Portreti/intervista

Tefta Cami: Dila Mark Vladi-model i një gruaje trime e të vendosur

Dila Mark Vladi-model i një gruaje trime e të vendosur

E kam njohur që nga viti 1968 të nderuarën, Dila, që kur punoja në gazetën lokale “ Ushtima e Maleve “ dhe kemi shkruar për portretin e rolin e saj pararojë në reformat për emancipimin e gruas luriane e
dibrane. E kujtoj me mall pritjen karakteristike, që dinte ta bënte vetëm ajo, me krahëhapur dhe me një buzëqeshje që më ngjalli menjëherë afri e dashuri dhe mikëpritje prej nëne e zonje fisnike: – “Hajdeni! Bujrum e mirë se na erdhët! Kjo kullë nderohet e ndriçohet kur vijnë miq e shokë “. Mikëpritja e sajë më kujtoi shprehjen e popullit: “ Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, që e përdorin akoma në malësi.
Që tek porta e shtëpisë ndieva emocione. Një shtëpi e ndërtuar prej guri dhe me një portal qemeri e harkuar, ku në krye ishte dekoruar shqiponja dykrenare me një mjeshtri e saktësi prej skulptori. Shqiponja dykrenare nuk mund t’i shpëtonte syrit të asnjë vizitori, që hynte në atë shtëpi. Shqiponja ishte dhe mbetet emblema e symboli i shqiptarizmit. Kjo familje ishte e pasur në ndjenja e në zemër, e pasur në tradita atdhetare, me të cilat kishin se pse të krenoheshin. Në kujtesën e lurianëve ende ruhen trimëritë e burrit trim, Ndrecë Vladit, Heroi të Heshtur, që kishte vrarë dy ushtarë pushtues austro-hungarez dhe e kishin vrarë zaptuesit edhe atë, duke rënë heroikisht me armë në dorë. Shembulli i tij shërbeu si një mesazh thirrje për pasardhësit dhe gjithë lurianët:” Pushtuesit e huaj kurdoherë duhen luftuar me arme në dorë! ” Në kujtesen e lurjanëve mbahen ende mend masakrat që kanë bërë forcat shoviniste pushtuese serbe në atë krahinë gjatë Luftes së Parë Botërore, me gjithë rezistencën e papërkulur të popullsisë së krahinës. Atë traditë atdhetare të babait dhe të heronjve të Lurës e të
Dibrës, ndoqi edhe Marku, i biri i Ndrecës. Që ditët e para të pushtimit fashist italian Marka Ndreca e priti me urrejtje dhe vuri pushkën në krah, duke u radhitur në radhët e partizanëve, duke luftuar për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ndërsa bashkëshorti luftonte me armë në dorë në radhët partizane, edhe Dila qe përfshirë në ato ngjarje të medha historike, duke e kthyer shtëpinë e saj në një bazë të sigurtë për partizanët e të plagosurit, duke pritur e përcjellur partizanë të Divizionit të I-rë, të Brigadave të III-të e të IV-tër S, duke u çuar bukë e veshje etj.
Qenë pikërisht ato ngjarje të mëdha e ato vite të stuhishme, që e edukuan e kalitën popullin shqiptar me ndjenjat e guximit e të trimërisë, që e lidhën me ngushtë me pushtetin e ri popullor, sepse nga ai pushtet lindën shpresa të mëdha, që do të zhdukte shtypjen e shfrytëzimin, varfërinë e prapambetjen shekullore dhe do ta bënte popullin zot të fateve të tij. Menjëherë pas çlirimit të vendit fryma e optimizmit dhe e sakrificës përfshiu të madh e të vogël, burra e gra, të rinj e të reja për të zhdukur sa më shpejtë pasojat e dëmet e luftës dhe për të rindërtuar Shqipërine e re popullore e demokratike. Edhe Marka Ndreca me bashkëshorten e tij, Dilen, kjo frymë e idealeve të mëdha atdhetare i përfshiu dhe iu përkushtuan për të punuar me vendosmëri e sakrifica, që reformat e pushtetit të ri te realizoheshin edhe në fshatrat e Lurës së thellë e të largët dhe të harruar deri atëhere. Dila mbahet mënd si një grua e fortë dhe e guximshme, që dinte t’i dominonte dhimbjet në raste fatkeqësishë. Ajo ishte mësuar ta përcillte e ta priste bashkëshortin e bashkëluftetarin e saj, Markun nëpër misione e aksione të atyre viteve. Por një ditë ajo, ndonëse e përcolli, e priti dhe e priti… me zemër të ngrirë. Nuk e priste t’i kthehej në krahët e shokëve. Ai u nis për të kryer një mision të rëndësishëm në mes të dimrit për të luftuar kundër bandave
kriminale të atyre viteve. Por nuk u kthye dot me këmbët e tij, por në krahë të shokëve. U ndie i qetë se e kreu misionin, pavarësisht që e pagoi me jetën e tij. Dila e përjetoi me shumë dhimbje humbjen e parakohëshme të shokut të saj të jetës, Markut, që ndërroi jetë në lulen e rinisë, në moshën 36 vjeçare. Thellë në zemrën e saj mbeti një enigmë, se pse dhe si ndërroi jetë Marku, duke lënë edhe tre djem në
moshë të mitur. Edhe në atë dhimbje të humbjes së bashkëshortit e të bashkëluftetarit të saj Dila u tregua një grua e fortë dhe e guximshme. Fati e bëri që të ishte grua e nënë, por edhe kryefamiljare, dmth, edhe burrë në atë familje, që do t’i duhej të përballej me vështirsite e jetës dhe sfidat e kohës. Ajo grua mbartërte shumë energji, që i vinte në përdorim sa herë vihej para problemeve e vështirësive të jetës. Kur ndërroi jetë Ndreca, Dila i mblodhi forcat dhe nuk iu nënështrua dhimbjes, por diti ta kthejë në forcë për të ecur përpara ashtu siç e kishin parashikuar të ardhmen bashkë me Markun. Modelin e
kujtimin e Markut Dila punoi qe ta mishërojë tek djemtë e saj dhe ndjehej krenare se arriti t’i përgatiste të tre djemtë me arsim te lartë dhe të ndertonin jetën e tyre si misionarë të nderuar në zanatet e tyre
në shërbim të popullit dhe të Atdheut. Më kishte folur e më kishte bërë vlerësime për të një bashkëpunëtor i gazetës dhe shoku im, i nderuari Hilmi Kolgjegja në gazetën lokale. Ajo ishte e zgjedhur në plenumin dhe kryesinë e Bashkimit të Grave të rrethit të Dibrës. Kishte një shtat mesatar. Portreti i saj i bukur, me një fytyrë pak si vezake e me lëkurë të pastër e të freskuar nga ajri qelibar i pishave të larta shekullore të Parkut të Madh Kombëtar të Lurës, që me ligj ruhej nga shteti. Balli i gjërë, më
dukej si i mbërthyer në mendime, por që i vetkontrollonte me gjakftohtësi. Sytë e saj ndonëse të vegjël, por dukeshin shumë zhbirues e të vemendshëm, që s’i shpëtonte asgjë pa e vënë re dhe pa parë në tërë gjërësinë e thellsinë të problemeve. Megjithse ishte e para që e kishte hequr veshjen e rëndë, ajo mbante në kokë një shami të bardhë të lidhur prapa, siç e kanë patur traditë fshati i saj Merkurth dhe lurianet e tjera. Kryetarja e gruas të rrethit të Dibrës në ato vite, Advije Lazri , që ka dhënë për shumë vite një kontribut të madh në reformën për emancipimin e grave e vajzave dibrane, e vlerësonte Dilën: “ Dila na sjell freskinë e grave të Lurës dhe përvojën e pasur të asaj krahine.” Dhe me të vërtetë, ajo sillte frymën e freskinë e mendimit e të panoramës së bukur të 7 liqeneve e të bjeshkëve të bukura. Një nga reformat që ndërmori partia e pushteti popullor në ato vite qe komplekse dhe e gjithanshme, që u përqafuan nga krahina e Lurës, si dhe nga të gjitha krahinat e tjera të Dibrës. Ajo reformë kishte të bënte me zgjimin e emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos të grave e të vajzave, si shtresa më e prapambetur
shoqërore. Duke u udhehequr nga idetë e Rilindësve tanë të mëdhenj, u shtrua si detyrë që të punohej intensivisht për zhdukjen e prapambetjes dhe ndriçimin e mendjes së shqiptarëve, për dhënien e
dijeve e të kulturës, nëpërmjet hapjes së shkollave anekënd Shqipërisë për brezin e ri dhe organizimit të kurseve kundër analfabetizmit për të rriturit, që u eleminua brenda pak vitesh, dmth, 3-4 vjet. Pjesëmarrja në punë i të gjithë shqiptarëve, i burrave e grave ishte dhe mbeti një drejtim me shumë rëndësi për emancipimin e gruas dhe rritjen e të ardhurave të tyre, për forcimin e pozitës së gruas në familje, si dhe tërheqjen e grave e vajzave në jetën politiko-shoqërore. Për realizimin e reformave u bënë shumë përpjekje dhe u mposhtën e kapërcyen shumë vështirësi si kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve të huaja, që vazhdonin ta përçmonin e çvlerësonin rolin e gruas dhe të vajzave. Dija e kultura u vlerësua si arma më e fuqishme dhe efikase, që i bënte njerëzit të ishin të lire dhe të aftë të mbronin liritë e të drejtat e tyre. Arsimimi e pjesëmarrja në punë e në votime dhe zgjedhja e grave e vajzave në drejtimin e institucioneve shtetërore e partiake, ndikoi shumë në në sigurimin e barazisë të grave e vajzave në shoqërinë e atyre viteve. Dila ka drejtuar për shumë vite aksionet e reformat për
emancipimin e gruas në Lurë, duke udhëhequr me shembullin e saj dhe duke patur parasysh veçoritë e krahinës së Lurës, që ishin karakteristike në të gjitha zonat malore në Dibër. Gruaja në Lurë kishte qenë më e lirë dhe gëzonte disa të drejta në familje e në shoqëri. Nuk qe e vështirë, që të merrte pjesë në punët e kooperativës bujqësore, sepse kishte punuar tradicionalisht jashtë në bujqësi, priste e përcillte miqtë edhe kur nuk e kishte burrin në shtëpi dhe nuk kishte qenë e mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë apo të ishte e mbuluar, kur dilte jashtë ambjentit të shtëpisë, ashtu siç ndodhte në zonat fushore të Dibrës, apo siç po ndodh tani edhe në këto 33 vjet të sistemit demokratik, ku janë rikthyer recidivat e vjetra, deri edhe mbajtja e shamive nga vajzat edhe në shkolla e universitete. Dila ka përfaqësuar një grua drejtuese të zgjuar e të mençur dhe organizatore te talentuar. Fjala e saj qe me peshë e zinte vend tek gratë e burrat e krahinës. Gjithmon ndiqej shembulli i saj si një grua autoritare aq sa ishte bërë zakon, që fshatarët të pyesnin: “ A është Dila në aksion? A ka shkuar Dila në kursin kundër analfabetizmit? A merr pjesë Dila në punë? A është futur në kooperativën bujqësore Dila? A e hoqi veshjen e rëndë Dila? A i dorëzoi bagëtitë Dila?” Çdo aksion e reformë lidhej me shembullin e Diles. Sipas shembullit të saj vazhduan kurset e luftës kundër analfabetizmit të gjithë burrat e gratë
e krahinës që ishin mbi moshën 16 vjeç dhe u realizua me sukses, ku të gjithë mësuan shkrim e këndim, morën njohuri në histori e matematikë etj, duke marrë dëshmi për kryerjen e kursit të zhdukjes
së analfabetizmit, që ishte ekuivalente me mbarimin e dëftesën e shkollës fillore. Një pjesë e kursantëve vazhduan edhe shkollat 7- vjeçare e të mesme. Në dëshmitë jepej vlerësimi real për njohuritë që
kishin marrë nëpër kurse. Në vitet ‘80 kur unë isha ministre e Arsimit dhe Kulturës u ndërtua dhe u çel edhe shkolla e mesme në krahinën e Lurës, ku vazhdonin mesimet mbi 90% të nxënësve që mbaronin
arsimin e detyruar 8-vjeçarë. Po të jetonte Dila tani, do të revoltohej për ngujimet nga gjakmarrjet dhe për përhapjen e analfabetizmit në Shqiperi. Dila njihej si një grua e zonja, si zonjë shtëpie model, si një nënë e dashur dhe e kujdesëshme, si një aktiviste e punonjëse sociale, që u gjendej gjithmonë pranë grave e vajzave në nevojë. E kujtojnë me shume nderim e respekt grate e vajzat qe e kane njohur, se ajo kishte një komunikim të ngrohtë e shoqëror, dinte të bisedonte e debatonte me shoqet dhe të zhbironte me takt e kujdes, duke nxjerre problemet e duke u dhënë edhe rrugëzgjidhjet e mbështetjen e duhur.
Dila e njihte traditën e krahinës dhe i respektonte ato që përfaqësonin vlerat e pasura atdhetare e kulturore të popullsisë. Më ka treguar për menyrën e organizimit që ka patur para çlirimit Lura si

bajrak i vetëm i Dibrës. Më vonë m’i ka shpjeguar më me hollësi Hilmi Kolgjegja dhe kam mbajtur këto shënime në ditarin time: “ Lura prej shekujsh ka qenë vetqeverisur prej 12 pleqve që i
quanin pari e Lurës. Ndonëse jo plak me titull, për merita personale në pari të Lurës bënte pjesë edhe Ibrahim Gjoçi nga Krej-Lura. Ky ishte si përfaqësues i halisë ( vegjëlisë ) së Lurës dhe mbante anën e tyre.
Kur të 12 pleqtë merrnin vendime ose ndanin karare, që binin në kundërshtim me interesat e vegjëlisë ose haptazi në kundërshtim me kararet e njohura të Lurës, kuvendi i Lurës i rrëzonte të 12 pleqtë dhe
nxirrte 12 dhetarë ( përfaqësues të popullit ) me fuqi të plotë për çdo vendim e kararë. Kur dhetarët shpërndaheshin mbas vendimit e kararit, nga gjiri i tyre zgjidheshin 5 ose 6 veta që quheshin ( Reja ), që
bënin kontroll për zbatimin e vendimit e të kararit. Ky lloj organizimi e gjykimi, me siguri, ka të bëjë me Kanunin e Skënderbeut, që ka patur një ndikim të madh në trevën e Dibrës e të Matit. Më vonë ato
kërkesa të atij Kanuni u kthyen në zakone dhe zbatohen nga të gjithë pa patur nevojë për gjykime e vendime pleqësie.
Pleqtë tradicional ( të përhershëm) të Lurës kanë qenë këta:
1). Doçi- ( Zef Bib Doçi, shtepi e pare disa breza edhe krye pari );
2). Mena ( Hakik Ali Mena, bajraktar i Lures rreth vitit 1730 );
3). Kaci- ( Dalip Hasan Kaci );
4). Nezha- ( Fere Can Nezha );
5). Gjogjegja- ( Ahmet Can Gjogjegja );
6). Skana- ( Bajram Tahir Skana );

7). Vladi- ( Cen Mud Vladi );
8). Vladi- ( Zenel Musa Vladi );
9). Haldeda- ( Hamit Cen Haldeda );
10). Ajazi ( Deme Sadik Ajazi );
11). Gjoçi- ( Ahmet Can Gjoçi );
12). Perleka-( Ibrahim Hazis Perleka ).
Përsa i takon halisë, kur zëvëndësonin 12 pleqtë, nuk ishin të
përhershëm, por zgjidheshin sipas meritave personale dhe ishin në
shërbim të popullit dhe të zgjedhur vetëm për një kohë të caktuar.
Ndërsa të 12 pleqtë e mësipërm ishin të përhershëm.
Kryeparë të Lurës kanë qenë këta:
1). Doçi- Shtëpi e parë në disa breza;
2). Mena- Bajraktar i Lurës
3). Gjoçi- Përfaqësues i halisë ( vegjëlisë).”
Ky organizim ka funksionuar deri në maj të vitit 1944, dmth, deri në Kongresin e Përmetit, kur filloi forma e re e ndërtimit të pushtetit të ri dhe u ngritën këshillat nacionalçlirimtare edhe në krahinën e
Lurës. Ngritja e këshillave nacionalçlirimtare çoi drejt shuarjes si të organizimit të bajrakut, te kryeparive dhe të pleqësive të Lurës, ashtu edhe të strukturave të Nëntë Maleve të Dibrës.
Dila njihte dhe vlerësonte si traditat e mira të krahinës, ashtu edhe format e reja të organizimit e të drejtimit të vendit. Ajo njihej si një grua e drejtë dhe e guximshme, që dinte të bënte si vlerësime

objektive, ashtu edhe të kritikonte e të mos pajtohej me të keqen e vendimet arbitrare, që binin në kundërshtim me interesat e popullit. Ishte e mprehte e i nuhaste situatat dhe dinte të gjykonte e
arsyetonte me gjakftohtësi, që koha u dha të drejtë dhe vërtetoi gjykimet e saj. E kam ndëgjuar të thoshte me kurajo në ato vite:
“ Vërtetë ne jemi pjesë e Shqiperisë dhe i zbatojmë ato vendime që merren në Tiranë e në Peshkopi. Por ne jemi në Lurë, që është vend malor. Pse të preket besimi i njerëzve? Nuk ëshë vepruar mirë, që u
prishën kishat e xhamiat, sepse u prish besimi i popullit.” Edhe reformat, që u muarrën më vonë per kufizimin e heqjen e oborrit kooperativist Dila, jo vetëm nuk i ka mirëpritur, por i ka pas
kundërshtuar, sepse ajo e ndiente, se ato reforma do te çonin drejtë dobësimit e dështimit të ekonomive të kooperativave bujqësore dhe në rënien e nivelit të furnizimit e të jetesës së popullsisë në Lurë,
ashtu siç ndodhi në të gjithë rrethin e Dibrës dhe në Shqipëri. Ajo nuk ishte drejtuese apo specialiste ekonomisë bujqësore, por me intuitën e përvojën e saj ua kalonte dhjetra herë atyre. Dila kishte mësuar e
përvetësuar shkollën e madhe të jetës. Jeta e Dilës sa qe gjallë qe aktive, qe një shembull e model për të
gjitha lurianet e dibranet, që e donin dhe nderuan deri në fund të jetës së saj.

Tefta Cami-Cani
Ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Ky material i është dorëzuar z.Lenin Vladit, djalit të Dilës, sipas
kërkesës së tij.