Tjera

Sylë Kasumaj – Instituti Albanologjik: Fjala e mbajtur në varrimin e Prof. dr. Sadri Fetiut

FJALË MORTORE

Prof. dr. Sadri Fetiu (1942-2021)

(me rastin e varrimit)

Të nderuar familjarë, të afërm, miq, bashkëpunëtorë, kolegë, dashamirë dhe gjithë ju të pranishëm të këtij momenti mortor të ndarjes fizike të Prof. dr. Sadri Fetiu, më lejoni që në emër të Institutit Albanologjik, me këtë fjalë homazh të ndahemi nga ky intelektual i dalluar, shkencëtar, studiues i pothuajse të gjitha disiplinave albanologjike, folklorist, etnolog, historian dhe filolog, mësimdhënës, shkrimtar, publicist, përkthyes dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare.

Vdekja e profesor Sadri Fetiut, ishte një lajm i trishtë, jo vetëm për familjarët, por edhe për kolegët, dhe bashkëpunëtorët e tij në Institutin Albanologjik, të cilit ia kushtoi rreth 40 vjet punës së tij, ku dha gjithë kontributin jetësor në fushë të albanologjisë. Kjo ëshë humbje e madhe edhe për komunitetin shkencor shqiptar përgjithësisht.  

Ne që e njohëm dhe patëm fatin të bashkëpunojmë me dr. Sadri Fetiun,  mbi 40 vjet, do ta përkujtojmë gjithnjë me respekt si personalitetin, intelektualin, shkencëtarin dhe udhëheqësin e dalluar që falë punës së tij me përkushtim dhe përgjegjësi, Insituti Albanologjik  arriti t’i mbijetojë të gjitha sfidat me të cilat u përball sidomos gjatë viteve 90, kur ishte në krye të këtij institucioni, ku një pjesë e aktivitetit politik të luftës sonë për pavarësi u zhvillua pikërisht në këtë institucion.

Sadri Fetiu lindi në fshatin Peçan të Therandës (Suharekës), më 7.2.1942. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Therandë, gjimnazin në Prizren dhe Fakultetin Filozofik – Grupin e Albanologjisë – në Prishtinë, më 1965. Gjatë viteve 1961–1964 ka punuar gazetar i kulturës dhe arsimit në Radio-Prishtinë. Për 12 vjet me radhë (në vitet 1965–1977) ishte mësimdhënës i gjuhës dhe i letësisë shqipe në qendrën shkollore teknike “19 Nëntori” të Prishtinës. Në vitin 1976 e mbrojti temën e magjistraturës, ndërsa më 1977 angazhohet në fushën e studimeve të letërsisë popullore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në studimin e baladës popullore shqiptare.

Është zgjedhur në të gjithë titujt shkencorë, në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik. Ka qenë anëtar shumëvjeçar i redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” – Seria folklor dhe etnologji, si dhe në redaksitë e botimeve të veçanta të botimeve të IAP-së. Duke filluar nga viti 1991 ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit e më vonë për dy mandate radhazi është zgjedhur drejtor i Insitutit Albanologjik të Prishtinës, duke kryer këtë detyrë për 16 vjet (1991–2007).

Prof. dr. Sadri Fetiu ishte shkencëtar mjaft prodhimtar dhe i thelluar. Është autor i shumë punimeve shkencore dhe i një numri të konsiderueshëm recensionesh për veprat e botuara nga fusha e folklorit dhe e letërsisë. Ka dhënë ndihmesën e vet të veçantë për redaktimin e një numri të botimeve dhe të revistave të Institutit. Duke qenë ndër autoritetet më gjurmëlënëse në veprimtarinë shkencore, emri i tij është identifikuar me Institutin Albanologjik, me misionoin dhe arritjet e gjithmbarshme të tij.

Prof. dr. Sadri Fetiu gjithashtu u shqua si njëri ndër intelektualët që e mbështeti gjithnjë rezistencën kundër pushtuesit të Kosovës. Ishte ndër të parët që haptazi doli në përkrahje të luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Përherë ishte në anën e së drejtës edhe kur ajo i përkiste të pafuqishmit. Ishte i pathyeshëm në bindjet e tij parimore.

Ndonëse Profesor Sadriu nuk pati pranuar që të mbanim një aktivtet për nder të 70-vjetorit të lindjes së tij, pak kohë para se të sëmurej ishim dakorduar që, megjithatë, ta shënonim 80-vjetorin e lindjes, në shkurtin e vitit të ardhshëm.  Natyrisht që këtë planifikim do ta përmbushim, ndonëse me zemër të thyer dhe pa praninë e tij fizike.

Si Institut Albanologjik, krahas dhembjes për këtë humbje të madhe, ndjehemi krenarë që e patëm një profil të këtillë shkencëtari, intelektuali e njeriu. Humbja e një personaliteti të këtillë është humbje edhe për vendin tonë dhe shkencën shqiptare përgjithësisht. Megjithatë, trashëgimia e tij studimore e shkrimore do të jetojë si një monument i rrallë i korpusit të dijes shqiptare. Ky fakt na ngushëllon dhe njëkohshëm na bën krenarë si kolegë dhe si institucion.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Profesor Sadri Fetiut!

Prishtinë, më 11 maj 2021