjitha strukturat e objekteve pozicionet dhe vendndodhjet e tyre. Çdo sekret të kësaj, ata e dinin me saktësi. Çfarë do zbulonin me këtë rast ata, mos vallë katër nëndetëset që e dinin fare mirë sepse i kishin prodhuar vetë? Pra logjika, për mision zbulimi nga ana e rusëve të çon në përjashtimin e përfundimit se ajo na qenkësh nëndetëse e tyre. Dua ta lidh këtë fakt me një pohim të ish-ambasadorit amerikan Withers, në një nga ish-televizionet tona private (se cili Tv ishte nuk më kujtohet mirë… mbase Topi… pse jo dhe Klani, por mendoj se ishte “Topi”). Kur drejtuesja e emisionit i drejtoi pyetjen: Z. ambasador, a ka qenë M.Shehu, nën shërbimin amerikan? Ai në mënyrë të thjeshtë pa i bërë asnjë koment, me nje përgjigje të shkurtër deklaroi: Po Mehmet Shehu ka qenë në shërbimin tonë. Sigurisht që unë aso kohe, pa e kryer Mehmeti vetëvrasjen, as që e shkoja kurrë ndërmend këtë gjë madje e kam përjetuar keq, sepse Mehmet Shehu ka qenë një luftëtar i madh dhe përherë në krah të Enver Hoxhës dhe kurrsesi nuk do ta dëshiroja që ai të ishte armik, sikurse nuk më shkonte kurrë në mendje se ultra revizionisti R.Alia të ishte pjesë e lojës për pushtet dhe aktori më i madh i tradhtisë me atë buzëqeshjen e tij gati të qetë e enigmatike, pa folur për Kadri Hazbiun, që Mehmeti në momentet e deziluzioneve të mëdha dhe pabesisë së tij e ngaqë po e hante Mehmetin mbas shpine ai e quajti “Jago”. Këto “pasazhe” të shkurtra, i vendosa jo pa qëllim, me idenë se ajo çka po kurdisej në planin e brendshëm, ishte domosdoshmërisht e koordinuar me faktorin e jashtëm, pra me rrjetet e zbulimit dhe qendrave të spiunazhit. Dhe nuk ishte aspak rastësi se pikërisht në vitet 80- 85 ne kemi patur intensitetin më të madh të shkeljeve të kufijve të hapësirës tonë detare. Nuk marr dot rolin e Komandës së Flotës sepse ata e njihnin shumë mirë situatën. Pra shkurt, nëndetësja amerikane (kjo është ide e imja, mbas shumë e shumë analizash e reflektimesh duke i ballafaquar me situatat e asaj kohe) në Gjirin e Vlorës i jepte mesazh fare hapur Mehmeti: Ne ja ku na ke, prandaj vepro! Ne na ke këtu në mbështetjen tuaj dhe do të jemi gati. Por në mesin e tetorit te atij viti pra me 1981 kjo nëndetëse u rrethua nga grupi i anijeve të patrullimit dhe kërkimit të nëndetëseve dhe e interceptuan me valët akustike. Asaj iu emetuan valë nga anijet tona për t’i lënë komandantit të saj, të kuptonte se ne e kishim zbuluar dhe jemi në kontakt akustik, që do të thotë, se nëse nuk del në sipërfaqe, mundet dhe t’iu godasim. Edhe pse kjo situatë u raportua në Ministrinë e Mbrojtjes, Mehmeti nuk gjendej as në zyrë dhe askund, madje dhe askush nuk e dinte se ku ndodhej ai. Në këtë situatë tejet të nxehtë e të komplikuar dhe që mori karakter luftarak iu raportua Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, i cili pa as më të voglin ngurrim urdhëroi : Të asgjësohet nëndetësja e huaj që ka hyrë në Gjirin e Vlorës! (Shokët e mi të cilët kanë deshifruar radiogramin e thonë se kishte shkruar: Të asgjësoni nëndetësen dhe t’ia thyeni brinjët”!) U tentua të goditej nëndetësja madje kundër saj u hodhën dhe disa bomba thellësie, por falë manovrës profesionale të komandantit të asaj nëndetëseje, si dhe të teknologjisë të përparuar dhe me shpejtësi, që ajo i shpëtoi rrethimit. Jam i sigurt, se ky komandant pavarësisht meritës profesionale, do ta mbajë mend gjer në vdekje atë çka kuptoi kur u rrethua, pikërisht atje në atë vend ku shqiptarët u përballën me kërcënimin e rusëve. Natyrisht, u takon këtyre shokëve të anijeve mbiujëse luftarake të shkruajnë me detaje këtë histori dhe të gjithë teatrin e veprimeve luftarako-detare në mesin e tetorit 1981 vetëm 3-4 javë para Kongresit të 8 të PPSH-së. Dua të shtoj, se nëse do të kishte një angazhim më profesional si dhe po të mos kishte patur defekte dhe mungesë të gatishmërisë të ndonjë anijes tonë, nëndetësja dhe mundet të ishte asgjesuar. Po kujt mund t’i shkonte ndër mend, se ne ishim aq afër situatës luftarake të vërtetë? E solla shembullin e tillë, për të treguar se kemi kaluar realisht situata luftarake, të cilat nuk ishin të rastësishme dhe që përkonin me luftën për pushtet të puçistëve, të atyre që po i largoheshin idealeve të vërteta komuniste, teksa populli, komunistet e vërtetë dhe kudo gjithë njerëzit e ndershëm punonin për të ndërtuar socializmin dhe mbrojtur fitoret e arritura në kushtet e një bllokade të egër të paparë ndonjëherë dhe të pamëshirshme ndaj këtij populli të vogël. Mehmet Shehu, u vetëvra duke menduar se tashmë veprimtaria e tij ishte zbuluar. Kjo bëri që situatën ta merrte në dorë Kadriu, i cili u bë dhe ministër i Mbrojtjes. Në këtë rast ai e humbi autoritetin mbi Ministrinë e Brendshme, e cila i kaloi Hekuran Isait, teksa Enver Hoxha ishte gjallë dhe në krye të PPSH-së. Po a dinte gjë Kadriu për bandën e Xhevdet Mustafës, për misionin e saj dhe si shpjegohet që ai nxitoi të shkonte vetë në operacionin e rrethimit dhe asgjësimit të kësaj bande? Kjo gjë e gëzoi apo e hidhëroi Kadri Hazbiun? Çfarë lidhje kishte Kadriu me bandën dhe pse pikërisht Xhevdet Mustafa, përpara se të vriste veten dhe ti afrohej mjeti i blinduar kërkoi të takohej me Kadriun? Të jetë e vërtetë se Xhevdet Mustafa ashtu sikurse shkruan një ish-oficer dezertor e që tashmë ha hamburger në Amerikë, i cili na paskësh patur shoqëri dhe njohje me të, deklaron se Xhevdeti nuk na qenkësh nisur me mision si një “njësit komando”, por kishte shkuar atje për të marrë nënën e tij, e cila banonte në Durrës?! Kjo shpikje, por dhe shpifje sa naive aq dhe foshnjarake. Për një specialist të mirëfilltë, e kupton se si dritën e diellit se të shkosh i armatosur të bësh për vete një grup terroristësh të specializuar duke iu mbushur mendjen, për të tërhequr një grua plakë nga Durrësi do të ishte aventura më e pabesueshme, por dhe shakaja më e bukur e një shekulli të tërë. E cili idiot do të kërkonte të shkonte për “dhjamë qeni” apo si “breshka te nallbani”? Po pse kaq i papjekur do tregohej Xhevdeti sa “i tregonte të vërtetën oficerit dezertor, se do shkonte me qëllim terrori në udhëheqjen e lartë të PPSH-së? Nuk i di oficeri në fjalë se “alfa” e punës së spiunazhit është të mos i besosh as më të besuarit? Dhe se çfarë misioni konkret mund të ketë patur banda, rrezik që as Sigurimi i Shtetit të mos e ketë ditur misionin e tij tepër sekret terrorist dhe cilin nga udhëheqja e lartë ishte projektuar në shënjestrën e tij. Po pse? Sepse për qëllime sigurie dhe konspiracioni në shumë raste, misioni jepet në çastet e fundit nga kapua i tyre dhe kjo e ka një qëllim, kur askush nuk e ka mundësinë të dekonspirojë. Ne kishim dijeni për ardhjen e Xhevdet Mustafës dhe kur them “ne” kam parasysh organet tona, teksa mua personalisht më është treguar fotografia e tij nga shefi i sigurimit të Bazës Usht.detare Z. Piska, duke më porositur: Shikoje mirë këtë foto, nëse e hasni gjatë detyrave luftarake në det, duhet ta ndaloni me çdo kusht. Po mos vallë unë e dija se kush ishte Xhevdeti dhe pse do të vinte ai në Shqipëri? Jo aspak! Madje rrezik që as vet shefi i sigurimit të mos ia dinte emrin. Nuk kisha as njohurinë më elementare se kush na qenkësh ai! Diçka kuptoja, se pritej një bandit i rrezikshëm, apo dhe një grup… dhe vetëm kaq! Këtë do ta kuptoja më vonë, teksa unë bashkë me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, Pirro Katro dhe shefin e shtabit të Brigadës së Himarës, Bush Mehmeti, do të rrinim me mision “prite” në Gjirin e Gramës, në ditët e nxehta të korrikut të vitit 1982. Se mos ishim vetëm ne! Jo në këtë detyrë ishin thuajse të gjitha forcat e kufirit detar, reparte të veçanta të dislokuara në buzën e ujit dhe forca të tjera të policisë, pikat sinjalo-vrojtuese dhe repartet e artilerisë b/detare së bashku me Skuadriljet e Katrave silurues, të cilat rrinin në pritë në pikat e tyre taktike në pritje të “mysafirit të paftuar”. Me këtë nuk dua të paraqit veten sikur isha një oficer i rangut të lartë, por më duhet t’i them brezit të sotëm, se ne etërit e tyre në atë kohë kishim një ndjenjë të lartë përgjegjësie në ruajtjen e Atdheut tonë dhe për këtë ndihemi aq shumë krenarë.

Në një detyrë të kësaj rëndësi pati ndodhur që një prej komandanteve tanë, N.Koçia në pranverën e atij viti, e kapi një motoskaf në të cilin më vonë thuhej dhe dyshohej se në të, mundet të kishte qenë dhe Leka Zogu. Diçka me të vërtetë e habitshme. Po a ishte e mundur? Teksa periudha në fjalë e vitit 1982 përkon me qëndrimin e Leka Zogut “me pushime” në Itali në San Foka të Lecces dhe se atje na paskësh qenë dhe i pati bërë një vizitë Xhevdet Mustafa do të thotë se plani i zbarkimit ka qenë i koordinuar më së miri. Interesant është fakti se mbasi u kap ky motoskaf në perëndim të Karaburunit dhe komandanti i saj filloi ta shoqëronte për në Vlorë, vjen një urdhër tjetër nga ministria, që ai motoskaf të nxirrej nga ujërat tona dhe të lihej i lirë. Mbasi e lanë të lirë dhe u siguruan për largimin e tij, atëherë filluan të “kryqëzonin” komandantin e anijes që përse e la këtë motoskaf të lirë duke bërë analizë mbas analizash. Po a mundej me të vërtetë që Leka Zogu të ndodhej pikërisht në atë motoskaf? Të dyja mundësitë ekzistojnë, por fakti që një herë u dha urdhri shoqërojeni objektin në Vlorë dhe në të pastajmen vjen urdhri tjetër që nxirreni nga ujërat tona dhe lëreni të lirë, të bën që të dyshosh shumë, aq më tepër kur dihej mirë se Xhevdet Mustafa dhe Leka Zogu kishin një miqësi të hershme me njëri-tjetrin, miqësi kjo që i lidhte urrejtja ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Në këto kushte, Kadri Hazbiu e nxori dhe e pezulloi nga detyra oficerin tonë dhe dha urdhër që të hetohej çështja. Ai bënte si i “xhindosur nga inati” që përse e lanë të lirë anijen, ku binte dyshimi, (ndofta hiqej sikur ishte i tillë) teksa nuk është çudi që të ketë qenë personalisht ai apo të tjerë pjestarë të “bandës së madhe” të brendshme që nëpërmjet kanaleve të pakuptueshme ta kenë dhënë vetë urdhrin për lirimin e tij. Te ne, sidomos në Regjimentin e Katrave silurues të bazës së Sazanit, u krijua një gjendje e rëndë psikologjike sepse përveç këtij motoskafi i cili u la i lirë, ndodhte që dhe mjete të tjera shumë të shpejta të futeshin të shkelnin ditën dhe natën ujërat tona dhe të largoheshin me shpejtësi të madhe. Mundet kjo të ketë qenë një ndër pikat e zbulimit të huaj, të cilët bënin në mënyrë të qëllimshme shkeljen e kufirit detar, për të tatuar pulsin, për t’u njohur me shkallën e gatishmërisë së anijeve tona në ruajtjen e kufijve detarë, për të zbuluar pikat e forta dhe ato të dobëta, teksa nga ana tjetër ministri kërcënonte eprorët tanë, që o të kapni motoskafët ose ja ku e kini burgun. Më vonë në të kundërt të saj kur ne hapëm zjarr ndaj njërit prej tyre, ai kaloi në të kundërtën e atyre kërcënimeve duke i kërkuar llogari Komandantit tonë T.Meçe dhe Q.Hysi që kush ju dha urdhër që të hapni zjarr ndaj tij? Dhe ja si kishte ndodhur: Ishte 22 korriku i vitit 1982 teksa do të merrja detyrën e patrullimit dhe përgjimit në pritë me anijen e skuadriljes së dytë, më takon direkt Komisari i ishullit i ndjeri Halil Leli, anëtar i KQPPSH-së dhe përpara se të dilja në det me detyrë më porositi: Komandant! Çdo anije e huaj, e cila do të tentojë të futet e të shkelë ujërat tona, do ta ndaloni atë me çdo mjet e me çdo kusht. Nisur nga ky urdhër luftarak i thashë: Shoku Halil, a mundet ta shkruani këtë në ditarin tim? Dhe ai e shkruajti ashtu sikurse e shpreha dhe unë më sipër duke hedhur dhe firmën e tij. Fakti që në këto detyra ishin përfshirë të gjitha instancat, tregonte se situata ishte me të vërtetë shqetësuese. Në të përfshiheshin që nga Ministria e Mbrojtjes ajo e Punëve të Brendshme, Komanda e Flotës detare, degët në rrethe, bazat ushtarako detare të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës etj. etj. do të thoshte se kishim të bënim me një situatë serioze. Përderisa mua më patën treguar fotografinë e tij, as që vihet në diskutim fakti se eprorët e mi dinin edhe më shumë se unë rreth kësaj bande që pritej. Teksa akrepat e orës tregonin mbasditen e dt. 25 korrik dhe që përkonte me lënien e shërbimit nga ana jonë dhe dorëzimin e tij anijes tjet?r patrulluese, që do të na zëvendësonte, shikojmë në horizont se nga ana e Korfuzit apo më saktë në hapësirën detare midis Himarës dhe Korfuzit në drejtimin tonë po vinte një motoskaf i bardhë me shpejtësi të madhe. Ata ne nuk na shikonin dhe dallonin dot, mbasi ishim në stop dhe pluskonim mbi det në gjendje të lirë, për më tepër se anijet ushtarake kanë dhe ngjyrën e detit që e rrit shkallën e vështirësisë për t’i vrojtuar dhe dalluar ato. Në këtë kohë dhashë “Alarmin luftarak”, jo që ne tre ditë e tre netë ishim në alarm duke porositur komandantin e anijes A.Kamberi të përgatiste anijen me veprime shumë të shpejta. Dhe ashtu ndodhi, për gati 2-3 minuta katri silurues 502 ishte në gatishmëri të plotë. Ata ende nuk na kishin parë, teksa ne me veprime të befasishme dhe të papritura për ta, u dolëm ballë për ballë. Kuptohet hutimi i tyre, por shpejt e morën veten dhe e kthyen timonin majtas duke marrë drejtimin për nga Perëndimi. Kjo manovër atyre u shërbente për t’u larguar, sepse kishte hapësirë të gjerë detare dhe për më tepër se shpejtësia e tij, ishte shumë e madhe duke patur në bord tre motorë të fuqishëm e me xhiro të shpejta, gjë që u jepte mundësinë atyre ta kalonin shpejtësinë e anijes tonë. Por ne tashmë ishim shumë afër tyre. I paralajmëruam me fishekë shenjëdhënës të kuq që të ndalonin, shenjë kjo që do të thoshte të zbatonin urdhrat tona ndryshe do të hapnim zjarr. Këtë veprim e përsëritëm dhe 2-3 herë të tjera teksa ata të dy që ne shikonim tregoheshin kokëfortë. U drejtohem mitralierve të anijes të hapin zjarr paralajmërues me mitraloza 20-25 m mbi motoskaf duke i porositur asnjë plumb mbi anije dhe mbi personelin e saj. Dhe mitralerët tanë të mrekullueshëm e zbatuan aq mirë detyrën teksa kjo anije përsëri nuk po ndalonte. Koha nuk priste, nëse motoskafi do të dilte nga ujërat tona do të ishte nje turp i madh për ne, një mosrealizim detyre, një nëpërkëmbje e dinjitetit tonë si ushtarakë në mbrojtje të Atdheut dhe ku? Pikërisht brenda Atdheut tonë. Komandanti i anijes A.Kamberi, merr një automatik nga armatura dhe tenton të qëllojë mbi motorët e anijes me qëllim që të nxirrte të paktën ndonjërin prej tyre jashtë funksioni (e theksoj se ishin tre motorë jashtë bordi), por nga leëvizjet mbi dallgë që anija herë ulej e herë ngrihej, një nga plumbat e automatikut goditi mbi kapitenin e anijes. A e dëshironim ne që ta vrisnim? Jo aspak, ketë gjë nuk e dëshironim dhe nuk donim ta bënim. Po nëse ai përseri nuk do ndalej? Kjo ishte mundësia jonë e fundit. Do të hapnim zjarr mbi ta po të qe se ishin gati të dilnin jashtë ujërave tona kufitare. Rrugë tjetër nuk kishte. Kapiteni u plagos rëndë dhe ra, teksa timonin e mori shoku i tij. Si duket i gjithë ky operacion i ndjekjes dhe situata e përballjes me armë e detyroi kolegun e tij të stoponte motorët. Për t’u siguruar e morëm personin tjetër në anijen tonë dhe i dhamë ndihmën e parë mjekësore kapitenit, i cili në fakt kishte ndërruar jetë në anijen e tij. Verifikuam gjendjen e motoskafit, kontrolluam se mos kishte dhe të tjerë. Më duhet të theksoj se e gjithë situata ndiqej me shqetësim që nga ministria, Komanda e Flotës, Komanda e ishullit të Sazanit, pikat sinjalo-vrojtuese dhe repartet e artilerisë b/detare. Në ndihmën tonë mbasi kishim përfunduar misionin erdhi në mos gaboj dhe një katërsilurues tjetër nga baza e Sazanit teksa mbi hapësirën tonë ajrore fluturoi mbi ne një çift avionësh luftarakë nga tanët, për të treguar se ja dhe ne jemi këtu me ju. Nga bisedat me shokët e mi të armëve të llojeve të ndryshme atyre u ishte krijuar ideja se ne po përlesheshim dhe po shkëmbenim zjarr me armiqtë, banditët apo kontrabandistët kushdo që të ishte. Kësisoj në këtë situatë ata ishin të shqetësuar. Por këtë “imazh” të gabuar ua jepte jehona e mitralozave dhe automatikëve tanë të cilat dëgjoheshin fillimisht dhe jehona në det përseristë sërish “të shtënat”. Mendonim se teksa e prisnim Xhevdet Mustafën, anija me të cilën u ndeshëm duhej të ishte e këtij misioni edhe pse kapiteni i anijes nga larg kishte trupin e bëshëm e muskuloz si të Xhevdetit. Por jo. Ajo sipas të dhënave të mëvonshme të ekspertizës dhe gjykimit nga ana e organeve tona rezultoi, se ishte thjesht një anije kontrabandistësh. Në fakt këtë mision mund ta ketë ditur vetëm kapiteni dhe kur them mision, e kam fjalën detyrën për të kontrolluar jo vetëm shkallën e gatishmërisë, por indirekt dhe për të zbuluar se ku i kishim pikat tona dhe ku qëndronin anijet tona të pritës. Anoj shumë nga kjo e fundit, teksa Kadri Hazbiu tashmë çuditërisht në të kundërtën e sjelljeve të mëparshme, filloi t’i kërcënonte eprorët tanë se kush iu dha urdhër për të qëlluar?! Pse qëlluat pa leje? Komandanti ynë Q.Hysi mbase dhe shoku T.Meçe e N.Jaku, i cili u thirr në Tiranë për këtë problem i ka dhënë një përgjigje të mrekullueshme duke i thënë se qëlluam në emër të Atdheut. Natyrisht dhe unë jam shumë i bindur për këtë se anija e maskuar si “kontrabandiste” nuk kishte qëllim të zbarkonte desantë, por në shumatoren e të gjithë shkeljeve të hapësirës tonë detare deri te zbarkimi de fakto i bandës së Xhevdetit në shtator të vitit 1982, pra vetëm dy muaj më pas, e gjithë kjo periudhë ka qenë e karakterizuar nga shkelje të shumta të kufirit tonë detar. Në rast të një zbarkimi të tillë sikurse ai ndodhi jo shumë larg nga ngjarja jonë, pra në shtator të vitit 1982, do të ishte marrëzi nëse zbulimi i huaj nuk do të studionte me imtësinë më të madhe jo vetëm rajonin hidro-lundrimor të zbarkimit, por dhe mënyrën e organizimit e të ruajtjes së hapësirës detare dhe b/detare që i bënin forcat tona. Pavarësisht se ajo nuk ishte banda që prisnim, ne bëmë detyrën tonë në ruajtjen me fanatizëm të kufijve tanë detarë. Por ajo mundet të kishte qenë dhe vetë banda, që ne prisnim dhe që kishim dijeni të plotë për veprimtarinë e saj. Në ato situata të komplikuara çdo gjë mund të pritej nga armiku. Dy muaj më vonë do të zgjidhej misteri dhe do të dilte në skenë emri i kapobandës, i cili quhej Xhevdet Mustafa, i rrethuar nga forcat tona dhe që nuk arriti dot të shikonte as diellin e tokës shqiptare e jo më të realizonte misionin që i kishin ngarkuar padronët e tij të jashtëm në unison me banditët e brendshëm.

 

Postimet e fundit !