TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në vijim të takimeve që po zhvillon në Shkup, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Në fjalën e tij Balla theksoi se Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) si dhe të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë.
“E njohëm kryediplomatin e Maqedonisë së Veriut me faktin se Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. I kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të saj në APKiE të mbështesë këtë démarche në dobi të qartësimit të së vërtetës përkundrejt shpifjeve dhe të pavërtetave në raportin që frymëzoi atë Rezolutë në vitin 2011″, theksoi Balla.
Gjithashtu, Balla deklaroi se Shqipëria shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.